Nata e Regaipit, Nata e Israsë dhe Miraxhit, nata e …. janë alarme për besimdrejtit muslimanë, janë thirrje se koha po ecën e po na shpie drejt momenteve më të mëdha, janë shenja paralajmëruese se momentet më të çmuara të vitit po arrijnë.
Alarmi po bien, sepse po vie muaji më i bekuar i vitit, ditët, netët, javët nuk janë si përherë, por janë më të begatshme , më të çmuara, ngase simboli i së ligës nuk ka hapësirë për veprim, inspiruesi i së ligës është i izoluar.
Pengamberi a.s. thotë: “Kur arrin muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët ”.1
Vëllezër dhe motra më poshtë po u kujtoj fjalët më të çiltra, porosit e të Dërguarit tonë Muhamed Mustafasë s.a.w.s , i cili momentet para se të vinte Ramazani kujtonte shokët e tij me: “O njerëz, po ju afrohet një muaj i madh dhe i begatshëm, muaj në të cilën është një natë, e cila ka vlerën e më shumë se një mijë muajve të tjerë. Zoti xh.sh e ka bërë farz (obligim) agjërimin e tij, kurse faljen e natës së tij, synet. Ai që bën një punë të mirë në të është sikur të zbatonte një farz (obligim) jashtë këtij muaji, e kush kryen një farz në këtë muaj është sikur t’i kryej shtatëdhjetë farze. Ramazani është muaji i durimit (sabrit), kurse shpërblimi i sabrit është Xheneti. Ai është muaj i mëshirës, muaj i barazisë, është muaj në të cilën besimtarët i shtohet rrizku. Ai që jep iftar një agjëruesi fiton faljen e mëkateve dhe shpëtimin nga zjarri dhe ka shpërblim sa agjëruesi pa ju pakësuar asgjë nga shpërblimi i tij”.2
O vëllezërit e mi, e vërejtët, se para vetës kemi një rast ideal, shfrytëzo këtë rast, frenohu nga jeta e brishtë materiale, jepi pak hapësirë edhe anës shpirtërore, le të merr frymë nga dinamika materiale që po e ngulfat, fali pak kohë sepse ajo është esenca e qenies tënde. Agjëro me anën materiale që ta ushqesh anën shpirtërore, sepse vetëm kështu do të jetosh në paqe, lumturi të përjetshme.
Agjërimi, si obligimi i veçantë, është një parim që Allahu me këtë ofertë kërkon pak nga ti, por të jep shumë më shumë:
Ti agjëron e Allahu Të fal, Të mëshiron, t’i hap dyert e parajsës, t’i mbyll ato të ferrit (të ligës) për një muaj ta ndal kohën dhe atë ta llogarit sa një mijë muaj.
“Ne e zbritëm atë (Kur`anin) në natën e Kadrit. ë ç`të bëri të dijsh se ç`është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e dobishme se njëmijë muaj! Suretu El-kader 3)3
A është ofertë e një jete njerëzore ?
Zoti na thërret për këtë vepër ideale me fjalët: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.4
Allahu nga urdhri në fjalë, na thërret grupin e vetëm të shpëtuar, që besojnë realisht drejt, për agjërim duke na njoftuar se çdo popull ka njohur agjërimin në forma e mënyra të caktuara. Allahu na thërret me këtë obligim, ku në fund na tregon qëllimin e kësaj thirrjeje me qëllim që të klasifikohemi si njerëz të mirë apo nëse dëshirojmë të fitojmë epitetin njerëz të devotshëm leal-lekum tetekun, që të bëheni të devotshëm, e kjo është shpërblimi më i mirë që rëndësinë ia dinë vetëm besimtarët e mirëfilltë e kjo arrihet përmes agjërimit.
Nëse hulumtojmë dhe zbërthejmë kuptimin e fjalës Essijam-agjërim: në kuptimin etimologjik (gjuhësorë) d.m.th.: përmbajtje, abstenim, lënie, braktisje, ndërsa në kuptimin terminologjik, heqje dorë nga gjërat që e prishin agjërimin nga imsaku e deri në iftar.
Përmbajtja nga ushqimi, pija dhe …. do të ishte vetëm hyrje në agjërim, kësaj liste duhet shtuar përmbajtje a frenim nga të shikuarit të ndaluar, të dëgjuarit haram, me një fjalë të agjërosh me tërë personalitetin tënd, me tërë qenien tënde, ngase vetëm kështu manifeston cilësitë e muslimanit të vërtet dhe vjel frutat e agjëruesit.
Pra, feja Islame të thërret në vlera, në moral, në nënshtrim, ndaj Zotit, në respekt tjetrit, thjesht të thërret në natyrshmërinë tënde.
O musliman, a dëshiron t`i vjelësh frutat ideale të agjëruesit?
O njeri, a dëshiron të pushosh përjetësisht nën hijen e xhenetit?
O më i larti i krijesave, a kërkon që nesër të dëgjon afshet e gurgullimat e ujit të Keftherit?
Atëherë nënshtrohu plotësisht Atij që të krijoi dhe të zgjodhi enigmën pse jeton ?
Dobitë mjekësore, psikologjike… e të tjera janë të panumërta, që janë të vërtetuara edhe shkencëtarisht për atë që agjëron, a e dini pse? Sepse shumë thjesht, është urdhër, i Zotit, i Krijuesit Tënd, Ai që të krijoj Ty dhe vetëm ai e din se çfarë të nevojitet ty në jetë, vetëm Ai, që e din se si funksionon trupi yt, Ai që din për qelizën tënde çfarë kërkon dhe cili është ilaçi i saj.
O njerëz të mirë në këtë muaj edhe netët janë dritë, sepse në një moment të këtij muaji u ndal koha dhe filloi të shkruhen nga e djathta, fletët e mbetura të historisë njerëzore.
Në këtë muaj, ne muslimanët kujtojmë zërin e fuqishëm të melekut Xhibril të drejtuar përfaqësuesit të njerëzimit, Të Lavdëruarit Mustafasë me imperativin “LEXO”.
Shpella e errësuar, meleku në formën e tij të vërtet që kishte mbështjellur tërë horizontin me krahët e Tij, në anën tjetër shpirti i ndritur në trupin e çiltër që dridhej i tëri nga skena që po përgatitej për të dhe tërë njerëzimin, vetëm disa momente e ndanin nga fitimi i epitetit “i dërguar” i cili pranon urdhrin prej katër harfeve që janë djep i kulturës, civilizimit e përparimit njerëzorë.
Ne muslimanët i tregojmë botës se ne agjërojmë, abstenojmë në kujtim të momenteve të lartshënuara duke falënderuar Krijuesin që edhe një herë i dha rast njeriut të rimëkëmbet dhe ta arsyeton gradën e cila iu dha “zëvëndës i Tij në tokë.
Ramazani është një ofertë një rrugëtim për në Xhenet.
Oferta që ka Mëshiruesi për Ty në këtë muaj është:
* Një vepër të shpërblehet duke filluar një me dhjetë e më shum;
* Veprat vullnetare të llogariten si të jenë obligim;
* Detyrat , obligimet të shpaguhet sa shtatëdhjetë të tilla;
* Për ty lutet edhe peshku në thellësi të detit;
* Aroma e gojës sate është më e këndshme se sa erërat më të këndshme.;
* Për ty luten edhe engjëjt në qiell;
* Agjërim do të ndërmjetësojë për ty nesër, në çastet më të nevojshme;
* Ti je duke kryer obligimin e njëjtë si¬ç e kreu Ibrahimi a.s., Musai, Isai e Muhamedi a.s.
* Ta dish se ti je duke kryer imperativin e Zotit, pra iu përgjegje dhe do marrësh përgjigje vetëm nga Ai; (çdo vepër e a pasardhësit të Ademit është për të, përveç agjërimit, agjërimi është për Mua dhe Un do të shpërblejë për të…5
Je krenar, O agjërues, mbase je më i fuqishmi që triumfuat në këtë betejë, e ai që u dorëzua para këtij urdhri është dezertorë dhe e quajmë të dobëta?
T`i agjëron: Ai të fal, të Mëshiron, Të donë, të donë, dhe nga prangat e djallit të liron.
Pra, mere lapsin, analizo këtë ofertë dhe shpresoj se rreshtat e sipërm do të rezultojnë me kthim nga Krijuesi Yt.
1 Transmeton Ebu Hurejra
2 Transmeton Selman Farisiu
3 El-kader 1-3
4 El-Bekare-183
5 Sahihul Buhari, 5, Prishtine 2001,nr. 1904 fq.124