Sot, me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s. Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Transfuzion të gjakut, dega në Gjakovë, organizoi aksion vullnetar për dhurimin e gjakut me moton “Muhammedi a.s. mëshirë për njerëzimin.”
Ky aksion, si rezultat i iniciativës së mirë dhe ndjenjës së solidaritetit u organizua pas namazit të xhumasë në xhaminë Qyl, nën përkujdesjen e ekipit mjekësor.
“Përmes këtij aksioni dëshirojmë të tregojmë edhe njëherë anën tonë humanitare të cilën na e ka mësuar Pejgamberi a.s. Ky është aksioni i dytë brenda këtij viti kalendarik që KBIGJ organizon në dhurimin e gjakut. Aksioni i parë ka qenë para muajit të Ramaznit dhe tani ky me rastin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s. dua t’i falënderoj të gjithë ata që i janë përgjigjur thirrjes dhe që nuk hezituan të bëhen pjesë e këtij aksioni bamirës dhe human në ndihmë të personave me nevojë”, tha Kryetari i KBI në Gjakovë, Ahmet ef.Hoxha.
Ftesës për të dhënë gjak i janë përgjigjur imamët, xhematlinjët dhe qytetarët e komunës së Gjakovës.