Të mësuarit dhe shëndeti

Të mësuarit pa dyshim se është shumë i rëndësishëm për secilin njeri, por shëndeti (ruajtja e tij) ka edhe më shumë rëndësi.

Janë një varg dëmesh që mund t'i shkaktohen shëndetit gjatë procesit të mësimit: dëmet në shpinë, bosht kurrizor, sy, qafë, kujtesë etj., ndërsa vetëdija për ruajtjen e shëndetit gjatë mësimit është tejet e vogël. Përveç kësaj të fundit, edhe këshillat për ruajtjen e shëndetit gjatë mësimit janë të rralla, për të mos thënë se nuk rekomandohen asnjëherë.
Sipas Dr. Haxhi Avdylit (neurokirurg), deri 80% e njerëzve së paku një herë kanë dhembje shpine, ndërsa te 14% e njerëzve dhembja zgjat më shumë se dy javë.(1) Ndërkaq, si shkaktarë të dhembjeve në shpinë, qoftë edhe të atyre që zgjasin me ditë të tëra, zakonisht është qëndrimi jokorrekt.
Qëndrimi (jo)korrekt gjatë procesit mësimor Mënyra se si qëndrojmë gjatë kohës sa mësojmë është nga faktorët themelorë të dhimbjeve të shpinës dhe qafës, por më vonë edhe të sëmundjeve të boshtit kurrizor, dhe qafës.
Dhembjet e shpinës kanë një varg faktorësh të ndryshëm, por kur ato janë të vazhdueshme ndahen në dy kategori: dhembjeve që burojnë nga sëmundjet e sistemit muskulo-skeletor, dhe; dhembjeve që burojnë nga sëmundjet e boshtit kurrizor.
Në kategorinë e parë bëjnë pjesë dhembjet e shkaktuara nga lëndimet e muskujve, ligamenteve apo nyjeve të shpinës. Dhembjet nga kjo kategori i shton edhe pozita jo e mirë e qëndrimit, muskulatura dobët e zhvilluar, mosfurnizimi i mirë i kësaj pjese me oksigjen si pasojë e pirjes së duhanit dhe stresi.(2)
Ndërkaq dhembjet muskulo-skeletore nuk kanë një lokalizim të qartë, dhe zakonisht janë të shprehura me shtangim dhe kufizim të lëvizjeve. Në rastet më të shpeshta këto dhembje dinë të shtohen gjatë qëndrimit ulur dhe jo mirë, si dhe aktiviteteve sforcuese.
Siç edhe shihet, qëndrimi jokorrekt dhe jo mirë është burim kryesor i dy kategorive të dhembjeve të shpinës dhe bushtit kurrizor.
Në përditshmërinë tonë na ka rastisur të lexojmë ulur në karrige e duart mbështetur në tavolinë, shpinën pak të kërrusur mbi të, pastaj edhe shtrirë në shpinë apo edhe në bark, përgjithësisht njësoj siç veprojnë gjithë nxënësit dhe studentët.
Është me rëndësi ta kuptojmë se në çfarëdo forme qoftë qëndrimi ynë gjatë leximit apo të mësuarit, nëse ai tejkalon kohën e paraparë standarde dhe pa asnjë pushim, prapëseprapë do të kemi pasoja të dhembjes në shpinë, qafë, sy etj. Në parim nuk ekziston ndonjë kohë standarde që përcakton lejueshmërinë e leximit pa pushim. Kjo varet nga secili person dhe shpejtësia e leximit-nxësies së asaj që lexohet. Mirëpo, studimet e fundit tregojnë se çdo dëgjim mbi 60 minuta është joefikas, prandaj edhe ligjëratat janë të specifikuara mbi këtë tezë. Ndërsa, sa i përket leximit, ai mund të jetë dyfishi i kësaj, e kur të bëhet kjo duhet patjetër të merret një pushim i shkurtër, për të vazhduar pastaj me një tempo të njëjtë.
Duke qëndruar drejt dhe me shpinë mbështetur në diçka, si dhe me librin në ekuilibër me sytë tanë, për një kohë të sipërcekur, ne do t’i shpëtojmë dhembjeve të shpinës, qafës dhe syve, edhe nëse këtë rutinë e përsëri¬sim tri herë gjatë ditës, që në fakt plotëson një normë standard të lexueshmërisë, rreth 6 orë lexim.

Ruajtja e syve

Sytë janë organi më i atakuar ndaj dhembjeve gjatë procesit mësimor-leximit. Ndërsa në kohën tonë, me zhvillimin e teknologjisë dhe mundësisë së leximit-më¬simit në kompjuterë (laptopë, tabletë dhe telefona të mençur), sytë janë të rrezikuar edhe më shumë, tanimë edhe nga rrezet dhe valët që vijnë nga teknologjia bashkëkohore.
Sytë janë organe shqisore dhe shumë të zhvilluar. Nëse bie dritë në sytë, aktivizohen qeliza shqisore në retinën tonë. Informacionet e pranuara përcillen dhe lënë që të krijohet një imazh në trurin tonë. Për të parë në mënyrë hapësinore (tredimensionale) ne kemi nevo¬jë për forcën e mirë të shikimit të të dy syve.(3)
Se sa i ruajmë sytë gjatë leximit-mësimit është një pyetje që secili duhet t' ia bëjmë vetes? Madje ka rëndësi shumë të madhe edhe mënyra se si lexojmë, e mbajmë librin afër syve, dhe në çka lexojmë në laptopë, tabletë PC apo libër.
Për zhvillimin e përgjithshëm të një fëmije shikimi i mirë është me rëndësi shumë të madhe. Fëmijët që shikojnë keq duhet të mundohen më shumë, kanë me shumë mundime gjatë leximit ose të mësuarit, ose gjatë rrjedhjes së lëvizjeve, dhe nga kjo mund të rezultojnë vështirësi përqendrimi ose një sjellje që bie në sy.(4)
Gjithashtu, sikurse te forma e të qëndruarit gjatë leximit, edhe për sytë ka rëndësi themelore koha. Një lexim i gjatë dhe pa pushim, në çfarëdo forme qoftë, pashmangshëm se është i dëmshëm për sytë. Mirëpo kanë rëndësi edhe faktorët tjerë, siç janë: distanca nga libri apo pajisjet teknologjike, ekuilibri; nëse lexojmë në laptop apo tablet PC duhet pasur kujdes që sytë të mos jenë në nivel ekuilibrues me rrezet e dritës që lëshojnë pajisjet në fjalë, pasi ashtu sytë do të dëmtoheshin më shumë dhe për një kohë më të shpejtë, etj. Rekoman¬dohet që sa herë që sytë të na lodhen nga leximi të bëhet një freskim i tyre me një shëtitje në gjelbërim, pasi ngjyra e gjelbër qetëson sytë dhe nuk ka reflektim ngacmues në retinë.

Mësimnxënia dhe mbamendja

Të lexuarit ka dy qëllime: argëtimin dhe thithjen e njohurive të reja. E para bëhet kryesisht nga artistët, ndërsa e dyta nga artistët dhe pjesa tjetër e njerëzve. Megjithatë, mësimi është proces i organizuar dhe i planifikuar me qëllim që të realizohet përvetësimi i diturive në fusha të caktuara.(5)
Disa studiues thonë se njerëzit mbajnë mend gjënë e parë që dëgjojnë, si dhe atë të fundit.(6) Megjithatë, është një trini që e shoqëron procesin e mësimnxënies dhe mbamendjes, e ajo është: të dëgjuarit, shikimi dhe bërja (veprimi apo praktikimi). Për ta thjeshtëzuar më qartë, kjo nënkuptohet kështu: atë që e lexojmë duhet ta dëgjojmë me veshët tanë, ta shohim me sytë tanë duke e praktikuar një herë, dhe ta provojmë edhe vetë atë. Të parës (dëgjimit) i rri pranë harresa. Të dytës (shikimit) i rri mbamendja. Ndërsa të tretës (veprimit) i rri prapë të kuptuarit e asaj gjëje. Kjo sigurisht se vlen vetëm për disa fusha, siç janë kryesisht ato mekanike dhe ekzakte, ndërsa për fushat tjera kjo logjikë vlen pjesërisht.
Një faktor tjetër me rëndësi në mësimnxënie dhe mbamendje është edhe përdorimi i teknologjisë së ditëve tona. Nga jo pak hulumtues këshillohet që prindërit të kenë kujdes dhe të mos lejojnë fëmijët e tyre t'i përdorin shumë telefonat e mençur apo tablet PC-të. Ata arsyetohen se përdorimi i telefonave të mençur dhe tablet PC-ve ngadalëson të mësuarit e fëmijëve, ndërsa mburrjen e prindërve me fëmijët që dinë t'i përdorin telefonat para se të flasin ata e këshill¬ojnë të ndërrohet me shqetësim(7)
Kjo temë në fakt është diskutuar edhe më parë, por tani një studim i Cohen Children' s Medical Center në New York, tregon se më e mirë është të mësuarit e fëmijëve me lodra tradicionale sesa me telefona
të mençur, pasi këta të fundit jo pak ndikojnë në mbamendjen e fëmijëve .. Ky studimi është referuar edhe ne kongresin e Pediatric Academic Societies and Asian Society for Pediatric Research në Vancouver të Kanadasë. Eksperimenti u bë me 63 çifte, dhe dha rezultatet e sipërtheksuara.
Sido që të jetë, kur e mendojmë se kjo teknologji ndikoka kaq shumë fëmijët që kanë mundësi më të madhe të mbamendjes dhe nuk atakohen me gjëra që ua rrezikojnë kultivimin e harresës, po te të rriturit si qëndron puna vallë?!
S' do koment se të mësuarit dhe mbamendja duhet të jenë të koordinuara mirë, që leximi-mësimi të jetë i suk¬sesshëm, si për atë që lexon për argëtim, ashtu edhe për atë që lexon për të mësuar, përkatësisht për të dhënë ndonjë provim në shkollë apo fakultet.
Është edhe një gjë me rëndësi në kontekst të mbamendjes. Aspekti psikologjik i atij që lexon, nx¬ënësit, studentit apo thjesht një njeriu të zakonshëm. Kur flet për psikologjinë e fëmijëve dhe studentëve në aspektin mësimor, Stanisha Nikoliq thekson se janë disa sindrome që e vështirësojnë mësimin dhe kontribuojnë në mossuksesin shkollor Këto janë: fobia nga shkolla; frika nga provimi; negativizmi, si dhe; refuzimi i ratifikimit të suksesit shkollor.(8)
Gjithashtu, është me rëndësi të pasohet edhe këshilla e dhënë nga psikologët, të cilët thonë se nuk duhet medituar shumë për atë që lexojmë (kjo nuk do të thotë se nuk duhet medituar fare), pasi kjo do ta ngarkonte shumë mend¬jen tonë, si dhe do ta derivonte efekte në jetën tonë: asocializimin, humbjen e humorit, dëshirën për të mos diskutuar me të tjerët dhe për të mos u shoqëruar me shumë njerëz, apo edhe për të qëndruar vetëm, etj.
Edhe Allahu xh. sh. na ka obliguar që të lexojmë, hulumtojmë, studiojmë dhe meditojmë, si dhe gjithë rezultatin nga këto procese ta reflektoj më në sjellje të mirë dhe falënderim ndaj tij. Në jo pak vende në Kuran Allahu na rekomandon që kur të diskutojmë me njerëzit të diskutojmë në formën më të mirë, si dhe kur të lexojmë diçka, të shohim diçka apo të dëgjojmë për diçka, të meditojmë për atë, në mënyrë që ta njohim të vërtetën (dhe ta falënderojmë Zotin). Në fund të fundit, krejt qëllimi i mësimit është njohja e të vërtetës, ndërsa kur kjo arrihet gjatë leximit; nëse do ta kishim pasur për argëtim do të na kënaqte edhe më shumë, ndërsa nëse do ta kishim pasur për qëllim për njohje dhe më¬sim, këtë qëllim veçse do ta arrinim.


_________________
(1) http://www.telegrafi.com/shendetesi/dhembjet-eshpines-5l-80.html.
(2) Po aty.
(3) http://www.migesplus.ch/fileadmin/user_upload/Publikationen/ Gesund_durch_ die Schule/ gesund_durch_de_schule_alban.pdf.
(4) Po aty.
(5) https://sq.wikipedia.org/wiki/M%C3%ABsimi.
(6) http://www.arsmi.gov.al/files/userfiles/arkiva/dok-0012.pdf.
(7) http://www.gazetaexpress.com/shneta/prinder-smartphone-dhe-tabletat-ngadalesojne-te-mesuarit-e-femijeve-28365/?archive=1.
(8) Stasha Nikoliq, Bota e psikës fëmijërore (Bazat e psikologjisë mjekësore fëmijërore), Furkan, 2010, Shkup, f. 260.



Msc.Ass.Teuta Borovci-Jaha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi