Hytbeja e Fitër Bajramit -2019

Të nderuar vëllezër e motra!

Edhe në këtë ditë feste e gëzimi të festës së Fitër Bajramit falënderojmë Allahun xh.sh., me ndihmën e të Cilit arritëm ta përfundojmë agjërimin e këtij muaji të shenjtë të bekuar të Ramazanit. Përshëndetje dhe salavate më të dashurit të Allahut xh.sh., Pejgamberit tonë, Muhamedut a.s., familjes së tij të ndershme dhe shokëve të tij besnik si dhe të gjithë atyre që me krenari pasuan dhe pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sot po përcjellim muajin e Ramazanit, muajin e Kuranit, muaj i cili për besimtarin Islam ka një rëndësi të madhe, ngase ishte muaji ku u kultivuan vlerat dhe virtytet më të larta shpirtërore, morale e shoqërore. Muaji ku edhe më shumë ngritëm nivelin e dashurisë ndaj Zotit xh.sh., vetëm e vetëm për ta fituar kënaqësinë e Tij, përmes një kodi të veçantë etik në të cilin dominon fuqia e vlerës dhe e parimit ndaj çfarëdo fuqie tjetër.

Derisa ky ishte Ramazani dhe këto ishin objektivat, ndaj edhe manifestimi i sotëm në ditën e Fitër Bajramit ngërthen në vete domethënien fe. Nisur nga këtu për ne kjo ditë feste shënon jo fundin e Ramazanit por pjesën e dytë të tij, pjesën në teren ku duhet dëshmuar mësimet e marra në Ramazan. Nëse në Ramazan kemi mësuar për mirësjelljen, solidaritetin, faljen ndërsa sot në festë nuk i dëshmojmë, atëherë ne kemi dështuar. “Festa pa shpirtmadhësi e falje thjesht është një copë letër në kalendar”.

Pas një muaji dedikimi e sakrifice për t’u afruar më tepër me Zotin, ku kultivuam shpirtmadhësinë tolerancën, vëllazërinë, solidaritetin, vlera këto të cilit kanë një rol të pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë. Ngase këto janë parime të fesë sonë Islame ku sot gjej rastin që para juve të vlerësoj lart këto parime të mëdha që feja islame i përçon në mbarë njerëzimin dhe në mënyrë të veçantë dua t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë imamëve e nëpunësve të Bashkësisë Islame për punën e shkëlqyer që bëjnë çdo ditë për të përhapur këto vlera të mirësisë, të paqes të vëllazërimit, të tolerancës, humanitetit, të respektit dhe të gatishmërisë që edhe përmes sakrificës të ndihmojmë atë që është në nevojë. Festa e Fitër Bajramit është një arenë, ku shkrihen dallimet, pozitat, arenë ku takohen të gjitha me fitoren e përbashkët për të mirën e përgjithshme.

Festa e Fiter Bajramit, troket në zemrën dhe shpirtin e besimtarit, troket në vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore. Ndaj sot kemi rastin për të festuar ditën kur myslimanët i gëzohen dhe shijojnë mundësinë që ta kalojnë atë së bashku me familjarët dhe njerëzit e tyre të dashur.

Kjo ditë është dita e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin në familje dhe me njerëzit e shoqërisë sonë. Mos të harrojmë se Allahu xh.sh. nw Kuranin e shenjtë ka thanë:

“ O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bamë popuj e fise që të njiheni mes vete…’’ El-Huxhurat-13.

Kjo ditë është dita kur besimtari falë njerëzit e tjerë, falni ata që ju kanë ofenduar, ata që kanë shpifur, dhe kanë folur keq për ju. Mos harroni se Allahu xh.sh., është me ata që falin kur ju falni tregoni mëshirën e Zoti xh.sh., që është brenda jush dhe bëheni shkak që Zoti t’ju falë juve në Ditën e Gjykimit.

Zoti nuk ka nevojë për vlerësimin dhe mirënjohjen tonë ? Ai është Krijues i çdo gjëje, është i pafillim dhe i pambarim, ndryshe nga krijesat e Tij, jemi ne ata që kemi nevojë të përmirësojmë veten tonë, duke lidhur zemrat tona me përmendjen e Tij, si dhe duke përfituar nga shprehja e mirënjohjes së Tij. Allahu xh.sh. thotë:

“ E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua” El-Bekare 186

Mirësitë e Zotit xh.sh., janë të shumta, ne ato i marrim në çdo moment, frymarrja, dëgjimi, shikimi, qarkullimi i gjakut, nxehtësia e diellit, rrotullimi i tokës, të gjitha këto e tjera mund të ndodhin në të njëjtën kohë , shtrohet pyetja a thua jemi mjaftueshëm falënderues ndaj Allahut xh.sh.

Të nderuar vëllezër e motra

E ka bërë Allahu tokën vebdbanim edhe për njeriun, të jetoi dhe të angazhohet e punoi që të shfrytëzoi të mirat e saj. Toka është sikur nëna prej të cilës na krijoi Allahu xh.sh., dhe në të cilën jetojmë. Njeriu ka përvetësuar në vazhdimësi nga të mirat e kësaj toke, nga uji, lisat, pemët, gjallesat e tjera të shumta, nga thesare të shumta të krijuar në brendësin e tokës për të mirën e njeriut. Kështu toka u bë vendbanim i të gjithë popujve të botës pa dallim, u bë edhe vatani i tyre i posaçëm.

Njohja e vlerës së atdheut për njeriun është edhe pjesë e besimit të besimtarit Islam, vatani është ai i cili njeriut i dhuron identitet, siguri, lumturi, i jep shtetësinë që aq shumë na mungoi.

Gjëja më e shtrenjtë që posedon njeriu është feja dhe vatani, të gjithë njerëzit e botës krenohen me atdheun e tyre, ngase është vendi ku lind, është djepi ku u rritë, është fëmiria dhe jeta e tij, është burim i mbamendjes, është atdhe i baballarëve dhe stërgjyshëve, vend ku rriten fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij. Derisa edhe gjallesat e tjera nuk kënaqën përveçse në vendin e tyre, kalojnë distanca të gjata për tu kthyer prapa në vendin apo folën e tyre.

Allahu xh.sh., e ka vendosur në natyrën e njeriut që ai ta donë atdheun e vet, duke treguar dashurin dhe respektin për vendin ku u lind dhe u rrit. Ndaj Islami ka mbjellë në zemrën dhe natyrën e njeriut lidhje të fortë me vatanin, tokën mbi të cilën jeton dhe ushqehet nga të mirat e saj dhe e adhuron Allahun xh.sh., pa kurrfarë pengese.

Vëllezër e motra

Atdheu është sikur një lis nën të cilin ndalemi që të na mbulon hija e tij, i cili na ruan dhe në të cilin gjejmë dashurinë, përkujdesjen dhe ngrohtësinë. Atdheu për qytetarin është sikur nëna për fëmiun e saj, për të cilin përkujdeset që nga femëria, dhe e mbron nga çdo e ligë, duke i falur çdo gjë nga vetja e saj, por edhe ngrohtësinë shpirtërore.

Dashuria ndaj atdheut është besimi i fortë në zemrën e çdo njërit i cili përkujdeset për ruajtjen, zhvillimin, sigurinë, mirëqenien e cila vjen si rezultat i bindjes së fortë që japin zemra dhe shpirti karshi atdheut. Nuk mjafton dashuria ndaj atdheut vetëm me fjalë e retorikë shterpe, vatani nuk e pranon vetëm këtë, por krahas kësaj duhet të jetë dashuria dhe përkujdesja përmes kontributit dhe angazhimit në vazhdimësi, sakrificës, mbrojtjes, ndërtimit, zhvillimit, prodhimit etj. Shoqëria jonë ka nevojë të ngritët mbi themele të shëndosha dhe mbi bazën e punës së ndershme, dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues. Ngase atdheu është gjëja më e shtrenjtë që posedon qytetari i saj, me dashurin e tij ndaj vatanit me punën e tij të ndershme e ruan atë, i jep siguri, e mbron atë që të qëndrojë i pathyeshëm, larg nga çdo gjë që shkon në dëm të atdheut.

Dashuria ndaj vatanit është natyrshmëri e cila buron nga brendësia e shpirtit e cila lind me lindjen e njeriut dhe rritet me te kohë pas kohe. Atdhetari i ndershëm e çmon këtë dashuri ndaj atdheut të cilën edhe më e rritë me kalimin e kohës. Derisa qytetari jo i mirë i cili shikon interesat e tij vetjake para atyre të shtetit ai e shfrytëzon dashurin ndaj vatanit për nevoja të tij të ngushta duke i bërë keq vatanit, e ky është ai njeri i cili nuk kupton se çka është besimi dhe çka është vdekja.

Vatani kërkon mirësi të vazhdueshme nga qytetarët të cilët jetojnë në atë vend dhe në atë shoqëri duke e ruajtur të mos e godas asnjë e keqe. Vatani meriton sakrificën e shpirtit tonë për ta mbrojt dhe ruajtur krenarin dhe nderin e atdheut ndaj atyre që dëshirojnë t’i bëjnë keq vendit dhe qytetarëve.

Dashurin ndaj atdheut më së miri mund ta kuptojmë edhe nga vetë i Dërguari fundit i Allahut xh.sh. kur atë e larguan mushriket kurejsh nga vendlindja e tij nga Mekja e bekuar, në të cilën u lind, u rrit dhe u edukua, në të cilën filloi t’i zbres edhe shpallja, ai nuk kishte dëshirën që të largohet nga Meka në të cilën kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij me këtë rast rrugës për në Medinë tha: ‘’ Nuk ka vend më të bukur se ti, dhe më të dashur te unë, e sikur populli im të mos më largonte nga Meka, nuk do të banoja-jetoja diku tjetër’’ kjo ishte dashuria dhe respekti që kishte Muhamedi a.s., për vendlindjen e tij për Meken e dashur, ndaj një dashuri të tillë duhet ta kemi edhe ne për atdheun tonë.

Të nderuar vëllezër e motra

Të gjithë jemi në dijeni për migrimin e vëllezërve dhe motrave tanë jashtë Kosovës, nëpër vende të ndryshme të botës, që kohëve të fundit ka filluar të jetë shumë shqetësuese. Gjendja e rëndë ekonomike si shkas kryesor i migrimit duhet të luftohet. Platforma solidarizuese që promovon Ramazani mund të jetë si formë e suksesshme e luftimit të kësaj dukurie. Kështu nëse arrijmë të kthehemi në një trup, nëse karshi tjetrit ndiejmë përgjegjësi, nëse vuajmë për tjetrin dhe gëzohemi për të, atëherë ne do të sfidojmë gjendjen e rëndë ekonomike duke luftuar çdo lloj krimi apo korrupsioni, e të angazhohemi për të mirën e vendit që është edhe amanet i të gjithë atyre që ranë dëshmorë për çlirimin e vendit.

Fjala atdhe-vatan është fjalë të cilën e do zemra dhe buron prej saj, Kosovë është fjalë e pa zëvendësuar e cila është e mishëruar me shpirtin, zemrën dhe mendjen tonë, ndaj të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tanë.

Do të doja që fjalët e mia të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e qeveri që të reflektojmë në të mirë dhe për të mirën e atdheut, të krijohen mundësi të reja për punësim të rinis sonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë, e fatin e tyre për një jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova, por edhe trojet tona tjera shqiptare. Shqiptarët me shekuj kanë dëshmuar se e duan vendin e tyre, edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë ata u kthyen në Kosovën tonë, për ta ruajtur dhe për ta bërë edhe më të mirë, do ta bëjnë prapë nëse ata shohin ndryshimin e duhur.


Në këto çaste të kësaj feste të Fitër Bajramit, në këtë ditë feste të rëndësishme për paqen dhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit ndaj Zotit Krijues, ftojë për një unitetet edhe më të fortë mes nesh, për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë, për një mirëkuptim dhe besim edhe më të madhe ndër fetare me të tjerët, të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe të fesë tonë, dhe si të tilla, ato përbëjnë një garanci të sigurt për të ardhmen e shtetit tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh.

Urime festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona, por edhe në mërgatën e largët kudo që ata gjenden duke e lutur Zotin që në botë të mbretërojë paqja dhe lumturia.

Myftiu: Naim Tërnava
03.06.2019
Prishtinë