Ekzistojnë shumë mendime për atë se kur ka ndodhur Israja dhe Miraxhi, por ajo që dihet mirë është se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur para shpërnguljes së të dërguarit të Allahut për në Medine.
Sipas historianit të njohur Ibn Sa’d kjo ka qenë diku një vit para shpërnguljes së Muhamedit s.a.v.s. Disa kanë thënë se kjo ka ndodhur një vit e tre muaj para hixhretit, etj. Poashtu, ka mendime të ndryshme edhe për atë se në cilin muaj ka ndodhur. Disa pohojnë se ka ndodhur në muajin Rexheb, disa tjerë janë të mendimit se ka ndodhur në muajin Rebi’u-l-ahir, e ka prej atyre që mendojnë se ka ndodhur në muajin Ramazan, e ka edhe mendime tjera (Shih: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.242-243).
Shiquar në përgjithësi, ndodhia e Israsë dhe Miraxhit ka ndodhur në periudhën e Mekes kur shpallja Kur’anore ishte e përqëndruar në ngritjen e godinës së besimit dhe pastrimin e botëkuptimeve të gabuara dhe të shtrembëruara në besim nga mendja dhe jeta e njerëzve. Kjo sa i përket aspektit doktrinar.
Ndërkaq, në aspektin shoqëror, kjo periudhë ishte periudha e ushtrimit të dhunës dhe torturave mbi komunitetin musliman si tentim për t’i zbrapsur nga feja dhe për ta treguar superioritetin e palës idhujtare në shoqërinë mekase. Në këtë mënyrë, ata ua ngushtonin hapësirën muslimanëve dhe u jepnin mesazh se aty nuk ka vend për një besim si i tyre, derisa ata janë zotërinj në atë tokë.
Megjithatë, në veçanti mund të theksohen ndodhitë vijuese që i paraprinë ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit:
• Vdekja e Ebu Talibit: Ebu Talibi ishte xhaxhai i Muhamedit s.a.v.s. i cili edhe pse nuk i besoi misionit të tij, i shtyrë nga ndjenjat familjare dhe fanatizmi fisnor, e mbrojti Muhamedin s.a.v.s. nga sulmet fizike të idhujtarëve. Duke e patur parasyshë autoritetin e Ebu Talibit dhe gatishmërinë e tij që të kacafytet me çdo një që e sulmon fizikisht Muhamedin s.a.v.s., idhujtarët mekas edhe pse nuk e pranonin thirrjen islame, e kishin rëndë që fizikisht ta maltretojnë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Historianët islam theksojnë se pas vdekjes së Ebu Talibit, idhujtarët i intensifikuan sulmet fizike kundër Muhamedit s.a.v.s., gjë që nuk mund ta bënin derisa ishte gjallë Ebu Talibi (Ibn Kethir, El-Bidaje ve en-nihaje, vëll.III, f.98)
Ebu Talibi vdiq tre vjet para emigrimit të Muhamedit s.a.v.s. në Medine (Ibn Hisham, Poslanikov Životopis, f.80.)
Pra, edhe një herë të rithkesojmë se Ebu Talibi edhe pse i qëndroi besnik mbrojtjes së Muhamedit s.a.v.s. deri në fund të jetës së tij, nuk kaloi në fenë islame. Bile, edhe në momentet e fundit, gjegjësisht duke dhënë shpirt në shtratin e vdekjes, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për së fundi herë e thirri të kaloj në Islam, e nga ana tjetër edhe paria idhujtare e thirrën të mbetet në fenë e Abdu-l-Mutalibit, ai deklaroi se mbetet në fenë e Abdu-l-Mutalibiti. Me fjalë tjera, e përfundoi jetën si idhujtar.
• Vdekja e Hadixhes: Hadixheja ka qenë gruaja e parë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me të cilën u martua para se t’i kumtohet se është pejgamber. Kjo grua, e cila ishte ma e vjetër në moshë se Muhamedi s.a.v.s. i qëndroi besnike atij dhe qe prej të parëve që i besoi. Krahas kësaj, ajo e vuri në shërbim të misionit të tij gjithë pasurinë e saj dhe në çdo mënyrë e mbronte dhe e përkrahte Muhamedin s.a.v.s. Ajo ishte grua e mençur e cila e qetësonte Muhamedin s.a.v.s. në momentet e rënda që i përjetonte në rrugën e misionit të tij. Për këtë, vdekja e Hadixhes ishte humbje e një mbështetësi të denjë të faktorit njeri për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe pa dyshim vdekja e saj e preki të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. jo vetëm për atë se ajo ishte përkrahëse e denjë e tij si besimtare, por edhe për atë se ishte bashkëshorte e tij.
Historianët përmendin se Hadixheja ka vdekur në të njejtin vit kur ka vdekur edhe Ebu Talibi, gjegjësisht tre vjet para hixhretit. Hadixheja ka vdekur pas vdekjes së Ebu Talibit (Ibn Kethir, El-Bidaje ve en-nihaje, vëll.III, f.101.).
• Thirrja në Taif: Shtimi i dhunës së idhujtarëve ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. bërë që ai të drejtohet për në Taif, të mundohet që atje ta përhap thirrjen islame e të kërkoj përkrahje dhe mbrojtje prej fisit Thekif.
Mirëpo, edhe atje nuk gjeti pranim, gjegjësisht ata në vend që t’i ofrojnë përkrahje, e refuzuan dhe i renditën banorët e vendit në dy rreshta, ashtu që kur kalonte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ata e gjuanin me gurë (Ibn Hisham, Poslanikov Životopis, f.82.).
Edhe prej këtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye i mërzitur pasi nuk gjeti pranim dhe mbështetje.
Pas këtyre tre ndodhive të mëdha ndodhi Israja dhe Miraxhi që të bart me vete mesazhin e mbështetjes shpirtërore për Muhamedin s.a.v.s. dhe hapjen e horizonteve të reja për thirrjen islame e cila nuk mvaret nga zhvillimet në shoqëritë njerëzore, por nga caktimi i Krijuesit.
Me fjalë tjera, pasimi i ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit pas këtyre tre ndodhive madhështore, janë mesazh i optimizmit dhe vullnetit për aktivitet, si dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të Allahut të Madhërishëm të gjithë asaj që ndodh në mes njerëzve dhe të rrethanave në të cilat gjindet i Dërguari i Tij. Ky udhëtim, i dha vullnet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i bëri me dije se Allahu i Madhërishëm nuk e ka lëshuar prej dore, edhe përskaj rrethanave ekistuese dhe përskeqjes së marrëdhënieve me idhujtarët dhe dhunës që ata ushtronin mbi të dhe mbi ithtarët e tij pas vdekjes së Ebu Talibit në veçanti. Në këtë drejtim, mendimtari i shquar islam i shekullit XX, Muhamed Gazali ka thënë:”Kjo ngjarje ishte një balsam për vuajtjet e së shkuarës dhe mbjellja e farave të suksesit për të ardhmen...Allahu përgatiti këtë udhëtim qiellor, për ta ngushëlluar zemrën e profetit a.s. Me anë të kësaj, Zoti e informonte se Ai kishte qenë duke e vëzhguar, që nga dita kur Profeti (a.s) kishte deklaruar njësimin dhe adhurimin e Tij dhe qysh kur filloi t’ua mësonte këtë edhe njerëzve” (Muhamed Gazali, Fikhu Sira, f.166, 167).
Kur jemi te konteksti historik i ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit, duhet të ndalemi edhe në reflektimin e kësaj ndodhie në jetën e umetit në drejtim të mbjelljes së optimizmit dhe nxitjes së dëshirës për veprim për realizimin e qëllimeve, pa marrë parasyshë rrethanat ekzistuese.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ballafaqua me këto tre ndodhi që e ngushtuan, por erdhi Israja dhe Miraxhi që e nxorri mbi ambientit dhe rrethanat e rënda që e kishin ngushtuar, e bëri të sheh horizonte të gjëra të paimagjinueshme që janë mesazh i qartë se Allahu i Madhërishëm ia mundëson njeriut atë që as vetë ai mund ta imagjinon. Nxjerrja e të Dërguarit të Allahut nga toka në sferat e larta qiellore, simbolizon aspiratat e larta që duhet t’i ketë muslimani, edhe pse në një periudhë të caktuar historike mund të ballafaqohet me krizë të thellë. Muslimani këtë fuqi dhe optimizëm e merr nga namazi ditor i cili është urdhëruar pikërisht në Miraxh, si dhe nga të menduarit rreth madhështisë së Allahut xh.sh. për të Cilin nuk ka gjë të pamundshme, edhe pse njeriu ndonjiherë ndoshta mund të ketë mendime pesimiste. Muslimani duhet të sheh sa ma larg, nga pozicioni i tij i ngjitjes në piedestale të larta përmes namazit që është miraxh për të. Dijetari i shquar, Muhamed Muteveli Esh-Sha’ravi për këtë aspekt të kësaj ndodhie, ka thënë:”Pejgamberi a.s., sa herë që mundohej nga kurejshitët pabesimtarë, natyrisht që ndihej i thyer shpirtërisht. Prandaj, Allahu xh.sh., deshi t’i tregonte të dashurit të Tij dhe ta siguronte se, sado t’i vështirësohej fushëveprimi në tokë, Qielli do të jetë ai që do ta ndihmojë e do ta mirëpres; dhe se Zoti i tij, i Cili e obligoi me këtë mision të pastër fisnik, me gjithë këto vështirësie mundime, patjetër do ta ndihmojë e do ta bëjë triumfues” (Muhamed Muteveli Esh-Sha’ravi, Mrekullia e madhe, Israja dhe Miraxhi, f.28).