Allahu i Lartëmadhërueshëm nga çdo gjë që ka krijuar e ka vlerësuar.
Në mesin e të gjitha krijesave e ka vlerësuar njeriun. Kurse nga njerëzit i ka veçuar pejgamberët, e nga pejgamberët Muhamedin a.s. Nga melekët ka vlersuar melekun Xhibril a.s., nga librat e shpallura Kur’anin, nga umetet, Umetin e Muhamedit a.s., nga qytetet ka vlerësuar Meken, Medinen dhe Kudsi Sherifin, nga shpellat shpellën hira, nga ditët, ditën e xhuma, nga muajt, Muajin e Ramazanit kurse nga netët, Natën e Kadrit.
Nëse i hedhim një vështrim kësaj që u përmend më lartë, kuptojmë se, Allahu i Madhërueshëm ka dërguar melekun më të nderuar Xhibrilin a.s. tek pejgamberi më i lavdëruar Muhammedi a.s., me librin më të bekuar Kur'ani kerimin për ummetin më të nderuar, ummetin e Muhammedit a.s., ne qytetin më të bekuar, Mekken, në shpellën më të bekuar Hiiraa, në natën më të bekuar, Natën e Kadrit, natë e cila gjendet ne muajin më të bekuar, Muajin Ramazan.
Mes të gjithave, Muaji Ramazan konsiderohet si muaji i Kur’anit
ngase në këtë muaj ka zbritur Kur’ani a.sh., dhe kjo është një ndër shkaqet që këtë muaj e bënë më të dalluar dhe më të lavdëruar nga muajt tjerë, ku vet All-llahu xh.sh. e ka lavdëruar në Kur’anin a.sh.
(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni. (2:185.)
M’u për këtë, Muaji Ramazan konsiderohet si ditëlindja e islamit ngase në të u shpall Kur' ani, prandaj ne këtë ditëlindje e festojmë, por jo me ndezje qirinjsh, me valle e dolli, por me agjërim, bamirësi dhe teravi.
Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Në këtë muaj të begatë shtohet dashuria për njeri-tjetrin, dhe në veçanti në zemrat e besimtarëve mbizotëron dëshira e faljes së gabimeve dhe sjellja me butësi e urtësi.
Agjërimi i Ramazanit i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj Zotit të botëve. Në këtë muaj Krijuesi i gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtaret, të cilët e kryejnë këtë adhurim më përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vete urtësinë, begatinë, sakrificën dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë.
Destinacioni final i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Krijuesit. Le të jetë ky muaj i bekuar muaji i përkushtimit drejt njohjes thellësisht të mesazhit hyjnor, i përfaqësimit të vlerave islame.
Te nderuar besimtarë!
Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin dhe vëmendjen që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që në këtë muaj të begatë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet .
Muaji i Ramazanit është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit shpirtëror, drejt përqafimit të vlerave Islame. Le të jetë ky muaj i begatë një mundësi më shumë për një përkushtim dinjitoz drejt fitimit të Kënaqësisë së Zotit.