All-llahu xh.sh. ne Kur’anin famëlartë e urdhëron Muhammedin a.s. dhe umetin e tij për dialog duke iu drejtuar me këto fjale: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit. “ Nahl 125.
Pastaj thotë: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: "Ne i besuam asaj që na u zbrit dhe që u zbrit juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij. “ Ankebut 46 .
All-llahu xh.sh kur e kishte urdhëruar te dërguarin e tij Musain a.s. dhe vëllanë e tij Harunin a.s. qe te shkojnë te Faraoni i cili pretendonte dhe kishte shpallur vetveten Zot , u thoshte popullit te tij (Unë jam zoti juaj i larte), All-llahu xh.sh. iu ishte drejtuar Musait dhe Harunit a.s. duke iu thënë: “Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.“ Ta Ha 43-44.
Dialogu, biseda dhe largimi nga ato fjalë që nuk janë te vërteta është rruga e vetme dhe drejte qe All-llahu xh.sh. i ka urdhëruar te dërguarit e tij dhe pasuesit e te dërguarve ta pasojnë, në atë mënyrë që të arrijnë te kënaqësia dhe të udhëzohen në besim ata të cilët i thërret në këtë besim të pastër, ta përqafojnë besimin e pastër i cili është në zgjedhje larg nga çfarëdo detyrimi apo dhune, thirrësit për në rrugën e All-llahut xh.sh. shembullin më të mirë dhe më të bukur e gjejnë tek të dërguarit e All-llahut xh.sh. në atë mënyrë që të kenë sukses dhe t'i realizojnë qëllimet e tyre të pastra dhe të arrijnë në cakun e duhur në mënyrën dhe përmes rrugës më të lehtë, të gjitha ato argumente që i kishte i dërguari i fundit Muhammedi a.s., ai ishte në shkallën më të lartë të moralit, sjelljes së mirë dhe forcës së argumenteve me gjithë atë All-llahu xh.sh. e urdhëron që t'i thërret njerëzit në besim me urtësi, butësi dhe dashamirësi dhe t'ua hapë zemrat, të përdor vetëm shprehjet e bukura dhe ia tërheq vërejtjen që të mos jetë i vrazhdë dhe arrogant dhe të largohen njerëzit nga ai dhe thirrja e tij, All-llahu xh.sh i drejtohet me këto fjalë të dërguarit të tij dhe umetit të tij duke iu thënë: “E sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet“ Ali Imran 159.
Dialogu në Kur’an
All-llahu xh.sh. ka përmend në Kur’anin famëlartë shumë nga tregimet e të dërguarve të tij dhe atë se çka ka ngjarë në mes tyre dhe popujve të tyre me dialog dhe fjalë e sjellje të mira të pejgamberëve.
Të gjitha ato tregime dhe rrëfime nuk janë përmendur për asgjë tjetër vetëm se të pasohet ajo rrugë dhe ato veprime si shembull, nga ana e të gjithë thirrësve për në besimin në krijuesin e gjithësisë dhe udhëzimin e tyre në rrugën e vërtetë e të drejtë, një nga ato shembuj të mirë është edhe ngjarja në mes Ibrahimit a.s. dhe popullit të tij me të cilët ka biseduar me butësi dhe dhembshuri ndaj tyre duke u ofruar atyre argumente të qarta, në mënyrë që të ketë mundësi të shkoj deri në fund të rrugës së thirrjes së tij, duke shkuar me ta hap pas hapi, këtë ngjarje e tregon shumë bukur All-llahu xh.sh ne Kur’anin famëlarte duke thënë: “Përkujtoju (o i dërguar) kur Ibrahimi i tha babait të vet Azerit: "A statuja (idhuj) adhuron për zota? Unë po të shoh ty dhe popullin tënd në një humbje të sigurt. E kështu Ibrahimit ia mundësuam t'i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t'u bërë edhe më i bindur. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: "Ky është Zoti im!" E kur u zhduk ai (perëndoi) tha:" Unë nuk i dua ata që humbën". Kur e pa hënën të posa lindur tha: "Ky është Zoti im! e kur perëndoi ajo, tha: Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!" Kur e pa diellin të lindur, tha: "Ky është Zoti im, ky është i madh!" e kur ai perëndoi, tha: O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!" Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok! “ En'am 74-79 .
Ibrahimi a.s. së pari ka filluar me këshilla për babanë e tij duke bërë përpjekje që me butësi ta largoi nga adhurimi i putave të cilët i ndërtonte me dorën e tij dhe ia shiste në treg popullit të tij, por ai nuk i përgjigjej kësaj thirrjeje, e Ibrahimi a.s. i thoshte “Unë po të shoh ty dhe popullin tënd në një humbje të sigurt.“ duke ua bërë me dije se nuk janë duke shkuar rrugës së drejtë dhe rrugës e cila i dërgon në shpëtim dhe janë duke e treguar paditurin e tyre, duke ua bërë me dije se atë çka janë duke e bërë është humbje dhe padituri e cila dallohet shumë qartë nga çdo kush me mendje të shendosh, pastaj sikur pajtohet me popullin e tij në adhurimin e yjeve, me ardhjen e natës dhe errësirës sheh një yll që shndriste dhe thotë: “Ky është Zoti im!“ pasi humbet ylli Ibrahimi a.s. thotë: “ Unë nuk i dua ata që humbën“ sepse ai i cili e meriton adhurimin e plotë nuk humb dhe nuk fshihet nga robërit e tij, por duhet të mbetet me ata gjithmonë dhe tq mos shuhet e humbet, pastaj e sheh hënën dhe thotë: “Ky është Zoti im!“, pasi ajo humbet dhe fshihet thotë: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!“, kur e sheh diellin që është shumë ndriçues dhe shumë qartë i dukshëm thotë: “Ky është Zoti im!” pasi edhe ky humbet u thotë popullit te tij: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!“, duket qartë se Ibrahimi a.s. ndjek rrugën e dialogut duke vepruar hap pas hapi për t'i thirrur në besimin në një Zot derisa t'ua bëj të qartë me vepra se këto yje dhe ato statuja nuk e meritojnë dhe nuk janë zotë që e meritojnë adhurimin, këtu Ibrahimi a.s. ua ka bërë të qartë edhe gabimin e tyre në adhurimin e tjetërkujt pos All-llahut xh.sh., sepse të gjitha këto yje dielli, hëna e të tjera në qiell nuk janë asgjë vetëm se trupa qiellor të cilët nuk mund t’u sjellin as dëm e as dobi, sepse ato janë të nënshtruara All-llahut xh.sh. Ai është Ai i cili i ka krijuar dhe çdo gjë është nën udhëheqjen e tij, All-llahu xh.sh. thotë: “Vërtetë, Zoti juaj, All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arshin, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është All-llahu, Zoti i botëve. “ A'raf 54 .
Pas krejt kësaj ngjarje dhe atij dialogu iu thotë: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!" Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok! “ En'am 79 .
Pastaj All-llahu xh.sh na tregon për dialogun tjetër në mes Ibrahimit a.s. dhe babait të tij kur e thërret atë në besimin në All-llahun xh.sh., na tregon urtuesinë, butësinë dhe tolerancën e thirrësit mysliman, në këtë rast Ibrahimi a.s., që në lidhje me këtë thotë: “Përkujtoju (lexoju idhujtarëve e të tjerëve) në Libër (në Kur'an) Ibrahimin. Ai vërtet ishte shumë i drejtë dhe pejgamber. Kur babait të vet i tha: "O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij? O babai im, mua më është dhënë nga dituria çka ty nuk të është dhënë, andaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë. O babai im, mos adhuro djallin, sepse djalli është kundërshtar i Mëshiruesit. O babai im, unë kam frikë se do të godet ndonjë dënim prej të Gjithmëshirshmit e do të jesh shok i djallit!" Ai (babai) tha: "A ti, Ibrahim, i refuzon zotat e mi? Nëse nuk ndalesh (së fyeri ndaj zotave të mi), unë do të gurëzoj, ndaj largohu prej meje për një kohë të gjatë!" “ Merjem 41-46
Këtu shihet qartë se si babai i Ibrahimit a.s. e kërcënon Ibrahimin a.s. me mbytje duke e goditur me gurë, me gjithë atë Ibrahimi a.s. i drejtohet me fjalë të buta ku All-llahu xh.sh. thotë: “Ai (Ibrahimi) tha: "Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus Zotin tim për të falur ty, pse ai (babai) ishte i kujdesshëm ndaj meje.“ Merjem 47 .
Kështu All-llahu xh.sh na mëson mënyrën e dialogut dhe edukatën e dialogut, ne kemi shembullin më të mirë tek pejgamberet e All-llahut xh.sh. dhe tek vula e pejgambereve, Muhammedi a.s., këtë na e thotë All-llahu xh.sh. në Kur’nin famëlartë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.“ Ahzab 21 .
Ndërsa në tregimin e Jusufit a.s. na e mëson rrugën e domosdoshme të cilën duhet ndjekur në mënyrë që të ketë sukses, duhet dialog, thirrje në besim dhe durim në vështirësi e fatkeqësi dhe të mos lihet në asnjë moment thirrja në besimin vërtete edhe në momentet më të vështira, All-llahu xh.sh. në kur’anin famëlarte thotë: “Mandej, pasi që vërtetuan argumentet (e pastërtisë së Jusufit), atyre (ministrit dhe rrethit të tij) iu paraqit ideja që atë për një kohë ta burgosin. Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: "Unë
ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë". E tjetri tha "Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët". Na trego komentimin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndrrave).“ Jusuf 35-36.
Jusufi a.s. nuk ua komentoi ëndrrat në atë moment kur i dëgjoi ato nga shokët e burgut, por dëshiroi që ata dy se pari të kenë besim tek ai, t'i pranojnë fjalët e tij dhe të jen të bindur se ai është shumë i sinqertë duke u thënë atyre dyve: “Tha: "Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos dijë, t'ju përshkruaj atë para se t'ju vijë.“ Jusuf 37.
Kjo ishte ajo çka ata dy e shikonin çdo ditë pastaj ju thotë atyre dyve: “Kjo është nga ajo çka më mësoi Zoti im (nuk është fall e as prognozë). Unë kam braktisur fenë e një populli që nuk e beson All-llahun as botën tjetër, e ata ishin jobesimtarë. Unë e ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is-hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t'i përshkruajmë kurrë një send shok All-llahut. Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga All-llahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën.“ Jusuf 37-38.
Jusufi a.s. ua tregon shkakun e dijes së tij në aspektin e komentimit të ëndrrave duke ia bërë me dije se e gjithë kjo është nga mëshira e All-llahut xh.sh., lënia nga ana e Jusifit a.s. pasimin e popullit jo besimtar dhe lenia a pasimit të baballarëve në fenë e pa vërtetë, pastaj Jusifi a.s. hyn në qështje të besimit pas asaj hyrjeje që e bëri fillimisht, All-llahu xh.sh thotë: ”O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm ose All-llahu, i vetmi ngadhënjimtar? Ata që ju adhuroni përveç All-llahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. All-llahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos All-llahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.“ Jusuf 39-40.
Me metodën e urtësisë, bisedimit të mirë, dialogut logjik dhe qetësisë, Jusufi a.s. korri sukses të plotë në rrugën e shenjtë të thirrjes islame.
Kjo është rruga e cila dërgon për në besim, rrugë e cila mundëson realizimin e qëllimeve të pastra, pa dhunë, pa urrejtje dhe pa arrogancë.
Përshtati nga gjuha arabe : Zuhdi Hajzeri