Islami dhe sistemet e tjera ekonomike

 


Sistemet më dominuese ekonomike në botë janë kapitalizmi dhe socializmi ose kombinim i të dyjave. Kapitalizmi është filozofia ekonomike që dominon kryesisht në Botën Perëndimore dhe në shBa, kurse socializmi dominon në rusi dhe kinë. Para se të bëjmë një krahasim në mes të sistemit ekonomik të bazuar në parimet islame, dhe kapitalizmit apo socializmit, së pari do të bëjmë një përshkrim të këtyre dy sistemeve për ta ndjekur me një krahasim.


Ekonomia islame dhe ekonomia kapitaliste


Qëllimi i këtij punimi është një studim krahasues i disa çështjeve ekonomike dhe shpjegimi i tyre në këto dy sisteme ekonomike, të cilat bazohen në filozofi të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk është qëllimi që të bëhet një studim krejtësisht ekonomik, por vetëm dallimet në botëkuptime në mes të dy sistemeve. Ka shumë gjëra në të cilat këto dy sisteme pajtohen dhe mund të funksionojnë së bashku; këtu do të përmenden vetëm disa dallime. Pas kësaj do të bëhet edhe krahasimi me ekonominë socialiste. Ç'është kapitalizmi? Sipas përkufizimit të fjalorit 'Collins Dictionary' kapitalizmi është "një sistem ekonomik i bazuar në pronësinë private të mjeteve të prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit". Në një shpjegim më të gjerë, kapitalizëm është emërtimi që i është dhënë një sistemi ekonomik në të cilin mjetet bazë për prodhimin, shpërndarjen dhe këmbimin, janë në pronësi private (të individëve apo korporatave). Motivi i profitit konstituon stimulimin kryesor për angazhim në prodhim dhe mekanizmi i çmimit përcakton se ç'do të prodhohet me çfarë sasie dhe me çfarë kushtesh apo cilësie. Botëkuptimi ekonomik sipas kapitalizmit është një model në të cilin kapitali është pronë private dhe mund të përdoret lirisht pa ndonjë kufizim, nga pronarët e tyre, ashtu sikur ata dëshirojnë për të arritur fitimin në ndërmarrjet ekonomike të tyre. Prandaj në këtë sistem ekonomik prodhimi dhe tregtia janë të organizuara në baza individuale. Persona a kompani private dhe korporata, me anën e kapitalit të akumuluar më herët, po të shumtën e rasteve përdoren paratë që huazohen me kamatë, bëjnë përfitime dhe ndërtojnë biznese apo perandori industriale për veten e tyre duke i angazhuar në një masë të madhe të tjerët.


Veçoritë e kapitalizmit


Veçoritë kryesore të kapitalizmit janë: posedimi i pakufizuar i pasurisë private dhe e mjeteve të prodhimit, këmbimit dhe shpërndarjes; liria ekonomike; motivi i fitimit si një stimulim për aktivitete prodhuese; tregu i lirë dhe konkurrues; ekzistimi i monopoleve; bankat dhe institucionet financiare të bazuara kryesisht në kamatë; shpërndarja e pasurisë në mënyrë disproporcionale; shfrytëzimi të dobëtit nga i forti.


Konceptet bazë të ekonomisë islame dhe të asaj kapitaliste
E drejta e pronësisë


Ekzistenca e së drejtës së pronësisë private është karakteristika kryesore e kapitalizmit. Ai u jep të drejtë të plotë dhe të palimituar individëve mbi pronën që kanë në posedim. Individët mund të blejnë, posedojnë apo izolojnë pasurinë e tyre në çfarëdo mënyre që të dëshirojnë. Ky sistem beson në pronësinë private të mjeteve të prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit që menaxhohen dhe kontrollohen nga individë apo grupe individësh për përfitime private. E drejta e palimituar për të poseduar pasuri dhe mënyra e pakufizuar për të fituar shpien në grumbullimin e pasurisë në vetëm pak duar a persona. Kjo patjetër pengon balancimin e shpërndarjes së pasurisë dhe të ardhurave në shoqëri. Diskrepanca ekonomike dhe zbrazëtia në mes të pasurve dhe të varfërve, që është në rritje, po i zbulon gjithnjë e më shumë defektet e kapitalizmit. Koncepti islam mbi pronësinë është i veçantë. Pronësia, në të vërtetë I takon Zotit dhe disa të drejta pronësore i takojnë edhe njeriut, në mënyrë që ai të plotësoj detyrat e caktuara nga Zoti.1 Ky duhet të jetë qëllimi i njerëzimit, që t'i kenë në konsideratë ata që janë në nevojë. Me fjalë të tjera, gjithçka që Zoti ka krijuar në këtë botë për të mirë dhe shërbim të njerëzve, u takon të gjithë njerëzve. Ligjërisht, pronësia private apo individuale është e njohur në Islam, por i dorëzohet u nënshtrohet obligimeve morale, prandaj pronësia private apo individuale nuk është e palimituar dhe e pakontrolluar. Çdo mjet prodhimi apo çdo pasuri nuk vihet në pronësinë private. shteti, sipas sistemit ekonomik islam, ka të drejtë të kombëtarizojë disa gjëra që janë në pronësinë private, pasi të kategorizohen se janë për të mirën e tërë komunitetit dhe në atë mënyrë t'i shërbejnë më mirë këtij qëllimi. Në këtë mënyrë, e drejta e kufizuar për pronësinë private me të drejtën e trashëgimisë, që pasurinë e të vdekurit e shpërndan tek trashëgimtarët e tij në mënyrë të drejtë, largon përqendrimin e pasurisë në vetëm pak duar dhe ndalon konfliktin ndërklasor.


Liria ekonomike


Liria ekonomike e pakufizuar dhe mosndërhyrja e shtetit në këtë liri, është një karakteristikë tjetër e ekonomisë kapitaliste. Çdo person është i lirë të fillojë, të organizoj apo të themelojë çfarëdo ndërmarrjeje, biznesi, tregtie, profesioni etj.. Ai është i lirë të fitojë të ardhura sa më shumë që të mundet, sepse ai është i lirë ta përdorë a ta shpenzojë pasurinë e tij si të dëshirojë. Kjo liri ekonomike e pakufizuar, të shumtën shpie në fitim të pasurisë në mënyrë të gabuar, siç janë prostitucioni dhe bixhozi. Kjo gjithashtu arsyeton sjelljet jo të mira në biznes, p.sh. tregu i zi, spekulime, padrejtësi dhe eksploatim. Kështu, gara e çmendur për të fituar sa më shumë pasuri, bëhet rregull i ditës dhe vlerat e larta shoqërore e morale, siç janë vëllazëria, ndihma e përbashkët, dashuria e besueshmëria, zëvendësohen nga egoizmi, urrejtja, falsifikime dhe pabesi. Këto tashmë janë vërejtur në sistemin kapitalist si 'feja e parave' apo diktatura e dollarit. Sistemi ekonomik islam e lejon lirinë ekonomike për një person që e ka lirinë për të fituar pasuri, për ta poseduar dhe shpenzuar atë sipas dëshirës së tij. Liria që Islami cakton në sferën ekonomike, nuk është e pakufizuar. Islami bën dallim në mes të asaj që është Hallall (e lejuar e ligjore) dhe Haram (e ndaluar dhe joligjore) në çdo aktivitet ekonomik, duke përfshirë prodhimin, këmbimin dhe konsumimin. Për myslimanët janë të ndaluara disa mjete dhe metoda të fitimit të pasurisë, si p.sh. kamata, ryshfeti, bixhozi, spekulimi, monopoli, uzurpimi i pasurisë së personave më të dobët, prostitucioni, shitja e alkoolit dhe gjërave tjera të ndaluara sipas Sheriatit. Myslimani është i obliguar të paguajë Zekatin dhe inkurajohet që të shpenzojë aq sa ka mundësi për të ndihmuar të varfrit dhe të pamundshmit. Të gjitha këto promovojnë vlerat morale në një shoqëri islame dhe eliminojnë garën e çmendur për pasuri dhe përfitime materiale.2


Monopoli


Konkurrenca, është një veçori e kapitalizmit dhe po bëhet në atë mënyrë që ka rezultuar shkatërrimin e kompanive dhe ndërmarrjeve të vogla. Konkurrenca e këtij lloji, e cila bëhet jo me qëllim të ofrimit të shërbimeve dhe çmimeve konkurruese, por me qëllim të shkrirjes së bizneseve dhe organizatave të vogla në ato të mëdhatë, shpie në themelimin e monopoleve të ndryshme. Monopolet shkatërrojnë konkurrencën e lirë, shkaktojnë inflacion në çmime që ka si rezultat rritjen e papunësisë, kështu që punëtorët dhe konsumatorët në situata të tilla eksploatohen. Në anën tjetër, zinxhiri i tregtisë, prodhimi i paplanifikuar, konkurrenca e tepruar, rritja e akumulimit të pasurisë - çrregullojnë balancimin në mes prodhimit dhe konsumimit, që nganjëherë shkakton depresion ekonomik. Në sistemin ekonomik islam, konkurrenca jo e shëndoshë ndalohet, sikur edhe çdo rrugë a mjet që shpie aty. Islami ndalon gjithashtu themelimin e monopoleve. Transmetohet se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë se kushdo që krijon monopol mbi një produkt, është mëkatar. Në veçanti, janë të ndaluara monopolet mbi prodhimet ushqimore apo artikujt që janë për përdorim të përditshëm. Prodhimet dhe shërbimet që janë pjesë e një interesi të përbashkët të komunitetit, nuk lejohet kurrë të monopolizohen. interesi i konsumatorëve dhe punëtorëve është i mbrojtur dhe balancimi në mes të prodhimit dhe konsumimit nuk lejohet të pengohet në asnjë mënyrë.3


Institucionet e kreditimit me kamatë


institucionet e bankimit dhe interesit përbëjnë bazën e jetës së modelit të ekonomisë kapitaliste. Për biznes, tregti dhe industri, në veçanti për projektet e mëdha ekonomike, kërkohen fonde të mëdha që nuk mund t'i aranzhojnë individët apo kompanitë. Kërkesa për fonde të këtij lloji ka bërë që për këtë lloj veprimtarie të themelohen banka, të cilat huazojnë kapital prej depozituesve dhe investitorëve, me një normë interesi më të ulët, dhe i kreditojnë ato fonde te bizneset dhe ndërmarrjet me një normë interesi më të lartë. Kështu institucionet e kredidhënieve janë bërë pjesë e pandashme e kapitalizmit. ekonomia islame interesin/ kamatën e konsideron si një institucion shfrytëzues të njerëzimit dhe ai, si i tillë, është i ndaluar rrënjësisht në çdo formë dhe manifestim. Sipas normave islame, dhënia apo marrja e kamatës konsiderohet si një luftë me Allahun dhe të dërguarin e Tij, ndërsa, sipas shpjegimit të Pejgamberit a.s., kamata është më e keqe se amoraliteti. Islami ekonominë e ndërton në baza të lira nga kamata dhe inkurajon investimet në formë aksionare dhe në partneritet, si stimulim për kursime dhe investime.


Eksploatimi


E drejta ekonomike e pakufizuar dhe e drejta për pronësi private të pakontrolluar, praktikisht kanë rezultuar me eksploatimin. eksploatimi ekonomik i të dobëtit nga i forti është një veprim i pamohueshëm në ekonominë kapitaliste. Pasuria është bërë synim dhe fitimi i saj përmes rrugëve të drejta ose jo, varet nga përgjegjësia morale e secilit. Dhe si rezultat, secili shfrytëzon tjetrin ekonomikisht, me arsyetimin e f itimit të pasurisë sa më shumë që është e mundshme. Sistemi ekonomik islam, duhet të sigurohet patjetër që eksploatimi i një personi nga tjetri është eliminuar. Ndërmerren shumë masa efektive për të arritur këtë. Kamata është instrumenti më i keq për eksploatimin e njerëzve dhe është e ndaluar në të gjitha format në Islam. Format e tjera të eksploatimit, siç janë: ryshfeti, bixhozi, transaksione spekulative, prostitucioni - janë gjithashtu të ndaluara. Interesi i klasës më të dobët të shoqërisë: grave, jetimëve, punëtorëve dhe konsumatorëve - në ekonominë islame është i mbrojtur me legjislacion. Islami i ka dhënë kësaj kategorie të shoqërisë shumë të drejta, të cilat nuk kanë qenë të njohura më parë në histori.


Shpërndarja e pasurisë


Kapitalizmi nuk beson në shpërndarjen e drejtë të pasurisë. Sepse ky sistem beson në lirinë e plotë ekonomike dhe pronësinë private të mjeteve të prodhimit; në ekonominë kapitaliste ka dallime të mëdha ekonomike. Përqendrimi i pasurisë tek vetëm disa pronarë zë vend përderisa shumica e popullsisë është e privuar nga gjërat më elementare për jetë. Ata të privilegjuar të paktë bëjnë një jetë luksoze, kurse, në anën tjetër, varfëria, injoranca, sëmundjet dhe papunësia janë dukuri në një masë të madhe. Pengimi i balancimit të shpërndarjes të drejtë të burimeve ekonomike dhe dallimi i pakrahasueshëm në mes të pasurve dhe të varfërve, është një sfidë e klasave dhe rezultati negativ i sistemit ekonomik. Islami për njerëzit garanton sigurimin e gjërave esenciale, siç janë: ushqimi, veshja dhe strehimi për secilin dhe, në anën tjetër, siguron shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të pasurisë dhe burimeve ekonomike për të gjithë. Nuk tolerohen dallime të mëdha ekonomike në mes të pasurve e të varfërve dhe synohet eliminimi i përqendrimit të pasurisë tek vetëm disa persona. Për ta zvogëluar më shumë dallimin në mes të varfërve e të pasurve dhe për sigurimin e drejtësisë në shpërndarjen e pasurisë, ekonomia islame ka ndërmarrë disa veprime: dhënia e zekatit dhe sadakasë, ligji i trashëgimisë, donacionet humanitare dhe kontributet e detyruara në formë taksash dhe doganat. Për të ndaluar përqendrimin e pasurisë tek vetëm disa persona, kodi i ekonomisë islame ka ndërmarrë masat si: ndalimin e kamatës, ndalimin e fitimit të pasurisë me metoda dhe mjete të ndaluara, ndalimin e izolimit të pasurisë për shkak të krijimit të kërkesës në mënyrë artificiale dhe ngritjen e çmimeve, ose edhe për shkak të neglizhencës së personave.


 


Dituria Islame 247