Fetvaja si institucion shumë i rëndësishëm në fenë islame

Hyrje

Prej veçorive të fesë islame është edhe ajo se kjo fe ka sistem gjithëpërfshirës të çështjeve të jetës dhe të karakterit të njeriut. Andaj kjo fe është e vetmja që u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të çdo kohe dhe hapësire, deri në Ditën e Kiametit.
Pa dyshim se institucioni që është shumë i rëndësishëm që feja islame të jetë e përshtatshme në çdo kohë dhe çdo vend, është institucioni i fetvasë.
Duke u nisur nga fakti se prej myslimanit kërkohet që ai t'i kryejë gjithmonë veprimet e tij në pëlqim me programin dhe Sheriatin islam, ai duhet të njohë dispozitën e çdo vepre të tij. Andaj, kur ndodh që ai nuk njeh ndonjë çështje apo nuk e njeh pjesërisht, ai duhet të kërkojë shpjegime me të vetmin qëllim që vepra e tij të jetë në pëlqim me legjislaturën islame. Rrugët dhe metodat më të mira për t'i njohur çështjet fetare është angazhimi i dijetarëve duke u shpjeguar njerëzve çështjet fetare dhe dispozitat e fesë dhe rruga tjetër është që ata të cilët nuk kanë njohuri për ndonjë dispozitë fetare të kërkojnë shpjegime nga dijetarët.
Kur ndodh që dijetarët janë neglizhentë për t'u shpjeguar njerëzve çështje fetare, të tillët do të merren në llogari para Allahut dhe do të pësojnë dënim të ashpër për shkak të neglizhencës së tyre ndaj obligimit që u është besuar. E nëse ndodh që dijetarët ta kryejnë detyrën e tyre, atëherë njerëzve u mbetet t'i zbatojnë shpjegimet e tyre, se përndryshe, nëse ata nuk veprojnë sipas shpjegimeve të tyre, atëherë vetë njerëzit do të jenë përgjegjës para Allahut të Lartësuar.
Nga kjo na bëhet e qartë se ai që nuk di, duhet të kërkojë shpjegime nga ai që i njeh çështjet dhe problemet e fesë, ndërsa ky që ka njohuri për shpjegimin e çështjeve fetare, duhet të përgjigjet. Shpjegimi i tillë në fenë islame njihet si institucioni i fetvasë.
Me shprehjen fetva nënkuptohet teksti i përgjigjes që i ka dhënë myftiu atij që ka kërkuar shpjegimin e dispozitës së ndonjë çështjeje fetare. Ai që jep një shpjegim për ndonjë dispozitë të fesë, quhet myfti.

Kush është myftiu

Myfti konsiderohet dijetari që ngarkohet për të shpjeguar dispozitën e ndonjë çështjeje fetare. Myftiu, që të ketë të drejtë të japë ndonjë fetva, duhet të plotësojë disa kushte. Kushtet janë:

1. Të jetë mysliman. Pra, ai që do të shpjegojë dispozitën e ndonjë çështjeje të fesë, duhet të jetë patjetër besimtar, që beson në Allahun dhe në atë që i është shpallur Muhammedit s.a.v.s.;
2. Të jetë në moshën madhore dhe i aftë psikikisht. Kushtëzohet që myftiu të ketë hyrë në moshën madhore dhe në të njëjtën kohë të jetë i aftë në aspektin psikik, që d.m.th. nuk mjafton të jetë vetëm i aftë psikikisht e të mos ketë hyrë në moshën madhore dhe anasjelltas;
3. Të jetë i drejtë. Me të qenët i drejtë nënkuptohet ajo që myftiu të jetë i drejtë, i sjellshëm, larg nga mëkatet e haramet dhe që ka biografi të mirë. Duhet të kihet e qartë se me këtë kusht nuk nënkuptohet ajo që myftiu të jetë i mbrojtur prej gabimeve, ngase kjo është cilësi e veçantë për pejgamberët e Allahut të Lartësuar;
4. Të jetë muxhtehid. Ashtu si përmendin dijetarët nëpër libra, është kusht që myftiu të jetë rnuxhtehid.(2) Shënim: Disa nga dijetarët kanë përcaktuar edhe disa kushte të tjera për myftiun, si f.v. - kanë kushtëzuar që myftiu të këtë aftësi për të kuptuar njerëzit dhe mashtrimet e tyre, në mënyrë që ai të mos bjerë në kurthin e tyre; që të jetë i paluhatshëm në fenë e tij dhe të mos ketë frikë në zbatimin e së vërtetës nga asnjë keqbërës, d.m.th. që të mos ndikohet nga kërcënimi i askujt, kur është nevoja për ta shprehur të vërtetën; që të jetë i njohur për devotshmëri dhe modesti ndaj Allahut të Lartësuar.

Domosdoshmëria e ekzistimit të myftiut

Ekzistimi i myftiut që i plotëson këto kushte të duhura, është prej obligimeve kolektive (farzi kifaje), andaj është obligim që në çdo vendbanim të ketë myfti që merret me shpjegimin e dispozitave të fesë njerëzve ose ua mëson atyre edhe pa e pyetur atë. Disa nga dijetarët islamë janë të mendimit që myfti duhet të ketë doemos dhe se prej një vendi që nuk ka myfti, duhet të shpërngulemi për të shkuar në një vend ku ka myfti.

Shënim: Meqë ekzistimi i myftiut është prej obligimeve kolektive (farz i kifaje), atëherë duhet angazhuar që t'i mundësohen kushtet e duhura atij që mendon të bëhet myfti, d.m.th. duhet mundësuar shkollimi i dikujt që të studiojë fenë në atë mënyrë që ai t'ua mësojë dispozitat e fesë të tjerëve. Apo, nëse ekziston shteti islam, atëherë shteti e ka përgjegjësinë që t 'u sigurojë kushtet që dikush të mësojë dhe të studiojë dispozitat fetare, që më pastaj ai të jetë myfti.

Myftiut duhet t'i caktohet një pagë nga arka shtetërore

I lejohet myftiut që të marrë pagë nga arka shtetërore aq sa për të janë të mjaftueshme, duke u bazuar në faktin se kjo detyrë është në interes të përgjithshëm të myslimanëve. Pra, duke u bazuar në interesin e përgjithshëm, prijësit i lejohet të caktojë pagën mujore për myftiun aq sa atij t'i plotësohen nevojat, në mënyrë që të mos ketë nevojë për t'u angazhuar me punë të tjera.

Detyrat dhe sjellja e myftiut

Myftiu që në fillim duhet ta dijë se ai është që shpjegon fenë e Allahut të Lartësuar, prandaj duhet të ketë shumë kujdes që të mendojë mirë dhe të mos ngutet për të dhënë përgjigje. Dhe, po qe se ndodh që të mos e dijë përgjigjen, duhet të thotë nuk e di,(2) ngase të thënët nuk di është gjysma e diturisë.
Myftiu duhet të njohë traditën e atij vendi ku jep fetva, në mënyrë që të kuptojë qëllimin e atij që pyet, dhe, po qe se nuk e kupton pyetësin, duhet të kërkojë prej tij shpjegim për synimin e asaj për se pyet. E kur ndodh që myftiu të mos e kuptojë gjuhën e atij populli, mjafton një përkthim i saktë.
Myftiu duhet të konsultohet me dijetarët që janë të pranishëm, nëse këtë e sheh si të nevojshme, dhe duhet të heqë dorë për të dhënë fetva ashtu si i konvenon pyetësit
Dijetarët janë të mendimit që myftiu t'u përgjigjet pyetjeve që janë parashtruar, sipas radhës, por në raste të jashtëzakonshme lejohet që t'i jepet përparësi përgjigjes ndaj atij që është në udhëtim dhe femrës, nëse vonimi i përgjigjes u bënë dëm atyre.
Myftiu duhet të largohet nga vendet e dyshimta dhe të akuzave, me qëllim që fjala e tij të jetë e pranuar nga ana e pyetësit dhe të tjerëve. Po ashtu myftiu nuk duhet të pranojë të marrë dhurata nga pyetësi, në mënyrë që të mos bëhet ndonjë lehtësim në dhënien e fetvasë, ndoshta edhe pa u vërejtur lehtësimi i tillë.(4)
Myftiu duhet të jetë i butë, modest dhe duhet ta presë pyetësin me buzëqeshje e butësi. Nëse myftiu vëren se pyetësi është i atillë që nuk kupton shpejt, duhet të sillet butësisht derisa ai ta kuptojë përgjigjen.
Myftiu duhet të jetë i shquar për cilësitë që u përkasin dijetarëve, ngase ky bart në vete përgjegjësinë e shpjegimit të dispozitave të fesë.

Disa rregulla që kanë të bëjnë me pyetësin

Pyetësi i njohur në terminologjinë e jurisprudencës islame si 'el-Mustefti', është ai që pyet për dispozitën e ndonjë çështjeje fetare, që ai vetë nuk e di. Pra ai që pyet me të vetmin qëllim që ta mësojë dispozitën e çështjes fetare dhe të veprojë sipas atij shpjegimi që i jepet (fetva). Pyetësi mund të klasifikohet në disa kategori:

Kategoria e parë: Ai që i plotëson kushtet e duhura për t'u bërë muxhtehid, e ka të ndaluar të imitojë tjetrin, ngase ai e ka për obligim që të angazhohet në nxjerrjen e dispozitë s për çështjen që kërkon shpjegimin e tillë. Dhe, po qe se ndodh që ai t'i pyesë dijetarët për të rikujtuar çështje fetare, kjo i lejohet. Por, kur ndodh që dikush të jetë muxhtehid për disa çështje dhe për të gjitha çështjet, atëherë ai ka të drejtë të pyesë për ato çështje që nuk ka bërë ixhtihad.
Kategoria e dytë: Pyetësi që nuk e ka arritur gradën e ixhtihadit, e ka për obligim që të pyesë për njohjen e dispozitës së Sheriatit. Ajo që e bën të obligueshme pyetjen për një çështje së cilës nuk i dihet dispozita, janë dy kushte:

Kushti i parë: që pyetësi të mos jetë muxhtehid.
Kushti i dytë: domosdoshmëria e njohjes së dispozitave të Sheriatit. Ky kusht dallon tek secili person, si f. v. kur personi është i aftë psikikisht dhe ka hyrë në moshën madhore, duhet t'i njohë dispozitat e namazit; kur të vijë koha e agjërimit të ramazanit, duhet të njohë dispozitat e agjërimit etj.
Pra, thënë shkurt, njerëzit e rëndomtë e kanë për obligim të kërkojnë shpjegime nga dijetarët për njohjen e dispozitave fetare, për të cilat është i obliguar nga legjislatura islame.

Kategoria e tretë: pyetësi që nuk e ka obligim të pyesë por i lejohet që të pyesë. Kjo kuptohet në atë mënyrë kur pyetësi dëshiron të pyesë për dispozitën e ndonjë çështjeje për të cilën nuk ka nevojë, si f.v. njeriu i cili nuk është në haxh, pyet për shpjegimin e dispozitave të Haxhit. Pra pyetësi i tillë nuk është i obliguar të pyeste për ato çështje, për të cilat nuk ka nevojë në mënyrë të domosdoshme, por që i lejohet atij të pyesë.

Shënim: Pyetësi duhet të pyesë atë që është më i njohur për të dhënë fetva, e po qe se ndodh që nuk ka myfti në vendin ku jeton pyetësi, ai duhet të shkojë dhe të gjejë myfti për t 'ia shpjeguar çështjen.

A i lejohet pyetësit që të pyesë më shumë se një myfti për çështjen e njëjtë

Kur ndodh që pyetësi nuk është i bindur nga përgjigjja e një myftiu, çfarë duhet të veprojë në këtë rast? Dijetarët janë të mendimit se pyetësi në këtë rast duhet të pyesë edhe ndonjë myfti tjetër. Por nëse ndodh që tash fetvatë në këtë rast të jenë të ndryshme, atëherë çfarë duhet të veprojë pyetësi? Për këtë çështje dijetarët ndajnë mendimet e tyre:

1. Pyetësi duhet t' i përmbahet fetvasë që i bën diçka të ndaluar e ta lërë fetvanë, e cila të njëjtën çështje e konsideron të lejuar.
2. Që pyetësi t'i përmbahet fetvasë së atij që është më i devotshëm dhe më i ditur. E po qe se ndodh që ai nuk mund të gjejë myftiun që është më i
devotshëm dhe më i ditur, atëherë kërkon fetva nga më i devotshmi dhe vepron sipas asaj fetvaje.
3. Që pyetësi të marrë fetvanë që sjell lehtësim.
4. Që të marrë mendimin e atij myftiu që është i njëjtë me mendimin e të tjerëve.
5. Që pyetësi të veprojë sipas cilës fetva që dëshiron ai, ngase që të gjithë janë të aftë për të dhënë fetvanë.

Përsëritja e pyetjes së njëjtë

Kur ndodh që pyetësi të ketë pyetur për ndonjë çështje, dhe më pastaj t'i ketë ndodhur e njëjta çështje, tash së dyti, duhet të veprojë sipas fetvasë së parë apo i lejohet të pyesë përsëri për të njëjtën çështje? Për këtë çështje dijetarët kanë dy qëndrime:

1. Disa janë të mendimit se në këtë rast pyetësi duhet ta përsërisë pyetjen me arsyen se ka mundësi që të këtë ndryshuar ixhtihadi i myftiut.
2. Kurse disa të tjerë janë të mendimit se pyetësi nuk ka nevojë ta përsërisë pyetjen, veçse duhet të veprojë sipas fetvasë së parë.

Mënyra dhe forma e parashtrimit të pyetjes

Forma dhe mënyra e shprehjes duhet të kenë këtë mostër, si: Cila është dispozita e Sheriatit për këtë çështje? Mund të përdoren edhe forma të tjera të pyetjes, por që të jenë të ngjashme më këtë që u mor si shembull.

Kërkimi i njohjes së argumentit nga ana e pyetësit

Rreth çështjes nëse pyetësi ka të drejtë të kërkojë nga myftiu që të tregojë argumentin se ku është mbështetur në dhënien e fetvasë, dijetarët kanë këto mendime:

1. Disa nga dijetarët janë të mendimit se pyetësi nuk ka nevojë të kërkojë nga myftiu argumentin tek i cili është mbështetur ai.
2. Kurse disa nga dijetarët janë të mendimit se pyetësi ka të drejtë të kërkojë të mësojë argumentin tek i cili është mbështetur myftiu, me qëllim që pyetësi të jetë më i qetë nga përgjigjja e myftiut. Kur myftiu i tregon argumentin, qoftë ajetin, hadithin, ixhmain apo kijasin, atëherë pyetësi qetësohet dhe rehatohet për përgjigjen e myfti-ut, por nëse ai thotë se fetvaja është sipas mendimit tim, atëherë pyetësi do të pyesë ndonjë myfti tjetër për këtë çështje.

Mirësjellja e pyetësit

Pyetësi duhet të jetë i sjellshëm ndaj myftiut, kur të flasë me të, të mos e ngrejë zërin, të mos bëje pyetje pa i marrë leje, të gjejë vendin dhe momentin e përshtatshëm për t'i parashtruar pyetjen myftiut, të mos i parashtrojë pyetja derisa ai është i zënë me ndonjë punë tjetër, etj. Thënë shkurt, pyetësi duhet ta respektojë myftiun në mënyrën më të mirë të mundur.

A duhet të japë fetva për një çështje kur dikush e di dispozitën e saj

Rreth kësaj çështjeje dijetarët ndajnë mendimet e tyre:

1. Disa janë të mendimit se kjo lejohet.
2. Disa të tjerë janë të mendimit se lejohet të japë feta, nëse argumenti ku është mbështetur fetvaja, është ajet ose hadith.
3. E disa nga dijetarët e ndalojnë krejtësisht mundësinë që ai të japë fetva pavarësisht nëse e di apo jo dispozitën dhe argumentin ku është mbështetur dhënia e fetvasë.

Konsideroj se, nëse dikush njeh normën e ndonjë dispozite dhe argumentin ku është mbështetur fetvaja, mund të japë shpjegime duke thënë se kështu e ka dëgjuar myftiun, por nëse është e mundur, do të ishte më mirë që ai të ofrojë tekstin e fetvasë.

A lejohet të jepet fetva nga dikush që nuk është dijetar, por i ka librat e hadithit?

Kësaj pyetjeje më së miri i është përgjigjur Ahmed bin Hanbeli r.a., i cili ishte pyetur nga i biri i tij nëse i lejohet të japë fetva dikujt që i ka librat e hadithit, librat që tregojnë mospajtimet e ashabëve, por që nuk ka dije për të njohur kategorinë dhe senedin e hadithit. Imam Ahmedi r.a. ishte përgjigjur: "Nuk i lejo-het të japë fetva dhe as të veprojë sipas asaj, pa i pyetur ata që janë dijetarë".

Kërkimi i autorizimit nga prijësi i myslimanëve për të dhënë fetva

Rreth çështjes nëse duhet të ketë autorizimin nga prijësi i myslimanëve, kur të japë fetva dikush, dijetarët myslimanë kanë këtë shpjegim: për atë që i plotëson kushtet për të qenë myfti dhe në të njëjtën kohë është i autorizuar nga prijësi, nuk ka kurrfarë pengese, por jo vetëm kaq, myftiu i autorizuar madje e ka obligim që të japë fetva. E për sa i përket atij që i plotëson kushtet për të dhënë fetva po që nuk ka autorizim nga prijësi, atij i lejohet të japë fetva pa marrë leje nga prijësi, sepse fetvaja është shpjegimi i çështjeve fetare, e ai që është i aftë për t'i shpjeguar, duhet t' i shpjegojë detyrimisht, sepse për shpjegimin e çështjeve fetare nuk kushtëzohet kërkimi i autorizimit nga prijësi.

Shënim: Duke i parë rrethanat tek ne, këtu në Kosovë, e shoh të arsyeshme që çdokush të mos japë fetva, po kjo t'i mbetet përgjegjësi institucionit që është përgjegjës për çështjet fetare, me të vetmin qëllim që të mos shkaktohet ndonjë konfuzion në mesin e xhematiinjve. Kam parasysh që të mos jepen përgjigje për çështje të ndërlikuara, kurse për çështjet e veprimeve të domosdoshme të myslimanit, siç janë dispozitat e namazit, abdesit, ezanit e të ngjashme, ato duhet t'u shpjegohen xhematlinjve patjetër, sepse janë çështje të shpjegueshme dhe të qarta.

Mosdhënia e fetva së në raste të veçanta

Ka raste kur myftiu, edhe pse ka mundësi për të dhënë feta dhe është në gjendje të përgjigjet, - megjithatë, për disa arsye nuk përgjigjet. Ne po i përmendim disa raste:

1. Kur ndodh që pyetësi të kërkojë ndonjë fetva, po myftiu e vëren se ai po pyet që, me anë të fetvasë, të arrijë ndonjë qëllim të keq.
2. Kur pyetësi pyet për ndonjë çështje shumë komplekse, saqë nuk do të jetë në gjendja ta kuptojë shpjegimin dhe në të njëjtën kohë kjo çështje nuk është prej gjërave të domosdoshme që duhet të njihen, - në këtë rast myftiu nuk do të përgjigjet, me të vetmin qëllim që të mos krijohet ndonjë kon-fuzion dhe keqkuptim.
3. Kur pyetësi pyet për ndonjë çështje që nuk ka ndodhur ende, myftiu nuk do të përgjigjet, duke mbajtur parasysh faktin se mund të ndryshojë ixhtihadi i tij në momentin kur të ndodhë çështja.
4. Myftiu nuk do të përgjigjet kur nuk është në humor të mirë për t'u përgjigjur, si f.v. është i hidhëruar i uritur i etur, i sëmurë, i brengosur, i frikësuar e të tjera të ngjashme, që nuk e lejojnë atë të përqendrohet mirë në dhënien e fetvasë.

Fetvaja të jetë e qartë

Meqë fetvaja është shpjegim i dispozitës së ndonjë çështjeje fetare, ajo duhet të jetë doemos e qartë dhe shumë e kuptueshme. Me shpjegimin e qartë nënkuptohet që, kur të jepet fetvaja, të përdoren shprehje të kuptueshme dhe që të mos i lihet pyetësit e paqartë se çfarë të veprojë, f.v. duke i thënë se për këtë çështje ka dy mendime, ngase pyetësi kërkon shpjegim të prerë, në mënyrë që të veprojë më pastaj sipas asaj fetvaje.
Po ashtu në dhënien e fetvasë duhet mbajtur parasysh edhe fakti që nganjëherë duhet me qenë i shkurtë në dhënien e fetvasë e nganjëherë ajo duhet shpjeguar gjatë; kjo bëhet në varësi prej aftësive të pyetësit dhe materies që kërkon shpjegim.

Ndryshimi i fetva së me ndryshimin e kohës dhe të vendit

Fetvaja ndryshon me ndryshimin e kohës dhe të vendit përderisa norma e Sheriatit është vendosur mbi bazat e traditës së vendit, prandaj, me ndryshimin e traditës dhe kur tradita e re nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Sheriatit, atëherë edhe fetvaja mund të ndryshojë. Si shembull për këtë, mund të përmendim çështjen e dhënies së sadakatul fitrit që i Dërguari s.a.v.s. e ka përcaktuar të jepet me hurma, grurë, rrush të thatë dhe djathë. Për këtë dijetarët më vonë kanë dhënë fetva se lejohet të jepet sadakatul fitri edhe me misër, oriz e të ngjashme, sepse këto janë ushqimi ditor i çdokujt, ose më vonë jepet fetva të jepet sadakatul fitri edhe në të holla.

Të përdorurit e shprehjeve të ashpra dhe të betuarit gjatë dhënies së fetva së

Në raste të nevojshme apo në rastet kur është interesi i përgjithshëm, lejohet që myftiu të tregohet rigoroz në shprehje, kur të japë fetvanë, si p.sh. të thotë se për këtë çështje ekziston konsensusi i dijetarëve; unë nuk di që dikush është kundër kësaj fetvaje; kush e kundërshton këtë fetva, ka bërë mëkat dhe ka kundërshtuar Allahun, e të ngjashme me këto shprehje. Po ashtu lejohet që myftiu të betohet në Allahun për vërtetësinë e fetvasë në raste të veçanta dhe për çështje shumë kritike, kur vendimi i fetvasë mbështetet në argumente të prera.(5)

Ç'duhet të ketë parasysh kur dikush jep fetva në e shkruar, po që është dhënë nga dikush që nuk është i aftë për të dhënë fetva

Kur ndodh që të hasim në ndonjë fetva të shkruar, por që është dhënë nga dikush që nuk i plotëson kushtet që të jetë myfti, atëherë myftiu duhet ta eliminojë emrin e atij që ka dhënë fetvanë edhe nëse fetvaja është e saktë. E po qe se ndodh që fetvaja të jetë e pasaktë, atëherë edhe fetvaja duhet fshirë dhe eliminuar. Mirëpo ky eliminim dhe kjo fshirje duhet të bëhen me lejen e atij që ka në pronësi letrën e fetvasë. E nëse ndodh që pronari i letrës ku është fetvaja, refuzon të fshihet emri i atij që ka dhënë fetva, apo edhe të eliminohet fetvaja tërësisht, atëherë myftiu duhet t'i japë atij fetva me gojë dhe të pengoj fetvanë e cila është e shkruar në letër. Kështu veprohet për të vetmen arsye që njerëzit të mos mendojnë se ai që e ka dhënë fetvanë në letrën e shkruar, është myftiu që i plotëson të gj itha kushtet e fetvasë.
Të vepruarit sipas fetva së Kur jepet fetvaja nga myftiu i cili i plotëson kushtet që të jetë myfti, atëherë pyetësi vepron sipas asaj fetvaje dhe në këtë mënyrë ndjek shpjegimin e myftiut, por nëse ndodh që myftiu tërhiqet nga fetvaja e tij para se të veprojë sipas saj pyetësi, dhe pyetësi njoftohet për tërheqjen e myftiut nga fetvaja, - atëherë ky e ka të ndaluar të veprojë sipas kësaj fetvaje, nga e cila është tërhequr myftiu. E kur ndodh që pyetësi të ketë vepruar sipas fetvasë pa e ditur se myftiu ishte tërhequr prej fetvasë që i kishte dhënë, atëherë, kur të kuptojë pyetësi se myftiu ishte tërhequr nga fetvaja që i paska dhënë, pyetësit i duhet dhënë një fetva e re, edhe në qoftë se fetvaja e re do ta detyrojë atë që të anulojë ndonjë veprim të tij. Si p.sh., nëse sipas fetvasë së mëhershme i është lejuar të martohet me gruan e tij, por pasi që myftiu të jetë tërhequr nga fetvaja e tij dhe më pas të ketë dhënë fetva të re që e detyron atë për ta prishur aktin e martesës, duhet të prishet ky akt dhe të ndahet nga gruaja e tij. Kjo vlen vetëm atëherë kur myftiu tërhiqet nga fetvaja e mëhershme për shkak se fetvaja e tij bie në kundërshtim me argumentet e prera të Sheriatit. Por, nëse ndodh që myftiu të tërhiqet nga fetvaja e tij jo pse ajo është në kundërshtim me ndonjë argument të prerë të Sheriatit, por vetëm sepse ixhtihadi i tij ka ndikuar që të ndryshojë fetvanë, nuk është e domosdoshme që nëse pyetësi ka vepruar sipas fetvasë së parë, më pastaj të prishë ndonjë akt-marrëveshje për shkak se ky ka vepruar sipas ixhtihadit që myftiut i është dukur më herët si i ligjshëm.

Përfundim

Në përfundim të këtij punimi të shkurtër dhe modest, është mirë t'i përmendim disa çështje shumë me rëndësi që na ofron institucioni i fetvasë. Disa prej tyre janë:

1. Ky institucion është shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe progresin e shoqërisë myslimane.
2. Çdo ndodhi dhe çfarëdo problemi që shfaqet në fenë islame, falë këtij institucioni, ka zgjidhje të duhur fetare.
3. Fetvaja është një institucion i domosdoshëm për çdo kohë dhe çdo vend ku jetojnë myslimanët.
4. Për shkak të rëndësisë së madhe dhe rolit shumë të madh që ka ky institucion, myslimanët duhet t' i kushtojnë shumë rëndësi po ashtu, si i kanë kushtuar rëndësi gjeneratat e mëparshme islame.

Fusnotat:

1. Gjatë këtij punimi kryesisht jam bazuar në librin "Usulu Daveti" nga autori dr. Abdul Kerim Zejdani.
2. Muxhethid konsiderohet ai person i cili i plotëson kushtet për t' i njohur dispozitat e Sheriatit në mënyrë të hollësishme dhe mënyrën e rezultimit të tyre nga burimet e sheriatit.
3. Transmetohet se Abdullah bin Mes'udi r.a. dhe Ibn Abbasi r.a. kanë thënë: a i cili përgjigjet për çdo çështje që pyetet ai është i çmendur.
4. Kur ndodh myftiu të jep fetva ashtu si u konvenon apo ashtu si kanë dëshirë pyetësit, të tillin myftiu prijësi i myslimanëve duhet ta shkarkoj nga detyra dhe ta pengojë nga dhënia e fetvasë. Po ashtu kur ndodh që dikush të japë fetva, por shihet se është injorant në dhënien e fetvave, edhe ky duhet të pengohet të japë fetva dhe, po qe se është i ngarkuar me këtë detyre, duhet shkarkuar.
5. Për atë se lejohet të betohet në vërtetësinë e fetvasë si argument është ajeti kuranor: "E ata kërkojnë t'u tregosh (e do të thonë): "A është e vërtetë ajo (që thua për dënimin)?". Thuaj: "Po, pasha Zotin tim, ajo është më se e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ta pengoni kurrsesi".



Mr. Flamur Sofiu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip