Pushimi (qetësia) mes sexhdeve

Pasi të përfundojë namazfalësi nga sexhdeja e parë, ngrihet prej saj dhe qëndron në pozitën ulur derisa trupi të qetësohet (pushojë) dhe më pas bëhet gati për sexhdenë e dytë. Të ndenjurit mes sexhdesë së parë dhe së dytës quhet" qetësia (pushimi) mes dy sexhdeve" apo edhe si "ulja mes dy sexhdeve".

Dijetarët hanefi kur e trajtojnë këtë mesele, në librat e tyre përmendin se së pari ngrihet koka nga sexhdeja e pastaj shprehet tekbiri dhe kështu arrihet qetësia e plotësohet pushimi mes dy sexhdeve.(1)
Ky veprim vjen pasi të jetë plotësuar sexhdeja e parë dhe trupi drejtohet plotësisht në pozicionin ulur, duke u bazuar në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre, i njohur ndryshe si "keqfalësi i namazit", ku i Dërguari i Allahut ia mësoi një personi bazat kryesore të namazit: Na ka treguar Museddedi, i cili ka thënë: Më ka informuar Jahja ibën Seid nga Ubejdilahi, i cili thotë: “Na ka treguar Seid el-Makburij nga babai i tij e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem, hyri në xhami. Pastaj hyri një njeri u fal dhe erdhi e përshëndeti të Dërguarin e Allahut. I Dërguari ia ktheu selamin dhe i tha: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!". Ai u fal dhe erdhi tek i Dërguari i Allahut, të cilin e përshëndeti me selam. I Dërguari i Allahut i tha përsëri: "Kthehu dhe falu përsëri, sepse ti nuk je falur (siç duhet)!". Kështu i tha tri herë, ndërsa ai ia ktheu: "Pasha Atë që ty të dërgoi me të vërtetën, nuk di përveç asaj mënyrë (që u fala), prandaj më mëso!". I Dërguari i Allahut i tha: Kur të hysh për namaz, shqiptoje tekbirin, pastaj lexo diç nga Kurani që të vjen më lehtë, më pas shko në ruku derisa (gjymtyrët e trupit) të qetësohesh plotësisht, pastaj ngrihu (nga rukuja) derisa të drejtohesh plotësisht e më pas lëshohu për në sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht. Ngrihu nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh plotësisht, e më pas lëshohu prapë për sexhde derisa të qetësohesh (e të drejtohesh) plotësisht, e kështu vepro gjatë tërë namazit."(2)

Sa duhet të jetë pushimi mes sexhdeve?

Sa i përket çështjes se sa duhet të jetë pushimi mes dy sexhdeve, dijetarët kanë konkluduar se ajo që më së paku duhet të jetë pushimi është koha sa të bëhet një madhërim.(3) Shprehja e një madhërimi të vetëm është minimumi që duhet të bëhet në mënyrë që të arrihet pushimi i shprehur në hadithe. Ndryshe, nëse mes sexhdesë së parë dhe së dytës nuk bëhet një pushim i shkurtër, atëherë është përvjedhur diç nga namazi.
Gjatë faljes me imam, nuk preferohet që pushimi mes sexhdeve të stërzgjatet, ndërsa gjatë faljes vetëm një gjë e tillë është e preferuar.

Në rast se nuk bëhet qetësimi sa (dhe si) duhet?

Ngritja prej sexhdesë është farz, ndërsa shqiptimi i tekbirit është sunet, gjë që pa këtë të fundit namazi është juridikisht i vlefshëm. Dijetarët e kanë trajtuar çështjen e ngritjes nga sexhdeja dhe për këtë kanë dhënë mendime të ndryshme se kur në fakt plotësohet ngritja.
Dijetarët hanefi kur flasin për ngritjen nga sexhdeja e parë për t'u realizuar qetësia apo pushimi mes dy sexhdeve, kanë dhënë mendime të shumta, siç kanë thënë disa se kur largohet koka nga sexhdeja tashmë është arritur ngritja dhe praktikisht është arritur qetësia që kërkohet mes dy sexhdeve. Kuduriu është i mendimit se mjafton të kuptohet ngritja nga vetë fjala" ngritje", sepse minimumi që lë të kuptojë fjala "ngritje" është ngritja e ballit për ta plotësuar këtë rukn (shtyllë të namazit).(4)
Shumica janë të mendimit se, nëse namazfalësi është ngritur nga sexhdeja për të pushuar mes sexhdeve, por këtë pushim apo qetësim nuk e ka bërë ashtu siç kërkohet, por vetëm një ngritje të lehtë, atëherë shikohet se deri në çfarë pozicioni apo niveli e ka bërë ngritjen. Nëse ngritja e tij është më afër pozicionit të uljes, atëherë ajo llogaritet si pushim, por kjo është minimalja e arritur. E, në rast se ngritja e tij është më afër sexhdesë sesa uljes, atëherë ajo nuk llogaritet si qetësim dhe faktikisht llogaritet si pjesë e sexhdesë së parë.

Çfarë llogaritet qetësimi mes dy sexhdeve?

Nëse gjatë ngritjes nga sexhdeja e parë nuk bëhet si duhet pushimi, por vetëm bëhet një ngritje e lehtë, saqë nuk bëhet drejtimi i trupit dhe menjëherë shkon për sexhdenë e dytë, atëherë sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, namazi nuk prishet, ndonëse nuk është arritur pushimi mes sexhdeve.(5)
Merginani në lidhje me këtë thotë: "...Pushimi mes dy sexhdeve konsiderohet sunet te të dytë (Ebu Hanife dhe Muhamedi)."(6) Ngjashëm me këtë shprehet edhe autori i "el-Bahru-rr Rraik", kur thotë: "Pushimi në ngritjen prej rukusë dhe mes dy sexhdeve është sunet tek Ebu Hanife dhe Muhamedi e kjo është çështje kompaktuale."(7)
Në anën tjetër, Ebu Jusufi është i mendimit se qetësia në namaz si gjatë ngritjes prej ruku së ashtu edhe mes dy sexhdeve, është farz. Mendimi i tij në këto dy vende të namazit është i njëjtë sikurse në dy vendet e tjera të namazit: rukusë dhe sexhdesë. Në këtë kontekst, autori i "el-Hidaje", shprehet: "Ebu Jusufi parasheh që në të gjitha këto vende (pushimi) është farz. Opinioni i tij është i ngjashëm me opinionin e Shafiut."(8) Sipas Ebu Jusufit, lënia e ngritjes prej rukusë apo pushimi mes dy sexhdeve, e prish namazin, ndryshe nga Ebu Hanife dhe Muhamedi.(9)
Përveç këtyre dy mendimeve që i përmendëm: mendimit zyrtar e të popullarizuar, sipas të cilit pushimi në këto dy vende është sunet e që njëherit është mendim i Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij Muhamedit dhe shumë juristëve tjerë hanefit, dhe mendimit tjetër që pushimin në këto dy vende e sheh si farz-obligim të domosdoshëm; ka edhe mendim tjetër.
Ka një mendim të tretë që konsiderohet si mendim mesatar mes dy mendimeve paraprake. Përfaqësuesit e këtij mendimi pushimin në vendet për të cilat po flasim e shohin si vaxhib. Të këtij mendimi janë një pjesë jo edhe aq e vogël e dijetarëve të mëvonshëm hanefi, me theks të veçantë juristët e mëvonshëm hanefi si Ibën Humami,(10) nxënësi i tij ibën Emir Haxh, Ibën Nuxhejmi,(11) dhe Ibën Abidini.(12) Pra, kemi plejadën e juristëve të mëvonshëm hanefi që mendojnë se pushimi, gjegjësisht qetësia në pozitën kur namazfalësi ngrihet nga rukuja dhe pushimi mes dy sexhdeve është vaxhib.
Edhe Kerhi është i këtij mendimi dhe sipas tij nëse namazfalësi pa qëllim nuk e bën pushimin e kërkuar, atëherë ai duhet të bëjë dy sexhde për shkak të harresës.(13) E, Ibën Nuxhejmi në lidhje me këtë thotë: "Po që se ai (namazfalësi) e lë atë (pushimin), atëherë një veprim i tillë konsiderohet skajshëm i papëlqyer dhe personit të tillë i detyrohet përsëritja e namazit."(14)
Nga këtu na bëhet e qartë se në çështjen e pushimit, gjegjësisht qetësimit mes dy sexhdeve, brenda shkollës hanefite kemi tri opinione të njohura: (1) opinionin zyrtar të shkollës hanefite që është më i popullarizuar se dy opinionet e tjera, sipas të cilit pushimi ndërmjet dy sexhdeve (sikurse edhe tek ngritja nga rukuja) është sunet dhe si i tillë nuk ka fuqi juridike që ta zhvlerësojë namazin; (2) opinionin e Ebu Jusufit, sipas të cilit pushimi në të dyja është obligim i domosdoshëm (farz) dhe lënia e tij praktikisht e obligon përsëritjen e namazit dhe (3) opinionin e juristëve të njohur nga gjeneratat e vonshme të shkollës hanefite që pushimin mes dy sexhdeve, sikurse edhe ngritjen prej rukusë, e shohin si vaxhib.
Është interesant të përmendet fakti se kjo çështje, gjegjësisht polemizimi i saj në kuadër të opinioneve të ndryshme nuk përmendet në dhahiru-rr rrivajeh, e si çështje e shtron el-Mual-la në "Nevadir".(15) Ndërsa polemika mes Ebu Jusufit në njërën anë dhe Ebu Hanifes dhe Muhamedit në anën tjetër, është nga prizmi i dispozitës së pushimit mes sexhdeve, sepse i pari mendon se pushimi (qetësia) në të është farz dhe në rast të braktisjes së tij, doemos obligohet përsëritja e namazit, ngase është lënë një farz që konsiderohet shtyllë e namazit, ndërkaq pala tjetër janë të mendimit se pushimi mes sexhdeve është sunet dhe assesi nuk mund të jetë në nivelin e farzit dhe se në rast të braktisjes së tij, praktikisht është lënë një sunet, gjë që nuk mund ta zhvlerësojë namazin.

Çfarë të themi gjatë pushimit mes sexhdeve?

Fillimisht do t'i sjellim transmetimet që flasin për duatë mes sexhdeve, pastaj do të sjellim mendimet e dijetarëve se çfarë kanë për qëllim tekstet e haditheve.
Hadithi i parë transmetohet nga Ibën Abasi dhe është në koleksionin e Tirmidhiut: Na ka treguar Selemeh ibën Shebibi, i cili thotë: "Na ka treguar Zejd ibën Hubabi nga Kamil ebi-l Ala, ky nga Habib ibën ebi Thabiti, ky nga Seidi ibën Xhubejri, e ky nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut thoshte mes dy sexhdeve: "Allahumme-gfirli, verhamni, vexhburni, vehdini, verzukni - O Zot, më fal, më mëshiro, më mjafto (Ti mua nga sprova e varfëria), më udhëzo dhe më furnizo mua."(16)
Ky hadith përcillet e transmetohet me shprehje të ndryshme, në disa transmetime me disa shtojca e në disa transmetime të tjera vjen me shprehje të tjera, saqë nëse përmblidhen tërë transmetimet arrihet në konkluzionin se përmenden shtatë kërkesa në lutje. Në lidhje me këtë, Neveviu shprehet: "Për siguri (në qëllimin e sunetit) dhe përzgjedhje bëhet bashkimi i të gjitha transmetimeve, me të gjitha shprehjet e që janë shtatë:
"Allahumme-gfirli, verhamni, veafini, ve-exhirni, verfeani, vehdini, verzukni-O Zot, më fal, më mëshiro, më jep shëndet, më mbroj, më udhëzo dhe më furnizo mua." "O Allah, më fal mua, më mëshiro."(17)
Në këtë kontekst, është transmetimi i Hudhejfes që përcjell gjithashtu për lutjen mes sexhdeve: Na ka treguar Alij ibën Muhamedi i cili thotë: "Na ka treguar Hafs ibën Gijathi, nga el-Ala ibën el-Musejjeb, ky nga Amër ibën Murreh, ky nga Talha ibën Jezidi e ky nga Hudhejfe se i Dërguari i Allahut mes dy sexhdeve thoshte: "Rabbi-gfirli, Rabbi-gfirli - O Zot më fal mua, o Zot më fal mua".(18)
Sa u përket duave (lutjeve) mes dy sexhdeve, ulemaja kanë mendime të ndryshme rreth tyre. Shumica e tyre janë të mendimit se ato janë sunet, sikurse Shafiu dhe të tjerët (si në namaze individuale ashtu edhe në at kolektive (si në farze ashtu edhe në nafile), përkundër hanbelive të cilët thonë se ato janë vaxhib, për shkak të praktikës së vazhdueshme të tyre nga i Dërguari i Allahut. Në anën tjetër, hanefitë janë të mendimit se realisht mes dy sexhde ve nuk duhet thënë asgjë. E, transmetimet e ardhura në lidhje me shqiptimin e atyre duave, hanefitë i ndërlidhin me namazin e natës, por jo me atë obligativ (me imam).(19)
Ebu Jusufi e kishte pyetur Ebu Hanifen për lutjet mes dy sexhdeve, më konkretisht e kishte pyetur për këtë lutje: "Allahumme-gfirli", ndërsa Ebu Hanife i kishte thënë se namazfalësi hesht.(20)
Se këto lutje janë thënë gjatë namazit të natës, tregojnë më së miri edhe transmetimet në vijim që janë të asaj natyre sikurse edhe tekstet e mëhershme dhe praktikisht transmetohen edhe nga të njëjtit e teksteve të mëhershme.
Më herët solla transmetimin e Ibën Abasit në lidhje me duatë mes dy sexhdeve, transmetim në të cilin nuk përmendet se në cilat namaze e thoshte atë dua, ndërsa në transmetimet e mëposhtme specifik ohet po nga vetë Ibën Abasi se këto dua ishin shprehur gjatë namazit të natës: Na ka treguar Ebu Kurejb Muhamed ibën el-Ala, i cili ka thënë: Na ka treguar Ismail ibën Sabihi, nga Kamil ebi-l Ala, i cili ka thënë: E kam dëgjuar Habib ibën ebi Thabitin që tregonte nga Seid ibën Xhubejri e ky nga Ibën Abasi të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut mes dy sexhdeve gjatë namazit të natës thoshte: "Rabbi-gfirli, verhamni, vexhburni, verzukni, verfa'ni - O Zot, më fal, më mëshiro, më mjafto (Ti mua nga sprova e varfëria), më furnizo dhe më lartëso mua (në grada të xhenetit)."(21)
Na ka treguar Jahja ibën Ademi, na ka treguar Kam-il ibën el-Ala, nga Habib ibën ebi Thabiti, ky nga Thën Abasi, apo nga Seid ibën Xhubejri e ky nga Thën Abasi se i Dërguari i Allahut thoshte mes dy sexhdeve gjatë namazit të natës: "Rabbi-gfirli, verhamni, verfa'ni, verzukni, vehdini - O Zot, më fal, më mëshiro,më lartëso mua (në grada të xhenetit), më furnizo dhe më udhëzo mua".(22)

Çfarë paraqet pushimi mes dy sexhdeve?

Ulemaja shpeshherë janë marrë edhe me detajet e namazit dhe janë munduar të gjejnë lidhje dhe urtësi mes çdo rukni-shtylle të namazit. Në këtë kontekst, autori i "el-Inajeh" që i bën shpjegim librit të mirënjohur "el-Bidajeh" dhe autori i "el-Mebsut"-it, sjellin mendimin e dijetarëve se përse janë bërë obligim dy sexhde, duke menduar se janë kryesisht dy elemente të rëndësishme rreth dy sexhdeve brenda një rekati të vetëm:
I pari: bëhen dy sexhde si shenjë e nënshtrimit ndaj Allahut dhe poshtërimit të djallit të mallkuar, i cili qe urdhëruar për të bërë një sexhde, por që refuzoi, andaj namazfalësit bëjnë dy sexhde.
I dyti: aplikimi i dy sexhde ve ndërlidhet me vetë jetën e njeriut, ngase, sexhdeja e parë jep indikacion të qartë se njeriu është krijuar nga elementet e tokës, përderisa e dyta tregon se ai do të kthehet në të, ashtu siç tha Allahu i Madhërishëm(23): “Prej asaj (tokës) Ne ju krijuam e do të ju kthejmë përsëri në të ... "
Kjo tregon arsyen se përse janë bërë dy sexhde brenda çdo rekati, që nënkupton se sexhdeja e parë tregon lidhjen e njeriut me origjinën e tij, që është dheu (elementet e tokës) dhe shërben si një rikujtim për njeriun që t'i tregojë atij lindjen, ndërkaq sexhdeja e dytë nënkupton kthimin në dhe (origjinë), gjegjësisht vdekjen. E disa të tjerë e kanë komentuar edhe qetësimin (pushimin) brenda dy sexhdeve dhe kanë ardhur në përfundim se nëse sexhdeja e parë paraqet krijimin e njeriut nga dheu dhe e dyta vdekjen e tij, atëherë pushimi mes dy sexhdeve paraqet jetën e njeriut. Prandaj, pushimi mes sexhdeve është i shkurtër, ashtu siç është jeta e njeriut shumë e shkurtër!


____________________
(1) Merginani, EI-Hidajeh-Sherh Bidajeti-l Mubtedi', v.I, f.15; Merginani, EI-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.52; Bedrudin el-Ajni, El-Benajetu Sherhi-l Hidajeh, v.II, f.250; el-Mejdani, EI-Lubab fi Sherhi-l kitab, v.I, f. 71.
(2) Buhariu në Sahih, nr. 793; Muslimi në Sahih, nr. 602.
(3) Bedrudin el-Ajni, EI-Binajetu Sherhi-l Hidajeh, v.II, f.250.
(4) EI-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.I, f.307.
(5) Merginani, Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.15; Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.52; Bedrudin el-Ajni, EI-Benajetu Sherhu-l Hidajeh, v.II, f.250; el-Mejdani, EI-Lubab fi Sherhi-l kitab, v.I, f. 71.
(6) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajeti-l Mubtedi', v.I, f.85.
(7) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzu-d Dekaik, v.I, f.317.
(8) Mergin-ani, EI-Hidajeh-Sherh Bidajeti-l Mubtedi', v.I, f.84.
(9) Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu-t Tahtavi ala Meraki-l Felah Sherh Nuru-l Idah, f. 233.
(10) Thën el-Humam, Fet'hu-l Kadir, v.I, f.302.
(11) Thën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzu-d Dekaik, v.I, f.317.
(12) Thën Abidin, Reddu-l Muhtar ale-d Durri-l Muhtar, v.I, f.464.
(13) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.85.
(14) Ibën Nuxhejm, el-Bahru-rr Rraik sherh Kenzu-d Dekaik, v.I, f.317.
(15) El-Ba ber tij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.I, f.300; Kasani, Bedaiu-s Sana iu, v.I, f.508.
(16) Tirmidhiu në Sunen, nr. 284. Albani është i mendimit se hadithi është autentik, ndërsa Shuajb Arnauti është i mendimit se hadithi është i mirë (hasen), dhe se transmetuesit janë të besueshëm, me përjashtim të Kamilit, për të cilin kanë folur ulemaja. Për më tepër shih Musnedin e Ahmedit, hadithi nr. 3514, v.V, f.459.
(17) Nevevi, EI-Mexhmu' Sherhu-l Muhedhdheb, v.III, f.437.
(18) Thën Maxheh në Sunen, nr. 897; Ebu Davudi në Sunen, nr. 874 (hadithi është i gjatë tek suneni i Ebu Davudit).
(19) El-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.II, f.248.
(20) EI-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.I, f.299-300.
(21) Thën Maxheh në Sunen, nr. 898. Albani është i mendimit se hadithi është autentik.
(22) Ahmedi në Musned, nr. 2895. Shuajb Arnauti thotë se hadithi është i mirë (hasen).
(23) El-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.I, f.308; Serhasij, el-Mebsut, v.I, f.22.



Mr. Ejup Haziri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip