Namazi është shtyllë e fesë

Dr. Jusuf El-Kardavi

Namazi është shtylla e fesë, çelësi i Xhennetit, dëshmia e besimit, përkatësisht pengesa në mes njeriut dhe mosbesimit. Kështu e ka përshkruar Pejgamberi a.s.: “Midis njeriut dhe mosbesimit është braktisja e namazit”. (Muslimi nga Xhabir ibën Abdullahu r.a.).
”Besa në mes nesh dhe atyre është namazi, ai që e braktis atë është mosbesimtar”. (Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ibn Hibbani dhe Hakimi).
Kur Ibrahimi a.s. E luti Zotin e tij, E luti Atë që bijtë e tij t’i bënte prej atyre që falin namazin:”O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë!” (Ibrahim, 40). Kur Allahu xh.sh. e lavdëroi Ismailin a.s., tha:”Ai urdhëronte familjen e vet për faljen e namazit dhe për zeqatin, dhe ishte shumë i pranishëm te Zoti i tij”. (Merjem, 55).
Kur Allahu xh.sh. i foli Musait a.s. në çastet e para të shpalljes, i tha atij: ”Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç’po të shpallet! Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të Më kujtuar Mua”. (Ta Ha, 13-14).
Kur Allahu xh.sh. bëri që Isai a.s., i biri i Merjemes, të fliste gjersa ishte fëmijë në djep, fjalët e para të tij që tha, ishin: ”Unë jam rob i Allahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem, dhe më ka porositur për namaz (falje) e zeqat për sa të jem gjallë!” (Merjem, 30-31.).
Kur Lukmani i mençur e këshilloi të birin, një prej këshillave më të rëndësishme ishte: ”O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara”. (Lukman, 17).
Namazi e zë këtë pozitë të lartë në të gjitha besimet, në veçanti në besimin islam. Namazi është prej obligimeve të para që është obliguar nga adhurimet. Është obliguar në Mekë, në një mënyrë që asnjë adhurim nuk ishte obliguar më përpara. Të gjitha adhurimet ishin obliguar në Tokë, kurse namazi është adhurimi i vetëm që u obligua në qiell: me thirrje të drejtpërdrejtë nga Allahu drejtuar të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s. në natën e Israsë dhe Mi’raxhit. Namazi është dhurata dhe kujtimi që na ka mbetur nga përkujtimi i ndodhisë së Israsë dhe Mi’raxhit. Namazi është ngritja e çdo besimtari tek Zoti i tij. Kjo është rëndësia e namazit dhe pozita e tij.
Një ditë, Pejgamberi a.s. e kujtoi namazin dhe tha: “Ai që kujdeset për namazin e tij, do ta ketë këtë namaz dritë, dëshmi dhe shpëtimtar për të në Ditën e Gjykimit. E ai që nuk kujdeset për të, ai nuk do të ketë as dritë, as dëshmi dhe as shpëtimtar për të. Në Ditën e Gjykimit, ai do të jetë me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibn Halefin”.
Ibn El-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Personi që nuk falet, është i zënë me pasurinë, mbretërinë, pozitën apo tregtinë. Ai të cilit pushteti ia merr kohën e namazit, do të ringjallet me Faraonin; ai të cilit pasuria ia merr kohën e namazit, do të ringjallet me Karunin; ai të cilit pozita ia merr kohën e namazit, do të ringjallet me Hamanin; ai të cilit tregtia ia merr kohën e namazit, do të ringjallet me Ubej ibn Halefin”.
Nuk ka justifikim për atë që e lë namazin. Kudo që të jetë njeriu, në Lindje a në Perëndim, në udhëtim, i shëndoshë apo i sëmurë, është obligim i tij që ta falë namazin.
Pejgamberi a.s. thotë: “Fale namazin në këmbë, nëse ke mundësi ta bësh këtë, e nëse nuk mundesh, atëherë falu ulur. Nëse nuk mund ta bësh as kështu, atëherë falu shtrirë”. (Buhariu, Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Imran ibn Husejn).
Obligueshmëria e namazit nuk i hiqet askujt, përveç atyre që e kanë humbur vetëdijen dhe nuk kuptojnë se çka u flitet, por gjersa ai është i vetëdijshëm dhe i dallon gjërat, e ka për obligim të falet, edhe nëse është i sëmurë dhe i shtrirë në shtrat dhe nuk ka mundësi për të lëvizur në të djathtë e as në të majtë, duhet të falet duke sinjalizuar dhe duke bërë gjeste me kokën dhe vetullat e tij, duke e lëvizur gjuhën e tij, ose në ndonjë formë tjetër. Gjersa njeriu është i vetëdijshëm, obligueshmëria e namazit asnjëherë nuk do t’i hiqet, edhe nëse është në mes të luftës, duke luftuar me shpatë a me armë, hipur mbi ndonjë mjet udhëtimi apo duke ecur në këmbë.
Allahu xh.sh. thotë:”Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze). E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose duke kalëruar”. (El-Bekare, 238-239.)
Pra, faluni duke ecur në këmbë apo hipur mbi ndonjë mjet udhëtimi. Edhe nëse je duke ecur në këmbë e duke luftuar me shpatë apo duke gjuajtur me bombë, ose je hipur mbi at, ose në luftanije, tank apo në aeroplan, falu edhe në këtë gjendje, edhe nëse nuk mund të kthehesh nga kibleja, sepse Allahu xh.sh. për këto raste thotë: “Të Allahut janë edhe (anët nga) lindja edhe nga perëndimi, dhe ngado që të ktheheni, aty është anë e Allahut” (El-Bekare, 115).
Falu pa qëndruar në këmbë, pa bërë ruku e sexhde, sepse të gjitha këto pjesë përbërëse të namazit në këto situata janë jo të detyrueshme. Falu me abdes dhe me pastërti, e nëse nuk gjen ujë apo nuk mund ta përdorësh atë, atëherë falu me tejemum (dhe të pastër), e nëse s’ke mundësi edhe për këtë, atëherë fale namazin pa asnjërën prej tyre: “Prandaj, sa të keni mundësi, ruajuni prej dënimit të Allahut” (Et- Tegabun, 16).
Në Islam ekziston një namaz - “Namazi i luftës” ose “Namazi i frikës”, kur luftëtarët myslimanë ndeshen me armiqtë. Lufta nuk mund të jetë justifikim për ta për ta lënë namazin, por ata duhet të ndahen në dy grupe: njëri grup të luftojë me armiqtë, kurse tjetri të falet, e pastaj të shkojnë dhe t’i zëvendësojnë ata në luftë, në mënyrë që edhe grupi i parë të falet. Falen dhe kujdesen për namazin me xhemat, pas një imami.
Shikoni këtë: me xhemat dhe pas një imami!! Çfarë kujdesi për namazin, e sidomos për namazin me xhemat?!

Cila është dispozita e dijetar ëve islam ë për ata që nuk e falin namazin ?

Ai që e braktis namazin duke injoruar obligueshmërinë e tij, është kafir (jobesimtar) me unanimitetin e dijetarëve myslimanë, sepse çështja e tij është si
çështja e idhujtarëve, të cilët Allahu i ka përshkruar me Fjalën e Tij: “Dhe kur atyre u thuhej: Përkuluni! Ata nuk përkuleshin”. ( El-Murselat, 48).
Nëse e injoron namazin apo e nënçmon atë, ose tallet me ata që falen, pa dyshim ai është kafir (jobesimtar) dhe renegat, ai është si ata për të cilët Allahu ka thënë: ”Edhe thirrjen (ezanin) tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë. Me këtë vërtetojnë se janë popull që nuk kupton”. (El- Maide, 58).
Ndërsa, për sa u përket atyre që e braktisin namazin me qëllim nga përtacia, dijetarët islamë kanë shfaqur mendime të ndryshme:

1- Imam Ahmedi (në versionin e tij më të njohur), Is’hak ibn Rahavejhi dhe një numër i konsiderueshëm i ashabëve dhe i atyre pas tyre (tabiinët), kanë thënë: Ky
braktisës i namazit është kafir (jobesimtar) e nuk është mysliman, sepse nuk falet dhe nuk e kryen këtë obligim e të drejtë të Allahut xh.sh.. Ky qëndrim transmetohet edhe prej një numri të konsiderueshëm të ashabëve r.a., që mbështeten në kuptimin e jashtëm dhe të përgjithshëm të haditheve, të cilat braktisjen e namazit e bëjnë pengesë në mes njeriut dhe besimit.

2- Dy Imamët, Maliku dhe Shafiu, thonë: “Braktisësi i namazit është a’si (i pabindur) fasik (mëkatar i madh); frikësohemi që t’i përfundojë jeta me kufr (mosbesim), Allahu na ruajttë, nëse vazhdon kështu, sepse ai e kryen njërin prej mëkateve më të mëdha në Islam, e braktis të drejtën e Allahut xh.sh.. Nëse vazhdon ta braktisë namazin, është frikë që zemra e tij t’i nxihet, e të vdes si jomysliman, nëse nuk I pendohet Allahut xh.sh.”. Sipas mendimit të tyre, ai e meriton mbytjen, si dënim për të e jo duke e trajtuar dhe gjykuar si pabesimtar dhe të pafe. Këtë qëndrim e përkrahin Ahmedi dhe të tjerët që janë të mendimit të tij.

3- Imam Ebu Hanife thotë: “Braktisësi i namazit është fasik-athim (mëkatar). Duhet të edukohet, të dënohet duke i rënë ashpër derisa të rrjedhë gjaku prej tij, të burgoset derisa të falet”. Ky është njëri prej mendimeve më të lehta për sa u përket atyre që e braktisin namazin me qëllim nga përtacia:”Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq”. (El-Huxhurat, 11).”
A mos është ai që ishte besimtar, sikurse ai që ishte jashtë rrugës (mëkatar)? Jo! Këta nuk janë të barabartë”. (Es-Sexhde, 18).
Ky është statusi i atyre që e braktisin namazin.
Në një hadith, Pejgamberi a.s. thotë: “Urdhërojini fëmijët tuaj që të falen, kur ata të kenë arritur moshën shtatë vjeç. Rrihini ata (nëse nuk falen), kur të kenë arritur moshën dhjetë vjeç, dhe vendosini të flenë veç e veç”. Pra, urdhërojini të falen kur ata të kenë arritur moshën shtatë vjeç, dhe vazhdoni këtë urdhërim me dëshirë e frikësim për tre vjet, e kush përton ta falë namazin pas kësaj moshe, është e drejtë e babait, madje obligim i tij, që ta rrahë fëmijën e tij, një rrahje pa pasoja e thyerje. Rrahja në këtë rast ka për qëllim ndëshkimin për rëndësinë e namazit, dhe namazi nuk është vetëm fjalë që thuhet, në mënyrë që pastaj ta lerë fëmijën e tij të bëjë ç’të dëshirojë, dhe nuk mendon a e ka kryer urdhrin e tij apo jo. Ç’do të bënte prindi sikur ta urdhëronte fëmijën e vet për ndonjë çështje të dynjasë, ndërsa ai i lë anash fjalët e prindit të tij? Ç’do të bënte?
A do ta pranonte një gjë të tillë prindi, dhe çfarë qëndrimi do të merrte? Kështu duhet të jetë edhe në çështjet e fesë. Disa prindër mendojnë se obligimi i vetëm i tyre ndaj fëmijëve të vet është që t’i dërgojnë ata në shkollë, t’ua sigurojnë kushtet materiale, t’u japin para më shumë sesa kanë nevojë, ndoshta t’u blejnë edhe automobil, e nuk mendojnë që pas kësaj nëse është falur fëmija apo jo? A po i kryen obligimet fetare apo po i braktis ato? Ç’të sjell dobi që fëmija yt të ketë diplomat më të larta dhe të ngrihet në gradat më të larta, e më pastaj Xhehennemi të jetë vendbanim i tij, sa vend i keq që është ai! A dëshiron që fëmija yt të digjet në zjarr?
Allahu xh.sh. thotë:”O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. (Et-Tahrim, 6).
Në kohën e sundimit të Omerit r.a., një komandant persian e pa ushtrinë e myslimanëve sesi qëndronin të rreshtuar dhe faleshin. Në këta rreshta ai nuk shihte ndonjë zbrazëti a ndonjë të metë, të gjithë ishin të rreshtuar sup më sup, këmbë më këmbë. Kur imami binte në ruku, edhe ata bënin ruku; kur ai binte në sexhde, edhe ata binin; kur imami lexonte Kur’an, ata e dëgjonin. Komandanti persian i shikonte ata, dhe tha me zemërim: “Ma ka ngrënë shpretkën i biri i Hattabit, ma ka ngrënë shpretkën i biri i Hattabit. Këta beduinë tashmë e kanë mësuar mirësjelljen”. Ata nuk i ka mësuar Omer in Hattabi, por të gjithë ata i ka mësuar Islami dhe i Dërguari i Islamit, Muhammedi a.s..
Ky është namazi për të cilin duhet të kemi kujdes, ashtu që në të ardhmen të jetë ndihmë dhe forcë për ne: “Fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju”. (El-Ankebut, 45)



DituriaIslame 234


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip