Kurani i ardhur për tërë njerëzimin ka thirrur në respekt dhe vlerësim të tjetrit çfarëdo gjuhe, race, feje qoftë ai. Ky element ka ndikuar edhe në kulturën dhe jetën shqiptare, ku asnjëherë nuk është shënuar ndonjë konflikt apo luftë mes popullit tonë e ngritur mbi baza fetare.
S'ka dyshim se njerëzit janë të detyruar të kenë marrëdhënie të ndërsjella. Sipas terminologjisë kuranore kjo është "tearuf" (njoftim), ndikimi
kulturor reciprok, marrëdhënie të pandërprera.
Shikuar nga një aspekt, mund të themi se edhe Islami, si krishterimi, është udhëzues. Ai kërkon nga njerëzit që t' i mësojnë vlerat e përgjithshme islame, besimtarëve të vet ua jep si një obligim të shenjtë. Dallimi nga krishterimi qëndron në faktin se Islami është kundër udhëzimit të njerëzve me forcë, me trysni, dhe këtë gjë nuk e arsyeton në asnjë mënyrë. Gara dhe konkurrenca xhentile ndërmjet feve është gjë e bukur. Çdo kush duhet t'i nxjerrë në mejdan mendimet dhe bindjet e veta dhe t'i lë njerëzit ta bëjnë zgjedhjen pa kurrfarë imponimi. Madje vetë i Dërguari a.s., është vetëm një komunikues e mësimdhënës: "Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit." (En-Nahl,125).
Pas komunikimit dhe sqarimit të duhur, personi e bën zgjedhjen sipas dëshirës së vet. Rregull që nuk duhet cenuar është mos imponimi i cilitdo besimi përmes dhunës dhe presionit. Vendim dhe zgjedhje të shëndoshë Islami e konsideron vetëm atë që është marrë në ambient dhe kushte të lirisë së plotë: "Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit." (Ez-Zumer,18).
Për të dalë në shesh fjala më e bukur dhe për të siguruar epërsi mbi të tjerat nevojitet të shprehen të gjitha fjalët e bukura. Islami është pro zgjedhjes së besimit me dëshirë të lirë, pro formimit të së drejtës sipas fesë së zgjedhur dhe konkurrencës xhentile midis feve dhe komuniteteve të ndryshme. Metoda e fesë së Allahut xh. sh., është metoda e bindjes. Në lidhje me këtë, mendimtari islam Said Nursi, thotë: "Njerëzve nuk duhet mbyllur gojën me dhunë, por me bindje."(1)
Dhjetëra qytetërime
Deri më sot në historinë e njerëzimit janë themeluar me dhjetëra qytetërime dhe kultura të mëdha, të cilat në themelin e tyre kishin tekstet e shenjta sikurse janë: Vedat, Upanishadët, Bibla dhe Kurani. Marrë në përgjithësi ato ishin qytetërime edukatore të njeriut, që i mësuan njeriut përgjegjësinë apo thënë ndryshe, disa qytetërime i krijoi njeriu i mendjes së përgjegjshme. Në ato qytetërime kishte kode të përgjegjësisë së shumanshme, të përkthyera në gjuhën e thjeshtë, mund të shprehen me një formulë thelbësore: njeriu është përgjegjës para Zotit, para natyrës, para njerëzimit, para vetvetes. Papjekuria fetare, siç thoshte Kanti (1724-1805) është jo vetëm më e dëmshmja, por edhe më e pandershmja nga të gjitha. Të dëmshëm dhe të pandershëm janë edhe ata që dinë pak për fenë e pak për shkencë e grinden.
Millikani (1868-1953), fitues i çmimit nobel për fizikë, për këtë, thoshte: "Kur të grinden njerëzit që dinë pak për fenë dhe ata që dinë pak për shkencën, ndokush mund të mendoj se aty ka vend mosmarrëveshja ndërmjet fesë dhe shkencës, ndërsa aty kanë vend, në të vërtetë, për dy lloj injorancash."
Grupimet më të rëndësishme të shteteve nga një shekull në tjetrin, nga një epokë në tjetrën kanë kaluar nëpërmjet përkatësisë në kampe ose grupime të ndryshme, herë në dy, herë në tri e herë në më shumë. Në qoftë se në kohën e Luftës së Ftohtë, përkatësisht në vitet e 60-ta, ishin tri blloqe (bota e lirë, blloku komunist, vendet e painkuadruara), pas viteve të 90-ta mund të flasim për shtatë ose tetë grupime (perëndimore, latino-amerikane, afrikane, islamike, simite, hindu, ortodokse, budiste, japoneze).(2)
Modernizimi dhe shoqëria
Edhe pse mësimet kuranore janë tepër të qarta, sikur në çdo shoqëri edhe në shoqërinë tonë ekzistojnë njerëz të cilët nuk janë mirënjohës këtyre mirësive të shenjta të cilat ofrojnë zgjidhje për një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen shoqëritë moderne.
Krahas problemit të modernizimit të strukturës politike dhe juridike, rridhte edhe lufta për ndryshime sociale e kulturore dhe për t'iu përshtatur etikës së re sociale. Në të vërtetë, kritikat e modernistëve ndaj mënyrës myslimane të jetesës, në vetë mendimin modernist mysliman dhe në apologjetikën e mëvonshme, kanë në shenjë kryesisht institucionet tradicionale shoqërore myslimane, veçanërisht ligjet myslimane për bashkëshortësi dhe divorc, dhe në përgjithësi vendin e gruas në shoqëri. Çështja e fundit ka preokupuar aq shumë shpirtin e perëndimorëve, sa pothuajse e tërë ajo që në rrugë njeriu di për islamin, praktikisht reduktohet në dy fjalë: "poligamia" ose "haremi" dhe "perdja" ("tisi", "ferexheja"). Modernistët e hershëm myslimanë pranuan sfidën, u angazhuan për "barazinë" e gjinive: në islam, përkrahën me sukses arsimimin e femrës, megjithatë zëvendësimi i mëvonshëm i modernizimit me konservatorizëm, mbase askund gjetiu nuk u shpreh më qartas sesa në lëmin e etikës sociale. Modernizmi social është eksponenti më i aftë, për të cilin Sejjid Emir Aliu në veprën e vet "Fryma e Islamit" polemizoi mbi një bazë që përcakton dallimin ndërmjet parimeve morale dhe dispozitave të veçanta ligjore të Kuranit, ndonëse ky dallim nuk është formuluar aq qartas. Në këtë mënyrë, edhe përkundër faktit se në rrafshin ligjor Kurani pranon institucionin e skllavërisë dhe përcakton disa kushte me të cilat në mënyrë të ndjeshme përmirësohet pozita e skllevërve (në të vërtetë Pejgamberi pati ndaluar edhe vetë përdorimin e fjalës" skllav"), ai në rrafshin moral myslimanët i fton t' i lirojnë skllevërit. Kjo do të thotë siç argumentonin në mënyrë bindëse modernistët se qëllimi i Kuranit është heqja e skllavërisë, posa të krijohen rrethanat për këtë gjë.
Po ashtu për analogji në rrafshin ligjor Kurani pranon institucionin e poligamisë, ndonëse edhe këtu numri i grave kufizohet më së shumti në katër, dhe urdhëron norma të rëndësishme me të cilat përmirësohet fati i gruas, fat që marrë në përgjithësi në Arabi nuk ishte aq i keq. Por, krahas kësaj, argumentojnë se Kurani paralajmëron që: "Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni plotësisht nga ndonjëra e ta lini tjetrën si të varur. E nëse përmirësoheni dhe ruheni (padrejtësisë), Allahu ju mëshiron." (En-Nisa,129). Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë, me dy, me tri e me katra. E nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni. (En-Nisa, 3).
Kjo sipas këmbëngulësisë së modernistëve, në të vërtetë do të thotë se poligamia është e ndaluar. Ç'është e vërteta, modernistët ishin për barazi të plotë midis gjinive sipas Kuranit, duke iu referuar vargut ku thuhet se gratë kanë të drejta mbi burrat, ashtu sikur burrat që kanë të drejta mbi gratë. Duke e cituar këtë argument të Muhamed Ikballit, Sir Hamillton Gibb e akuzon se "bëhet i verbër",(3) para këtyre fjalëve të Kuranit: "... burrat kanë përparësi ndaj grave" (El-Bekare, 229).
Mirëpo, pika qenësore, të cilën modemistët nuk e formuluan qartas, por që edhe kritikët perëndimorë jo rrallë e lanë pas dore, është se, ndonëse Kurani
fjala e amshueshme e Zotit, megjithatë ai komunikon drejtpërdrejtë me një shoqëri të caktuar, e cila ka një strukturë të veçantë shoqërore. Prej kësaj shoqërie, në rrafshin ligjor, mund të kërkohej të shkonte vetëm deri në një pikë të caktuar, jo më tej. Po të vendoste kështu Pejgamberi, si do t'i lejonte vetes përdorimin e formulave madhështore morale.(4)
Në këtë botë të re, ku shihet qartë se shoqëritë joperëndimore gjithnjë e më tepër ngulitin vlerat e
tyre kulturore dhe hedhin poshtë ato të imponuara nga Perëndimi, vihet re një risi që politologët e përkufizojnë duke u nisur nga dy polet e politikës së sotme botërore, politika vendore (lokale) dhe rruzullimore (globale), ose lokalizmi dhe globalizmi; le ta themi këtë me fjalët e një politologu të famshëm: " ... në këtë botë të re, politika lokale është politikë e etnicitetit, politika globale është politikë e qytetërimeve. Rivaliteti ndërmjet superfuqive është zëvendësuar nga përplasja e qytetërimeve."(5)
Shoqëria shqiptare, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, është gjendur para ndryshimesh të shumta politike, shoqërore, kulturore, demografike etj. Në qendrat më të mëdha qytetare (urbane) vërehet shtim dhe përqendrim mjaft i madh i popullsisë. Përkatësia e origjinës së tyre gjeografike nuk përputhet më plotësisht me karakterizimin gjuhësor të para 20 vjetëve. Shndërrimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike, si edhe marrëdhëniet e afërta me kulturat dhe gjuhët e popujve të tjerë kanë sjellë ndryshime të dukshme edhe në sjelljen gjuhësore të shqiptarëve në mbarë hapësirat e Republikës, por edhe më gjerë, sidomos në hapësirat kombëtare shqiptare, në trojet kompakte ballkanike, madje deri në diasporat e hershme historike ende shqipfolëse (per kat. arvanite/arbërore, arbëreshe, arbneshe, arnaute etj).
___________________
(1) Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore, përkthyer nga dr. Ali Pajaziti, Logos-A, Shkup, f. 299.
(2) Huntington, Përplasja e qytetërimeve, përkthyer nga anglishtja, Logos-A, 2004, f, 21, Harta 1,2,3.
(3) H.A.R.Gibb, Kahe bashkëkohore në Islam (Modern Trends in Islam, f.102.
(4) Fazlur Rrahman, IsIami.përktheu nga serbishtja, dr. Eqrem Kryeziu, Logos-A, 2010, f.502-504.
(5) Huntington, Përplasja e qytetërimeve, përkthyer nga anglishtja, Logos-A, 2004, f, 22.
Rexhep Suma (PHDc)