Gjatë gjithë historisë njerëzore, që nga familja e njeriut të parë, kanë ndodhur gjëra të pahijshme nga njerëzit, marrë parasysh se njeriu është qenie e cila gabon dhe e cila i është nënshtruar propagandës permanente të djallit për ta devijuar nga e vërteta.

Mirëpo, në të gjitha rastet, e pavërteta dhe gënjeshtra nuk ka qenë pa opozitë nga forcat konstruktive në shoqëri të cilat e kanë dënuar dhe e kanë ngritur zërin kundër maskarallëqeve të cilat e kanë zhvleftësuar dinjitetin e njeriut dhe pozitën e tij si qenie më të dalluar të Zotit, të cilit i fali logjikë dhe aftësi komunikimi, e që nuk është rast me qeniet tjera të krijuara mbi këtë dhe.
Në mesin e gjërave tejet të pahijshme, nënçmuese dhe diskredituese, të cilat flasin për një deficit të theksuar intelektual dhe moral të protagonistëve të saj, pa dyshim është shpifja ndaj njerëzve, apo gënjeshtra për dikë se ka bërë diçka, e ai në fakt nuk ka asnjë lidhje me veprimin e tillë.
Historia islame dhe ajo njerëzore në përgjithësi, jo rrallëherë kanë raportuar për veprime të këtilla djallëzore të cilat janë përdorur nga palë të caktuara destruktive për të diskredituar dhe nëpërkëmbur personalitetin dhe dinjitetin e tjerëve, qoftë se kjo ka qenë prodhim i karakterit të tyre të prishur, apo ka qenë rezultat i porosisë nga ndonjë palë e tretë për të etiketuar njerëz të pastër dhe të pafajshëm me gjëra të cilat nuk i kanë bërë. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me mungesë të hatashme të kredibilitetit njerëzor dhe sfondit moral te personalitetet e këtilla të cilat identifikohen në opinion me emrin nënçmues “shpifës”.
Kështu, trashëgimia autentike pejgamberike na ka treguar raste konkrete të cilat kanë ngelur të shënuara në histori dhe që lexohen për t’u marr për shembull gjatë të gjitha periudhave historike se si nuk duhet të shndërrohet njeriu në argat të forcave djallëzore, të cilat shpifjen ndaj njerëzve e përdorin vetëm si një nga mekanizmat e futjes së deformimeve më të gjëra në komunitetet e ndryshme dhe lëkundjen e kohezionit shoqëror.
Në historitë më të vjetra tregohet për shpifje ndaj personaliteteve të devotshme, që nuk kanë pasur për qëllim vetëm personalitetin e tyre, por edhe të vetë botëkuptimin dhe praktikën e adhurimit. Shpifje e pahijshme u bë ndaj nënës së pastër të Isait a.s., Merjemes, të cilën Allahu e pastroi me shpallje dhe me mrekulli mbinatyrore të të folurit të djalit të saj duke qenë në djep. Po ashtu, burimet autentike të traditës pejgamberike tregojnë për shpifjen e dashakeqëve ndaj një adhuruesi të denjë te popujt e mëparshëm me emrin Xhurejxh, të cilin Allahu i Madhërishëm e pastroi me të folurit e vetë fëmijut të gruas shpifëse, e që lindi nga marrëdhënie joligjore. Ndërkaq, në historinë postkura’anore, në vetë shpalljen e fundit të Krijuesit drejtuar njerëzimit, në Kur’an, flitet për shpifjen ndaj gruas së të dërguarit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s., vajzës së kalifit të parë Ebu Bekrit, dhe nënës së besimtarëve, Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të. Edhe këtë, Allahu e pastroi me shpallje nga ana e Tij.
Po sot, kur më nuk ka shpallje nga Zoti, ngase ka përfunduar me shpalljen e Kur’anit, kush do t’i pastrojë ata kundër të cilëve tjerët shpifin?
Nuk duhet harruar se veprimet e këtilla meskine dhe destruktive asnjëherë nuk kanë gjetur pranim te të gjitha shtresat e shoqërisë, pa marrë parasysh se cilës fe i kanë takuar njerëzit. Nëse një grup që kanë pasur natyrë të njëjtë të prishur si shpifësit kanë qeshur për këtë fëlliqësi, pjesa më e madhe e kanë dënuar dhe përbuzur një veprim të këtillë, ngase të keqen e mbështesin vetëm njerëzit e sëmurë shpirtërisht, por jo edhe njerëzit me moral dhe personalitet të shëndoshë.
Shpifja në fakt është gënjeshtër që e fabrikon dikush dhe pastaj me këtë gënjeshtër e akuzon një të pafajshëm. Do të thotë, shpifësi është gënjeshtar dhe fabrikues i gënjeshtrave për tjerët. Kjo dhe në mësimet islame gënjeshtra është e ndaluar dhe veti e përbuzur e cila sipas një hadithi autentik të Muhamedit, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk mund të jetë bashkë me besimin në zemrën e njeriut. Nëse është prezentë gënjeshtra, besimit i është zënë vendi, kështu ka thënë vetë i dërguari i Allahut. Po ashtu, në një thënie tjetër, kur flet për cilësitë e munafikëve-hipokritëve, thotë se ata kur flasin rrejnë, e shpifja është një formë edhe ma e ligë e rrenës, gjegjësisht personi përkatës rrenë dhe këtë rrenë ia mvesh dikujt tjetër, pra shpif për të.
Islami kërkon prej muslimanëve në përgjithësi dhe veprimtarëve islamë, apo si që njihen në vokabularin popullor, hoxhallarëve, ta luftojnë këtë dukuri të zymtë dhe të mbrapshtë, dhe t’i thirrin njerëzit që të largohen nga shpifjet dhe gënjeshtrat, ngase ato i urren Allahu i Madhërishëm.
Mirëpo, çka do të themi kur disa nga ata që kërkohet ta luftojnë këtë dukuri devijante, pra shpifjen, vetë e kultivojnë, bile, edhe këtë e lansojnë nga mediumet e institucionit fetar në emër të të cilit flasin në publik dhe i cili duhet të jetë simbol i prodhimit të vlerave të mirëfillta dhe lëshimit të mesazheve të mirësisë, e jo të keqpërdoret nga njerëz me deficit intelektual dhe moral, ngase në këtë aludojnë hadithet që e ndalojnë rrenën. Ata në mediumet e institucionit, si që është web faqja zyrtare, lansojnë gënjeshtra dhe shpifje ndaj hoxhallarëve, pa marrë parasysh sa është numri i tyre, dy apo dyqind. Popullata ndanë nga goja e vet që ta financojë mirëmbajtjen e institucionit fetar që të jetë shembull në shoqëri, e nuk financon që dikush të ulet në karriget e zyrave të tij dhe të ushqehet që të trashet e të fiton energji sa ma tepër të shajë hoxhallarë e të shpif ndaj njerëzve të pastër.
Duke biseduar me një mik timin, më pyeti i habitur: Vallë si është e mundur që në një listë të publikuar në web faqen zyrtare të institucionit fetar në Maqedoni, të futen emrat e dy hoxhallarëve të cilët me rastin e incidentit të ditës së xhuma në xhaminë e Isa Beut, aspak nuk kanë qenë aty? Bile thuhet se nga kamera kemi arritur t’i identifikojmë këta persona, dhe përmenden këta dy hoxhallarë që aspak nuk kanë qenë në xhami? A është e mundur të arrijë joserioziteti, mos them rrena se më vjen turp ta them për ata që mbajnë shalla në kokë dhe u flasin njerëzve se nuk duhet të shpifin e të rrejnë, deri në këtë shkallë? Vallë çfarë sysh paskan ata që kanë arritur t’i shohin ata që nuk janë prezent?
Ia ktheva përgjigjen:Së pari më vjen keq për atë që ndodhi në ditën e Xhuma në Isa Beg, xhemati ynë nuk e meriton diçka të tillë, pa mos hyrë të komentoj se kush është fajtor, por vetë ndodhia si e tillë nuk i ka hije xhamisë. Ka mundur të gjinden forma tjera, mos bëhet ky maskarallëk para syve të xhematit që na ushqen me bukë që e fiton me djersën e ballit.
Për shpifjen, s’kam çka të të them, dihet qëndrimi Islam ndaj saj, e vërtetë ajo që më shqetëson është se pse këto gjëra të ndodhin në mediumet e institucionit zyrtar fetar në Maqedoni?! Nuk dua të besoj se për të parë njerëz që aspak nuk janë prezent, duhet ta rregullosh dioptrinë e syve në UDB-në e Maqedonisë. Nuk dua të besoj se ka një prapavijë të keqe që të involvohen në problem të gjitha palët, edhe ata me mjekra edhe ata pa mjekra, më fal të shprehem kështu si që thuhet në opinion. Por, faji nuk është te mjekra që është sunet i Pejgamberit, por te ata që shpifin, rrejnë dhe inskenojnë incidente. Nuk kanë si ta mbulojnë shpifjen ndaj dy hoxhallarëve që aspak nuk kanë qenë prezent, dhe atyre që kanë shkuar ta falin xhumanë në Isa Beg, por nuk kanë qenë aspak të involvuar në atë që ka ndodhur. Inshallah jam gabim, por veprimet e këtilla më japin të kuptoj se dikush ka mision që me veprime sharlatane dhe të papërgjegjshme qëllimisht e dëmton imazhin e institucionit zyrtar fetar tek ne, e pastaj kthehet dhe i akuzon tjerët se ata e bëjnë këtë.
Më pas, i thashë mikut tim: Mua më shqetëson edhe diçka tjetër. Më shqetësojnë deklaratat nga ata që thirren në emër të institucionit fetar për elemente radikale në Maqedoni. Çka është radikalizmi dhe si e kuptojnë ata radikalizmin. E tash, më lejo të të them se unë nuk dua të besoj se këto deklarata janë të frymëzuara nga ato të ministrit të jashtëm izraelit Liberman, i cili gjatë vizitave të ndërsjella çdo herë e ka potencuar çështjen e elementeve radikale fetare në Maqedoni.
Mendoj se gjërat janë të qarta, por njerëzit duhet mos pajtohen me gënjeshtrën dhe shpifjen. Në rastin e shpifjen ndaj Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, gabuan edhe disa njerëz që nuk ishin munafikë dhe gënjeshtarë, apo që punonin konform agjendave të huaja, por kur e kuptuan realitetin u penduan dhe u tërhoqën.
Këtë duhet ta bëjnë muslimanët në çdo kohë, veçanërisht hoxhallarët, nuk bën ta ndjekin në të keqe pogllavarin zullumqar, edhe nëse e konsiderojnë legjitim.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin