Lamartini, njëri nga poetët më të mëdhenj të Francës dhe sulmet ndaj Muhamedit a.s.

Gjatë historisë pati shumë armiq, e megjithatë ata, ose i mbuloi pluhuri i harresës, ose vazhduan të përmenden për shembull të keq. Ndërkaq, emri i Muhamedit a.s., vazhdoi të përmendet më shumë se emri i cilësdo krijesë tjetër.

Përmendet gjatë ezanit të pesë namazeve dhe ikametit anekënd rruzullit tokësor. Nuk kalon asnjë sekondë, e të mos ketë me qindra mijëra njerëz e të mos i çojnë salavate atij a.s. Çdo njeri që dëshiron të bëhet mysliman, duhet të dëshmojë gjatë shehadetit edhe pejgamberin e tij, duke thënë: "Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Zotit."
Udhëzimi dhe drita hyjnore që ai solli, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndriçojë zemrat e pastra dhe fisnike të miliona, madje miliarda njerëzve, gjatë gjithë këtyre 14 shekujsh. Kështu këtë gurrë të pashterur, do të vazhdojnë ta shijojnë shpirtrat e gjithë atyre njerëzve fisnikë dhe zemërpastër.
Allahu i Madhërishëm e përmend çështjen e kundërshtarëve dhe mashtruesve të Muhamedit a.s. në Kuran, duke përkujtuar poshtërimin e tyre dhe lartësimin e emrit të Muhamedit a.s.: "Dhe Ne ta ngritëm lart famën tënde!" (El Inshirah, 4)
"Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s'ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur." (El Kevther, 1-3).
Prandaj, është obligim dhe detyrë për çdo mysliman, që jo vetëm të mos bjerë pre e këtyre shpifjeve dhe mashtrimeve, por me vendosmëri t'i demantojë të gjitha akuzat dhe shpifjet e rreme, kundër Islamit dhe Muhamedit a.s.
Ndërkaq, fatmirësisht sot ekziston edhe një numër jo i vogël njerëzisht të shquar, që mbajnë një qëndrim objektiv, madje admirues dhe disa prej tyre kanë përqafuar edhe Islamin, të cilët gjithnjë e më shumë po ndikojnë ndjeshëm në formimin e një opinioni objektiv në këtë drejtim. Përmes fjalëve të tyre, ne kemi mundësi t'i përgënjeshtrojmë të gjitha shpifjet dhe akuzat e pabaza të bëra deri tani kundër Muhamedit a.s. dhe Islamit.
Lamartini, njëri nga poetët më të mëdhenj të Francës, për madhështinë e Muhamedit a.s., në "Historia de la Turqiue", shkruan: "Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e mendimit dhe rezultatet e arritura, janë tri kritere të gjenialitetit njerëzor, kush mund të marrë guximin të krahasojë, cilindo njeri të madh në historinë njerëzore me Muhamedin a.s.?
Njerëzit më të njohur kanë vendosur vetëm ushtri, ligj dhe shtet. Ata s 'kanë formuar asgjë më tepër se potenciale materiale, të cilat shpesh u zhdukën para syve të tyre. Ky njeri, ka nisur jo vetëm armatat, legjislacionet, shtetet, dinastitë dhe popujt, por miliona njerëz, 1/3 e botës së banuar të asaj kohe, madje edhe më shumë, më tepër se kjo ai ndryshoi altarët, zotat, fetë, idetë, besimet dhe shpirtrat. Në bazë të Kuranit, me çdo shkronjë që bëhej ligj, ndërtoi nacionalizmin shpirtëror, që është i pranuar për njerëzit e çdo territori gjuhësor dhe racor. Ai na ka lënë, si karakteristikë të pashlyeshme të nacionalizmit mysliman, urrejtjen kundrejt zotave të rrejshëm dhe synimin për një Zot të pa materializuar. Kjo rezistencë e patriotizmit kundër bastardimit të besimit në Zot, u ka dhënë fuqi ithtarëve të Muhamedit a.s. Marrja e një të tretës se botës, përmes fesë së tij, qe mrekulli nga ana e tij.
Muhamedi qe përmbysës i zotave të rremë me shpatë, vendosës i idesë me fjalë. Filozof orator, mësues, ligjvënës, luftëtar që luftoi për idetë e tij, përtëritës i besimit racional dhe adhurimit pa fotografi, themelues i 20 perandorive tokësore dhe i një perandorie shpirtërore. Ky është Muhamedi a.s. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret, me të cilat mund të matet madhështia njerëzore, me të drejtë pyesim: A ekziston njeri më i madh se ai?"


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi