Roli i durimit në jetën e myslimanit


Allahu Fuqiplotë posedon emrat dhe cilësitë e Tij dhe do që frytet e cilësive të Tij të duken edhe tek krijesat, e në veçanti tek njeriu si krijesa me e përkryer mbi sipërfaqe të Tokës.

Ai është i Bukur dhe e do bukurinë, Ai është Falës dhe e do faljen, Ai është Fisnik dhe e do fisnikërinë, Ai është Durimtar dhe i do durimtarët.
Ajo që e bënë të veçantë dhe ia ngrit vlerën durimit edhe më shumë është fakti se Allahu xh.sh me atë cilësi e ka përshkruar Vetveten.
Ndër emrat dhe cilësitë e Allahut xh.sh. është '' Es-Sabur – i Durueshmi, Durimtari. ''
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ''Asnjë nuk është më i durueshëm sesa Allahu i Lartësuar,...''(1)
Koncepti i durimit në Kur’an është gjithëpërfshirës, andaj edhe mund ta hasim në shumë vende, duke vlerësuar si virtytin më të përmendur në Kur’anin Famëlartë.
Andaj çdo njëri i cili me kujdes i lexon ajetet e Kur’anit në të cilat është përmendur durimi, do të kuptoj qartë se durimi - sabri është ndër parimet - normat më të vlefshme fetare, njëherazi është edhe një ndër karakteristikat më të vlerësuara të besimtarit.
Duke qenë se rruga e udhëzimit Hyjnor siç u kuptua edhe më lartë (në artikullin e mëhershëm) kërkon përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë ballë sfidave e vështirësive të kësaj bote, roli dhe rëndësia e durimit është jetike për karakterin e muslimanit.
Andaj roli i durimit në jetën e muslimanit është më se i nevojshëm, ngase vetëm prezenca e tij (durimit) në momente kritike gjatë peripecive të jetës, e bënë që t’i sfidoj të gjitha stuhitë e fuqishme me të cilat përballet, madje muslimanin e ndalon edhe nga veprimet e shëmtuara nga Ligjvënësi Fuqiplotë.
Besimtari në vazhdimësi duhet të tregoj gatishmëri të lartë të durimit, në rast se dëshiron të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe t’i realizoj aspiratat e tij të kësaj bote dhe të botës tjetër, duke qenë se shpërblimi për të (durimin) është i pa kufizuar.
'' … ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë ! '' (Zumer :10)
El-Kurtubiju thotë: ''Përgëzoi durimtarët me shpërblim për sabrin (durimin) që e kanë bërë dhe shpërblimi i tyre është i pa kufizuar."(2)
Në këtë kontekst duke qenë se të gjithë do të përballemi me sprova hyjnore, vetëm durimtarët do i gjejmë fitimtarë, çka aludon edhe pjesa e fundit e ajetit Kur’anor, ''... po ti jepu myzhde durimtarëve'', se vërtetë të tillët do të shpërblehen me shpërblime të mëdha tek i Madhi Allah.
Këtë shpërblim nuk e arrin askush vetëm ai i cili ka bërë durim në goditjen e parë, siç transmetohet nga Enesi r.a se Pejgamberi a.s ka thënë: ''…Me të vërtet durimi është në goditjen e parë.'' (3)
I Madhëruari urdhëroi që në çdo çështje të kërkojmë ndihmë përmes durimit, ngase nëse njeriu duron duke shpresuar shpërblimin e Allahut, nuk ka dyshim se do t’i lehtësohet çdo gjë.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Dije se fitorja është me durimin.”(4)
Një poet ka thënë: ''Mos u brengos nëse rruga deri në sukses është zgjatur, ndihmohu me durim dhe do të shohësh, fitorja vjen.''
Pa këtë virtyt as e vërteta (Islami) nuk do të mund të triumfoj, ashtu si nuk do të ketë sukses kërkuesi i diturisë, apo ai i cili synon Xhennetin, duke qenë se ai është i rrethuar më vështirësi.
Robi i Allahu i cili është i pajisur me durim është personi i cili posedon vlerat më të larta në mesin e njerëzve. Ai i ngjanë floririt (dukatit) në mesin e metaleve të tjera.
Shumë njerëz thonë se e donë Allahun, por kur Allahu i sprovon me ndonjë sprovë si : sëmundje, vdekje e ndonjë anëtari të familjes, apo vuajtje të tjera, e harrojnë dashurinë e vërtetë ndaj Allahut xh.sh.
Andaj të tillët nuk mund të qëndrojnë besnik dashurisë së Allahut, përveç muslimanit i cili është stolisur me petkun e durimit.
Për rolin dhe rëndësinë e durimit në jetën e muslimanit këtë më së miri na e ilustron hadithi i Profetit a s. të cilin na e transmeton Suhejbi r.a se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: ''E çuditshme është çështja e besimtarit! Çdo gjendje që ai përjeton, është mirë për të, e nuk e arrin këtë askush tjetër përveç besimtarit …''(5)
Durimi si një vlerë dhe virtyt i besimtarit, është mekanizmi nëpërmjet të cilit krahas shpërblimeve të shumta dhe madhështore që Allahu në Kur’anin Fisnik na premton, ai (durimi) në vete ngërthen edhe shumë mirësi të tjera.
''…dhe bëhuni të durueshëm, se Allahu është me të durueshmit. '' (EL-Enfal:46)
Pejgamberi a.s ka thënë në një hadith: ''Kushdo që përpiqet të jetë i duruar, atëherë Allahu ka për ta ndihmuar atë të jetë i duruar.''(6)
Në mesin e shumë mirësive që ngërthen në vete durimi, janë edhe frytet e durimit të cilat i vjelë muslimani si në dynja ashtu edhe në Ahiret, për faktin se urdhri i Allahut për durim që është potencuar në Kur’an, është ndërlidhur ngushtë me atë se premtimi i Allahut është i vërtetë.
''Ti pra bënë durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë…'' (Err-Rrum: 60)
Nga kjo konkludojmë se sabri (durimi) është mjet për të arritur dashurinë e Allahut, ndihmën, mbështetjen dhe shpërblimin e Tij.
Për rolin e durimit në jetën e besimtarit flet qartë fakti se ai duhet të jetë i durueshëm gjatë ofendimeve dhe sulmeve që bëhen në drejtim të tij, kur sulmohet apo përqeshet feja e Allahut, apo në rastin e pakësimit të mirësive, apo në momente tjera krizash, në të gjitha këto situata ai duhet të tregoj një maturi, të reagoj me gjakftohtësi dhe me durimin e tij të arrijë të ndaloj atë ligësi.
Dr.Muhamed Abdurrahman el-Arifi thotë: ''Sa më i fortë të jetë personaliteti i personit dhe sa më i vendosur të qëndroj në parimet e tij, aq më i rëndësishëm do të bëhet.''(7)
Durimi gjithmonë duhet t’a shoqëroj të birin e Ademit ngase është obligim i domosdoshëm.
Ai (besimtari) duke e vlerësuar vazhdimisht domosdoshmërinë e durimit, rolin dhe rëndësinë e tij, stoliset me petkun e tij si në momente gëzimi e hareje, ashtu edhe në momente sfidash e vështirësish.
Andaj nëse i ndodh një gjë e mirë, atë e gjen të përulur dhe falënderues para Allahu, e nëse i ndodh ndonjë fatkeqësi, atë e gjen të durueshëm dhe të lidhur ngushtë me Mëshirën e Allahut xh.sh.
Pejgamberi a.s thotë :…''Nëse atë e godet ndonjë fatkeqësi, bënë sabër dhe kjo është mirë për të, po nëse e godet ndonjë e mirë falënderon (Allahun) dhe kjo është mirë për të.''(8)
Domosdoshmërinë, rolin dhe rëndësinë e durimit shumë bukur na e përshkruan edhe rasti në vijim:
Nga Ata’ibën Ebi Rebahu transmetohet se ka thënë: ''Mua ibën Abbasi më ka thënë: ''A do të ta tregoj një nga gratë e Xhennetit? ''Gjithsesi'' i thashë, e ai më tha: ''Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi s.a.v.s. e i tha: ''Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë atë e fsheh (nga njerëzit), andaj lute për mua Allahun e Madhërishëm''. Pejgamberi a.s.tha: ''Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhennetin, e nëse do, po i bëj lutje Allahut të madhërishëm që të të shërojë''. Ajo tha: ''Do të duroj''. Pastaj ajo vazhdoi: ''Unë e kam fshehur, andaj lute Allahun që më mos ta fsheh.''Dhe Pejgamberi i bëri lutje.''(9)
Andaj o ti i sprovuar (njeri), nëse ke për qëllim të bësh diçka, atëherë nise atë me durim dhe mbylle me durim, ngase frytet e saj do t’i gjesh sot në dynja dhe nesër para Allahut të Madhëruar.
Prej virtyteve që e stolisin karakterin e muslimanit është pikërisht durimi në vështirësi, të cilin kur e godet një fatkeqësi në vend se të humbë shpresën, përkundrazi ai sprovën e tejkalon me durim të plotë, duke ndjekur kështu rrugën e ashabëve të cilët kur u ndodhte diç e keqe thoshin:
''Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi.'' (El-Bekare:156)
Ai (durimi) është një faktor shumë i rëndësishëm, nëpërmjet të së cilit muslimani arrin që të jetë nën hijen Arshit të Allahut, atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij.
Prandaj edhe shtatë personat që janë përmendur në hadith10 do të vendosen nën hijen e Allahut në Ditën e Gjykimit falë durimit në vështirësitë e tyre në dynja.
Një shpërblim i tillë vjen si rezultat i durimit të madh gjatë vështirësive të kësaj bote.
Por, që të ketë triumf dhe ngadhënjim të vërtetë domosdoshmërish kërkohet të ketë sakrificë dhe flijim, ngase vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimin final, e që është prehja dhe qetësia në Xhennetin e Allahut xh.sh.
Të tillët do të kenë garanci nga Allahu i Lartësuar se fitorja do te jetë Xhenneti në të cilin rrjedhin lumenj, madje duke qenë të përshëndetur edhe nga melaikët, dhe e tëra kjo është arritur në saje të durimit të tyre.
''…ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.'
(Rrad :23-24)
Kur kemi kuptuar se çdo njëri nga ne do të sprovohet sot ose nesër, herët ose vonë, dhe se sprova nuk është e përgjithmonshme por është kalimtare, atëherë përse të mos armatosemi me armën e durimit si një urtësi me vlera të larta në Islam.
Durimi (sabri) është çelësi i gjithçkaje në këtë botë, andaj në këtë kontekst durimin mund ta përkufizojmë si çelësi i suksesit.
Profeti a.s. ka thënë: ''Durimi është dritë'' (11) pasi që orienton dhe të udhëzon drejt të mirës, dhe hadithi tjetër ''…Durimi është shkëlqim…''(12) që do të thotë se durimtari është vazhdimisht në të vërtetën, sepse rruga e tij është e ndriçuar.
Gjatë komentit të hadithit ''Durimi është dritë'' Amër Halid në veprën e tij "Përmirësimi i zemrave" thotë:
"Kjo pasi krizat dhe fatkeqësitë që kalon njeriu gjatë jetës janë errësira, që të pengojnë të shikosh përpara. Humbja e njerëzve të afërt, sëmundjet e ndryshme…t’a errësojnë jetën dhe nga kjo errësirë nuk mund të dalësh veçse me durim.''(13)
Dhe jo rastësisht është thënë se durimi është një veçori e domosdoshme për njeriun, jo vetëm për një ditë, por ai kërkohet në çdo kohë dhe në çdo moment.
Andaj duke e pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e kësaj cilësie në jetën e besimtarit, e që s’ka dyshim se ajo domosdoshmërish i nevojitet atij në çdo çast të jetës, konkludojmë se durimi është një pishtar ndriçues për muslimanin, për t’i bërë ballë dallgëve të detit dhe të gjitha stuhive të furishme që mund t’i kanosën në jetë.
Po e përmbyllim këtë artikull me hadithin e të Dërguarit, s.a.v.s., ku thotë: ''Dije se nëse duron në fatkeqësinë që të ka rënë, aty ka të mira të mëdha dhe se fitorja vjen vetëm se nëpërmjet durimit, …''(14)


___________________
1.Hadithin e transmeton Buhariu nr.6099, Vëllimi X, faqe:628.
2. Ebi Abdullah Muhamed ibën Ahmed El-Ensari El-Kurtubiji, "El-Xhamiul Ahkamil Kuran", faqe:174.
3.Buhariu nr:1283, Ibën Haxher El-Askalani, "Fet’hul Bari", Vëllimi III, faqe:190.
4. Imam Ahmedi në "Musnedi", Vëllimi XII, faqe:126.
5 Muslimi nr.2999, Imam Neveviu, "Sahihul Muslim", vëllimi VII-VIII, faqe:449.
6.Hadithi është pjesë e hadithit me tekst më të gjatë të cilin e transmeton Buhariu ne Sahihun e tij me nr. 6470, Vëllimi XI, faqe:366.
7. Dr.Muhamed Abdurrahman El-Arifi, "Kënaqu me jetën tënde", Prishtinë 2009, faqe:384.
8. Muslimi nr.2999, Imam Neveviu, "Sahihul Muslim", Vëllimi VII-VIII, faqe:449.
9. Transmetojne Buhariu nr.5652, Vëllimi X, faqe:142
10. Buhariu nr.660, Ibën Haxher El-Askalani "Fet’hul Bari", Vëllimi II, faqe:186.
11. Muslimi nr.222, Imam Neveviu, "Sahihul Muslim", Vëllimi I-II, faqe:245.
12. Po aty, nr.223, faqe:245.
13. Amër Halid "Përmirësimi i zemrave", Botimi III, Shkup, faqe:73.
14. Tirmidhiu pas transmetimit të këtij hadithi thotë se hadithi është hasen – sahih.



(Autori ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjikut, dega e Orientalistikës, pastaj ka përfunduar edhe studimet në Fakultetin e Studimeve Islam në Prishtinë.)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi