Rëndësia e vlerave njerëzore në Kuran

Kurani libri i fundit hyjnor drejtuar njerëzimit përmes Muhamedit a.s paraqet të vetmen dërgesë që Zoti e ka garantuar se nuk do të mund të ndikohet ndërrohet tjetërsohet apo të zëvendësohet nga dikush tjetër.

Zoti thotë: "Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij". (El Hixhr: 9).
Ky origjinalitet i garantuar na ndihmon të ndihem i komod se parimet qe proklamon Kurani për qenien më të çmuar, njeriun, janë domosdoshmëri e patjetërsueshme. Sepse"(kjo fe jona është) ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se Ai. Ne vetëm Atë e adhurojmë". (El-Bekare: 138).
Pra, siç gjithçka ka një natyrë të saj in, edhe natyrshmëria e njeriut përkon, rregullohet dhe sistemohet sipas urtësisë së Krijuesit. Zoti thotë:
"Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë, që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon, se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh". (El-Isra: 9).
E ti, o besimtar, "Përqendro vetën tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe) feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë". (Er-Rrumë: 30)
Rregullimi individual i personit ka të bëjë me orientimin e tij sipas urdhëresave të Zotit të caktuara enkas si domosdoshmëri për të. Përcaktimi i dikujt rreth diçkaje, thjesht ka të bëjë me atë se vendos t'i përmbahet natyrshmërisë - fitra, ose t'i largohet asaj, se ofertë të tretë nuk ka. Dhe kjo besimtarët i obligon që të mbajnë ekuilibrin në rregullimin individual dhe atë shoqëror.
Kjo arrihet duke marrë në konsideratë se secili individ paqësor, duhet t'i respektoj normat që i ka thënë Kurani, e ata që kanë dyshime në të thirren ta përdorin logjiken e shëndoshë dhe jo ta anashkalojnë atë, duke u sjellë në mënyrë jo të njerëzishme. Zoti thotë: "Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për Xhehenem. Ata kanë zemra,që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët. (El-Arafë: 179).
Udhëzimi që vjen në mënyrën urdhërore bëje këtë ose largohu kësaj, aq shumë i dhënë në Kuran, respektohet nga një besimtar, përndryshe ai bie në taborin kundërshtues. "Kush është më zullumqarë se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë, në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj edhe nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë" (El-Kehf: 57).
Prandaj, lexues i nderuar, për katër gjëra duhet të kesh kujdes në jetë, njëra ka të bëjë me Zotin, tjetra me vetveten, e treta është mes Zotit dhe teje, ndërkaq e katërta rregullon raportin tënd me të tjerët. Vetëm Zoti meriton të adhurohet, duke mos njohur tjetër hyjni. Mes Zotit dhe robit qëndron lutja dhe pranimi, ndërkaq në marrëdhënie me njerëzit duaj për të tjerët atë që e do për vete. Kjo rrumbullakon atë rreth të cilës sillen udhëzimet e fesë.



Abdullah Krasniqi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip