Muslimanët, edukatorët e Europës, dritësuesit e saj

Edukata e dijes dhe e kulturës në Islam, nis me ajetin e parë të sures El-Alak: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi”.[1]

Ky ajet në vetëvete e madhëroi vërtetësinë e leximit dhe të dijes, sikurse lajmëroi se në Islam men

Edukata e dijes dhe e kulturës në Islam, nis me ajetin e parë të sures El-Alak: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi”.[1]

Ky ajet në vetëvete e madhëroi vërtetësinë e leximit dhe të dijes, sikurse lajmëroi se në Islam mendimi dhe mendja kanë një vend në piedestal, por njëkohësisht hapi thelbin e qytetërimit islam para mbarë botës.[2]
Më pas urdhëroi: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dijnë dhe ata që nuk dijnë?”[3], që u pasua me ajetin: “Dhe thuaj: Zoti im, ma shto mua diturinë!”[4], si dhe me ajetin e parë të sures El-Kalem: “Nún - Pasha lapsin dhe atë çfarë shkruhet”.[5]
Pra, në një mënyrë a një tjetër, Islami erdhi me shpirtin dhe frymën e dijes. Ai edukoi ditë pas dite ndjekjen e rrugëve të saj, specializimin në dituri të ndryshme, analizimin dhe thellimin në të mirë dhe në dobi të njerëzimit.
Por, mbi të gjitha nxiti edukimin e mendjes dhe zemrës, që në moshë të vogël, në rrugën e edukimit të një individi të shëndoshë musliman, i aftë për t’u përballur me jetën, për ta ndërtuar më pas, në rrugën e trashëgimit të mirësive të Zotit, brez pas brezi.
Nga ana tjetër, Resulull-llahu (a.s) u bë nxitësi shembullor i kërkimit të dijes dhe lartësimit të pozitave të dijetarëve, deri aty sa ia obligoi kërkimin e dijes të gjithë muslimanëve.
Njëkohësisht, Hz. Muhammedi (a.s) shpjegoi rëndësinë dhe madhështinë e këtij obligimi, kur tha: “Me të vërtetë All-llahu, melekët e Tij, banorët e qiellit dhe të tokës, deri buburreca në vrimën e saj, edhe balena, kërkojnë falje për atë që u mëson njerëzve të mirën”.[6]
Madje, në hadithin e transmetuar nga Imam Muslimi, në lidhje me fisnikërinë e atij që del për të kërkuar dituri, pra për studentin që e ka një nijet të pastër për të mësuar e për t’u bërë një specialist a dijetar i dobishëm për vendin dhe fenë e tij, tha: “Dhe ai që ndjek një rrugë, në të cilën kërkon dituri, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhennet”.[7]
Nga këtu, ata që analizuan rezultatet e kësaj nxitje dhe këtij shpirti të pashembullt në histori, konkluduan se ishte pikërisht Islami ai që udhëhoqi njerëzimin me dritën e dijes, deri në atë gradë, sa diferencat në mesin e muslimanëve të ditur dhe jomuslimanëve analfabetë ishin shpeshherë shokuese.
Dhe shembulli më i mirë, janë shekujt dritësues të Islamit në Evropën analfabete, plot injorancë dhe të zhytur në mjerim. Dijetarë të ndryshëm, muslimanë dhe jo, kanë hedhur dritë me objektivizëm mbi fakte të shumta, që vërtetojnë dhe dëshmojnë mirësinë e madhe që bënë mësimet e Islamit, që nga momenti i parë i depërtimit në Evropë.
Si të thuash, teksa muslimanët hapnin errësirat e kontinentit të vjetër, me dritën e Kur’anit dhe Traditat e Hz. Muhammedit (a.s), një shpirt i ri përparimtar dhe një qytetërim i ri hyjnor, bëhej gati të begatonte qiellin dhe tokën e Andaluzisë evropiane, që dëshmonte All-llahun, Zot të Vetëm të gjithësisë dhe, Muhammedin (a.s), si Vulë të profetëve të Zotit.
Dr. Abdurrahman Ali El-Haxhi, pedagog i historisë islame, në Fakultetin e Letërsisë, në Universitetin e Kuvajtit, teksa shkruan për zhvillimin e Andaluzisë nën dejtimin e muslimanëve, përmend se në vitin 719: “Nisën të ndërtoheshin disa godina të reja. Fillimisht u ngritën xhamitë, në vende të ndryshme – kjo ishte vepra e parë që ndërtonin muslimanët kudo, kur banoni një vend – poashtu medresetë (shkollat)… Përherë në botën islame, xhamitë njiheshin edhe si institute për të mësuar njerëzit”.[8]
Ndërsa, teksa flet për respektimin e treguar nga muslimanët në Spanjë ndaj objekteve të kultit joislam, argumenton: “I shihje xhamitë përbri kishave, ato asnjëherë nuk u kthyen në xhami, vetëm se në rastet e konvertimit të tyre a braktisjes, pasi njerëzit përqafonin Islamin”.[9]
Ai, gjithashtu konstaton se: “Si rezultat i mirësjelljes islame, u shtuan edhe rastet e lidhjeve dhe përzierjes së muslimanëve me jomuslimanët e Spanjës, deri aty sa në disa raste ndodhen edhe lidhje martesore”.[10]
Studiuesi Christie Arnold, në librin e tij “Trashëgimia islame në art, fotografi dhe arkitekturë”, ndër të tjera pohon se: “Për rreth një mijë vjet, Europa qëndroi si e shastisur përballë artit islam”.[11]
Ndërkohë, orientalisti hollandez Reinhart Dozy (1820-1883), pedagog i gjuhës arabe në Universitetin e Lidenit, shkruan: “Në të gjithë Andaluzinë nuk gjendej një analfabet, ndërkohë që shkrim e këndim në mënyrë parësore, në të gjithë Europën, nuk dinte vetëm se klasa e lartë e priftërinjve”.[12]
Orientalisti anglez Stanley Lane-Poole (1854-1931), pedagog i studimeve arabe në Universitetin e Dublinit, në librin e tij: “Arabët dhe Spanja”, shkruan: “Ndërkohë që Europa analfabete zhytej në injorancë dhe mjerim, Andaluzia udhëhiqte dhe mbante flamurin në dije dhe kulturë”.[13]
Poeti libanez Iljas Ebu Shabaka (1903-1947), në librin e tij: “Lidhjet e mendimit dhe shpirtërores në mesin e arabëve dhe francezëve”, shkruan se: “Perëndimi i civilizimit arab, ishte një mjerim i madh për Spanjën dhe Europën, pasi Andaluzia nuk e njohu mirëqenien vetëm se nën hijen e arabëve. Sapo arabët ikën, aty mbizotëroi shkatërrimi në vend të pasurive, bukurisë dhe gjelbërimit…”.[14]
Ndërsa mjeku dhe fizikanti ukraino-amerikan, Victor Robinson (1886-1947), teksa shkruan për civilizimin arabo-islam në Andaluzi, konstaton se: “… Pasanikët e Europës nuk arrinin dot të firmosnin emrat e tyre, ndërkohë që fëmijët e muslimanëve në Kordova shkonin nëpër medrese. Ndërsa murgjërit belbëzonin në leximin e teksteve të shenjta në kisha, mësuesit e Kordovës kishin themeluar një bibliotekë, që krahasohej për nga madhështia me bibliotekën Aleksandrisë…”.[15]
Ateisti George Bernard Shaw (1856-1950), irlandezi nobelist, dramaturg dhe kritik i letërsisë dhe i muzikës, tha shprehjen e tij të madhe, në të cilën konstatoi se: “Feja e Muhammedit ishte argument vlerësimi të lartë… Ajo ishte feja e vetme që kishte aftësi të përfshinte të gjitha fazat e jetës. Unë mendoj se është detyrim për ne ta konsiderojmë Muhammedin si shpëtimtarin e njerëzimit! Dhe se një person në performancën e tij, nëse do të kishte në dorë fatet e botës së re, do të arrinte sukses në zgjidhjen e problemeve të saj”.[16]
Ndërsa dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Vjenës, shkencëtari Sherbel, në Kongresin e Drejtësisë, në vitin 1927, konstaton botërisht se: “Njerëzimi duhet të ndjehet krenar me aderimin në të, të një burri si Muhammedi (a.s), i cili, me gjithë analfabetizmin e tij, para rreth 13 shekujsh, arriti të sillte një legjislacion, që do të na bënte ne evropianëve më të lumturit e botës, nëse do të arrinim në thelbin e tij, pas dymijë vjetësh!”.[17]
Këto dëshmi dhe shumë të tjera (pa fund), arrijnë në këto konkluzione, sepse në Islam: “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman”[18], mashkull a femër qoftë, por edhe për faktin se muslimanët u edukuan që dijen ta përhapin, mos ta fshehin në asnjë mënyrë.
Resulull-llahu (a.s), ishte i prerë kur tha: “Ai që fsheh një dije, me të cilën All-llahu i sjell dobi njerëzve në çështjet e fesë, All-llahu do ta ndëshkojë me zjarr në ditën e gjykimit”![19] Dhe në Islam, kur bëhet fjalë për fenë, në fakt bëhet fjalë për krejt jetën dhe çfarë e bën njeriun të jetojë me dinjitet, sipas hartës së shënuar nga Zoti i gjithësisë…

