Mbi agjërimin në përgjithësi
Fjala agjërim, ose të agjëruarit, në të vërtetë, ka historinë e vet të gjatë. Në historinë e religjioneve, ose përgjithësisht, në historinë e religjiozitetit njerëzor, ky institucion ka qenë pjesë përbërëse e praktikës religjioze të grupeve të ndryshme shoqërore. Atë e gjejmë, më shumë ose më pak, në të gjitha religjionet e shpallura dhe jo të shpallura; por me domethënie diçka më të ndryshme. Lidhur me këtë, autori i kapitullit mbi agjërimin (Fasting) në Enciklopedia Britanica thotë: “Vështirë se mund të gjendet ndonjë sistem religjioz e që në të të mos ketë zënë vend agjërimi qoftë edhe në mënyrë sporadike.”
Agjërimin e kanë njohur të gjithë popujt, madje edhe ata të cilët nuk kanë pasur Shpallje qiellore. Ai ka qenë praktikë rituale e shumë popujve të lashtë sikurse janë Kinezët, Hinduset, Persianët, Babilonasit, Asirianët etj.
Agjërimi, gjithashtu, është pjesë përbërëse e riteve religjioze të Judaizmit dhe të Krishterimit. Shumë thënie të Pejgamberit (s) të çojnë në përfundim se të agjëruarit ka qenë praktikë e zakonshme religjioze edhe tek Arabët paraislamikë, sikurse është rasti me agjërimin e ditës së dhjetë të muharremit, sepse besohej se në këtë ditë Zoti (xh.sh) e shpëtoi Musain dhe pasuesit e tij nga Faraoni egjiptian. Arabët paraislamikë, si dhe grupe të tjera religjioze nga hapësira e Orientit, agjërimin e konsideronin si vepër pendimi, mëshirimi dhe në mënyrë të veçantë si ritual përgatitor para kryerjes së sakramenteve fondamentale të përkushtimit religjioz.
Së këndejmi, në mjediset e tilla religjioze, agjërimi shikohej më shumë si përpjekje e mendjes njerëzore apo natyrës së tij mendore që ta kuptojë Zotin, apo si hap i njeriut që ta përqafojë Transcendentalen.
Në historinë shpirtërore të Lindjes, agjërimi ka qenë shoqërues i rregullt i mendimtarëve, mistikëve, poetëve e madje edhe qeveritarëve të ndryshëm. Për shembull Leon Tolstoi, në veprën e tij ta famshme “Rruga në jetë”, në kapitullin mbi “Vetëmohimin”, përmblodhi një varg mendimesh të mendimtarëve të shquar lindor, të cilat mund të reduktohen në një synim: “Kush dëshiron të jetojë më thellë dhe më gjatë, duhet t’i kthehet, nëpërmjet mposhtjes së lakmive trupore dhe pasioneve tokësore, shpirtit të përjetshëm. Urtia budiste thotë: Kush e sheh veten në trupin e vdekur, ai e di të vërtetën mbi botën”, kurse ajo e Brahmanizmit thotë: “Sa më shumë ta njoh njeriu unin e tij shpirtëror aq më vërtetësisht do ta kuptojë veten. Ungjilli vërshon me mendime të tilla si ajo: “Jetën do ta shpëtosh, vetëm nëse atë e humb”.
Agjërimi në islam
Në kontekst të mësimit islam, fjala, “agjërim” (savm) do të thotë përmbajtje nga ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit. Në të vërtetë, ky është përkufizimi nominal i agjërimi, të cilin e di çdo musliman në çdo pjesë të botës.
Në islam agjërimi është, në radhë të parë, një institucion që ka për qëllim disiplinimin e shpirtit dhe intensifikim e religjiozitetit te besimtari. Prandaj, agjërimi këtu kuptohet më shumë si mëshirë e Zotit (urdhër kur’anor) dhënë njeriut përmes së cilit, siç do të thoshte mufessiri i njohur Ibni Kethiri, ai përjeton tejkalimin e vetvetes.
Agjërimi është një parim fondamental i besimit, i përcaktuar për besimtarët e islamit, sikurse ishte i përcaktuar edhe për popujt e shpalljeve paraprake. U bë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, menjëherë para përcaktimit të xhihadit, në periudhën kur muslimanët po kalonin situata të vështira, por njëkohësisht edhe të përshtatshme për Shpalljen dhe kuptimësimin praktikë të parimeve kur’anore: të privilegjeve – lehtësimeve. Për një varg situatash jetësore, nëpër të cilat kalonte bashkësia muslimane e Medinës, Kur’ani shpallte parime të caktuara dhe norma juridike, të cilat rregullonin në mënyrë të përshtatshme çdo situatë aktuale si dhe situata për të cilat kishte aluzione se do të ndodhnin në një të ardhme të afërt dhe të cilat në mënyrë të konsiderueshme do të mund të ndikonin në zhvillimin e saj. Ajo kishte nevojë për një Ligj, i cili do të rregullonte jetesën e saj sociale dhe shpirtërore. Kur’ani, në një kontekst më të gjerë, evidenton faktet dhe përshtat dispozitat, konstaton shkaqet, vë në pah idetë dhe kumton qëllimet.
Agjërimi u bë obligim për muslimanët që të frenojë lakminë e tyre, që të mos bëhen robër të saj e të humbasin kontrollin mbi veten. Nuk duhet harruar se agjërimi, në asnjë mënyrë nuk është menduar si dënim apo ndonjë ngarkesë e papërballueshme, por vetëm si mësim i maturisë dhe disiplinës shpirtërore. Që të jetë rob i vërtetë i All-llahut, njeriu duhet doemos të jetë i aftë që sjelljen e tij ta harmonizojë me disiplinën morale dhe shpirtërore, ashtu si e konfirmon Sheriati. Kështu, ai nuk duhet lejuar që t’i nënshtrohet pamëshirshëm lakmisë së vet. Agjërimi është shkollë e domosdoshme për këtë. Agjërimi në Islam dallon me faktin se nuk e edukon njeriun për braktisjen e kësaj bote, por për dëgjueshmëri, nënshtrim dhe gatishmëri të plotë ndaj All-llahut (xh. sh.)
Së këndejmi del se agjërimi nuk është ndonjë formë epistemologjie apo gjykimi mendor i së vërtetës së tërësishme të të jetuarit. Ai, faktikisht përbëhet në intensifikimin e egos fetare të njeriut apo përfundimisht, ai dëshiron, por edhe ofron një takim më të gjerë dhe më të drejtpërdrejtë me Zotin. Prandaj, është e domosdoshme të theksohen dy gjëra: besimtari është i obliguar me agjërim dhe me të, e përmes tij i tërhequr nga All-llahu (xh. sh.). Kur e kemi këtë parasysh, nuk na habit fakti se Islami është, para se gjithash një formë ekzistimi, një formë e të jetuarit, jetë me të vërtetën, dhe në pajtim me urdhrat e saj, jetë me njerëzit.
Në këtë pikëpamje, institucioni i agjërimit ka rëndësi të veçantë. Sepse, Kur’ani, i cili e ka përcaktuar agjërimin, intensivisht merret me njeriun: ai e shpalos atë dhe e shikon nga të gjitha anët, … bën krahasime dhe futet thellë në shpirtin e njeriut. E vendos në situata të ndryshme dhe nganjëherë e kthen në origjinë dhe i tregon për mendimet më subtile dhe më të fshehta njerëzore, i ndriçon dhe e udhëzon tek ato duke i konsideruar si pjesë përbërëse të natyrës së tij, të cilat duhet orientuar, mprehur dhe perfeksionuar.
Ja, pra, kësaj qenie të ndërlikuar psiko-fizike që e përshkruan All-llahu (xh. sh), Kur’ani i ofron agjërimin, rregullin me të cilin njeriu, nëpërmjet shkollës ku’anore njëmujore, do të ndiejë një freski shpirtërore dhe trupore dhe frymëzim për ecjen e tij të mëtejshme fetare.
Agjërimi, në Islam, formon vetëdije të shëndoshë, moral të fuqishëm dhe përgjegjësi qytetare. Ai e mëson njeriun të jetë i mëshirshëm ndaj të varfërve e të mjerëve, që me dëshirë t’i ndjejë e t’i ndajë me të varfrit vështirësitë dhe vuajtjet e tyre. Agjërimi ia mundëson njeriut t’i kontrollojë e t’i frenojë epshet dhe i ndihmon të arrijë devotshmërinë e t’i kushtojë vëmendje të posaçme Zotit (xh. sh). Ai e afron te Zoti (xh. sh.) dhe i jep fuqi të mëdha shpirtërore. Agjërimi është një formë më e lartë e stërvitjes shpirtërore që rrugën për tek bindja e bën më të thellë.
Agjërimi e edukon dhe riedukon njeriun, ia kalit vullnetin dhe e bën stabil. Agjëruesi është i pathyeshëm në qëndrimet e veta, i arsyeshëm në vendimmarrje dhe i mprehtë në rezonim. Në fatmirësi nuk mburret, në fatkeqësi nuk poshtërohet. Prandaj, agjërimi, nga njerëzit e dobët, formon personalitete të fuqishme, me karakter dhe vullnet të vendosur.
Pejgamberi (s) thotë: “Je i obliguar të agjërosh. Me të asgjë s’mund të krahasohet”.
Padyshim se asgjë nuk barazohet dhe nuk është i ngjashëm me agjërimin, sepse aty përfshihet tërë qenia e njeriut. Nuk mund të bëhet në mënyrë parciale, doemos të përfshihet edhe trupi edhe shpirti, komplet njeriu. Duhet të agjërojmë me vullnet, me sinqeritet duke dëshiruar të zbatojmë detyrën dhe t’i afrohemi Zotit (xh. sh.) sikurse thotë Muhammedi (s):
“Kush agjëron ramazanin në emër të All-llahut duke shpresuar në shpërblimin e Tij, do t’i falen gjynahet e kaluara”.
Agjërimi i Ramazanit është një disiplinë shpirtërore, moralo-etike që shpie te Zoti dhe në devotshmëri, ai është përkryerje e “unit” tonë në besimin, sinqeritetin dhe besnikërinë ndaj All-llahut (xh. sh.), ai është kontroll mbi lakmitë dhe epshet animale, ilaç i shpirtit dhe i trupit dhe përforcim i fuqisë fizike e psikike. Qëllimi i kësaj disipline apo këtij formimi trupor e shpirtëror është që shpirti të zotërojë mbi trupin, arsyeja mbi dëshirën dhe vullneti mbi epshin e lakminë.
Transmetohet një thënie që: “All-llahu (xh. sh.) ka krijuar melaqen me intelekt e pa pasione, kafshën me pasione e pa intelekt. Njeriut i është dhënë edhe njëra edhe tjetra. Tek ai njeri që sundon intelekti është më i mirë se melaqja, ndërsa tek ai tek i cili sundon pasioni është më i keq se kafsha.”
Është me rëndësi që me anë të agjërimit të mbizotërohen format destruktive (nefsu’l-emmare), sepse agjërimi zaten do të thotë të përmbahesh, t’i refuzosh e t’i braktisësh ato forca ose të paktën t’i dobësosh: epshin, lakminë dhe të gjitha produktet e tyre, me qëllim që agjëruesi të ngritët në shkallën e engjëllit. Kjo do të thotë të vendosësh ekuilibër mes shpirtit e trupit, frymës e materies, zemrës e arsyes, dëshirës e dijes.
Në të vërtetë, po të marrim në kuptimin më të gjerë, çdo musliman agjëron në dy nivele: i pari prej para agimit deri në perëndim të Diellit, e përmban veten nga ushqimi, pija, duhani, çdo kënaqësie trupore dhe nga marrëdhënia intime me gruan gjatë tërë muajit të Ramazanit, ndërsa i dyti – gjatë tërë jetës e përmban veten nga gënjeshtra, përgojimi dhe shpifja e njerëzve, bartja e fjalëve të huaja me qëllim për të futur grindje mes njerëzve, shikimet epshore dhe betimi i rrejshëm me vetëdije. Gënjeshtra, betimi i rrejshëm, përgojimi, bartja e fjalëve të huaja dhe shikimet epshore janë helme të këqija, të cilat jo vetëm që prishin, helmojnë dhe përlyejnë marrëdhëniet ndër-njerëzore, por e prishin edhe agjërimin dhe bartësve të tij ua ndërprenë dritën e All-llahut (xh. sh.). Prandaj, muaji i Ramazanit, përveç tjerash, është edhe muaji i së vërtetës e sinqeritetit, po edhe i luftës së brendshme të njeriut kundër gënjeshtrës, betimit të rrejshëm e fjalëve të ndyra, muaji i luftës kundër ngatërresave, sharjes, rrëmujës, përgojimit dhe talljes me njerëzit.
Me anë të agjërimit, ndërgjegjja e njeriut, si funksion integrues i sistemit personal të vlerave morale, në bazë të cilave, në mënyrë kritike, objektive, të sinqertë, të ndershme dhe të drejtë vlerëson sjelljen, veprimet, qëndrimin dhe karakterin e vet, është dhe për jetë do të jetë e qartë, e pastër dhe e natyrshme. Ndërgjegjen e tillë e ushqen agjërimi, ndërsa e udhëheq dhe e frymëzon bindja se flet, vlerëson e gjykon për çdo gjë e gjithkënd, po edhe për vetveten, ekskluzivisht në emër të All-llahut (xh. sh). Ndërgjegje të tillë nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë pa savm e agjërim. “Agjërimi është lartësim i shpirtit”, thotë Gazaliu, ndërsa Muhammed Abduhu pohon: “Agjërimi krijon tek agjëruesi ndjenjën e mbikëqyrjes së vazhdueshme të Zotit dhe kështu e rrit turpin. Kjo ndjenjë e pranisë së Zotit, është garancia më e madhe e ruajtjes së shpirtit nga gjynahet dhe e qëndrueshmërisë në rrugën e Zotit e lumturisë në Ahiret.
Në vend te përmbylljes
Agjërimi, në të vërtetë, është lëvizje e gjithanshme njerëzore drejt unifikimit me tërë Universin, përtëritje e vetëdijes njerëzore dhe braktisje e të gjitha instinkteve e tekeve shtazore, një analizë serioze e së kaluarës dhe reformë e së ardhmes, si e individit ashtu edhe e tërë bashkësisë njerëzore.
Vallë, nuk është shpirti ynë i burgosur në varrin e quajtur trup?
Vallë, nuk e kemi të domosdoshme përpjekjen drejt evitimit të varfërisë e të mjerimit edhe nga trupi edhe nga shpirti i shoqërisë sonë. Përpjekjen, punën dhe angazhimin t’i bëjmë themele të përcaktimeve të jetës në këtë botë, të përpiqemi që të mos jemi barrë për shoqërinë, por të jemi ata që do ta bëjnë më të mirë e më të pasur shpirtërisht e materialisht shoqërinë. Dhe në përgjithësi, a jemi vetëm në varfëri ekonomike, apo mbase ajo është produkt dhe pasojë e mjerimit tanë kulturor, moral e shpirtëror?
A është problemi i shoqërisë sonë mungesa e kësaj rrobe materiale apo e kemi hequr edhe petkun e dëlirësisë, nderit e devotshmërisë? “Vërtetë rroba e devotshmërisë është rroba më e mirë” thotë Kur’ani i madhërishëm.
Literatura
1. Ibni Kethiri, Tefsiru’l- Kur’ani, kapitulli el-Bekare, Bejrut, 1976.
2. Muhamet Mrahorovic, Obzorja Islamske duhovnosti, Sarajevë, 1999.
3. M. Manazir Ahsan, Islam: vjera i primjena, U.K. 1994.
4. Mustafa Spahic, Koraci u islamu, prirucnik za srednje skole, RIZ BiH, Sarajevë, 1997.
5. Glasnik, nr. 2/1985, Sarajevë.
6. Islamska misao, nr. 31/1981, Sarajevë.
7. Islamska misao, nr. 77, 1985, Sarajevë.
8. Preporod, 1970–2000, Sarajevë.
9. Zehra, casopis za porodicu i drustvo, nr. 5/2001, Sarajevë.