Muri i errësirës dhe i frazeologjisë ideologjike!

Përgjigje Mehmet Krajes

Miku ynë z. Mehmet Karja po mundohem t’i përgjigjem pyetjes suaj të parë drejtuar muslimanëve të FB-ukut: “Çfarë mendoni të bëni me Kosovën”? Unë jam një imam si shumë të tjerë që ka Kosova që sapo lexova letrën tuaj e ndjeva veten i provokuar dhe njëkohësisht edhe i frymëzuar që emocionet e shkaktuara me këtë rast t’i përpunojme anë të rrjetit kognitiv dhe t’i shprehi në formëtë shkruar si përgjigje për letrën tuaj. Fjalimet dhe shkrimet e tilla janë të preferuara, sepse, një fjalim apo një shkrim që nuk provokon ai nuk është kurrfarë fjalimi/shkrimi. Kisha përshtypjen se fjalimi juaj do të ishte një provokim i mirë për të shqetësuar intelektin e muslimanëve realë, dhe jo provokim i emocioneve të muslimanëve të botës virtuale. Por, nuk më doli ashtu.

Pyetjen që ju ua bëni muslimanëve të FB-ukut lidhur me atë se çfarë mendojnë të bëjnë me Kosovën, nëse asgjë tjetër, është drejtuar në adresë të gabuar. Këtë pyetje z. Kraja do të duhej t’ia shtronit atyre që e kanë fuqinë politike dhe intelektuale në shtetin e Kosovës, d.m.th. “elitës politike”, “ekonomike” dhe asaj “intelektuale” ku bëni pjesë edhe ju. Ju bëni pjesë në institucionin më të rëndësishëm që ka një shtet-arkitekturaintelektuale e një shteti. Në letrën tuaj drejtuar muslimanëve të FB-ukut – si një personalitet me titull akademik, nuk pash as edhe një ide apo ndonjë koncept origjinal përmes të cilit do të identifikonit njerëzit negativ të kohës dhe do të siguronit Kosovës një të mirë kolektive dhe të largonit prej saj një të keqe kolektive.

Kam përshtypjen se fjalimi dhe shkrimi juaj nuk janë rezultat i impulseve sublime dhe njëvetëdijeje më të lartë shoqërore, veç se rezultat direkt i një nevojë më të ulët fiziologjike e motivuar nga lakmia dhe interesat e ultë personale (p.sh. nga nevojat materiale deri tek ato psikologjike: nevoja për lavdi, ndjenja për të qenë i rëndësishëm, të ushqyerit e narcizmit, shkarkimit më të rëndomtë emocional etj.)

Çështja e dytë që dua ta diskutoj me ju z. akademik Mehmet Kraja është pohimi i juaj se “shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën, nuk e bënë dot armët e heronjve tanë, sado që përkulemi thellë ndaj sakrificës së tyre, por e bëri mbështetja e botës perëndimore”.
A e dini z. Akademik Kraja përse ndodhi kështu? Sepse edhe shteti është një organizëm i gjallë si çdo organizëm tjetër që ka trupin dhe kokën. Trupi i shtetit janë rinia-dëshmorët tanë që derdhen gjakun e trupit të tyre për ta vendosur në themelet e shtetit të ardhshëm të Kosovës, ndërsa koka e shteti janë inteligjenca e tij (ASHAK), të cilët me ngjyrën e pendës së tyre bëjnë projekte nacionale për mbrojtjen kolektive të popullit. “Një popull që përjeton gjenocide në vazhdimësi, për këtë, duhet t’i falënderohet, ndër të tjera, edhe elitës së vet përgjatë gjeneratave të ndryshme, e cila nuk diti/deshi të realizojë projekte afatgjata nacionale të vetëmbrojtjes dhe projekte afatgjata për kultivimin e kujdesshëm të memories kolektive, d.m.th. të ruajtjes së kujtesës së freskët për rrezikun që u kanoset nga armiqtë shekullor.” (E. Tule). Përderisa SANU bëri katër memorandume -projekte nacionale për zhbërjen e shqiptarëve, cilat ishin projektet afatgjata nacionale të ASHAK-së për mbrojtjen e popullit të vet dhe interesave të tij vitale. Patjetër që duhet të vinte një arbitër ndërkombëtar siç ishte Perëndimi, i cili do të projektonte dhe realizonte mbrojtën kolektive të këtij populli të braktisur nga elita e saj akademike.
Ju patjetër që duhet t’i përkuleni sakrificës së heronjve tanë, por mos pritni që dikush t’i përkulet letargjisë, indiferentizmit, konformizmit dhe përgjumjes së shpirtit tuaj që nuk i kryet detyrat e shtëpisë. Ata i dhanë hakun trupit të tyre, e ai është gjaku i derdhur për liri, ju nuk ia dhatë hakun shpirtit tuaj, e ai është ngjyra e pendës që shkruan fatet e kombit dhe që simbolizon gjakun e shpirtit i cili është më i vlefshëm se gjaku i dëshmorit (kështu thotë Profeti i ynë). Kështu, përmes bashkimit të këtyre dy elementeve formohet dhe projektohet e ardhmja e popullit,fitohet liria e njerëzve dhe realizohet pavarësia e vendit. Ju, të cilët e konsideronit vetën tuaj si “elita” dhe “liderë” të këtij populli asnjë herë nuk arritët të paralajmëroni popullin për rrezikun që i kishte ardhur atij me dhjetëra herë nga i njëjti burim, sepse ju nuk ditet t’i lexoni lëvizjet politike dhe ekonomike rajonale dhe globale të kohës dhe të merrni qëndrim karshi atyre duke u parapërgatitur për ballafaqim përfundimtar. Ishte një personalitet i vetëm që arriti me sukses t’i artikulojë interesat kolektive vitale të shqiptarëve të Kosovës dhe si rezultat i kësaj mobilizoi arbitrin ndërkombëtar dhe me këtë faktorizoi popullin shqiptar.

z. Kraja, Kosova nuk është as e Lindjes e as e Perëndimit, ajo është e qytetarëve të Kosovës. Ajo njëkohësisht është edhe me Perëndimin edhe me Lindjen. Ajo është në qendër, mes Lindjes dhe Perëndimit. Urë lidhëse dhe bashkuese midis dy botëve, kulturave, qytetërimeve. Ajo nuk është islamike as e krishtere, ajo nuk është vetëm muslimane, as vetëm e krishterë, as vetëm laike. Ajo është edhe Lindore edhe Perëndimore, edhe muslimane edhe e krishterë edhe laike edhe ateiste edhe agnostike etj. Shteti mund të jetë laik, por shoqëria dhe jeta shoqërore nuk shekullarizohet ajo është e tillë, e larmishme me të gjitha identitet e saj.

Kosovën duam ta bëjmë një shtet normal që do të kujdeset për: mbrojtjen e jetës, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese, mbrojtjen e sigurisë personale të qytetarëve; mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial duke u mbështetur mbi barazinë e shteteve dhe të popujve; mbrojtja e demokracisë, të drejtave qytetare dhe njerëzore; mbrojtja e të drejtave të popujve; bashkësive fetare; mbrojtja e pakicave kombëtare; mbrojtja e vlerave morale dhe familjare; mbrojtja e rendit kushtetues; zhvillimi i marrëdhënieve të sigurisë me shtetet tjera duke udhëhequr një politikë proaktive të sigurisë; të penguarit e konflikteve të brendshme dhe të jashtme; forcimi i pozitës ndërkombëtare dhe qasje në sistemet kolektive të sigurisë dhe mbrojtjes; përfshirja dhe roli aktiv në asociacionet në rajon dhe në organizatat ndërkombëtare; mbrojtja e ambientit duke penguar degradacionin ekologjik dhe të shfrytëzuarit racional të burimeve natyrore…
Kosovën duam ta bëjmë bashkësi të vlerave sikurse janë: Drejtësia, e Vërteta, Mirësia, e Bukura, E shenjta. Kosovën duam ta bëjmë jo vetëm shtet juridik, por juridiko – moral, jo instrument sundimi, por amanet dhe përgjegjësi. Për fat të keq ju e konceptoni atë si privilegj dhe mundësi për t’u pasuruar, fuqizuar dhe për të sunduar përgjithmonë. Ky është privilegj i rrezikshëm i pushtetit që për devizë ka maksimën: “t’i sundosh të tjerët dhe të mos e sundosh vetveten, të kesh pushtet mbi të tjerët dhe të mos kesh pushtet mbi veten”, t’i kontrollesh të tjerë e të mos kontrollosh vetveten”. Kjo është ajo që e shpie vendin në shkatërrim dhe i lëkund themelet e tij të brishta. E kundërta e kësaj është besimi, i cili pengon që njerëzit e pushtetit të përkohshëm tokësor të shndërrohen në despotë dhe faraonë -zotë të rrejshëm të shpirtrave njerëzor. Besimi, me idealin e tij më të madh, i cili në maje të sistemit të vlerave ka Zotin që është më i Madhi, relativizon çdo pushtet, çdo dituri, çdo pasuri...

Dhe së fundi duke marrë shkas nga kjo letër, më lejoni që t’ju drejtohem edhe me disa fjalë juve dhe bashkëmendimtarëve tuaj, atyre, të cilët e ushqejnë veten me fobi ndaj fesë në përgjithësi dhe ndaj islamit në veçanti si dhe atyre që akoma nuk janë liruar nga ndërgjegjja e vjetër socio-realiste, vetëm se e kanë ndërruar emrin duke u shndërruar nga ish-komunistë në sekularistë negativë dhe demokratë të papjekur.

Duke u nisur nga aspekti i kritikës psikologjike, postimet tuaja kuazi-intelektuale nëpër FB me qëndrime islamofobike karakterizohen si irracionalitete jo të shëndosha që shkojnë kundër çdo nacionaliteti dhe besnikërie, vetëm jo kundër asaj besnikërie që i beson vetvetes dhe asaj që e shpallë vetveten për garant të së vërtetës dhe vetëm jo kundër asaj mendësie që është uniformë dhe e kultivuar në modelet e pandryshuara të monizmit ideologjik.

Shikuar nga pikëpamja sociologjike, formati juaj modern i racizmit dhe ksenofobisë, paraqet një lloj neuroze ideologjike që jeton nga kontradiktat e papërpjesëtueshme, ngritët kundër çdo vlere tokësore e qiellore, individuale e shoqërore.

Sidoqoftë një ndërgjegje e tillë jetoi në një kontekst kulturor historik, u rrit në një klimë të veçantë shpirtërore dhe kohë më parë u rrënua para syve tonë si iluzion, si një kullë prej letre, si pëlhura e dobët e merimangës. Kjo më tepër i habiti vëzhguesit neutral dhe dhimbshëm i tmerroi apostujt e saj, të cilët e dinin se prapa saj ishte një sistem i tërë socio-zotërues, në esencë shumë fisnik, portë cilin e tradhtoi ajo ndërgjegje dhe befas përdhunoi virgjërinë e saj akoma të papjekur shpirtërore. Ndonëse ndërgjegjja ideologjike socio-realiste kishte etje tepër të madhe për t’u bërë një dhe e vetmja, përgjithmonë dominuese, ajo në realitet në rastet më të shpeshta bëhej ideologji kryeneçe dhe e paarsyeshme. Shërbëtor i saj i përditshëm ishte botëkuptimi ateist për të cilin thuhej se i ishte destinuar ardhmëria komode. Së këtejmi, ajo ndërgjegje nuk luftoi aq ashpër kundër asnjë të vërtete tjetër aq sa luftoi kundër të vërtetës religjioze.

Kohët ndryshojnë, gjërat transformohen, bien sistemet dhe ideologjitë e deridjeshme, por vështirë se ndërrohet ndërgjegjja e njerëzve, e atyre që ishin prekur nga virusi i kësaj ideologjie. Kështu ndodhi edhe me ne shqiptarët, ndonëse u rrënua ish-sistemi komunist, në kokat e shumë njerëzve mbeti ideologjia e vjetër. Edhe sot pas më shumë se dy dekadash akoma ndjehen pasojat e saj. Në realitet është e vështirë brenda një kohe të shkurtër të evitohet trashëgimia nga ideologjia tashmë e dështuar dhe nënproduktet e saj si kategori irracionale që po i vërejmë edhe sot në shumë postime që shfaqen në profile të ndryshme në FB, dhe sidomos në mjetet shkruara dhe ato elektronike. Individët e tillë e kanë detyrë dhe mision (dhe ne për këtë nuk duhet të habitemi) të zhvillojnë një fushatë politike frontale kundër çdo vlere tradicionale që këtë e ruan dhe e favorizon vetëdija fetare dhe krijimtaria e saj e pasur kulturore e civilizuese. Të tillët përpiqen të kthejnë te shqiptarët vetëdijen politike ditore të real-socializmit si një „vetëdije autentike“, e vetmja „progresive“ dhe „revolucionare“ e cila duke e përcaktuar vetveten, natyrën dhe rolin e saj, i përkufizon dhe stërvlerëson arbitrarisht dhe vullnetarisht të gjitha vlerat e vjetra dhe ia nënshtron ato parametrave të saj ideologjik. Për këta persona ne mund të themi si vijon: „Njerëz të tillë janë nga një lloj i papërmirësueshëm, të cilëve nuk u intereson as Zoti, as kombi, as e vërteta, por vetëm egoizmi dhe sedra e tyre mikroborgjeze. Ata në shpirt kanë vetëm antagonizmin e pakufishëm që rrënon çdo gjë duke ëndërruar gjithmonë për një utopi të ëmbël që nuk ofron kurrfarë simptome shpresash historike, eskatologjike as mesianike. Neuroza ideologjike ua ka errësuar ndërgjegjen e tyre, e cila nuk di ku i ka burimet e vërteta dhe cilat janë perspektivat e saj, ku mbijnë rrënjët shpirtërore dhe çfarë fryte mund t’i japë ajo shqiptarëve.

Ekzistimi njerëzve të tillë është i rrezikshëm, sepse denoncon një simptomë kobzezë dhe paralajmëron ardhjen e muzgjeve intransparente shpirtërore që shuajnë edhe qytetin e shndritshëm në maje të malit, ndryshojnë rrjedhat e historisë, ndërrojnë gjuhën njerëzore dhe dehumanizojnë njeriun dhe botën e tij.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi