“Benamazët” dhe mllefi i tyre kundër Islamit

Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “E, kush është më zullumqar se ai që shpif gënjeshtra kundër Zotit, duke iu referuar fesë së vërtetë (Islame)? – E Perëndia nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin zullumqar (që bën padrejtësi)”. (Es-Saff, 7).

Populli, ata muslimanë që nuk shkojnë asnjëherë në xhami, zakonisht i quan “benamazë”. Kur pleqtë thonë “filani është benamaz”, nënkuptojnë një musliman, që publikisht nënçmon fetarësinë islame dhe është kundërshtar i saj. E fjala “benamaz” përbëhet prej dy fjalëve “be+namaz”, domethënë betohem (bëj me be) se nuk do të fal namaz, si dëshmi për bindjen kategorike kundër fesë e riteve islame.

“Benamazët” në kontekstin historik

Në fakt, nocioni “benamaz” prejardhjen e ka të hershme, po sidomos nga koha e periudhës komuniste, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Gjatë kësaj kohe, si në Kosovë ashtu dhe në viset e tjera shqiptare, ideologjia komuniste pati udhëhequr një politikë të nënçmimit të fesë Islame, si fe e pjesës dërrmuese të shoqërisë. Çdo qelizë e sistemit komunist frymonte veprim kundër fesë (Islamit). Sistemi arsimor i kohës ishte ndërtuar për të përgatitur intelektualë që do t’i shërbenin kauzës komuniste. Feja mësohej e propagandohej si opium, dogmë, prapambeturi dhe humbje kohe. E, shkuarja në xhami dhe aplikimi i riteve fetare, ishte nënçmim. Mirëpo, këto bindje të këqija nuk i kishte shtresa e popullit, e cila pati vazhduar të ruante respektin ndaj fesë, pa marrë parasysh se sa e zbatonin atë. Sepse, secili mysliman gjurmët e fetarësisë islame i kishte të freskëta ose dhe të pranishme tek etërit, gjyshërit e stërgjyshërit. Problem përbënin më shumë shtresa e të shkolluarve në përgjithësi. Këta, për më keq,nënçmimin ndaj fesë e konsideronin si pjesë të intelektualit, ndërsa shkuarjen e mundshme të tyre në xhami, nuk mund ta mendonin fare. Në raste varrimesh nuk ngrinin duart lart gjatë bërjes së duasë (lutjes për të vdekurin) tek varri. Rrallë ndodhte që një intelektual, zakonisht ata që i kishin familjet fetare, të fliste fjalë të mira për fenë dhe të respektonte fetarësinë e individit. Ndërkaq, pjesa dërrmuese e tyre ishin të vrazhdë dhe, pa fije turpi, flisnin fjalë banale për xhaminë. Me këto bindje, këta (pseudo)intelektualë, që veten e mbanin elitë të shoqërisë, filluan të imponoheshin në mjedise të shoqërisë me ligjërimet e tyre arkaike e antiislame. Në anën tjetër, popullata (xhemati), që nuk pajtohej kurrë me këtë banalizëm, megjithatë nuk ishte shumë konsistente për t’i kundërshtuar. Sepse, në radhë të pare, ishte shtresë e thjeshtë (e pashkolluar) dhe s’kishte përgatitje intelektuale, dhe, së dyti, druheshin nga ndonjë pasojë, ngase, në atë kohë, kundërshtimi i funksionarëve komunistë sillte tortura të egra dhe burgosje të gjata, besa deri edhe likuidim fizik. Por, el-hamdulil-lah, që pjesa dërrmuese e xhematit kishte iman dhe zemër. Ata kurrë me bindje nuk ishin pajtuar me ata komunistë elitarë. Ndërkohë, xhemati, duke i diferencuar këta komunistë, pra në kuptimin nënçmues, filloi t’i identifikonte si “benamazë”. Kur thuhej “benamazë”, dihej qartë se për kë bëhej fjalë. Dhe, ky emërtim sot e tërë ditën ka vazhduar të jetë i pranishëm në mesin e shoqërisë kosovare dhe më gjerë. Mirëpo, më vonë, me rënien e komunizmit, shumë “benamazë” kanë bërë teube-istigfar (pendesë) dhe i janë kthyer fetarësisë islame. Disa të tjerë, kanë jetuar e kanë vdekur me bindjet e tyre të këqija për fenë, ndërsa trashëgimtarët e tyre sot janë muslimanë të devotshëm. Pra, kanë ndryshuar rrethanat, porse “benamazët” dhe “neobenamazët” janë të pranishëm dhe tipikë bashkëkohorë.

Benamazët” janë kundërshtarë e zullumqarë

Ne, në këtë punim, nuk po flasim për ata muslimanë të cilët, ngase nuk shkojnë asnjëherë në xhami, në sytë e njerëzve duken se janë “benamazë”, e në fakt nuk janë të këtillë. Këta, mund të jenë muslimanë pasivë dhe një ditë mbase mund të shkojnë në xhami dhe të falin namaz, siç ndodh shpesh. Ne po flasim për ata muslimanë që nuk e mohojnë përkatësinë e tyre islame, po që në mënyrë kategorike, nuk shkojnë në xhami, madje as në festat fetare islame,dhe gjatë gjithë kohës shprehin mllefin e tyre kundër Islamit dhe muslimanëve.(1)
Këta, aq sa janë të rrezikshëm për veten e tyre, po aq janë të rrezikshëm për fenë Islame në përgjithësi. Sepse këta nuk janë muslimanë pasivë, po janë kundërshtarë aktivë, dhe mund t’i bëjnë shumë dëm Islamit dhe muslimanëve. Kjo kategori, në bazë të deklarimeve dhe veprave të tyre, është e rreshtuar në anën e atyre që kundërshtojnë Islamin dhe që mendojnë se si ta dëmtojnë atë sa më shumë.
Në ajetin e cituar që në fillim (Es-Saff, 7), Allahu i Madhëruar dëshmon për mizorinë e atij që shpif kundër Allahut, duke folur gjithçka që ia merr mendja, e ndërkohë i referohet thirret se kjo është prej Islamit.(2)
Ne dëgjojmë se si “benamazët” bashkëkohorë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni etj., mundohen të flasin e të përflasin për Islamin, duke nënçmuar akëcilin ritual fetar. Ndonjëherë u del punë me ritualin e Haxhit, se shkuarja deri në vendet e shenjta - Mekë e Medinë, është e panevojshme; ndonjëherë dhe shpesh ngatërrohen me mbulesën islame të femrës (shaminë), kinse ajo është traditë arabe dhe bartja e saj nga femrat është prapambeturi etj.. Përditë ndërrojnë diskursin, nga një sulm në një tjetër. Muslimanët mbahen nën tension. Madje ata urrejnë praninë e mëhershme të Perandorisë Osmane (hilafetit islam) në hapësirat shqiptare, jo për shkak të dominimit të saj në Ballkan për disa shekuj, po për shkak se ajo është bërë sebeb (shkak) që populli shqiptar ta pranonte Islamin. Në anën tjetër, janë të vetëdijshëm se pranimi i Islamit nga ana e shqiptarëve ka qenë një mburojë e vërtetë, që e ka ruajtur qenien shqiptare dhe ka penguar drejtpërdrejt sllavizimin e shqiptarëve. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Mirëpo, mllefi i “benamazëve” ndaj Islamit ka verbuar sytë dhe mendjet e tyre dhe gjithçka që ndërlidhet me Islamin, edhe nëse është e mirë, sipas “benamazëve”, është e huaj dhe e keqe. Kjo është fytyra e vërtetë e tyre, fatkeqësisht! Ky lloj njerëzish, mbase janë kategori e mynafikëve tradicionalë e primitivë, që vjellin helm kundër Islamit.
Që nga periudha e Pejgamberit a.s. e gjer në kohën tonë, hipokritët kanë qenë elementi më i dëmshëm për muslimanët. Ata janë të mbushur me urrejtje dhe intriga ndaj shoqërisë islame. Prej tyre kishte vuajtur Muhamedi a.s., para më se 14 shekujsh, dhe prej tyre vazhdon të vuajë bashkësia muslimane e kohës tonë.
E njëjta kauzë dhe i njëjti synim. Kjo është sëmundja e tyre e pashërueshme. Allahu i Lartësuar i përshkruan mynafikët si në vijim. (Shih:El Bekare, 8-14).
Kur i lexojmë këto ajete kuranore, në mendjen tonë paraqiten kryemynafikët e kohës së Pejgamberit a.s., si Abdullah ibn Sebe e të tjerë, po edhe “benamazët” e kohës tonë, që i njohim me emër e mbiemër. Debatet televizive, mbushen përditë me panelistë “benamazë”. Secili, sipas dëshirës së vet, diskuton dhe shpreh mllefin ndaj Islamit. Për më keq, kauzën e tyre hipokrite,gjatë gjithë kohës e arsyetojnë me avancimin e Kosovës drejt vendeve të përparuara, duke e konsideruar Islamin gjoja si të dëmshëm në këtë proces. Ndërsa, në fakt, qëllimi i tyre është që ta lëndojnë Islamin sa më shumë që është e mundur. Sepse, hipokritët e kohës së Pejgamberit a.s. thoshin kështu: “E kur atyre u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues”! E, në realitet, këta janë intrigantët më të mëdhenj. E nënçmojnë Islamin sa të munden dhe kur të munden. Përzihen në kompetenca të Allahut, duke (zh)vlerësuar akëcilin ritual fetar. Atë që e ka bërë obligim Allahu, ata e zhvlerësojnë, sikurse janë obligimet islame, e atë që ka ndaluar Allahu, sikurse janë alkooli, prostitucioni, vjedhja, rrena, etj., ata i lejojnë.
Prandaj Allahu ka shtruar pyetjen: (Shih: Es-Saff, 7).

“Benamazët” njollë e zezë e shoqërisë në të gjitha periudhat

Në secilin tubim fetar, sidomos nëpër tubimet fetare që mbahen në ambiente familjare, me rastin e shërbesave fetare, “benamazët” shquhen si njollë e zezë e tubimit. Ata nuk dinë të flasin mbarë, po gjithmonë janë të prirur të kritikojnë Islamin dhe muslimanët. Të gjitha bisedat që bëjnë, i zhvillojnë me sarkazëm dhe nënçmim për kulturën islame. Personat e këtillë bëhen shkaktarë për ta zbehur ngrohtësinë e tubimit fetar, që ka organizuar i zoti shtëpisë me shumë sinqeritet e devotshmëri. Por ç’e do që, të gjithë të pranishmit, benamazët i konsiderojnë si njerëz që reflektojnë tipare të ideologjisë komuniste. Për këtë arsye, fjala e tyre nuk ka fare peshë, veçse është zhurmë dhe diskreditim për vetë ata.
Le ta falënderojmë Allahun që sot kemi një gjendje krejt tjetër në shoqërinë tonë shqiptare. Krenaria e Islamit është në piedestal e avantazh, ndërsa perspektiva e “benamazëve” është në disavantazh dhe drejt vetëvarrosjes.
Nëse para viteve ’90 të shekullit të shkuar njerëzit që falnin namaz e që shkonin në xhami, apo që agjëronin Ramazan, përqesheshin të nënçmuar, - ndodh e kundërta. Njerëzit që shkojnë në xhami, që falin namaz për Allahun, janë profil i njerëzve me vlerë, që i admiron shoqëria, sa kohë që, ata që nuk shkojnë në xhami, në këtë rast nga soji i “benamazëve”, shoqëria nuk i simpatizon,përkundrazi, i konsideron si njerëz me ndërgjegje të ngurtë, demode, të egjër, komunistë etj..
Në këtë kontekst, kohët e fundit edhe në fjalorin politik të njerëzve publikë, vërejmë një interferim fetar. Më herët, ishte absurde të dëgjoje fjalën “Zot”nëpër fjalimet publike, kurse në vitet e fundit përmendja e fjalës Zot, është bërë modë. Çdo i dyti politikan, artist a studiues në bisedat e tij shqipton fjalë fetare islame.
Kjo dëshmon më së miri se fetarësia islame tashmë është krenaria e shoqërisë shqiptare. Për shembull, në Kosovë, në secilin institucion shtetëror a privat, në
shkollë, fakultet, ambulancë, spital, ushtri, komunë, ministri, qeveri, presidencë, etj. shohim që ka punonjës që falin namaz, që kanë karakter fetar islam dhe që adhurojnë Allahun e Madhërishëm. Fytyra e tyre është nur (dritë), dhe njihen si njerëz të përgjegjshëm, të devotshëm, besnikë, të moralshëm, familjarë, punëtorë të sinqertë, kolegë të mirë etj.. Dinjiteti i tyre është i pakrahasueshëm me dinjitetin e “benamazëve”. Përderisa njerëzit fetarë janë shenjë dalluese e këtyre tipareve më të mira të mundshme, në anën tjetër, “benamazët” janë potencialisht shenjë dalluese e tipareve të këqija, sepse, të shumtën e rasteve, karakterizohen si të pasinqertë, të pamoralshëm, alkoolistë, gënjeshtarë, ngatërrestarë, frikacakë, hipokritë, profiterë, aventurierë etj.. Shtrohet pyetja për se janë të këtillë?! Përgjigjja është e thjeshtë, këta janë të lidhur ngushtë me interesin material. Shpirti i tyre është i materializuar. Asgjë nuk bëjnë, nëse nuk shohin ndonjë interes të çastit a afatgjatë, çfarëdo qoftë ai interes, material apo moral. Për të arritur interesin personal, nuk zgjedhin rrugë e as metodë. Për dallim nga namaztarët, të cilët, çdo gjë që bëjnë, e bëjnë për hir të Allahut, dhe çdo gjë që nuk e bëjnë nga të këqijat dhe të shëmtuarat, përsëri nuk e bëjnë për hir të Allahut. Të tjerëve ua duan të mirën dhe nuk i dëmtojnë. Për secilën punë, besojnë se i sheh Allahu i Madhërishëm dhe Ai i vlerëson si dhe i shpërblen.

Distancimi i “benamazëve”

Pa dyshim, tendencat e “benamazëve” për të dëmtuar Islamin dhe myslimanët janë të dështuara. Sa e sa njerëz gjatë historisë, duke filluar nga koha e Pejgamberit a.s. e deri më sot, kanë bërë përpjekje për ta njollosur Islamin e për ta shkatërruar atë. Por kjo ka qenë e pamundshme. Bile, në ajetin në vijim, Allahu, pasi përmend se ky soj i njerëzve dëshiron që, me gojën e tyre, të shuajnë dritën e Allahut, në vazhdim i Lartmadhërishmi e thotë edhe këtë: (Shih:Es-Saff, 8).
Kjo është e vërtetë. Në anën tjetër, emri i tyre në histori është shënuar me shkronjat e turpit. Sepse i kanë shpallur “luftë” Allahut dhe të Dërguarit të Tij. E në këtë “luftë” Allahu del fitues dhe s’ndodh ndryshe. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, të gjithë kundërshtarët e Islamit i ka turpëruar, qoftë gjatë jetës, qoftë pas vdekjes. Pjesë e këtij nënçmimi të Allahut ndaj “benamazëve” është edhe uniteti i muslimanëve për mospërkrahjen e tyre. Allahu i ka vlerësuar lart ata muslimanë të cilët nuk duan një njeri që kundërshton Allahun dhe Pejgamberin, qoftë ai edhe i afërm i tyre, i gjakut: (Shih:El Muxhadele, 2).
Prandaj, muslimanët që janë shumicë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, në asnjë formë nuk duhet t’i përkrahin “benamazët”. Atyre duhet t’u bëhet thirrje që të bëjnë pendesë dhe të bëhen robër të sinqertë të Allahut. Sepse, përndryshe, distancimi ndaj tyre është një lloj parandalimi që të mos shtohen. Fundja, ky është edhe obligim besimor, por edhe për arsyen se ata janë “zullumqarë”. E zullumi duhet të kundërshtohet, sepse, për shkak të zullumit të tyre dhe rritjes eventuale në numër, mund të pësojnë edhe muslimanët e sinqertë, sikurse e mësuam nga ajeti i përmendur më sipër.


_______________
1) Fjala “benamazët”, në këtë punim e ka këtë domethënie.
2) El Bejdavij, Tefsiru envarit-tenzil ve esrarit-te’vil, komentimi i ajetit Es-Saff, 7.



Mr. Orhan Bislimaj


Artikulli i kaluar
Sekti i devijuar – Shia
Artikulli radhës
Parametrat e mesatares islame