Dualizmi jetë-vdekje është fenomeni më thelbësor i pashpjegueshëm nga njeriu dhe qëndron mbi të gjitha çështjet e tjera enigmatike. Nëse njerëzit do ta dinin se çka në të vërtetë përtej vdekjes, bota do të ndryshonte rrënjësisht. Mirëpo, vdekja nuk është tragjedia finale e jetës. Kjo tragjedi ndodh atëherë kur njeriu përjeton së gjalli vdekjen e tij shpirtërore.
Jeta e njeriut nuk kufizohet në këto pak vite të ekzistencës së tij në këtë botë. Atij i është shpallur qartë se ai është një qenie e përjetshme, që nuk asgjësohet me vdekjen e tij. Ai është një qenie që jeton dy jetë, jetën e sosur të kësaj bote dhe jetën e amshueshme të botës tjetër. Me vdekjen e tij nuk merr fund çdo gjë. Njeriu është qenie materiale, por ai ka gjithashtu shpirt hyjnor. Ai ndihet i lidhur me një lidhje të përhershme me përjetësinë, madhështinë e përsosmërinë. Ai e ndien se është një qenie që nuk mund të asgjësohet kurrë nga vdekja pas së cilës zë fill një tjetër epokë e re jetësore. Në Kur’an thuhet: “E kur ta përsos atë (njeriun) dhe t’i jap atij shpirtin që është krijesë e Imja...” (Kur’ani, 15:29).
Kur njeriu të kuptojë të vërtetën dhe natyrën e tij të vërtetë, ai s’do të ketë frikë nga vdekja. Kështu, ai do të zbulojë kënaqësinë e plotë të lumturisë së pamasë qysh në ekzistencën e tij tokësore.
Njeriu autor i arritjeve të suksesshme, por edhe i tragjedive të tij, ka ndërmarrë guximshëm realizimin e pavdekësisë së qenies njerëzore përmes klonimit. Prej thellësisë së mijëra e mijëra shekujve shohim ndjenjat e fosilizuara të dëshirës për përjetësi. Njeriu, nën një agresivitet, krijon kultura të pavdekshme dhe bën historinë me qëllim që t’i ikë vdekjes. Ndërtimi i gjithë këtyre monumenteve jetëgjatë nga njerëzit, si piramida, statuja, gradaçela etj., tregon se të pasurit dhe liderët donin të glorifikonin dhe mëshironin përjetësinë, pra t’i iknin vdekjes. Dëshirën për përjetësi, qysh në lashtësi, e dëshmojnë më së miri piramidat, të cilat ndonëse thuhet se i përkasin shekullit të 4-të para erës së re, zbulimet e fundit kanë supozuar se ato janë ndërtuar diku para 13 mijë vjetësh.
Gjithashtu, edhe “Epi i Gilgameshit”, vepra më e vjetër e shkruar rreth para 4000 vjetëve dhe e zbuluar në qytetin Ninive, në bibliotekën e Asurbanipalit, përshkohet nga ideja e përpjekjeve për t’i shpëtuar vdekjes dhe për të gjetur jetën e amshuar.
Edhe tek “Mahabarata”, eposi i sjellë nga fiset ariane në Indinë e Lashtë, përmendet lëngu i një peme që e zgjaste jetën deri në dhjetë mijë vjet. Gjithashtu, edhe në mitologjinë greke flitet për një ushqim shumë herë më të ëmbël se mjalti që quhej “ambrozi” dhe që falte rini të përjetshme.
Ndjenja e dashurisë dhe admirimit të tepruar për vetveten, që në kohën tonë përkon me dëshirën për klonin e vet, takohet edhe tek miti i Narcisit, biri i hyjit të ujit Kefes dhe i nimfës Liriopa, i cili pasi pa fytyrën e vet të pasqyruar në ujin e një burimi, ra në ekstazë dhe i dëshpëruar ngaqë s’mund ta kapte këtë vetvete tjetër lëngoi në shtrat dhe vdiq.
Tek novela e titulluar:“Frankeshtain”, e Mary Shelly-t, botuar më 1818, shohim guximin e ‘vjedhjes’ së misterit të krijimit të njeriut për ta bërë atë të pavdekshëm. Mjeku Frankeshtain, pas disa eksperimentesh të ‘sofistikuara’, arriti të krijojë të parën qenie të gjallë, një monstër që u ngjallte frikë të gjitha qenieve normale njerëzore, që nuk e dinte se kush ishte, një qenie që s’kishte as prindër, as të afërm. Por, Frankeshtaini, një model modern i mitit të lashtë të Prometeut (mit, që simbolizon rebelimin e njeriut ndaj perëndive), u ndëshkua për guximin e tij prometian prej vetë monstrës që ai krijoi, duke e paguar shumë shtrenjtë çmimin e kurajës së tij. Thelbi i mitit të Frankeshtajnit, këtij Prometeu modern, përdoret sot për të treguar se çfarë rreziqesh mund të mbartë me vete një zbulim shkencor i pakontrolluar dhe se si shkencëtarët mund të bëhen peng të papërgjegjësisë së tyre.
Të gjithë të dërguarit e Zotit, predikimet dhe metodat e tyre edukuese, i kanë filluar me ‘JO’ ose ‘Mos’. Kjo ‘JO’ apo ‘MOS’ , i porosit njerëzit që të kenë kujdes në bërjen e veprimeve të tyre, sepse njeriu përjeton pakrahasueshmërisht më shumë fatkeqësi nga bërja e disa veprimeve prej tij, se sa nga mosbërja e tyre. Më shumë lot njerëzimi ka derdhur nga pasojat e asaj që ka bërë, se sa të asaj që s’e ka bërë. Gjithnjë feja e Zotit, gjatë gjithë historisë, që nga i dërguari i parë i Zotit, Ademi a.s., e deri te i dërguari i fundit, Muhammedi a.s., është bazuar në ndalesat që i ka bërë njeriut. Në dhjetë porositë kur’anore, shumica e tyre janë ndalesa. Këto ndalesa, nuk janë bërë me qëllim që ta denigrojnë qenien njerëzore, por përkundrazi që ta lartësojnë dinjitetin e tij dhe ta çojnë atë drejt përsosjes morale.
Në vitet ‘70 e këtej, filluan shenjat e para të kritikës ndaj kërkimeve shkencore. Disa studime në fushën e biologjisë dhe mjekësisë u klasifikuan si skandale të vërteta, pasi realizuesit e tyre i kishin shkelur të gjitha rregullat etike, duke dhënë shenjat e para se si kërkimi shkencor mund të dalë jashtë kontrollit. Zbulimet fondamentale të biologjisë u shoqëruan me një reagim dhe tronditje të shoqërisë njerëzore sidomos në planin etiko-moral.
Kërkuesit me anë të inxhinierisë gjenetike kanë futur gene të reja, duke krijuar bimë dhe kafshë transgjenike, me pretendimin se kanë pjellori më të lartë dhe janë më rezistente ndaj infeksioneve virusale. Por, përkundër euforisë së bioinxhinierëve që japin siguri se po përmirësojnë disa parametra, shumë të tjerë mendojnë se ndërhyrja në aparatin gjenetik të bimëve dhe të kafshëve mund ketë efekte të ndryshme, të cilat do të dëmtojnë ekzistencën e vetë llojit: “All-llahu i Madh ju ka dhënë nga të gjitha gjërat që ju duhen.” (Kur’ani, 14:34). “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.” (Kur’ani, 2:168). “Kemi bërë që në të (tokë), të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve…” (Kur`ani, 15:19). ” I Cili krijoi dhe përsosi. Dhe i Cili përcaktoi e orientoi”( Kur’ani, 87:2-3).
Kërkuesit e fushës së biologjisë, këta guximtarë të tipit të Frankeshtajnit, synojnë të prekin dhe të ndryshojnë thelbin e jetës, ADN - në, që është bartësi i informacionit gjenetik dhe që quhet ‘libri i jetës’, pasi përmban të gjithë informacionin që ka të bëjë me formën dhe funksionin e organizmave të gjallë. Teknika e bartjes së gjeneve bart me vete edhe riskun e rreziqeve katastrofike për njerëzimin. “Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj…” (Kur’ani, 7:56).
Mjafton një baktere apo virus me fuqi vdekjeprurës që mund të kishte pasoja katastrofike për njerëzimin. Bomba të tilla biologjike do të ishin më të tmerrshme se ato atomike. Entuziazmi për zbulimin e energjisë atomike nuk zgjati shumë. Pas Hiroshimës u kuptua se çdo të thotë të keqpërdorësh shkencën.
Ndërhyrja e pakujdesshme dhe e pakontrolluar e njeriut në tokë bart pa dyshim rrezikun e prishjes së ekuilibrit biologjik të jetës në tokë, prandaj nuk duhet synuar pas “fitimit” imediat, por duhen peshuar humbjet perspektive. “E kur atyre u thuhet: ‘Mos prishni rendin në tokë’! Ata thonë: ‘Ne jemi vetëm përmirësues’. Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë.” (Kur’ani, 2:11-12).
Pretendohet se bioteknologjia e klonimit të njeriut do t’i kontribuojë ruajtjes dhe përjetësimit të elitës intelektuale njerëzore, gjë që do ta çonte shoqërinë më shpejt përpara, gjë që përkrahet nga eugjenistët. Ithtarët e eugjenikës e shikojnë teknikën klonuese dhe inxhinierinë gjenetike si tepër favorizuese për përmirësimin e qenies njerëzore, për lindjen dhe shtimin e “mbinjerëzve”. Problemi i klonimit human, përveç pengesave teknologjike eksperimentale, po përballet fuqishëm me një sërë problemesh etike që lidhen me traditën e civilizimit të sotëm.
Njeriu është qenie biologjike dhe shoqërore dhe ai është njëkohësisht objekt dhe subjekt i marrëdhënieve shoqërore ekonomike, politike, ideologjike, filozofike, etike, juridike, të cilat janë në lidhje dhe bashkëveprim të ndërsjellë.
Njeriu ka një thelb të lindur. Ai ka natyrë që është, në të njëjtën kohë, tokësore dhe qiellore. Ai ka tendenca dhe instinkte të ndryshme si dhe aftësi dhe dëshira të ndryshme. Por ai duhet të zhvillojë thelbin e tij individual nëpërmjet përpjekjeve dhe vullnetit të tij personal. Talentet dhe prirjet e tij ofrojnë një terren mbi të cilin atij i duhet të ndërtojë thelbin e vet dhe të vendosë se kush duhet të jetë.
Qenia njerëzore nuk është thjesht qenie biologjike, por produkt i rrethanave sociale në të cilat jeton, të cilat nuk programohen gjenetikisht.
Në Kur’an thuhet qartë se: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre,…” (Kur’ani, 49:13); “Dhe Ai është që krijoi llojet - mashkullin dhe femrën. Nga pika e farës që hidhet.” (Kur’ani, 53:45-46). ” A nuk ka qenë ai një pikë uji që derdhet?” (Kur’ani, 75:37). ”Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar…” (Kur’ani, 76:2). Nga të gjitha këto ajete del qartë se krijesa e quajtur ‘njeri’ është pasojë e një riprodhimi seksual dhe edhe sikur të arrijë ndonjëherë shkenca të realizojë teknikën e klonimit të njeriut, ajo shartesë me siguri do të ishte një ‘monstër’.
Klonimi njerëzor, që s’është veçse një delir i tipit narcistik, është një guxim i çmendur për të dalë jashtë ligjeve të natyrshme të ciklit jetësor dhe rrezikon ekzistencën e vetë shoqërisë njerëzore, pasi bën që të humbasë përfundimisht koncepti i prejardhjes familjare, meqë në nivelin antropologjik, nuk mund të dish më nëse kloni është vëllai, motra, biri apo bija e origjinalit. Raportet shekullore të farefisnisë dhe familjes asgjësohen dhe bashkë me të edhe identiteti personal.
Familja është një institucion hyjnor, origjina e të cilës përkon me krijimin e njeriut dhe lloji njerëzor është rezultat i këtij institucioni. Megjithëse, ruajtja e llojit është një nga qëllimet kryesore, familja nuk është një ‘fabrikë’ për prodhimin e njerëzve, por është bazë e gjithë strukturës social-kulturore dhe një mekanizëm i mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin social, ideologjik e kulturor të shoqërisë.
“Dhe nga argumentet e Tij është se për të mirën tuaj, Ai (All-llahu) krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe ndërmjet jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” (Kur’ani, 30:21); “Gratë janë vendmjellje e juaj.” (Kur’ani, 2:223)
Optimizmi për të nesërmen e pavdekësisë së njeriut dyzohet nga frika për humbjen përfundimtare të identitetit njerëzor dhe të konceptit të familjes. Një specialist shprehet: “kloni konsiderohet si një koloni alienësh pa identitet. Çfarë mund të jetë një njeri pa ekzistencën e unit? Tek një klon, uni është i thërrmuar. ” All-llahu i madhërishëm duke na rrëfyer për djallin thotë: “… do t’i urdhërojë (djalli) dhe ata do të shëmtojnë krijesat e All-llahut. E kush e bën mik djallin, e jo All-llahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Kur’ani, 4:119)
Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish pyesin të shqetësuar se drejt çfarë caku synon të arrijë guximi i tmerrshëm i biologëve për të prekur e për të ndryshuar thelbin e jetës, aparatin gjenetik të së gjallës. Bioteknologjia e klonimit artificial të së gjallës, sidomos klonimi i njeriut, ka ngjallur një debat të zjarrtë jo vetëm në rrethet shkencore, por edhe ato politike, filozofike, etike e sidomos fetare. Kundërshtarët e klonimit e shohin lindjen e deles Dolly si një qenie apokaliptike, si një ndërhyrje që prish rregullin e vendosur në natyrë. Teknikat e klonimit, në aspektin fetar, konsiderohen si teknika perverse, pasi të riprodhosh teknologjikisht një qenie njerëzore do të thotë të dhunosh dinjitetin njerëzor. Njeriu ka të drejtën e lindjes në mënyrë njerëzore dhe jo laboratorike dhe jeta duhet respektuar qysh në momentin e ngjizjes së embrionit. Islami e shenjtëron jetën njerëzore dhe e trajton tërë gjininë njerëzore si një familje dhe armiqësia kundër një anëtari të saj, konsiderohet armiqësi kundër tërë gjinisë njerëzore:
“Kush mbyt një njeri, pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit.” (Kur’ani, 5:32). Përkrijimi i njerëzimit mbështetet në riprodhimin seksual, në themel të së cilit qëndron dashuria njerëzore, një ndjenjë tepër e fuqishme dhe e patjetërsueshme për njeriun:
”Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë.” (Kur’ani, 42:11); “Ne e krijuam njeriu prej një uji të bashkëdyzuar” (Kur’ani, 76:2); ”…ato (gratë) janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to…” (Kur’ani, 2:187).
Në një anketë të bërë për të testuar sensibilitetin e publikut në lidhje me pikëpamjen fetare për klonimin kish rezultuar se klonet janë në kundërshtim me vullnetin e Zotit. Duam të kujtojmë se çdo ndërmarrje dhe arritje njerëzore, qoftë ajo dhe e ndaluar nga aspekti islam, kryhet brenda kuadrit të vullnetit të Zotit, por, njeriu, me papërgjegjësinë e vet dhe mosrespektimin e rregullave të caktuara nga Zoti, tërheq mbi vete moskënaqësinë dhe hidhërimin e Tij, pasojat e së cilës do t’i ndiejë në këtë botë dhe do të ndëshkohet në Ditën e Gjykimit. Vullneti i lirë i njeriut është bekuar me mbrojtjen dhe favorin hyjnor në qoftë se përpiqet dhe lëviz në drejtimin e duhur. Po të dëshirojë, Zoti mund t’i bëjë të pasuksesshme të gjitha përpjekjet e njeriut. Njeriu nuk mund të zotërojë pushtet absolut as brenda asaj kornize që Zoti ka caktuar për të. Në mjaft raste, Ai ka bërë të dështojnë përpjekjet e individëve e të grupeve të caktuara, përkundër çdo lloj parashikimi, duke u kujtuar atyre në këtë mënyrë se mospërfillja e pëlqimit dhe dispozitave të të Gjithëpushtetshmit është e pafalshme. Në Kur’an thuhet:
“Një shumicë, duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë (njerëzit) nga e vërteta. Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.” (Kur’an, 6:119). “A është i njëjtë ai që iu bind All-llahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërim të madh nga All-llahu dhe e ardhmja e tij është xhehenemi, që është përfundim shumë i keq.” (Kur’ani, 3:162) .
Tentimi për të ngushtuar kufirin midis prodhimit seksual dhe atij joseksual ka bërë që të vendosen një sërë kufizimesh legjislative që nuk lejojnë manipulimin me embrionin e njeriut dhe aq më pak klonimin e tij.
Shumë studiues të ndërgjegjshëm, reflektuan në mënyrë kritike për t’u vënë fre studimeve të pakontrolluara dhe ndërmorën një fushatë sensibilizuese për publikun, duke i dhënë mundësi që të debatojë dhe të jetë faktor aktiv në gjykimet për punën e shkencëtarëve. Problemi i klonimit bëri që të përfshihen në një debat të gjerë jo vetëm qarqet shkencore morale, etike, filozofike, fetare etj, por edhe qarqet politike dhe në mjaft vende filluan projekt ligje për ndalimin e klonimit human, duke i konsideruar të paligjshme dhe duke kërkuar që qendrat kërkimore në këtë fushë të jenë nën kontrollin e shtetit. Janë hartuar një sërë deklaratash, ligjesh dhe konventash që kërkojnë të ndërpriten ndërhyrjet arbitrare në thelbin e jetës, të shenjtërohet pacenueshmëria e trashëgimisë gjenetike dhe të merret në mbrojtje dinjiteti njerëzor. Ky debat i ka kapërcyer kufijtë e auditorëve të specialistëve dhe është bërë pjesë e një debati publik që sa vjen e shtohet. Megjithatë, përkundër pengesave ligjore, në shumë laboratorë punohet çdo ditë, gjë që dëshmon se kërkimet vazhdojnë.
Klonimi është përpjekje e teknologjisë që njeriu t’i rrëmbejë Zotit sekretin e krijimit, në mënyrë që njeriu të arrijë amshueshmërinë pa e shijuar vdekjen. Ndërkaq, feja na mëson se ka amshueshmëri, por deri tek ajo mund të arrihet vetëm duke e shijuar vdekjen.
Kërkuesit e fushës së biologjisë, pretendojnë t’i atribuojnë vetes cilësitë e Zotit, sipas të cilëve, njeriu i krijuar sipas imazhit të Zotit tani e ka radhën të krijojë sipas imazhit të tij. Por, në të vërtetë, këta shkencëtarë nuk bëjnë gjë tjetër veçse operojnë dhe manipulojnë në mënyrë perverse, me material të gatshëm gjenetik, të krijuar nga Zoti i plotfuqishëm. Në Kur’an thuhet:
“A mos u krijuan prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues?” (Kur’ani, 52:35).
Nëse nisemi nga prizmi kur’anor, njeriu është mëkëmbësi i Zotit në sipërfaqe të tokës. Relacioni i hierarkisë ontologjike ndërmjet Zotit dhe njeriut nuk rrjedh nga largësia në një rrafsh të njëjtë, por nga dallueshmëria e rrafsheve të ekzistencës absolute. Zoti i Lartësuar, me atributet hyjnore, i përfshin të gjitha rrafshet ekzistenciale dhe në njërin nga ato rrafshe të ekzistencës njeriut i është më i afërt se aorta.
All-llahu krijon, All-llahu nuk kopjon. All-llahu është Një dhe çdo herë që krijon, Ai krijon në mënyra të ndryshme. Zoti asnjëherë nuk përsërit. Përmes përpjekjeve për klonimin e qenies njerëzore, njeriu tenton të ç’shenjtërojë papërsëritshmërinë me të cilën Krijuesi ka vulosur fytyrën e secilit prej nesh, buzëqeshjen dhe ngazëllimin që e dallon dhe e thekson veçantinë e secilit njeri. “I Tij është pushteti në qiej e në tokë. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje dhe Ai ka fuqi për çdo send” (Kur’ani, 57:2).