Shkodër, më 21 shkurt 2014
(Hytbeja e xhumasë, mbajtur, më 21. 2. 2014, në xhaminë e Parrucës)

________________________________________
[1] Kur’ani, El-Alak: 1, nga pesë ajetet e para që zbritën fillimisht nga krejt Kur’ani.
[2] Abdullah Nasih Ulvan, “Terbijetul-euladi fil-Islam”, botimi 30, Bejrut, 1996, vëll. I, fq. 196.
[3] Kur’ani, Ez-Zummer: 9.
[4] Kur’ani, TaHa: 114.
[5] Kur’ani, El-Kalem: 1.
[6] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu Umame (r.a).
[7] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[8] Dr. Abdurrahman Ali El-Haxhi, “Et-Tarikhul-Endelusi”, botimi i VII-të, Damask, 2010, fq. 148.
[9] Po aty, fq. 165.
[10] Po aty, fq. 165.
[11] Abdullah Nasih Ulvan, “Terbijetul-euladi fil-Islam”, botimi 30, Bejrut, 1996, vëll. I, fq. 197.
[12] Po aty, fq. 197.
[13] Po aty, fq. 197.
[14] Po aty, fq. 197.
[15] Po aty, fq. 197.
[16] Po aty, fq. 197.
[17] Po aty, fq. 197.
[18] Transmetuar nga Ibni Maxheh, nga Enesi (r.a).
[19] Transmetuar nga Ibni Maxheh, nga Ebu Said El-Khudri (r.a).



Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi