Ramazanin një muaj ndryshe

Individët dhe bashkësitë e kanë të njohur nga tradita se, në raste të veçanta, për momente të caktuara dhe për personalitete të caktuara, bëhen përgatitje speciale.

Po edhe shtetet dhe entitetet tjera, datat e rëndësishme nga historia dhe ngjarjet të cilat kanë lënë gjurmë në kujtesën e popujve, i presin me përgatitje të veçanta dhe i ndjekin me evenimente madhështore, përmes të cilave e tregojnë jo vetëm shijen për organizim, por edhe ndjenjën e lartë të përkatësisë dhe vetëdijes identitare. Së këtejmi, edhe muslimanët, qofshin si invidivë apo bashkësi, një mysafir të veçantë dhe të vlefshëm, muajin e bekuar të Ramazanit, e kanë pritur me përgatitje të veçanta, për të treguar se ata jo vetëm që besojnë në shenjtërinë e këtij muaji dhe në begatitë që i jep Krijuesi në të, por se janë pasionuar pas këtij mysafiri të lartë, i cili për çdo vit i viziton dhe u shpërndan mirënjohje për një përkushtim dhe devotshmëri fetare dhe për një kontribut dhe sakrificë të dalluar gjatë tij.
Në të kaluarën, gjegjësisht në kohën e regjimit monist, në pamundësi për aktivitete më të bujshme kulturore gjatë muajit të Ramazanit, pamja ndryshe në këtë muaj ka qenë me atë se janë përgatitur xhamitë për pritjen e këtij muaji, si në aspekt të pastrimit dhe zbukurimit e përshtatjes për ligjërata ditore, në veçanti për ligjërata për femrat, po ashtu edhe në kuptim të vizitave të ndërsjella të teologëve për ta parë nga afër atë që ndodh në hapësira të ndryshme të vendit ku ata jetojnë, në aspektin fetar.
Ramazani ka qenë një muaj ndryshe edhe për muslimanët në përgjithësi, ngase në këtë muaj e kanë demonstruar humanitetin dhe zemërgjerësinë e tyre, duke u ndihmuar të varfërve dhe duke i shtuar vizitat te njëri-tjetri, si për iftar, po ashtu edhe pas teravisë, që të tregojnë se janë pjesë e pandarë e trungut të fuqishëm islam. Dhe, që është me rëndësi të potencohet në veçanti, në namazin e Teravisë janë marrë edhe fëmijët, me qëllim që të tregohet se feja nuk ka ngelur vetëm në supet e të moshuarve, por përgatiten edhe gjeneratat e reja për ta bartur barën e fesë, edhe përskaj vështirësive dhe trysnive të shumta të cilat e karakterizonin kohën e sundimit të pushtetit monist. Dhe mos të ngelim borxh pa e thënë: Ramazani, edhe në këtë kohë të sundimit të pushtetit të egër komunist, ka qenë një muaj ndryshe në kuptim të adhurimit, ngase në orët e vona të natës, robi i sinqertë ka mundur të bëjë adhurim sa të dojë, dhe këtë e kanë bërë, duke synuar me këtë që ta arrijë kënaqësinë e Krijuesit dhe të vjelë sa më shumë frute nga kopshti i begatshëm i Ramazanit.
Ramazani, edhe sot, në këtë kohë kur u liruam nga kthetrat e pushtetit monist paraqet një muaj ndryshe, si rezultat i zhvillimit të teknologjisë, kërkesat për një muaj ndryshe janë shumë më të mëdha se sa në të kaluarën, kur edhe mundësitë kanë qenë më të reduktuara. Sot, Ramazani duhet të paraqesë një muaj ndryshe në kuptim të adhurimit dhe përkushtimit tonë, por jo kjo të ngelet vetëm në planin individual, por duhet të shkojë përtej kufirit individual, duke kaluar në pjesë të misionit për t’i senzibilizuar edhe besimtarët tjerë, përmes formave të ndryshme, e në veçanti të rrjeteve sociale, që këtë muaj ta shndërrojnë në një muaj ndryshe, në aspektin e adhurimit. Po ashtu, mundësia e ndjekjes së atmosferës së namazit të teravisë në vendet e shenjta duhet të kuptohet si një shans, që gjatë Ramazanit, ndryshe prej kohëve tjera, mund të motivohemi nga pamjet impozante të namazit me xhemat në vendet e shenjta, për të reflektuar në vendet tona.
Ramazani duhet të jetë një muaj ndryshe në kuptim të angazhimit tonë, në këtë kohë kur mundësitë e komunikimit janë të shumta. Sot, nuk mjafton të organizosh nji tribunë, dhe të mendosh se me këtë ke bërë një aktivitet domethënë dhe të çmuar në Ramazan. Edhe pse çdo aktivitet e ka rëndësinë e vet, megjithatë, koha e teknologjisë, na imponon që Ramazani të jetë një muaj ndryshe në kuptim të shfrytëzimit të rrjeteve sociale dhe formave tjera të komunkimit, për ta përçuar sa më tepër fjalën islame dhe mesazhet Kur’anore, dhe në kuptim të komunikimit me një numër sa më të madh njerëzish, për të shpjeguar për pikpamjet islame, dhe që është e një rëndësie të veçantë, për të korigjuar botëkuptime të gabuara që mund të kenë shumë palë për Islamin, si rezultat i propagandave të mediumeve masive, edhe pse ky duhet të jetë preokupimi ynë gjatë gjithë kohës.
Ramazani duhet të jetë një muaj ndryshe në kuptim të trokitjes së dyert e njerëzve, qoftë tek hallexhinjtë për t’ua zgjatur dorën e ndihmës, apo tek të ngulfaturit në probleme sociale e të natyrës shpirtërore, për t’u ndihmuar me këshilla dhe për t’u dhënë kurajo, apo tek ata të cilët në sytë e njerëzve njihen si të larguar nga rruga e drejtë, për t’u ndihmuar të kthehen në të vërtetën dhe të largohen nga rruga e gabuar e cila përfundimin e ka të dështuar.
Ramazani duhet kuptuar ndryshe edhe në aspektin e ritualeve që ngërthen në veti, e në veçanti raporti ynë me Kur’anin Famëlartë jo vetëm në aspektin e shpërblimeve (sevapeve), por në atë që është më e rëndësishme, të kuptuarit e porosisë që zbriti Zoti në siperfaqen e tokës mu në këtë muaj të bekuar. Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “Muaji i Ramazanit është ai muaj në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja – Pra, kushdo nga ju, që e arrin këtë muaj, le të agjërojë.” Bekare, 85
Duke medituar dhe hulumtuar mbi porosit e Zoti, a njëherit edhe duke i mishëruar ato me jetën e përditëshme.
Por, mos ta harrojmë një segment, që gjykoj se është nga më të rëndësishmit, në mos edhe më i rëndësishmi. Ramazani duhet të jetë një muaj ndryshe në kuptim të angazhimit tonë brenda familjes dhe komunikimit tonë me familjet. Realisht, duke menduar që të tjerëve t’u ndihmohet, ka të ngjarë që të lehet pak pas dore familja, gjë që mund të jetë me një kosto të madhe, bile edhe të papërballueshme në raste të caktuara. Së këtejmi, Ramazani duhet të kuptohet si një mundësi që më tepër t’i përkushtohemi familjes dhe analizës së asaj që kemi bërë dhe që kemi arritur apriori në familjet tona. Duke qëndruar ulur në sofrën e iftarit dhe duke e pritur iftarin, duhet qëndruar ulur sy në sy me anëtarët e familjes, duke e llogaritur veten sa e kemi kryer obligimin ndaj tyre dhe sa kemi arritur t’i përcjellim tek ata mësimet islame, dhe ta ngremë vetëdijen e tyre fetare. Ndryshe prej kohëve tjera gjatë vitit, kur ndoshta nuk mund të takohemi shpesh në një sofër, në Ramazan kemi rastin që të mblidhemi, ngase iftari i bashkon njerëzit, dhe në veçanti anëtarët e familjes, dhe njëkohësisht kemi rastin që ta shoshitim rolin tonë në familje dhe atë që kemi arritur të realizojmë në familjet tona, para se të realizojmë me njerëzit tjerë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi