Kur’ani famëmadh dhe “ateizmi shkencor”


All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush”. ( El Bekare, 269) Pra, dituria është burimi i urtësisë.

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëmadh na thërret në meditim, na nxitë në hulumtime shkencore në mënyrë që nëpërmjet shkencës të arrijmë deri te njohja e ekzistencës së Zotit, dhe ajo që ndodh përreth nesh është rezultat i urtësisë dhe dëshirës së Tij.

Ai është Zoti absolut i fuqisë së pafund. Të shërbyerit e njeriut me shkencë nuk është çrregullim i rendit Hyjnor. Pasuria dhe fuqia e njeriut të sotëm rrjedhin nga dituria të cilën ia jep shkenca. Sipas mësimit islam shkenca është imperativ për besimtarin dhe begati e vërtetë e Zotit. Fjalët e para të drejtuara Muhammedit a.s. nëpërmes Shpalljes kanë qenë:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (El Alak, 1-5)

Çdo send që posedon gjallëri (këtu bën pjesë edhe njeriu), me jetën e tij dhe punën e tij shkakton ndryshime, e këto ndodhin siç na mëson islami sipas përcaktimit të Zotit. Këtu është në pyetje diç tjetër: forma morale e qëndrimit tonë.

Feja na mëson dhe tërheqë vërejtjen që shkencën ta shfrytëzojmë në të mirë, e jo në të keqe, duke kërkuar nga ne që të jemi falënderues ndaj Zotit. Islami kërkon nga ne që çdo mirësi që posedojmë të jetë shërbim të njerëzve dhe kjo të jetë nga dashuria ndaj Zotit, pa asnjë llogari njerëzore, por duke pritur vetëm shpërblimin nga Ai.

Edhe diç tjetër: islami tërheqë vërejtjen që të mos bëhemi kryelartë. Kur’ani kërcënon kryelartët: “Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhennet deri të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët”. (El A’rafë, 40)

“ Çdo gënjeshtar e shumë mëkatar është i shkatërruar. Që i dëgjon ajetet e All-llahut, të cilat lexohen, e pastaj vazhdon prapë si mendjemadh, sikur nuk i ka dëgjuar ato. Atë lajmëroje për një vuajtje të dhembshme”. (El Xhathije, 7-8)

“Këtë (dënim) e keni për shkak se gëzoheshi padrejtë në Dunja (duke bërë mëkate etj.) dhe për shkak se krenoheshi (me mendjemadhësi)” . (Gafir, 75)
“Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan .

E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t'i shohësh në ditën e kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në xhehennem vendi i arrogantëve?” (Ez Zumer, 59-60)

Por, mu njeriu bashkëkohor u bë kryelartë. Kjo nuk është shkas i asaj që e mëson shkenca, por ajo që i ofron shkenca. Ai krenohet: “Këtë e kam arritur me diturinë time. E gjeta rrugën dhe mënyrën që të arrij te kjo”.

Këtë na përkujton Kur’ani fisnik në rastin e Karunit: “Ai (Karuni) tha: "Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!"...” (El Kasas, 78)

Njeriu shpjegon, që ka filluar nga asgjëja si prodhim i natyrës, por që evolucioni ia mundësoi që gjithnjë e më shumë të lirohet nga kontrolli i saj.

Shpallja e përmirëson, e këshillon që Zoti është Ai, i Cili e ngriti njeriun, por njeriu për këtë nuk qan kokën fare, ai është i liruar nga modestia dhe falënderimi religjioz. Dhe kështu i trimëruar me sukseset e tanishme në shkencë dhe teknikë, mahnitet me mundësitë e mëdha të cilat në shikim të parë ia ofron e nesërmja. Ai nuk druan të thotë që kur t’i njeh edhe fshehtësitë e panjohura të jetës, më në fund do të bëhet “zot i vetës” dhe zot i vet natyrës, e jo rob i saj.
Perspektiva është impresive.

Do të humbasë uria dhe sëmundjet në Tokë. Organet e dëmtuara do të zëvendësohen me ndërmarrje kirurgjike me organe të shëndosha apo plastike.

Jeta e njeriut do të zgjatet. Është e njohur që zhvillimin e njeriut e rregullojnë disa gjëndrra me tajim të brendshëm. Njohja e fshehtësisë së funksionimit të tyre dhe të kodit gjenetik, gjegjësisht njohuria çfarë ndikon në funksionimin e tyre të rregullt ose të parregullt, do të thotë mundësia e njeriut dhe në këtë ai shpreson që sipas dëshirës së tij të krijoi gjeni ose idiot në sferën intelektuale, ndërsa xhuxhë ose div në imazhin fizik. Njohuria e thellë mbi gjenet dhe terapia rekombinante e ADN-së do të ndikoj në karakteristikat trashëguese. Në epruvetë do të kultivohen embrionet njerëzore me cilësi të përcaktuara më parë, psiqike, fizike dhe intelektuale, e që krijon vizionin e revolucionit biologjik të tërësishëm të llojit njerëzor.

Hulumtimet më të reja në lidhje me të menduarit dhe transmetimin e përvojës në pasardhës si karakteristika trashëguese (e që deri më tani kanë qenë të njohur si instikt) ka sjellur deri te kuptimi se deponimi i diturisë është e përmbledhur në një formë në strukturën kimike të molekulave të quajtura ARN dhe ADN. Kjo hapë hipotezën teorike në mundësinë e injektimit të diturisë artificiale, thënë në mënyrë abetareske, me injeksione e jo me shkollim të mundimshëm shumëvjeçar.

Njeriu pranon se tani sapo ka hapur derën e botës së re fantastike të mundësive njerëzore.
Por, sa i përket teknikës, këtu njeriu është në hov të plotë. Në prag është e ashtuquajtur epoka post industriale e begative materiale kur puna e lodhshme njerëzore do të zëvendësohet me punën e makinave automatike të udhëhequra me trurët elektronik. Pastaj mundësitë e pa parapara të komunikimeve. Zbuloi energjinë atomike dhe shërbehet me të, në prag janë njohuritë e reja për proceset e reja subatomike, mbi antithërrmijat, mbi antimaterien, të cilat ia hapin burimet e mëdha energjisë, në të ashtuquajturë n anihilim të materies, që do t’ia lehtësoi rrugën deri te planetët tjera, duke i mundësuar mbijetesën në ato, si dhe rrugën kah yjet tjera dhe kozmosi.

Duke gjykuar sipas sukseseve të deri tanishme e gjithë kjo nuk është fantazi por mundësi reale.
Mirëpo, kur, çfarë dhe sa do të realizoj nga dëshirat dhe ambiciet e tij, varet nga dëshira e Zotit. Të gjitha sukseset dhe mossukseset janë sipas përcaktimit të Zotit. Këtë mesazh ia përcjellë Shpallja.
Feja na mëson në modesti. Modestia nuk është mungesë e dëshirave, ambicieve dhe punës, falënderim, falënderim i dërguar në vend të vërtetë, falënderim ndaj Zotit në rezultatet e arritura. Feja tërheq vërejtjen njeriut që dëshirat mos ta humbasin në lakmi, zili, padrejtësi dhe tirani.

Edhe shkenca e mëson në modesti. Në çdo hap ajo tregon në kufizimin e diturisë dhe fuqisë sonë dhe në varshmërinë tonë në fuqinë jashtë perceptimeve tona. Çdo ditë na zbulon se vlera jonë është gjithnjë më e vogël se sa kemi menduar.

Përderisa qielli deri dje ka qenë menjëherë mbi kokën tonë, tani na zbulohet se është i gjerë me miliard vjet drite. Sa më tepër e njohim atomin ose qelizën kuptojmë se janë shumë më të komplikuar se sa kemi menduar.

Makrokozmosi dhe mikrokozmosi na zbulohen me ligjet e tyre të çuditshme dhe zhvillime të cilat impresionojnë intelektin njerëzor.
Edhe pse dituria njerëzore, fuqia dhe pasuria rriten vazhdimisht, kjo ka vetëm vlerë relative.
Për këtë nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë, fjalët që dëgjohen që për njeriun paraqitet ardhmëri e mundësive të pakufizuara. Sa do që të jenë të mëdha, prapëseprapë janë të kufizuara dhe si të tilla do të mbesin.

Kur dëgjohet për të gjitha shfaqjet fantastike të ardhmërisë njerëzore, habitë që ende nuk dëgjohet edhe mendimi që njeriu do të ngadhënjejë pleqërinë dhe vdekjen. Ende nuk është e qartë për te çfarë do të thotë vdekja, apo si shkaktohet pleqëria.

Mirëpo, edhe fenomeni i fitores ndaj sëmundjeve ka vetëm vlerë statistikore. Sëmundja nuk është e lidhur vetëm me fenomenin e varfërisë dhe skamjes. Edhe standardi i lartë njerëzor i ka sëmundjet e tij. Siç e dimë nga përvoja, disa sëmundje zhduken, të tjerat paraqiten në mënyrë të pashpjeguar, prandaj njeriu pyet a është reale të pritet kohë pa këto fatkeqësi.

Thjeshtë na vihet konkludimi filozofik nga ky fakt që secila kohë i ka problemet e veta, peripecitë, vuajtjet dhe shkaktarët e vdekjes, e kështu do të jetë edhe më tutje si antitezë e sukseseve dhe dëshirave njerëzore. Është e çuditshme që njeriu faktin e ndryshimeve dhe shkatërrimit permanent të asaj që është nuk e ka shpallë princip në natyrë. Por, për besimtarin është i mjaftueshëm shpjegimi kuranor që çdo gjë është e ekspozuar ndryshimeve dhe shkatërrimit, përveç Qenies Hyjnore e cila është e përhershme: “Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!” (Er Rahman, 26-27)

Të kultivosh embrionin në epruvetë nuk është njësoj si të krijosh embrionin. Të mbledhësh elemente të caktuara në proporcion të caktuar nuk është vështirë, por si nga kjo të krijohet jetë, qelizën e cila rritet dhe shumohet?

Shkencëtarët të vetëdijshëm për arritjet e diturisë dhe mundësive të tyre, janë shumë më modest se sa janë mendimet laike.

Por zhvillimi tekniko – teknologjik sikur nuk njeh kufizime. P.sh. robotët që përgjigjen në pyetje – veprimet e tyre janë të bazuar në imitimin e sistemit nervor të njeriut. Nuk ka pengesë teorike që të konstruktohen robotët që do të tregojnë emocionet, që të “gëzohen” ose “të hidhërohen” – e që do të jetë imitim i pastër dhe programim nga ana e njeriut.

E tërë kjo lenë përshtypje të thellë, ndërsa ne, jemi tek në fillim të epokës elektronike! Por, çfarë do të ndodh nesër? Përparimi i tanishëm teknik ka kaluar fantazinë njerëzore. Kanë filluar të qarkullojnë mendime; mos ndoshta robotët e të nesërmes, të cilët do të sjellin konkludime logjike, do të kundërvihen pushtetit dhe eksploatimit njerëzor?

Mirëpo, ekziston një përgjigje e thjeshtë dhe bindëse: robotët, sado që të jenë të përsosur, asnjëherë nuk do t’i arrijnë njerëzit, dhe nuk mund të bëjnë atë që e bëjnë njerëzit, ngase nuk kanë vetëdije dhe dëshirë. Literatura fantastike u jep robotëve të tyre vetëdije, por të gjithëve na është e qartë se vetëdijen ata nuk do ta kenë kurrë. Ndoshta do të ishte e tepërt të përmendim papërgjegjësinë morale të këtyre makinave sikur mos të duhej të theksonim që njeriu gjithmonë do të jetë moralisht përgjegjës për pasojat e veprimeve të tija.

Intelekti njerëzor, vazhdimisht mundohet me çështjet e arsyeshmërisë të ekzistencës njerëzore. Nëse vdekja është fjala e fundit e natyrës, ligjeve dhe fuqive të saja, atëherë jeta për vet njeriun është e pakuptim. Jeta për vet jetesën është mashtrim i rëndomtë.

Në jetën e përditshme hasim fjalët vulgare: “Lejo të jetosh këtu”, njeriu mundohet të jetë i ndershëm ndaj vetit, dëshiron të arsyetoj ekzistencën e tij personale. Mendimi ateist pohon atë që është, gjendjet dhe proceset, shkaqet e tyre prekëse dhe pasojat e dukshme, dhe këto i ofron si shpjegime, dhe këtë e shpjegon si arsyetim.

Mu në këtë është gabimi i mendimit ateist, që duke u munduar të shpjegoj njeriun, karakterin dhe zhvillimet e tija në natyrë kërkon edhe arsyetimin e ekzistimit të tij. Faktin e ekzistimit të tendencave biologjike, epsheve dhe dëshirave mundohet t’i kuptoj si një gjë që në vete është e mjaftueshme. Për këtë mund të ndodh që mendjes njerëzore ateiste t’i duket se është e vetëkuptuar që llojet më në fund shkatërrohen dhe definitivisht zhduken, ndërsa lloji i tyre homo sapiens, shkon gjithnjë përpara si një rrjedhë e pa kthyeshme.

Por, feja mëson që edhe për popuj ekziston vdekja. Ne e dimë nga historia që shumë popuj kanë qenë dhe kanë ekzistuar. Ne nga retrospektiva vendosim kushtet si kanë mundur të shpëtojnë nga shkatërrimi, por Kur’ani na përmirëson: “Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t'u vijë afati tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë”. (El A’rafë, 34)

Kur’ani vendos kushtet e tij dhe ato janë të natyrës morale. Në tregimin e Jonusit thotë: “Përse nuk pati vendbanim që të ketë besuar e besimi i tij të ketë ndihmuar (në shpëtim), pos popullit të Junusit, që pasi që besoi, Ne larguam prej tyre dënimin shëmtues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar”. (Junus, 98)

Rruga deri te zotërimi mund të tregohet edhe si rrugë deri te shkatërrimi. Shkenca e njeh këtë dhe e quan si “çrregullim i baraspeshës biologjike në natyrë”. Me zhdukjen e luanëve në disa savane të Afrikës, shumë shpejtë ato regjione u kthyen në shkretëtirë. Bimëngrënësit aq shumë u shumuan sa shkatërruan tërë vegjetacionin.

Përvojat e këqija në Australi me një lloj kaktusi i cili në mënyrë krejt naive ishte mbjellur në një oborr si bimë zbukuruese, duke u përvjedhur mbuloi një të tretën e kullosave të këtij kontinenti duke u bërë problem nacional, e shtynë njeriun të ketë kujdes për pasojat negative të veprimit të tij. Kështu në të gjitha anët që tani ngritët alarmi për shkak të ndotjes së ujit dhe ajrit, nxehjes globale, mënyrës jo racionale të eksploatimit të xeheroreve, për shkak të shumimit tej mase të llojit njerëzor, me ç’rast njeriu kërcënon vetveten, për shkak të zbulimit të helmeve në organizmin e njeriut, nga pesticidet.
Fuqia e njeriut shpesh po tregohet si shpatë me dy tehe.

Feja mëson që tërë kjo botë materiale, kështu si është, do të përjetoj ndryshim të papritur, katastrofa me përmasa kozmike. Kjo do të thotë edhe fundin e kësaj bote: “Erdhi (është afruar) caktimi i All-llahut (kijameti), pra mos kërkoni ngutjen (ardhjen para kohës) e tij!....” (En Nahl, 1)

Në tërë Kur’anin thuhet për këtë si moment i cili veç është i përcaktuar e për të cilin di vetëm Zoti.
Ateisti nuk mendon për këtë, ai në ardhmëri shikon sikur zhvillimi i tanishëm në kozmos do të shkoi nesër pa pengesa me tempo të njëjtë. Por, shkenca nuk e trimëron këtë mendim ateist. Ajo tregon në shumë procese të mundshme të cilat paraqesin shkatërrim për llojin njerëzor. Përmbytjet, thatësinë, goditjet termike dhe acari i madh, çrregullimet tektonike, epidemitë, sarsi, sida, virusi i shpezëve dhe katastrofat e ngjashme që sulmojnë njeriun, e gjithë kjo për besimtarin ka formën e saj morale, andaj nga këto nxjerr përfundim moral.

Një ateisti kjo nuk i shkon fare ndërmend. Zbulimet e fundit na kanë befasuar që të ashtuquajturat, njollat në diell kanë ndikim të madh në jetën psikike të njeriut.

Ose sikur Dielli të rritë për 1% nxehtësinë e tij, çdo gjë do të digjej në Tokë, ndërsa nëse do të zvogëlonte për 1% çdo gjë do të ngrihej.

Ndërsa Dielli rrezaton me intensitet të njëjtë dhe mu kjo mundëson jetën në Tokë.
Ateisti përafërsisht kështu do të përgjigjej: “Nuk shoh shkas përse do të duhet të ndodh diç jashtë asaj që ndodh zakonisht”.

Nga aspekti i fesë, mu kjo është tragjedia e ateistit.
Ai nuk sheh Zotin, andaj mendon që bota në vete mjafton.
Feja e ka mësimin e vet dhe ofron shkaqet e saja. Shkenca po ashtu. Feja jep fjalën e fundit, ndërsa shkenca starton nga rastet e veçanta dhe me sintezën e tyre mundohet të fitoj fjalën përfundimtare.
Shkenca ende ka shumë gjëra të pa zbuluara, por qëndrimet e fesë dhe shkencës ofrohen, thënë më saktë qëndrimet shkencore gjithnjë e më shumë përputhen me qëndrimet e fesë.

Por, gjithsesi rreziku është afër. Në kozmosin gjigand çdo moment shkatërrohen sisteme të tëra diellore të ngjashme me tonin. Këto janë “supernova”, yje si i quan shkenca.

Çfarë do të ndodhë nëse Dielli ynë për një moment bëhet “supernova”, që eksplodon? Çartë se ky do të ishte fundi i njeriut në Tokë, dhe fundi i lavdërimit të tij. E ky është rrezik real, nuk është e pabesueshme, po kjo mund të ndodh dhe sipas disa llogaritjeve gjatë dhjetëmijë vjetëve.
Por çfarë nëse kjo ndodh nesër? Kush mund ta dijë? Por, edhe sikur mund ta dinim, kush do të mund ta ndalte kataklizmin?

Ka prej njerëzve që rezonojnë kështu: lloji njerëzor do të emigrojë në kozmos, do të shkoj në sisteme të tjera yjore, më të reja se sistemi ynë diellor, duke vazhduar jetën atje. Ky rezonim të bën për të qeshur, dhe përkujton në sjelljen e djalit të Nuhut a.s. i cili refuzoi të hipte në anijen e babait, duke menduar që do të shpëtoj nga përmbytja duke ikur në majën e bjeshkës; siç e përshkruan Kur’ani fisnik: “......Nuhu e thirri djalin e vet, që ishtë në një vend të ndarë: "O djali im, hip bashkë me ne, e mos u bë me mohuesit!" Ai (djali) tha: "Unë do të ngjitem në një kodër që do të më mbrojë nga uji (vërshimi)!" Tha: "Nuk ka sot mbrojtës prej dënimit të All-llahut, pos atë që Ai e ka mëshiruar!" Vala hyri mes tyre të dyve, e ai (djali) u mbyt në ujë”. ( Hud, 42-43)

PUSHTIMI I GJITHËSISË

Lloji njerëzor, i cili deri më tani zvarritej nëpër tokë, hapëroi në gjithësi. Mahnitja e njeriut është e madhe dhe është e kuptueshme sepse kjo sipas vlerësimit të tij ka qenë ndërmarrja më e madhe nga lashtësia. Për herë të parë arriti të shkelë me këmbën e tij në truallin e një planeti tjetër qiellor. Njeriu nuk duhet të nënvlerësoj këtë duke u bërë i padrejtë ndaj vetit. Nuk është kjo gjë e vogël. Edhe sipas normave fetare, ai këtë duhet çmuar si dhuratë e madhe e Zotit duke qenë falënderues ndaj Tij. Nuk duhej lejuar ta braktisë modestia e tij e të harroj kush është Zoti i vërtetë. I tërë ky sukses është një sprovë, për këtë nuk duhet të rrokulliset me mendimet katanike.

Ai duhet të ketë ndërmend që udhëtimi i tij në kozmos, kudo që ka arritur, nuk është asnjë mbizotërim i gjithësisë. Këtë e këshillon feja, këtë ia mëson edhe shkenca.

Ja disa shënime (që është lehtë të kuptohen) të dhëna në shifra të rrumbullakësuara:
Me raketat e tanishme rruga deri në Hënë zgjatë shtatë ditë dhe këto raketa nuk vinë në shprehje për udhëtim në planetët tjera.

Planeti më i largët i njohur – Plutoni, prej Tokës është largë 5, 756 milion kilometra. Këtë rrugë drita e kalon për më shumë se 19 000 sekonda, gjegjësisht për më shumë se 5 orë. Raketa me shpejtësi 200km/s, e lëvizur nëpërmjet “motorit plazma”, deri te Plutoni do të arrijë për një vit.
Raketa me shpejtësi afro 10 000 km/s, me ndihmën e motorit me energji “fisive”, këtë rrugë do ta kalonte për 6 deri 7 ditë.

Ylli më i afërt prej Tokës, Alfa Centauri është larg më shumë se 4 vjet drite. Raketa me energji “fisive”, te ky yll arrin për 120 vjet.

Duke llogaritur që teoria e Ajnshtajnit nuk lejon asnjë shpejtësi, që do të arrinte shpejtësinë e dritës, atëherë udhëtimi më i shpejtë deri te ky yll do t’ishte për 4 vite.

Për derisa Ajnshtajni llogariti që diametri i kozmosit afro 2 miliard vjet drite, më vonë u bë korrigjimi në 6 miliard, ndërsa sot në 10 miliard, dhe fjala e fundit ende nuk është thënë.
Shpesh njeriu humbë nga shikimi për çfarë largësie bëhet fjalë. Ai sheh vetëm shifrat të cilave u shtohet zeroja.

Nëse zbulojmë që një mjegullinë e gjithësisë është e larguar nga ne 100 milion vjet drite, kjo është pamja e saj para 100 milion vjetëve, e çfarë është sot, duhet të jetojmë 100 milion vjetët e ardhshëm për ta ditur këtë, gjegjësisht që të nisemi në vizitë të kësaj mjegulline, duhet të lëvizim me shpejtësi drite, për të arritur tek ajo për 100 milion vjet.

Nëse paramendojmë që në kozmos ka me milion galaktika, e secila galaktikë me milion yje, dhe nëse vërejmë që koha që i nevojitet dritës të kaloj këto largësi është me dhjetëra, qindra, mijë dhe milion shekuj njerëzor, edhe shumë e shumë më tepër, atëherë kur dëgjohet lavdërimi i njeriut se si njeriu u nis në pushtimin e kozmosit, atëherë vërtetë jemi me dy mendje si ta quajmë këtë, kur ne ende s’i kemi pushtuar tërësisht as oqeanet e as polet e Tokës.

Të ashpra janë kushtet klimatike e më të ashpra në kozmos. Në Hënë nuk ka ajër, as ujë, ndërsa amplitudat e temperaturës janë shumë të mëdha. Ndërsa temperaturat në Merkur dhe Venerë jashtëzakonisht të larta për shkak të afërsisë së Diellit. Gravitacioni i Saturnit dhe Jupiterit është aq i madh sa që thjeshtë do të ngjiteshim në sipërfaqet e tyre. Vërtetë Marsi është diç më i volitshëm, por larg nga ajo që lënë përshtypjet nga romani.

Duke mos marr parasysh mendimet e pesimistëve, të cilët lejojnë hipotezën e takimit me qeniet inteligjente dhe më të civilizuara, kështu që ëndrra për pushtimin e kozmosit të kthehet në demoralizim dhe poshtërim, por duke marr parasysh, qoftë rrotullimet shpirtërore, ose qoftë vizionet e skeptikëve, si duket së paku sipas asaj që për tani dimë, arritjet janë modeste.

Mirëpo, mu mendja ateiste e njeriut kryelartë nuk llogaritë në faktet që i ofron shkenca, por mendon që ai, njeriu, në rrugë që të bëhet mbinjeri, zot i vetes dhe i natyrës.

Kuptimi i tij është çrregulluar, shpirti i është dehur me verën e suksesit. Mendimi për Zotin i duket i tepërt. Që tani e sheh vetën si posedues i atributeve të cilat feja ia përshkruan vetëm Krijuesit Absolut.
Imagjinoni veten se është fitues i pa mposhtur në Tokë dhe pushtues i afërt i kozmosit, andaj duke ngritur kokën kah qielli me arrogancë ulërin: “Nuk ekziston! Nuk je!

Ndërsa Kur’ani fisnik e këshillon: “A nuk e ke ditur se vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës, dhe se pos All-llahut nuk keni as mbrojtës as ndihmëtar”. (El Bekare, 107)
“Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë”. (El Isra, 44)
“Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngreni zërin (me lutje)”. (En Nahl, 53)

“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”. (En Nahl, 12)
“Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare”. (Jusuf, 105)
“Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: "Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre". ( Zuhruf, 23)

“A mendon ai, se atë nuk mund ta mposhtë askush?” (El Beled, 5)
“A nuk e ke kuptuar ti se All-llahu krijoi qiejt dhe tokën me urtësi, e nëse Ai do, juve ju zhduk e sjell krijesë (popull) të re. E kjo nuk është e vështirë (rëndë) për All-llahun”. (Ibrahim, 19-20)
“I lartë është All-llahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit bujar”. (El Mu’minun, 116)
Dhe, ja kështu Kur’ani fisnik, nga verseti në verset, prej faqës në faqe, udhëheqë luftën intelektuale kundër mendimit ateist.

Kur’ani është libri i cili tërheq vërejtjen dhe frikëson. Por, ai u shpallë që të përgëzoj dhe sihariqojë ata që besojnë Zotin nga dashuria ndaj Tij, dhe në emrin e Tij bëjnë vepra të mira. Ky është mesazhi themelor i fesë.

Kur’ani së pari i drejtohet njeriut të asaj kohe, kulture dhe diturie. I ofrohet me argumente nga shumë anë, për ta bindur në humbjen e tij. I tërheq vërejtjen që Zoti është një, i sjellë faktin e thjeshtë se shumë zota nuk janë të mundshëm, sepse Toka dhe qiejt do të shkatërroheshin. Tërheq vërejtjen idhujtarëve që idhujt e tyre nuk mund tu shërbejnë, as t’i dëmtojnë asgjë dhe si gjëra të tilla janë më të ulët se ata, e pra si mund t’i adhurojnë ata.

Edhe pse sot në botën e arsimuar nuk është aktual paganizmi, ekziston mjaft i përhapur ateizmi dhe agnosticizmi. Për këtë argumentet e Kur’anit mbi ekzistencën e botës meritojnë gjithnjë vëmendjen tonë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, argumentet e tij aspak nuk humbin rëndësinë e tyre.
Kur’ani fisnik vazhdimisht udhëzon njeriun në gjërat që janë “pranë duarve të tij”, me të cilat përherë është në kontakt, si dhe në argumente mbi ekzistencën e një fuqie Krijuese e cila udhëheqë me çdo gjë. Ai i drejton vëmendjen kah bimët e cila mbinë nga farët, përkujton se njerëzit dhe kafshët zhvillohen nga embrioni, i tregon për bletën dhe mundin e saj, në ndërrimin e natës dhe ditës, në yjet, Diellin, Hënën, Tokën, etj. Përse këto argumente nuk mund të jenë edhe për ateistët e kohës sonë? Përse ndodhitë e përditshme në natyrë, manifestimi i jetës dhe ndryshimet nuk mund të jenë argument edhe për agnostikun bashkëkohorë për ekzistencën e një Fuqie e cila me dëshirën dhe urtësinë e Tij udhëheqë me çdo gjë?

Secili besimtar sot duke përcjellur emisionet televizive është i habitur me klimën e fuqishme ateiste dhe shumica mendojnë që ateizmi në vete ka argumente të fuqishme. Mirëpo, kjo është larg nga e vërteta. Ateizmi kurrsesi nuk ka argumente dhe as që i ka pas ndonjëherë.

Kështu edhe ateizmi bashkëkohor nuk është fryt i shkencës dhe i njohurive shkencore, ashtu siç pohojnë ateistët. Në esencë ai është sikurse ateizmi që u drejtohet Kur’ani.
Kur’ani fisnik u drejtohet njerëzve që nuk kanë ditur as teorinë e Darvinit për krijimin e llojeve, as teorinë e Mendelit mbi trashëgiminë, si dhe as për njohuritë shkencore bashkëkohore, por ata kanë mohuar fenë në mënyrën që habitë për shkak të ngjashmërisë së tyre me reagimin e ateistëve bashkëkohorë në mësimet e fesë.

Karakteri i ateizmit ka qenë gjithmonë i njëjtë. Kjo vërtetohet edhe në Kur’an, i cili kur u përgjigjet ateistëve u thotë: “...Po kështu, thëniet e tyre në mënyrë të njëjtë i patën përsëritur edhe ata që ishin para tyre. Të njëjta janë zemrat e tyre...” (El Bekare, 118)

Dialogu i madh, i udhëhequr me shekuj gjatë historisë së llojit njerëzor në mes besimit dhe mosbesimit, vazhdon edhe më tej.
Mirëpo, përderisa ateizmi jo vonë ka menduar që zhvillimi shkencor udhëheqë kah triumfi i materializmit në shkencë dhe kështu paralajmëroi fitoren përfundimtare të tij. Por kah fundi i shekullit të kaluar veç është mundur të dyshohet në te, ndërsa sot krejtësisht qartë i lëkundet trualli. Jo vetëm që materia ka humbur primatin, të cilën ai e ka propaguar me këmbëngulje, por edhe termi materie, kështu i qartë u shkatërrua dhe ngeci vetëm termi forcë.

Zbulimet shkencore treguan që cilësitë e materies, që na janë paraqitur, kanë qenë mashtrim i qartë. Realiteti është krejtësisht tjetër. Përderisa ateizmi deri dje ka vrapuar kah argumentet shkencore për ta treguar qëndrimin e tyre, tani është treguar që këto argumente në esencën e tyre janë diç tjetër.
Për këtë, “ateizmi shkencor”, as që bëhet fjala. Meqë ateizmi pranon atë që mund të identifikoj, ai duhet të ndryshoj edhe qëndrimet për gjërat dhe proceset në mënyrë sikurse në shkencë që ndryshohen kuptimet e realitetit.

Në këtë mënyrë ateizmi e demanton vetveten. Ateizmi i shekullit XIX ka vdekur. Ateizmi i tanishëm sipas formës i ofrohet mësimit fetar sepse është i detyruar të pranoj fuqinë primare.

Intelekti detyrimisht udhëzon kah besimi në Zotin. Koncepti për Zotin nuk është absurditet shkencor. Koncepti i forcës nuk është i huaj për intelektin njerëzor, kjo është përvojë e fakteve dhe shkaseve të ndodhive, kjo është evidente. I tërë ky realitet material është rezultat i një fuqie.

Koncepti i inteligjencës gjithashtu është kategori e njohur. Kur vërejmë me vëmendje këtë botë, e rregulluar në mënyrë super inteligjente, pa kusht na shtynë të mendojmë thellë në mesazhin e thellë të Kur’anit famëmadh: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”. (Ali Imran, 190)

_________________________

Literatura e konsultuar

H. Sherif Ahmeti: “Kur’ani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe”, Prishtinë, 1987
Hasan Nahi: “Kur’ani i madhëruar”, Prishtinë, 1988
Feti Mehdiu: “Kur’ani dhe hija e tij shqip”, Shkup, 1999
Tefsir Ibn Kethir, Sarajevë, 2000
Sejjid Kutub: “U okrilju Kur’ana”, Sarajevë, 1996
Enes Kari?: “Kur’an sa prijevodom na bosanskom jeziku”, Sarajevë,1998
Ramo Ataji?: “Prijevod Kur’ana sa tefsirom i komentarom na bosanskom jeziku”, Sarajevë, 2001
Jusuf Ali: “The meaning of the holy Qur’an”, Marryland, USA, 1991
Muhammed Sha’ravi: “Mrekullia e Kur’anit”, Prishtinë, 1996
Husein Dhehebi: “Komentimi shkencor i Kur’anit”, Dituria Islame, nr. 42, 1992
Ali Iljazi: “Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore”, Gjakovë, 2000
Ali Iljazi: “Kur’ani famëmadh nga këndvështrimi shkencor”, Gjakovë, 2002
Ali Iljazi: “Kur’ani - prijatar i shkencës”, Gjakovë, 2003


Artikulli i kaluar
Në emrin tënd Qabe…

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi