Kontributi i Hafiz Ibrahim Dalliut për gjuhën shqipe

Hyrje

Hoxhallarët tanë ishin gjithnjë aktivë në periudhat historike jo vetëm në angazhimin për liri, por edhe fushën e zhvillimit të gjuhës shqipe. Kontributi i parisë islame në rrjedhat e ngjarjeve politike gjatë viteve 1878-1912 ka qenë anashkaluar dhe ata po vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të pa drejtë në historiografinë shqiptare.(1)
Ndër ta është edhe Ibrahim Dalliu, kontributi i të cilit ishte në shumë sfera sidomos për gjuhën dhe publicistikën shqipe të kohës. Shkrimet e tij nuk ishin vetëm fetare, por edhe letrare e publicistike.

Hoxha mësues i dalluar

I rritur në familje hoxhallarësh e patriotësh ai qysh i ri 18 vjeç përvetësoi alfabetin shqip dhe më 1901 shërbeu si mësues i Shkollës Shqipe në Tiranë.(2)
Vetë fjala hoxhë në një aspekt ka kuptimin e mësuesit dhe këtë rol Hafizi e zotëroi me përkushtim të madh, por edhe suksesi nuk i mungoi. Ai ishte i shquar si mësues e pedagog i rrallë dhe reflektimet e edukatës së tij u shpërndanë ndër nxënësit e tij. Gjurmët e tij si edukator shpërndaheshin nëpër gjenerata.
Një veçanti e këtij Hafizi është jo vetëm si mësues i shkollës së parë shqipe në Tiranë, por edhe ndihmoi hapjen e shkollës për vajza po ashtu në Tiranë në vitin 1908, nga dolën edhe mësueset e para në këtë qytet.(3)
Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos hapja e Shkollës Normale (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri) dhe Hafiz Ibrahim Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re. Edhe gjuhëtari Aleksandër Xhuvani përmend kontributin e palodhshëm të hoxhës, ndër te tjera thekson: "Normalja ka ne themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut . Kontributi i tij si veteran i arsimit ka lënë gjurmë në historinë dhe letërsinë shqipe. Pas Luftës II Botërore u emërua mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës për lëndët e Besimit Islam. Por aktivitetin e tij për shkrime letrare e islame shqipe nuk e ndërpreu asnjëherë".

Shkrimtarë e publicisti rrallë

Kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut në dobi të të gjithë botës islame shqiptare e kanë pasur parasysh shqiptarët e të gjitha trojeve etnike të Kosovës, Maqedonisë, të Malit të Zi e më gjerë. Sipas teologut të shquar shqiptar nga diaspora Imam Vehbi Ismailit, i shpërngulur në SHBA, Hafiz Ibrahim Dalliu ka shkruar apo përkthyer afro 10 mijë faqe me përmbajtje fetare, që do të thotë me tepër se çdo shqiptar tjetër mysliman.(4)
Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur. Drejtoi gazetën "Dajti", dhe gjatë viteve 1918 -1924 shkroi shumë vepra letrare e satirike duke u bërë njëri ndër poetët e parë satirikë. Ai ka shkruar edhe elegjinë për Avni Rrustemin në vitin 1930. Shkroi Librat Grenxat e Kuqe (1918), Dokrrat e Hinit (1920) por veprimtaria e tij më e vëllimshme dhe më e çmueshme është ajo në fushën e islamistikës.(5)
Sa i përket literaturës dhe dorëshkrimeve të Ibrahim Dalliut, në kohën e komunizmit sidomos pas vdekjes së tij, familja e tij më e gjerë kanë qenë të detyruar që të gjitha materialet e tij t'ia dorëzonin qeverisë, respektivisht arkivit shtetëror. Adnani, nipi i tij ka deklaruar se dy karroca dore përplot libra e dorëshkrime janë dërguar në arkivin shtetëror. Ashtu që i tërë thesari i tij i shkruar nuk është në dispozicion, përpos ekzemplarëve të botuar gjatë jetës së tij.(6)
Gjatë viteve 1930 numërohen gjithsejtë 15 vepra. Ndër të gjitha këto shquhet "Tefsiri shqip i Kuranit" në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja.(7)

Disa nga Veprat fetare

1. Texhvidi (Rregullat e leximit të Kuranit), botuar, 1921.
2. Ilmihali (Mësime të Fesë Islame).
3. Dhunti e Ramazanit, botimi i parë 1921.
4. Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit (U botuan vetëm shtatë xhuze, pjesa tjetër mbeti pa u botuar) 1929.
5. E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s. 6143 vargje, 1934.
6. Ç'është Islamizmi, 1935.
7. Udha Muhamedane (Tarikati muhamedije) e Muhamed Bergjiviut, përkthyer nga Dalliu dhe botuar më 1936. Ribotuar më 2000 nga AIITe.
8. Besimet e myslimanëve, në vargje. Botimi IV, 1937.
9. Libri i së falmës, botuar më 1937.


_________________
(1) Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare shqiptare në vilajetin e Kosovës (1878-1912) Prishtinë 2011,f. 19.
(2) Dr. Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame të shqiptarët gjatë shekullit XX,Tiranë 1997. f. 310.
(3) Dr. Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij Kuranore, Logos A Shkup 1419/1998, f. 88.
(4) Ibid, f. 91.
(5) Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon 9 shek XVIII-2010, Prishtinë 2010, f. 85.
(6) Dr. Ismail Bardhi,Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij Kuranore,Logos A Shkup 1419/1998, f. 87.
(7) K. M. Sh., Enciklopedi 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame shekulli XIX-XX, Tiranë, 2012, f. 80.



Fetije Gashi- Gërbeshi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?