Nëse i referohemi historisë, femrën do të gjejmë të mbuluar në kultura dhe civilizime të ndryshme. Kjo ngase modestia ka qenë normë në botë deri vonë, por kohëve të fundit gjendja ka ndryshuar.
Në përplasjen midis të vërtetës dhe të pavërtetës, në fokus është femra muslimane dhe mbulesa e saj është vënë në qendër të kësaj përplasjeje. Kundërshtarët e Islamit e kanë kuptuar më mirë se shumë muslimanë rëndësinë e mbulesës islame në sistemin e vlerave të etikës, edukimit si dhe rolin dhe ndikim e saj shumë të fuqishëm në personalitetin e femrës dhe në ndërtimin e një shoqërie të duhur dhe të shëndetshme.
Prej dekadash, çështja e mbulesës islame është një çështje e ndjeshme, por ashpërsia kundër saj është përshkallëzuar me rritjen e kërkesave së vajzave muslimane për mbulesën në nivel botëror. Ajo po merr një vëmendje të madhe edhe për shkak të vendimeve apo propozimeve legjislative në disa vende evropiane që ta ndalojnë atë në institucione shkollore dhe qeveritare.
Pavarësisht nëse kundërshtarët e Islamit e konsiderojnë shaminë e grave muslimane thjesht një dispozitë islame apo vetëm një simbol politik, ata e vlerësojnë atë si një shprehje reaksionare dhe si nënshtrim të femrave. Sipas tyre "të çliruarit e grave nga mbulesa e liron femrën në aspektin social dhe e bën atë të barabartë me burrat". A është vërtet kështu? Gratë në Perëndim, si pasojë e largimit të tyre nga mbulesa, a nuk u larguan nga çfarëdo mbulese e trupit të tyre dhe nga çdo kufizim në dëlirësi? Ato u larguan nga virtyti dhe traditat që burojnë nga feja dhe, me këtë, a nuk e shtuan ato praninë e tyre në tregun e prostitucionit dhe tregtisë të "mishit të bardhë"?
Në të vërtetë, kundërshtimi i mbulesës, më shumë sesa nga dashuria për femrën, motivohet nga frika ndaj Islamit. Pretendimi se të çliruarit e grave nga mbulesa e liron femrën në aspektin social nuk është i saktë. Kjo ngase, në më shumë se nëntëdhjetë për qind, në shoqërinë perëndimore ka pabarazi mes femrës dhe mashkullit në aspektin politik, ekonomik, financiar, juridik dhe madje ka edhe diferencim në paga.
Kundërshtarët e mbulesës thonë: "Mbulesa e vë muslimanen nën kontrollin e burrave në familje dhe në shoqëri". Nëse do të pranonim vlefshmërinë e asaj që thonë ata, a do të ishte alternativë që shteti me ligjet e tij t'i detyronte ato ta hiqnin mbulesën e tyre?! A duhet të sanksionohen ligje laike për ta parandaluar mbulesën e femrës muslimane?!
Përkundrazi, mbulesa është shoqëruar me një rritje të qëndrueshme të ndërgjegjësimit të femrave dhe me ngritjen në një nivel më të lartë të arsimimit dhe prosperimit të tyre. Pra, femra e mbuluar po avancon përpara dhe po bën karrierë në universitete dhe në sfera të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj në zhvillimin e shoqërisë.
Nga perceptimi i vizionit laik fundamentalist "mbulesa shfrytëzohet nga lëvizjet politike islamike për t'u forcuar përmes grupeve të grave, e sidomos përmes vajzave të reja" prandaj kjo është nënçmim i respektimit të grave, të mendjes, personalitetit dhe aftësisë së tyre dhe paraqet një lloj diskriminimi, pra, një lloj tradhtie të pluralizmit dhe lirisë së shprehjes.
Ndërkaq, nga këndvështrimi islam mbulesa nuk është një simbol politik dhe as vetëm një copë leckë që mbulon pjesët tërheqëse të femrës, edhe pse edhe ky është një prej qëllimeve të mbulesës, sepse pjesët tërheqëse të saj nuk janë një mall që reklamohet për shitje. Mbulesa është jo vetëm pjesë e dukjes së jashtme të veshjes, por madje ka rol qendror në sistemin e vlerave islame, etikës dhe edukimit.
Ajo çka ngjet në disa shtete tregon falimentimin e mjeteve të ndryshme të përdorura në luftë kundër mbulesës; prandaj ata po kërkojnë shfrytëzimin e një tiranie të hapur përmes sanksionimit të ligjeve shtetërore me të cilat do t'i ndalonin muslimanet të hynin në shkolla dhe universitete. Këto metoda imponojnë pikëpamje të devijuara politike, ekonomike, intelektuale, sociale dhe kulturore dhe, për këtë arsye, ata që janë përkrahës të virtytit dhe mbulesës konsiderohen të prapambetur, të paditur, apo edhe utopistë. Një pjesë e shoqërisë shqiptare, e kompleksuar dhe inferiore kundrejt perëndimorëve, mendon se për të qenë 'evropian' duhet të jesh sa më pak 'musliman'.
Propaganda kundër mbulesës paraqet metodë mashtrimi, sprove dhe frikësimi. Ashtu sikurse kanë dështuar metodat e përdorura nëpër dekadat e kaluara, ashtu edhe mjetet e dhunshme në ditët e sotme do të dështojnë në mënyrë të turpshme për shkak të rritjes së vetëdijes së grave rreth rëndësisë së mbulesës si rezultat i zbatimit të urdhrave fetarë.