Në emër të All-llahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

“Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: "Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!" Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.“ (Bekare: 155-157)

Falënderuar qoftë All-llahu i cili krijoi njerëzit dhe i bëri disa prej tyre të pasur, e të tjerët të varfër. Ai është i cili shpërblen ata të cilët bëjnë vepra të mira me shpërblim të dyfishtë, trefishtë e deri më 70.000 herë më shumë.
Dëshmojmë se Ai është i vetmi All-llah, Krijuesi i çdo gjëje të gjallë dhe jo të gjallë dhe dëshmoj që Muhamedi është robi Tij dhe pejgamberi i Tij, selamet dhe salavatet e All-llahut qofshin mbi të, mbi as’habët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin atë derisa ka jetë në gjithësi.
Te nderuar vëllezër besimtar, po jetojmë në një kohë të ngarkuar me shumë ngjarje dhe dukuri të pazakonta. Koha në të cilën po jetojmë është karakteristikë edhe për disa dukuri që po tronditin boten dhe që kanë të bëjnë me katastrofat natyrore. Jemi dëshmitar që kohët e fundit, vitet e fundit, njerëzimi po ballafaqohet me katastrofat të mëdha natyrore, të cilat po lëkundin planetin tonë dhe po vështirësojnë jetën e banorëve të saj. Ato përfshijnë disa lloje të fatkeqësive natyrore sikurse janë: zjarret e mëdha, stuhi dhe uragane, përmbytje dhe cuname, vullkane dhe tërmete katastrofike, që të gjitha këto shkaktojnë shkatërrime dhe dëme të mëdha si në mjete materiale, ekonomi, por edhe më keq në viktima njerëzore.
Para pak kohësh patëm rastin të shohim dy fatkeqësi të tilla, të cilat ishin shkatërrimtare për vendbanimet ku ato ndodhën. Përmbytja e madhe që ndodhi në zonën e Shkodrës dhe tërmeti i fuqishëm në Haiti.
Sot kemi Pakistanin dhe popullin vëlla musliman. Kemi krizën e Pakistanit të shkaktuar nga vërshimet e papara, krizë, e cila paraqet njërën nga sprovat më të mëdha të solidaritetit global. Mbi 2000 njerëz të vdekur, 20 milion njerëz janë përfshirë dhe janë në rrezik nga vërshimet e pandalshme, vërshimet më të mëdha në historinë e Pakistanit, nga të cilat një milion njerëz kanë mbetur pa strehë, afër 7 milion fëmijë janë goditur nga kjo katastrofe, prej të cilëve afër 5 milion janë rrezikuar nga sëmundjet e ujit të papastër.. Shkatërrime të mëdha shtëpish e banesash, fshatra të tëra të përmbytura nga uji dhe vërshimet e tij, shkatërrim pasurish etj. (www.bitno.ba )

Vëllai yt është xhenneti yt
Njeriun në rrugën e tij jetësore e godasin vështirësi dhe fatkeqësi të ndryshme dhe shpesh ka nevojë për ndihmën e shoqërisë dhe të mjedisit ku jeton. Këtë rast pikërisht ti duhet ta shfrytëzosh. Duhet të jesh ndihmëtar i sinqertë i vëllait tënd, ndihmëtar i cili përpiqet t'ia zgjidhe dhe t'ia plotësojë nevojat e tij, t'ia lehtësojë vështirësitë dhe brengat që e kanë kapluar. Nuk ka njeri apo ndonjë komb në botë që nuk ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme. Rreziqet për njerëzit janë gjithnjë të pranishme. Nganjëherë ato shkaktohen nga njerëzit e herën tjetër nga fatkeqësitë natyrore. Nganjëherë janë më të vogla dhe më pak të dëmshme e herën tjetër janë dramatike dhe me pasoja katastrofale. Por, gjithmonë një gjë është e ditur se ato janë sprovë dhe test për të dyja palët: si për ata të cilët janë goditur nga fatkeqësia, po ashtu edhe për ata të cilët nuk i ka përfshirë stuhia e fatkeqësive dhe e telasheve. Të parët Zoti i sprovon me sabër dhe qëndrueshmëri të dytët me gatishmërinë e tyre për ndihmë dhe solidaritet. Të parët tonë thoshin: „dynjaja është dever (e rrumbullakët)“, prandaj edhe ka një zhvillim riciklues të situatave dhe ngjarjeve në historinë e njerëzve dhe të popujve. Para disa vitesh ne patëm rrezikun e luftës së shkaktuar nga njerëzit e pandërgjegjshëm dhe të pa tru. Ishte sprove për ne, por njëkohësisht edhe test dhe sprovë për pjesën tjetër të botës, si asaj jo-muslimane, po ashtu edhe asaj muslimane.
Sot jemi përsëri në test, në sprovë për të ndihmuar popullin Pakistanez, të cilët gjatë luftës në Kosovë nuk kanë kursyer as kohën, as mundin as pasurinë e tyre, të cilën e patën sakrifikuar dhe vënë në dispozicion të Kosovarëve. Vetë jam dëshmitarë i ndihmës humanitare që i është dhënë popullatës shqiptare (refugjatëve) në Shkodër dhe në qytete tjera të Shqipërisë nëpërmjet shoqatës humanitare “Convoy of Mercy”. Po ashtu jam dëshmitar edhe i ndihmës të cilën këta njerëz e dhanë në Kosovë pas luftës, sidomos në ndërtimin e shtëpive të rrënuara në komunën e Prizrenit, Skenderaj etj. Ndihmën që u kanë dhënë institucioneve të ndryshme publike kulturore, edukativo- arsimore, humanitare dhe shëndetësore. Këta janë ata të cilët përmes “Karvanit të Mëshirës” udhëtonin me ditë të tëra me automjete duke sjellë ndihma humanitare nga Anglia – Londra, ndihma të cilat i kishin grumbulluar nga vëllezërit tanë pakistanez që jetojnë në Londër, por edhe të atyre në Pakistan. Ka shumë njerëz kosovarë, të cilët e kanë përjetuar drejtpërsëdrejti ndihmën e tyre dhe ata të cilët e lexojnë këtë shkrim do t’ju kujtohet. Por, çfarë dobi ka nga kujtesa, e cila fshihet sa qel e mbyll sytë dhe nuk riaktivizohet më kurrë. Prandaj, është koha që të kujtohemi mirë dhe të mendojmë e të veprojmë në këtë drejtim. Afër njëzet milion njerëzve duhet t’u sigurojmë ushqim, ujë të pijshëm, strehim dhe ndihmë mjekësore. Kush duhet të bëjë këtë? Të gjithë njerëzit, të gjithë ata të cilët e ndjejnë këtë përgjegjësi dhe të cilëve akoma nuk u ka vdekur ndërgjegjja. Nuk ka rëndësi sa ke sakrifikuar, me rëndësi është të marrësh pjesë në këtë solidarizim global. Prandaj, të nderuar vëllezër shqiptarë dhe mysliman kudo që jeni mos ia lejoni vetes luksin e rehatisë dhe të kënaqësisë në shtëpitë tuaja, sepse nuk i dihet çka sjell e nesërmja. Të papriturat janë të papritura, janë të shpejta dhe në një moment ia beh e keqja dhe ti nuk mund të mbërrish as të familja. Si ka mundësi një mysliman kudo qoftë ai të bëjë gjumin rehat kur e di se në botë, në Pakistan vdesin njerëz, fëmijë, gra e burra nga uria. Pejgamberi (s) ka thënë: “Nuk është musliman ai njeri i cili bjen në gjumë i ngopur e fqinji i tij është i uritur dhe ky e di këtë.”

Vallë a ka ndonjë prej nesh që përjeton ndjesi të tilla? A ka ndonjë që nuk e zë gjumi natën, për shkak se ka vende në botë, të cilat janë përfshirë nga skamja e uria? A ka ndonjë që ndjen sikur i është shkatërruar shtëpia ose po i vdes fëmija nga uria? Si do të reagojë dhe si do ta ndjesh veten sikur ty të të ishte shkatërruar shtëpia, sikur fëmijët tuaj të jenë rrezikuar nga uria, sikur familja jote të ishte në skamje, sikur njerëzit tuaj më të afërt të vuanin nga etja për shkak të ujit të papastër që është shkaktuar nga përmbytja. Si do ta ndjesh veten sikur të ishte përmbytur vendi yt. Pejgamberi ynë i dashur (s) ka thënë: “Nuk është besimtar a i njeri i cili nuk ia dëshiron atij tjetrit çfarë i dëshiron vetes së tij.”
Përse nuk e kujtojmë ajetin kur’naor në të cilin All-llahu i madhërishëm thotë:
„Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!" (Munafikun, 63:10).
Por, përgjigja e All-llahut do të jetë nuk ka më kthim prapa. Ata të cilët kanë vdekur dhe shkuar, lutja e tyre për kthim në dynja nuk është pranuar. Mirëpo, ti, vëlla i dashur akoma e ke mundësinë të veprosh dhe kur të vijë momenti i vdekjes, ta pranosh me kënaqësi, sepse e ke përmbushur misionin tënd për të cilin të ka ngarkuar Krijuesi në dynja. Ja, pra ky është rasti yt! Shfrytëzojë atë duke i ndihmuar vëllezërit e përmbytur në Pakistan.
Transmetohet nga Ebu Seidi që Pejgamberi i All-llahut (s) ka thënë:
“Nëse besimtari e ushqen një besimtar të uritur, All-llahu (xh. sh.) atë do ta ushqejë në ditën e Gjykimit me frytet e xhenetit. Nëse besimtari i jep ujë të pijë një besimtari të etur, All-llahu (xh. sh.) atë do ta ngijë nga nektari i vulosur i xhenetit. Nëse besimtari e vesh një besimtar të paveshur, All-llahu do ta veshë atë me mëndafsh të xhenetit” (Ahmedi dhe Termidhiu).

Sot na është dhënë mundësia që ne t’u ofrojmë dorën e ndihmës atyre dhe ta bëjmë të lumtur veten tonë. Si? All-llahu (xh. sh.) e jep përgjigjen për këtë:

لَن تَنَالُواْ الْبِرَّ حَتَّى تُنفِقُواْ مِمَّا تُحِبُّونَ وَمَا تُنفِقُواْ مِن شَيْءٍ فَإِنَّ اللّهَ بِهِ عَلِيمٌ
(Ali imran: 92)

Sepse ai që e ndihmon tjetrin, e bën të lumtur veten. Sepse ai që jep, merr. Ai që ka keqardhje për njerëzit, All-llahu ka keqardhje për të.
Pejgamberi (s) thotë:
“Kush ia lehtëson besimtarit një hall që ka në këtë botë, All-llahu do t’ia lehtësojë hallet e tija në Ahiret. Kush ia lehtëson dhe e ndihmon fukaranë, All-llahu do t’ia lehtësojë dhe do ta ndihmojë atë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Kush ia mbulon ndonjë të metë (apo turp) një muslimani, All-llahu do t’ia mbulojë atij të metat në të dy botët. All-lahu është në ndihmë dhe e ndihmon robin e vet për derisa robi i tij e ndihmon vëllanë e vet...” (Muslimi).

Hadithi tjetër me radhë thotë:
“ All-llahu ju ka dhënë disave pasuri që të jenë të dobishëm për të tjerët. Deri sa ata japin (nga ajo pasuri), Ai nuk ua merr. Por, në qoftë se nga të mirat e tyre privohen të tjerët, ua merr atyre dhe ua jep të tjerëve.” (Ebu Nu’ajm el-Isfahani).

Të kujtojmë veten tonë kur ne nuk kishim e ata na ndihmuan, kur ne ishim të uritur e ata e ndanë bukën e gojës e na dhanë neve.. Atëherë kur ne iknim që ta shpëtonim shpirtin dhe kokën dhe ata në dhanë strehë. Atëherë kur ata ua merrnin fëmijëve të tyre kafshatën e bukë s për t’i ushqyer fëmijët tanë. Tani e kemi ne radhën, tani jemi ne në përparësi sepse mund t’u ndihmojmë të rrezikuarave dhe të pastrehëve. Këtë e kemi obligim moral, kombëtar dhe fetar. Kjo është detyra jonë islame. Muhammedi (s) ka thënë: “Nuk është i yni ai njeri që bjer në gjumë i ngopur, e fqinji i tij është i unët dhe ky e di këtë!”
Prandaj të dashur vëllezër kudo që jeni, mos ngurroni, ndihmojeni atë të cilët sot kanë nevojë për ju, sepse mund të ndodh nesër që ju përsëri do të trokisni në dyert e të tjerëve. T’ju përkujtoj se edhe popujt tjerë jo-musliman janë mobilizuar dhe po solidarizohen me popullin pakistanez. Për shembull, këtu në Austri, shteti, tani për tani ka ndarë 5 milion € ndihmë për Pakistanin. Sot, një shoqatë e grave austriake në Linz, për një kohë shumë të shkurtër ka grumbulluar 40 mijë €. Por ka edhe shumë shoqata e individë, bashkësi e shtete të cilët çdo ditë angazhohen për të grumbulluar ndihma për këta njerëz. Por, një gjë duhet ta dimë se ato kurrë nuk janë të mjaftueshme. Sepse tash për tash Pakistanit i duhen 43 miliardë dollar për t’u rimëkëmbur.
Me qenë se çdo njeri duhet me veprën e vet të jetë shembull për të tjerët, atëherë edhe ne shqiptarët e Austrisë të mbledhur rreth “Unionit të shqiptarëve mysliman” në Austri, kemi shpallur aksioni për grumbullimin e mjeteve financiare për vëllezërit tanë në Pakistan. Janë 10 “Qendra islamike shqiptare”, të cilat do të realizojnë këtë nismë dhe do të shohim rezultatin përfundimtar. Dashtë All-llahu që edhe ne të japim pjesën tonë të kontributit dhe sakrificës për të tjerët, sepse njerëzit bëhen të mëdhenj nëse sakrifikojnë atë që e kanë më të dashurën për të tjerët, për njerëzit në përgjithësi. Pejgamberi (s) ka than: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri dhe më i dobishmi për të tjerët.”
Dhe së fundi kush dëshiron të ndihmojë Pakistanin dhe popullin e tij, një mundësi është edhe nëpërmjet “Unionit të shqiptarëve musliman në Austri”. Nr. i gjiro-llogarisë është: Dachverband der albanischen Muslimen in Österreich (DAMÖ)
Raiffeisenbank Perg - Kontonummer: 9554593 - BLZ 34777
All-llahu e ndihmoftë popullin e vuajtur pakistanez duke u dhuruar sabër dhe qëndrueshmëri e neve të tjerëve gatishmëri për solidaritet dhe ndihmë konkrete. Amin.
All-llahu ju shpërbleftë me gjitha të mirat, e zonave të shkatërruara dhe familjeve atje përmirësim dhe rehabilitim sa më të shpejtë. Amin


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi