Stili kuranor i tregimeve

Tregimet kuranore paraqesin shprehjen artistike kuptimplote për të vërtetën e kozmosit, njeriun dhe jetën, nëpërmjet perceptimit islam të tyre.

Allahu i Madhërishëm ia zbriti Muhamedit a.s. Kuranin Famëlartë, udhëzues për njerëzimin drejt së vërtetës, për t'i nxjerrë ata nga errësirat drejt dritës së pashuar hyjnore.

Ne gjejmë në Kuranin Famëlartë se si Zoti i Madhërishëm i është drejtuar mendjes njerëzore, në proporcion me shkallën e kapacitetit perceptues të saj, me metoda joshëse e me mjete që ngjallin dhe fusin në funksion ndjenjat e njeriut.

Pa dyshim se një nga metodat dhe mekanizmat kryesorë që ka përdorur Kurani Famëlartë për realizimin e objektivave të tij është edhe metoda e tregimeve. Zoti i Madhërishëm thotë: "Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë". (Jusuf: 111)

Stili kuranor i tregimeve është në vete një teknikë mjaft atraktive dhe interesante, me atë çfarë ka përfshirë Kurani Famëlartë; nga ngjarjet e ndryshme, faktet, personalitetet, si dhe shembujt nga krijesat e tjera, duke kontribuuar kështu në plasi min e vlerave si dhe konsolidimin e tyre. Andaj nga këtu shihet roli ndikues dhe koherent i stilit të tregimeve. Dhe derisa ky stil vazhdon të jetë lehtë, i konceptueshëm dhe atraktiv, ai arrin të zgjojë vëmendjen e lexuesit-dëgjuesit të tregimi t, sidomos për faktin se natyrshmëria njerëzore karakterizohet nga veçoria e tendencës së pasimit të pozicioneve dhe ngjarjeve në tregime, duke synuar të arrijë njohjen e epilogut përfundimtar të tyre.

Pra, mund të thuhet se për ndikimin e thellë që kanë tregimet kuranore dëshmues është vetë njeriu, kjo ngase imagjinata e dëgjuesit-lexuesit të tregimit kuranor e ndjek ngjarjen në tregim; e jeton atë duke kaluar nga pozicioni në dialog, e më pas në ilustrim të ngjarjes, e nga ilustrimi në përjetim. Në këtë formë emocionet e tij zgjohen, duke e bërë atë ta përjetojë tregimin njësoj si të ishte personazh brenda tij. Kështu tregimi përfundon, ndërsa ndikimi që lë gjurmë në shpirtin e lexuesit vazhdon të jetojë me të.

Veç tjerash, tregimet kuranore paraqesin shprehjen artistike kuptimplote për të vërtetën e kozmosit, njeriun dhe jetën, nëpërmjet perceptimit islam të tyre. Dhe nga këtu vihet në pah veçantia e tregimeve edukative islame e po ashtu dallimi i tyre nga tregimet tjera.

Vërejmë se kjo metodologji kuranore është e integruar dhe koordinuar me metodologjinë e Kuranit si tërësi, kjo ngase Kurani Famëlartë me tregimet, predikimet dhe direktivat e tij është njësi e harmonizuar në vete. Ai përdor tregimet e tij për të gjitha llojet e edukimit, duke edukuar kështu qenien njerëzore me edukim moral, social e estetik.

Nga rëndësia edukative e tregimeve të Kuranit është edhe ajo se ai ndërvepron duke shtjelluar paqartësitë, duke zbuluar misterin e duke shëmbëllyer abstrakten në imazhe të figurave të lehtë-perceptuara nga mendja njerëzore, prandaj ai dha efekt shumë më bindës për lexuesin sesa përshkrimi i zakonshëm i ngjarjeve në shkrimet e tjera, ndërsa shkalla e ndikimit të tregimeve kuranore tek njerëzit dallon proporcionalisht me dallimin në preokupimet e tyre, kulturën, mjedisin social, kapacitetin e tyre intelektual e poashtu bme ndryshimin e gjendjes së tyre shpirtërore e morale.

Tregimet kuranore në sferën e realizimit të objektivit edukativ, veç tjerash, stimulojnë mendjen njerëzore kah dituria. Një gjë të tillë e vërejmë në tregimin e Musait a.s., dhe hazreti Hidrit, tregim të cilin e ka regjistruar Kurani Famëlartë: "(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: Nuk do të pushoi së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoi për shumë kohë. Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel. Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet:

"Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë". Ai u përgjigj:

"Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!" (Musai) tha: "Kjo është ajo që po kërkojmë". Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije. Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?" Ai u përgjigj: "Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë"? (Musai) tha: "Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë." (Hidri) i tha: "Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!" Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë. (Musai) tha: "Mos vallë, e hape vrimën për t'i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë shumë të keqe". (Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?" Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!" Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha (Musai): "Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme"! Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?" (Musai) tha: "Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t'u ndarë prej meje)!" Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t'u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi. (Musai) tha: "Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë. "Ai tha: "Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t'i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh. Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë. Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t'i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t'u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm. E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s'munde të duroje!" (El Kehf: 60-82).

Në mesin e gjurmëve dhe përfitimeve të shumta që ngërthen në vete ky tregim janë edhe ato të fushës edukative-arsimore, nga të cilat veçojmë:

1. Pozita e lartë që e zë dituria dhe ngarendja në kërkimin e saj, e cila shpjegohet fuqishëm me gatishmërinë e Musait a.s., që të udhëtojë gjatë në kërkimin e dijes.

2. Shtimi i niveleve të diturisë dhe ndjekja e trendit të diturive bashkëkohore, ngase njeriu sado që të ketë arritur nga dituria, ajo prapë është e pamjaftueshme. Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: "Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni". (El-Isra': 85).

3. Se dituria të cilën Zoti ua mundëson robërve të Tij është dy llojesh: dituria të cilën robi e arrin me mundin e tij dhe dituria të cilën Zoti ia mëson atë kujt të dojë prej robërve të Tij, bazuar në fjalën e të Lartmadhërishmit: "... dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije". (El-Kehf 65).

Dituria të cilën e zotëronte hazreti Hidri ishte nga lloji i diturisë së veçantë, të cilën Zoti i Madhërishëm ia mësoi atij.

4. Përultësia si dimension në vete me rastin e kërkimit të diturisë.

5. Rëndësia e mirësjelljes së nxënësit në raport me mësuesin: "Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?". (El-Kehf: 66).

6. Atribuimi i diturisë ashtu si edhe i meritave të tjera Zotit të Lartmadhërishëm, mbështetur në fjalët e Tij në Kuranin Famëlartë: " ... që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?". (El-Kehf 66).

7. Humbja e durimit është nga shkaqet kryesore të dështimit në arritjen e majave të diturisë.

8. Musai a.s. tha: "A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?". (El-Kehf: 66): si shembull tipik i kërkuesit të denjë të diturisë dhe durimtarit në rrugën e dijes. Edhe pse qe i dërguar i Allahut, grada e pejgamberllëkut nuk ishte pengesë për të mësuar nga dikush që ishte më i ulët në pozitë .

9. Urrejtja e së keqes kur njeriu ballafaqohet me të, ashtu siç veproi Musai a.s. kur mendoi se veprimet e Hidrit ishin nga veprat e shëmtuara.

10. Gjykimi me të dukshmen, përderisa nuk qartësohet e kundërta.

11. Mendja njerëzore është e limituar në njohjen e pavarur të të gjitha gjërave, prandaj Musai a.s. mendoi se ajo që veproi hazreti Hidri ishte sherr, ndërsa u vërtetua më pas e kundërta.

12. Domosdoshmëria e pajisjes së dijetarit me cilësinë e mëshirës krahas diturisë, ngase ajo konsiderohet nga gjërat bazike, prandaj kërkohet nga dijetari që të jetë i mëshirshëm me nxënësit e tij derisa ata të arrijnë përvetësimin e dijes. Në këtë mënyrë, në tregimin e Musait a.s. gjejmë se cilësia e mëshirës i parapriu diturisë.



Literaturë e konsultuar:

1. Kurani-kerimi shqip (përkthimi i Hasan ef.Nahit)
2. Dr. Vehbi Zuhejli: "El-klssaru el-kuranijjetu", botues: Dar el-Haxhr-Damask, botimi II, 1998.
3. Emin Bekri: “Etta'biru el-fennij fil-Kuran; botues: Dar el-ilmi lil-melajjin - Bejrut; botimi VII, 2004.
4. Abdul-Kerim Ez-Zejdan: ''El-mustefad min kisas el-Kuran el-kerim lid-dauesi ve edduat", botues: Muessetu. Err-rrisaletu - Bejrut, botimi I, 1419 h.
5. Ettuhami: "Sikuluxhjetu el-kissate fil-Kuran; botues: Eshsberiketu et-tunisijetu lit-teuzii, 1971.
6 Henau bint Hisham bin Umer el-Xhaferij: "Et-terbijetu bil kissati fil-Islam ve tatbikatuha fi rijad el-atfal” 1429 h.



Dr. Besim Arbanashi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip