Në pranverën e vitit1455, pas depërtimit të ushtrisë osmane në krye me sulltan Fatih Mehmetin e II-të dhe çlirimit definitiv të Kosovës nga shteti serb mesjetar, pas pushtimit të kështjellës së Novobërdos nga vazali osman i gjeratëhershëm serb Gjuragj Brankoviqit, sulltan Fatihu me ushtrinë e vet erdhi në Prizren me ç’rast kaloi një kohë në të.
Nga ky vit, Prizreni ndeshet me qytetërimin Islam, dhe gjatë kësaj periudhe të Perandorisë Osmane Prizreni trashëgoi gjurmë të pasur materiale të kulturës osmane-islame. Gjatë tërë kohës së ekzistimit të Perandorisë Osmane, Prizreni ka qenë qendër e Sanxhakut të Prizrenit prej vitit 1451/52 e gjer në vitin 1912, ndërsa në një periudhë të shkurtër kohore ka qenë edhe qendër e Vilajetit të Prizrenit prej vitit 1868 e gjer në vitin 1874.
Prizreni si qendër e rëndësishme administrative, kulturore, tregtare, zejtare dhe fetare gjatë gjithë kohës së Perandorisë Osmane, që nga fillimi i saj është pasuruar me shumë objekte të ndryshme të ndërtuara që prezantojnë qytetërimin islam duke u nisur nga xhamitë , mejtepet, medresetë, teqetë, urat, hanet, mullinjtë, çeshmet, hamamet, sahat kullat, karvansarajet, bezistanet, imaretet, tyrbet, etj., të cilët në një masë të duhur janë ruajtur edhe në ditët e sotshme, ashtu që në këtë aspekt mund të thuhet lirisht se Prizreni është qytet ”per execellens” në Kosovë sa i përket ruajtjes së gjurmëve të trashëgimisë materiale dhe kulturore osmane- islame.
Prizreni sa i përket xhamive të shumta nga periudha e Perandorisë Osmane lirisht mund te them se e mban bajrakun në Kosovë dhe llogaritet së bashku me Sarajevën e Bosnjës, Jeni Pazarin e Sanxhakut, Shkodrën e Shqipërisë, Shkupin e Maqedonisë me numër më të madh të xhamive në Ballkan. Xhamia e Sinan Pashës së Prizrenit së bashku me xhaminë e Ali Pashës në Sarajevë dhe xhaminë e Mustafë Pashës në Shkup paraqesin 3 margaritarë më të çmuar të trashëgimisë kulturore-fetare osmane-islame në Ballkan. Në periudhën kohore prej 150 vjetësh të sundimit të Perandorisë Osmane në Prizren janë ndërtuar gjithsejtë 20 xhami, ndërsa në periudhën e ardhshme kohore prej 250 viteve, janë ndërtuar edhe 9 xhami, si edhe një varg xhamish tjera ekzistuese të rindërtuara dhe të restauruara si pasojë e shkatërrimeve dhe rrënimeve të shumta nga ane ushtrisë austriake dhe të krishterëve vendas në vitin 1689 gjatë depërtimit në Kosovë e Maqedoni , me ç’rast Prizreni pësoi shkatërrime dhe dëme të papara gjer atëherë, si në rrënimin e objekteve të ndryshme të trashëgimisë materiale njashtu edhe me pasoja fatale në njerëz, duke shkaktuar viktima të shumta edhe të qytetarëve civil të pafajshëm.
Me trashëgimin materiale kulturore të Prizrenit gjatë Perandorisë Osmane në përgjithësi, janë marrë dhe kanë shkruar historianë, studiues, hulumtues të ndryshëm sikurse Hasan Kaleshi, Nehat Krasniqi,Ismajl Rexhepi, Sadik Mehmeti, Muhamet Shukriu, Ekrem Ayverdi Hakkı, Raif Vırmiça, Nimetullah Hafız, Ismail Eren, Kemal Özergin, Husrev Redžič, Petar Kostič, Roksanda Timotijevič, Miodrag Nikolič, Ivan Jastrebov, Franc Babinger, Aleksej Olesnicki, e tjerë.
Historia si shkencë në vete, gjithherë bazohet në burime apo materiale të shkruara që është dëshmi e së vërtetës për kohën në të cilin është krijuar apo ka ndodh ngjarja, po ashtu edhe për gjurmët e trashëgimisë kulturore janë relevante burimet e shkruara të zbuluara apo që në të ardhmen akoma do të zbulohen, të cilët vërtetojnë se objektet e trashëgimisë kanë qenë ekzistuese në kohën e caktuar gjatë periudhave të ndryshme kohore. Në këtë aspekt historiania, hulumtuesja dhe osmanologia serbe Tatjana Katiçi duke hulumtuar qytetin e Prizrenit gjatë shekullit XV dhe XVI, bazuar në dokumente të reja të zbuluara arkivore osmane, në defterat Tahrir dhe Malije si dhe në dokumentet tjera të Başbanlık Arşivi( të Arkivit të Kryeministrisë) të Stambollit, gjurmoi dhe deshifroi materiale të shumta arkivore gjer tani të panjohura dhe të pa publikuara për opinionin publik . Në këtë aspekt jep edhe të dhëna të shumta për ndërtimin e xhamive të Prizrenit dhe ndërtuesit e saj, gjatë shekullit XV dhe XVI, nga e cila tani në bazë të këtyre të dhënave më të reja të dokumentuara nga materialet arkivore të hulumtuara gjatë shek. XV-të dhe XVI-të mund të përmirësojmë gabimet ekzistuese në vitet e ndërtimit, emërtimin e xhamive dhe emrat e saktë të ndërtuesve të xhamive të Prizrenit, për shkak të mungesës së gjertanishme të hulumtimit të dokumenteve arkivore, e që është edhe qëllimi i trajtimit të punimit në fjalë lidhur me xhamitë e Prizrenit gjatë periudhës osmane, me theks të posaqshëm të atyre xhamive të ndërtuara gjatë shek. XV-të dhe XVI-të.
Mbetet në të ardhmen që studiuesit dhe hulumtuesit shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare, të specializuar në fushën e osmanologjisë, të hulumtojnë arkivat e pasura nga periudhës osmane, në Stamboll dhe Ankara, që kanë të bëjnë me trojet shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe Çamërinë , të mbështetur dhe të përkrahur nga institucionet shtetërore, për një hulumtim më të gjerë kohor një apo dy vjeçar, me ç’rast do të mundësojnë që materialet e shumta arkivore origjinale nga e kaluara jonë historike gjatë periudhës osmane, të prezantojnë opinionit të gjerë mbarëshqiptar, nga e cila do të dalin në shesh shumë të dhëna me vlerë të rëndësishme për të kaluarën tonë historike, e cila gjatë periudhës së kaluar komuniste, por edhe tani, është anashkaluar dhe anashkalohet me qëllime të caktuara politike, historike e kulturore, nga institucionet shkencore shqiptare, periudha e pasur e trashëgimisë kulturore shqiptare me bazament oriental islam.
Më poshtë i kemi shënuar të gjitha xhamitë e Prizrenit që datojnë nga periudha e Perandorisë Osmane sipas numrit rendor të kohës ndërtimit , si ato ekzistuese që janë edhe në ditët e sotshme, ashtu edhe ato xhamitë tjera që gjatë periudhave të ndryshme kohore janë shkatërruar apo rrënuar dhe që nuk ekzistojnë sot, por janë të njohura lokacionet në të cilin kanë qenë.
1. xhamia e Namazgjasë (Kërëk) -1455,(shek. XV-të);
2. xhamia e Fet-hisë (Xhuma) – shek. XV-të;
3. xhamia e Kalasë(Mahmut Pashës) – shek. XV-të;
4. xhamia e Jakub beut (Arastës) – shek. XV-të;
5. xhamia e Ajas beut(Sejdi beut) -shek. XV-të;
6. xhamia e Ilijas Kukës- shek.XV-të;
7. xhamia e Jazixhi(Qatib) Sinanit- shek. XV-të;
8. xhamia e Ahmed beut(Tabakhanes)-1505(shek. XVI-të);
9. xhamia e Suzi Çelebiut(Sozisë)-1513(shek. XVI-të);
10. xhamia e Haxhi Kasëmit (Toskës) – 1520(shek. XVI-të);
11. xhamia e Mehmet Kukli beut(Saraçhanes) – 1534(shek. XVI-të);
12. xhamia e Hasan Çelebisë(Myderiz Ali efendisë)-shek. XVI-të;
13. xhamia e Levishës-shek. XVI-të;
14. xhamia e Emin Mehmedit-shek. XVI-të;
15. xhamia e Dervish Çelebisë( Jenimahallës)-shek. XVI-të;
16. xhamia e Budak Hoxhës(Troshanit)-shek. XVI-të;
17. xhamia e Haxhi Ramadanit(Çoragës)-shek. XVI-të;
18. xhamia e Terxhuman Iskenderit(Dragomanit)- shek. XVI-të;
19. xhamia e Terzi Mehmedit(Terzimahallës)-shek. XVI-të;
20. xhamia e Gazi Mehmed Pashës(Bajraklisë)-1574(shek. XVI-të);
21. xhamia e Mustafa Pashës – 1608(shek. XVII-të);
22. xhamia e Sofi Sinan Pashës – 1615(shek. XVII-të)
23. xhamia e Maksud Pashës (Marashit) – shek. XVII-të;
24. xhamia e Ibrahim beut(Begzades) – shek. XVII-të;
25. xhamia e Sejdi beut (Kurillës) – shek. XVII;
26. xhamia e Çuhaxhi Mahmudit(Margkëllëqit) – shek. XVIII-të;
27. xhamia e Emin Pashës – 1831(shek. XIX-të);
28. xhamia e Mahmud Pashës (Hoçamahallës) – 1833(shek. XIX-të);
29. xhamia e Mahmud Pashës (Sarajit) – 1835(shek. XIX-të)
Faik MIFTARI