Promovimi i veprave të plota të Imam Vehbi Ismailit


“Botimi i veprave të Imam Vehbiut do ta kthejë Imamin në vendin e origjinës, nga na e mori Amerika para 60 viteve.” (Nexhat Ibrahimi)

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

E nderuara Shkodër, që na e fale Imam Vehbiun;
I respektuari mikpritës, që na prite zemërhapur;
Të nderuar drejtues të SHB Logos-A në krye me zotëri Adnan Ismailin, që na dhatë kënaqësinë të njihemi me Imam Vehbiun;
Zonja dhe zotërinj;
Të nderuar miq dhe ju të pranishëm -

Es-selamu alejkum – Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj çaste të këndshme në këtë ambient dhe në këtë kohë. Është privilegj të flasë para këtij auditoriumi të ndershëm. Prania jonë në mesin tuaj dhe pritja juaj e ngrohtë është shenjë se takimet e këtij lloji duhet të organizohen më shpesh. Duke u takuar ne do t’i njohim të tjerët por edhe vetveten, siç është edhe Imam Vehbi Ismaili, xhevahir mbi xhevahirë!
Imam Vehbi Ismaili, xhevahir mbi xhevahirë

(Analizë rrugës jetësore të Imam Vehbi Ismailit)

“Botimi i veprave të Imam Vehbiut do ta kthejë Imamin në vendin e origjinës, nga na e mori Amerika para 60 viteve.”

Disa muaj më parë populli shqiptar dhe gjuha shqipe e fitoi edhe një thesar të çmueshëm, veprat e zgjedhura të Imam Vehbi Ismailit. Kompleti përfshin tetë vëllime, ku janë përfshirë 28 vepra autoriale apo të përkthyera të Imam Vehbi Ismailit dhe disa kontribute të tjera nga autorë të tjerë për autorin. Meqenëse janë shkruar disa biografi të shkurtra për të, meqenëse edhe vetë autori ka dhënë elemente autobiografie, vëmendjen do ta përqendroj në disa aspekte të tjera të jetës dhe të veprës së këtij kolosi të fesë islame në gjuhën shqipe dhe këtij atdhetari të pashoq.
***
Imam Vehbi Ismaili është personalitet i rrallë porsi është i rrallë uji në shkretëtirë. Ky pohim, paksa metaforik, bazohet në angazhimin optimal të tij për ndriçimin e çështjeve dhe temave që e preokupuan kohën dhe hapësirën kur jetoi ai dhe ku veproi ai. Ky pohim bazohet dhe në spektrin e fushave të shumta që ai trajton në meditimet dhe studimet e tij. Për këtë arsye, përpunimi dhe arsyetimi më i themeltë i vlerësimit të opusit intelektual, shkencor dhe organizativ të Imam Vehbiut kërkon njohje të kontekstit të gjerë kohor dhe hapësinor të lindjes, zhvillimit dhe kontributit të tij të gjithanshëm. Gjithashtu, veçanësinë e Imam Vehbiut e përbën edhe qasja e tij besimore dhe intelektuale kundrejt bashkëkohësisë dhe themelësia e tij autentike dhe autoritative prej iluministi në shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve e problemeve të rëndësishme të kohës.
Theksimi i këtij komponenti hap para lexuesit, e sidomos para hulumtuesit, shtigje të shumta dhe jep shenjë për më shumë karakteristika të opusit të tij. Sidomos në këtë rrafsh është me rëndësi angazhimi i tij arsimor në aktivitetin e tij prej thirrësi (misionaristi), që në fakt e orientoi, madje edhe e përcaktoi karakterin dhe tematikën e preokupimeve të tij. Meqë opusi i tij krijues kap një periudhë të gjatë kohore, rreth shtatë dekada, disa tema të tij në shikim të parë i përkasin “asaj” kohe, por pas leximit dhe rileximit të tyre, vërejmë se ato shkrime reflektojnë aktualitet, afrim brezash e rafinitet shpirti. Për këtë shkak, tërë opusi i tij krijues është i afërt me lexuesin e shekullit XXI, madje shpeshherë për lexuesin e periudhës post-moderniste paraqet madje edhe doracak të pashmangshëm të kohës. Normalisht, krijimtaria e tij intelektuale kërkon që të vlerësohet pikarritja e punës së tij në kohën e tij dhe njëkohësisht ajo të vlerësohet edhe nga pozicionet e aktualitetit tonë.
Imam Vehbiu pa dyshim është njëri prej intelektualëve më të dalluar të kohës ndër shqiptarët, por edhe më gjerë, duke filluar që nga koha e Pasluftës së Dytë Botërore (1946) e deri në fund të shekullit XX (1996), kur Imami i shkroi shkrimet e tij të fundit. Veprat e tij, edhe pse karakterizohen me ngjyrën e kohës kur dhe ku trajtoheshin, ato tërësisht e reflektojnë komponentin edukativ, arsimor, patriotik dhe tolerant për bashkëbesimtarët e tij në Amerikë dhe, në masë më të vogël, edhe në trojet shqiptare përmes ekzemplarëve të paktë që si inxhijë të vlefshëm depërtonin në Kosovë e Maqedoni dhe, vetëm pas vitit 1990, edhe në Shqipëri. Opusi i tij prej njëzet e disa veprash autoriale ose të përkthyera, të përfshira në këtë botim në tetë vëllime dhe shumë artikuj, shkrime, recensione, parathënie e pasthënie në veprat e për veprat e të tjerëve, përkundër diskontinuitetit kohor e, madje, edhe hapësinor, flet për Imam Vehbiun se ai ishte një personalitet markant, qendror dhe rrallëherë i përsëritshëm i epokës kur jetoi dhe ku veproi. Me të drejtë ai hyn në radhën e pararendësve dhe bashkëkohësve të tij, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Haki Sharofi, Sherif Ahmeti etj.
Megjithë faktin se vëllimi i madh i veprës së tij te kritika shkencore mund të hedhë një dilemë, se mbase vëllimi i veprës së tij e relativizon këtë opus, jemi të prirë të mendojmë se vepra e Imam Vehbiut është prodhim nga brenda, prodhim i shpirtit të tij, ndërsa u destinohet shpirtrave të pastër, por të sfiduar nga sistemet dhe ideologjitë e shumta dhe të rrezikshme moderne për rrethin e tij dhe kohën kur jetoi.
Përse? Sepse, koha kur lindi dhe u zhvillua Imam Vehbiu ishte periudha postosmane, e dominuar nga fuqitë e huaja dhe nën trysninë e fuqishme të elementeve destruktive që punonin në llogari të fqinjëve greko-sllavë. Shqipëria dhe trojet shqiptare nuk patën mundësi ta artikulojnë qartë dhe fuqishëm aspektin e tyre nacional, kurse aspekti fetar islam ishte në rrezik serioz nga hakmarrja pikërisht për shkak të përcaktimit fetar dhe për shkak të aleancës historike me osmanlinjtë muslimanë. Madje, shqiptarët u ndëshkuan rëndë duke i copëtuar trojet e tyre në shumë shtete ballkanike dhe duke i dëbuar ata nga trojet e tyre shekullore. Tërë krijimtaria shqiptare islame disashekullore, tërë ai thesar i krijuar sinqerisht, shkoi në asgjësim ose u la në harresë. Populli që i dha një perandorie mbi 30-të kryeministra, me dhjetëra e dhjetëra intelektualë të lartë, që krijoi një trashëgimi aq të pasur në letërsi e arkitekturë, përnjëherë mbeti analfabet, i pambrojtur, mbeti pa të kaluar politike, kulturore, shkencore. Kjo vërtetë ishte më shumë se tragjike!
Pikërisht në këtë kohë lindi dhe veproi Imam Vehbiu. Madje ai e kishte edhe më vështirë se shqiptarët e tjerë, sepse pas studimeve të përfunduara, për shkak të burgosjes së babait dhe problemeve të tjera, nuk mundi t’i kthehet familjes, e as vendit të tij të dashur, por mbeti në emigracion, për disa vite në Egjipt, ndërsa nga viti 1949 – në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si brenda Shqipërisë dhe brenda tokave shqiptare në ish-Jugosllavi, ashtu edhe jashtë tyre, për shkak të ofensivës dhe dhunës së papërshkruar të shteteve armike dhe, për shkak të antipatisë ndaj Islamit dhe muslimanëve, ulemaja shqiptare u vra, u burgos dhe u shantazhua; si pasojë e kësaj gjendjeje, ulemaja kryesisht heshti. Por, nuk heshtën të gjithë. Nga kjo heshtje frike, dhune e shantazhi, me urtësi të jashtëzakonshme u dëgjua zëri i Imam Vehbiut. Zëri djaloshar, por shumë i qartë e këmbëngulës, vazhdoi të flasë nga kontinenti i Amerikës.
Dikush mund të vërejë: Po, ai foli, por Imam Vehbiu nuk ishte brenda trojeve shqiptare dhe zëri i tij mezi dëgjohej.
Vërtet Imam Vehbiu vepronte në Amerikë, në mesin e bashkëkombësve të tij, në mesin e besimtarëve të tij, por zëri i tij nuk mbeti i padëgjuar as për trojet shqiptare. Nëpërmjet kontakteve individuale, nëpërmjet përkthimeve ose prezantimeve të shkrimeve të tij, zëri i Imamit bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. Vlen të theksohet se gjithnjë, në të gjitha shkrimet, Imam Vehbiu është sa musliman, aq edhe shqiptar, karakteristikë kjo e çdo emigranti, respektivisht dy aspekte të një qenieje, dy faqe të një medaljoni.
Siç do ta vërejmë nga shënimet biografike, Imami është aktivist me plot energji në të gjitha fazat e jetës së tij, është plot gjallëri dhe shumë optimist. Edhe pse vepra e tij krijohet në shtatë dekada, edhe pse vepra e tij në disa pikëpamje të aktualitetit relativizohet, siç theksuam edhe më herët, mendojmë se shkrimet e tij kanë vlerë trans’historike; ato kanë mesazh të qëndrueshëm, jetëgjatë dhe pa diga ideologjike. Kjo vlerë do të vërehet në çdo vepër të tij, në çdo shkrim të tij, qoftë shkrim historik, besimor, etik ose thjesht shkrim rasti. Imam Vehbiun e kemi imam, vaiz, hatib, këshillues, shkencëtar, patriot, prind, familjar, shok, mik ...
Shkrimet e tij (sidomos ato të vazeve e hutbeve: Predikimet e xhumasë) karakterizohen me tërheqshmëri të gjallë, posedojnë afinitet për meditim, cilësi letrare, narrative, por edhe sugjestivitet të caktuar. Ai flet drejtpërdrejt, por zëri i tij është këshillues dhe i ëmbël. Ai qorton në këshillat e tij, por nuk ka të hidhëruar. Ai dhe shkrimet e tij u përshtateshin rrethanave të dhëna, pa e humbur kurrë burimin dhe modestinë. Por, kur Imam Vehbiu shkruan shkrime shkencore, metoda e tij ndryshon pothuaj diametralisht, sepse ai tash është shumë rigoroz, i saktë e i argumentueshëm, ashtu siç e kërkon natyra e shkrimeve shkencore (lexo me kujdes veprat: Dritë nga Kur’ani, 150 hadithe, Studime islame etj.).
Përkundër faktit qe ai shkruan me zotësi në shumë fusha, kemi bindjen se Imam Vehbiu historian-edukator e ka tejkaluar Imam Vehbiun në rrafshet e tjera. Ai shkroi për pejgamberët, për Muhammedin a.s. e, veçanërisht, për shokët e ngushtë të Muhammedit a.s.. Shkroi ose e përktheu historinë edhe ndryshe, në trajtë letrare, që personalisht jam i entuziazmuar (Lexo veprat: Banorët e shpellës, Jusufi a.s., Muhammedi Profeti islam, Bilali etj.). Ne kujtojmë se ky përcaktim i tij qe i imponuar nga nevojat e besimtarëve të tij, nga niveli i arsimimit të tyre fetar, që ai shpesh e theksonte në shkrimet e tij.
Duke menduar për Imam Vehbiun dhe veprën e tij në kohën e dhënë, mund të thuhet se pikërisht ky është imami i fundit shqiptar që do ta mbante titullin imam, hoxhë, vaiz, hatib e edib në kuptimin tradicional islam: dijetar i fuqishëm e i themeltë në shumë fusha, si klasike, ashtu edhe bashkëkohore. Imami është shembull i vyeshëm se si çdo imam duhet të kontribuojë shumë e më shumë, mirë e më mirë, duke dalë nga gëzhoja e prapambetjes dhe duke e përqafuar dritën e quajtur dituri.
Në fund të këtij shkrimi të rastit do të theksoj se borxhi i ynë ndaj Imamit është afirmimi, prezantimi dhe shtrirja e veprës së tij në të gjitha shtresat e popullit: nga lexuesi i abetares e deri te akademikët, nga shkolla fillore e deri te akademitë, nga besimtarët e përpiktë e deri te jobesimtarët.
Botimi i veprave të Imam Vehbiut të shtrira në gjithë globin tonë ku ka shqiptarë, e sidomos në trojet shqiptare, do ta kthejë Imam Vehbiun në vendin e origjinës, nga na e mori Amerika para 60 vitesh.
***
Më duhet të theksoj se duke i përpunuar e përgatitur për botim veprat e Imam Vehbiut, pata kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse u ballafaqova me një njeri të madh dhe me një mjeshtër të letrave, çfarë rrallë lindin në tokat tona. Por, njëkohësisht, për shkak të barrës me të cilën u ballafaqova, pata edhe përgjegjësinë që nuk do ta dëshiroja sërish në përvojën time. Pas shumë këshillimeve me vetë Imamin dhe familjen e tij, pas shumë këshillimeve me institucione e individë, mendoj se bashkë me tërë redaksinë e kemi zgjedhur mënyrën më të mirë për t’i prezantuar veprat e zgjedhura të Imam Vehbiut. Ndonëse vetë Imami na i ka lënë duart e pastra që të vendosim ashtu si ta shohim më të arsyeshme, së bashku me redaksinë kemi bërë maksimumin që vepra e tij të publikohet sa më origjinale dhe në dritën më të mirë, duke e ruajtur edhe tiparin shkodran, të cilin Imam Vehbiu, edhe pse në largësi, e ruajti me fanatizëm.
Me këtë rast veçanërisht ndiej obligim t’i falënderohem vetë Imam Vehbiut (Allahu e mëshiroftë), i cili propozimin tim që vepra e tij të botohet si tërësi e pranoi, që të bëhet e kapshme për të gjithë shqiptarët dhe shqipfolësit.
Mirënjohje publike meriton SHB “Logos-A” që ndërmori një hap të tillë për botimin e veprës së Imamit. Vërtetë Imam Vehbi Ismaili, është xhevahir mbi xhevahirë. Këtë do ta kuptojmë vetëm pas leximit të veprës komplete të tij.
Mbetemi me shpresë se këto vëllime librash do ta tregojnë tërë madhështinë njerëzore të Imam Vehbiut dhe do të kontribuojnë që më lehtë të kuptohet feja jonë e dashur, por edhe e kaluara jonë islame-muslimane, shpeshherë e zhvlerësuar dhe e anatemuar nga “ana tjetër” dhe nga “të tjerët”. Shpresojmë thellë se ndonjë studiues i ri do t’i përvishet punës për hartimin e një monografie serioze kushtuar Imam Vehbiut. Të gjitha kushtet e tjera janë pjekur pos vullnetit për t’ia filluar punës.
Të nderuar, ju falënderoj për durimin qe patet. Juve organizator i nderuar shumë faleminderit që na ofruat këtë kënaqësi. Selam!

Me respekt e selam,
Nexhat Ibrahimi

Shkodër,
29. 05. 2010


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi