I dashur Muhamed a.s! Unë që po të shkruaj, jam një i përmalluar ndaj teje, që nga dita që nisa të dëgjoj e të lexoj për ty.
U ndjeva me fat dhe i privilegjuar që u prezantova me ty. Për ty nuk më folën vetëm njerëzit, për ty nuk më lexuan sytë vetëm libra, por për ty më foli dhe Zoti i Gjithëmëshirshëm, I Cili më tha mua dhe çdokujt tjetër se shëmbëlltyrën më të mirë njerëzore që mund ta ndiqni e ta pasoni në jetën tuaj të përditshme, e keni tek i dërguari Muhamed a.s, fjalë të cilat nuk i tha për asnjë nga të dërguarit e tjerë para teje. Kjo më bëri të thellohem edhe më shumë rreth jetës tënde dhe rreth qëndrimeve që mbaje në situata të ndryshme. Sa më shumë të njihja, aq më shumë të doja, por kjo nuk përbën çudi të madhe, pasi çdokush që ka dëgjuar dhe lexuar rreth teje është afeksionuar pas teje, e aq më tepër ata që patën privilegjin të të shikojnë nga afër e të jenë pjesë e tubimeve të tua. Më e çuditshmja është se ti u përmallove dhe na deshe neve (umetin tënd) ende pa na njohur, ende pa lindur ne, madje arrite deri aty sa të na konsideroje vëllezërit e tu, saqë u bënë xhelozë sahabët e nderuar, të cilët sakrifikuan për ty dhe besimin në të cilin ti i ftove, edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre.
Sa e mundur është për njeriun, që një vend ku mbizotëron shkretëtira dhe thatësia ta lulëzojë? Do të ishte e pamundur, aq më tepër për një gadishull të tërë siç ishte ai arabik, drejt të cilit pas zyrtarizimit tënd si lajmëtar të shpalljes hyjnore, filluan të drejtohen nga të gjitha anët e botës njerëz të nacionaliteteve të ndryshme, për të të takuar ty e për të marrë prej teje pak nga nektari i mirësisë, të cilin ti e posedoje me bollëk. Vraponin drejt teje siç vrapojnë bletët tek lulet që ofrojnë nektarin më të pasur, i cili ndikon në prodhimin e mjaltit më cilësor e më të shijshëm. Ardhja jote në këtë dynja ishte sihariqi dhe myzhdeja më e madhe që mund t’i vinte njerëzimit. Lindja jote ishte njësoj si ai shiu që është aq i nevojshëm për një tokë të shkretë e të thatë, e cila pas ujitjes së saj rilind, rigjallërohet dhe prodhon pafund në dimër e në behar.
Edhe pse u linde në një vend të thatë dhe shkretëtirë si Meka e Arabisë Saudite, ti u shndërrove në një trëndafil, petalet e të cilit hapeshin çdo ditë e më tepër, aroma e të cilave u shpërnda në mbarë globin. Ti sfidon çdo lloj parfumi, pasi aroma jote nuk ndihet në një vend të caktuar apo në një kohë të caktuar, por ajo ndihet kudo dhe kurdoherë. Kudo ku shkove dhe kuvendove e ktheve në një bahçe parajsore, si dhe e gjithë jeta jote u kthye në një lulishte dritash, ndriçimi i të cilave edhe sot e kësaj dite na shërben si një fanar udhëzues drejt të mirës. Dy qytetet ku i kalove të 63 vitet e tua i ndriçove dhe nderove, ndriçim dhe nderim që vazhdon e do të vijojë deri në ditën e fundit të kësaj bote. Jethribin, nga një vend i padëgjuar, ti e shndërrove në qytet dhe jo në një qytet të thjeshtë, por që u etiketua “Medijnetul Muneuara” – “Qyteti i ndriçuar”, ndërsa Meka pas shpalljes tënde si profet, u quajt “Mek-ketul –Mukerame” – “Meka e nderuar”.
Përpara shumë vitesh, kur hasa në dorë disa libra në shqip, si dhe në shumë gjuhë të huaja që flisnin rreth jetës tënde, habitesha se pse në kapakun e tyre ishte një trëndafil, tani që të njoh nga më afër, e kuptoj këtë simbolikë.
Sa herë që e ndiej të nevojshme të shkarkoj një pjesë nga barra e madhe e mallit që kam për ty, shkruaj, duke t’u drejtuar ty, pasi në këtë mënyrë lehtësohem sado pak dhe ndihem sikur ç’kam mundësi t’i them me fjalë, të t’i them, por e di dhe jam i vetëdijshëm se gjuha që flas nuk i gjen dot fjalët për të t’i shprehur të gjitha ato që ndiej, e në këtë rast përdor gjuhën e zemrës, e cila është e lidhur mbas teje dhe nuk ka nevojë për fjalë, pasi e tejkalon këtë lloj komunikimi dhe depërton drejt teje më shpejt se shpejtësia e dritës.
Me petale trëndafili do ta shtroja rrugën që të vija tek ty o Trëndafili i Mirësisë, veç të të shihja një herë, e të ngopesha duke të të parë. Kur imagjinoj fytyrën tënde, më del përpara portreti i njeriut më të pashëm që mund të ekzistojë. Sa herë që blej parfum, i pari mendim që qarkullon në mendjen time, është aroma që çlirohej e shpërndahej prej teje, o i dashur Profet, aromë e cila mbeti sot e kësaj dite kudo ku frymove.
Edhe tani që nuk je në mesin tonë fizikisht, aroma jote tërheq nga çdo cep i botës besimtarë që me shumë respekt e nderim ndaj teje, vijnë e vizitojnë xhaminë që mban emrin tënd, dhe qëndrojnë në radhë për të falur dy rekate namaz brenda raudas (kopshtit) aty ku faleshe dhe ti, ndërsa ishe gjallë, dhe lumturohen pa masë sepse vunë ballin aty ku e vure dhe ti, ndërkohë që ti prehesh në paqe pak metra më tutje dhe ata e ndiejnë praninë tënde dhe gjuhët e tyre pambarim qëndrojnë të lagura duke të përshëndetur me salavat. Tashmë o Trëndafil, kur ke zënë vend në bahçet dhe lulishtet parajsore, e vetmja dëshirë dhe më i madhi synim që kam, është të vij pranë teje, sepse ti vetë më premtove mua dhe çdokujt që të do, duke thënë “Njeriu do të jetë në xhenet me atë që do”, dhe unë ja po e shpall publikisht se të dua, dhe Zotin kam Dëshmitar, I Cili e di fare mirë se çfarë shfaqin e çfarë fshehin zemrat. Zoti më përzgjodhi duke më bërë pjesëtar të umetit tënd, duke më dhënë mundësinë të konkurroj për një vend në Parajsë, dyert e së cilës do të të hapen ty dhe atyre që me besim të patundur të pasuan, e me veprat e tyre në të drejtën u përqendruan. Unë po bëj të pamundurën që ta meritoj fitoren në mesin e njerëzve, ku të humburit do të jenë më të shumtë në numër se sa fituesit, ashtu siç ndodh në çdo konkurs. Deri atëherë më ruaj një vend pranë teje, o i dashur Muhamed a.s, dhe tashmë mirë u takofshim në bisedën tonë të radhës dhe në dashtë Zoti, Mirupafshim në Xhenet. /Drita Islame/