Pranimi i Islamit nga Aliu r.a. dhe kontributi i tij

 


Aliu r.a. kishte tre vëllezër e dy motra. vëllezërit e tij ishin: Talibi, Akili dhe Xhaferri, kurse njëra nga motrat e tij ishte Umu Hani. Përsa i përket Talibit, ai u vonua në pranimin e Islamit deri në betejën e Bedrit. Madje ka mendime që ai nuk e kishte pranuar fare islamin. edhe akili ishte vonuar në pranimin e islamit deri në betejën e Bedrit, por, kur e pranoi Islamin, u bë mysliman shumë i përkushtuar. Ai fitoi një nam të madh në mesin e myslimanëve dhe dihet se shumë fëmijë të tij kishin rënë dëshmorë, së bashku me Husejnin në Kerbela. Ndërsa vëllai tjetër i Aliut, Xhaferri, njihej me emrin "Xhaferri fluturues", dëshmori i Mutetes. Pejgamberi a.s. për të, në luftën e Mutetes, kishte thënë që e shihte Xhaferrin në Xhennet tek fluturonte me krahët e tij nga diamanti, kënaqej dhe dëfrehej në Xhenet, ushqehej nga frutat dhe pinte ujë nga lumenjtë e kulluar të tij. 
Aliu u lind 23 vjet para hixhretit. Ai ishte më i ri se Pejgamberi a.s. rreth 30 vjet, që do të thotë se Aliu nuk e kishte përjetuar shirkun (idhujtarinë), sepse Islamin e kishte pranuar qysh i ri. Kur filloi t`i zbriste Shpallja Pejgamberit a.s., ai e lajmëroi për këtë familjen e Aliut r.a., nga e cila Aliu edhe si fëmijë dhe si besimtar ishte i pari që pranoi Islamin ende pa mbushur 10 vjet. Kur kishte bërë emigrimin Pejgamberi a.s., Aliu kishte fjetur në krevatin e Pejgamberit a.s., kur ishte afër 23 vjeçar.


Vetëmohimi dhe sakrifica


Aliu r.a., si dhe ashabët më të respektuar të Pejgamberit a.s., asnjëherë nuk ishin hamendur kur duhej të sakrifikonin diçka në rrugën e thirrjes islame, sepse për këtë ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe pasurinë, edhe jetën e tyre. Për sa i përket Aliut r.a., mjafton të përmendet fakti se ai qe njeriu i parë që sakrifikoi jetën e vet për Islamin duke e vënë veten në rrezik. Kjo kishte ndodhur atëherë kur fjeti në shtratin e Pejgamberit a.s., i cili kishte bërë Hixhretin (emigrimin) në Medinë. Aliu e kishte përballuar këtë vetëmohim, sepse ishte pjesëmarrës i realizimit të projektit që e kishte përcaktuar prijësi i tij, Muhamedi a.s., në dobi të kësaj feje. Aliu r.a. ishte nga kalorësit më të shquar myslimanë në shumë beteja dhe ekspedita ushtarake, prej të cilave qenë Bedri dhe Uhudi. Ai nuk ka munguar në asnjë betejë përveç asaj në Tebuk, kur Pejgamberi a.s. e kishte caktuar të administronte Medinën. Në shumë beteja ai ishte bartës i flamurit dhe shumë shpesh ishte prej atyre që qëndronin gjithnjë afër Pejgamberit a.s., për ta mbrojtur. Në betejën e Hajberit, kur myslimanët nuk aritën të thyenin rezistencën e kështjellës, Pejgamberi a.s. pati deklaruar: "Nesër flamurin do t'ua dorëzoi atyre të cilëve Allahu do t'ua japë fitoren…". Njerëzit nuk fjetën tërë natën duke menduar se cilëve prej tyre do t'ua dorëzonte flamurin. Kur agoi mëngjesi, shkuan te Pejgamberi a.s. dhe secili prej tyre kërkoi ta bartte flamurin. Pejgamberi a.s. pyeti: "Ku është Aliu?". I thanë se ankohej se kishte kokëdhembje. "Shkoni ta f toni dhe ma sillni"! Kur Aliu erdhi, ai ia lagu sytë me pështymën e tij, bëri një dua për të dhe ky u shëndosh sikur të mos kishte pasur kurrfarë dhembjeje. Pastaj ia dorëzoi flamurin dhe u vëllazërua me të.[12] 12. Ibni S'ad, 3/22.


Pranimi i islamit nga Aliu r.a.


Kur Pejgamberit a.s. kishte filluar t`i zbriste Shpallja, Aliu një ditëkishte hyrë në dhomën e tij, dhe aty kishte gjetur Pejgamberin a.s. dhe bashkëshorten e tij, Hatixhen r.a., duke u falur. Aliu i pyeti ata: "Ç`është kjo që po bëni?" Pejgamberi a.s. i tha: "Kjo është feja e Allahut xh.sh., që e ka zgjedhur Ai për robërit e Vet dhe Mua më ka zgjedhur të Dërguar të Tij. Unë të ftoj ty të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij". Besimi në latin dhe uzanë është kufër. Aliu tha se këtë çështje nuk e kishte dëgjuar më parë. "Më prit derisa t`i tregoj Ebu Talibit". Pejgamberi a.s. i tha: "O Ali, nëse nuk e pranon Islamin, atëherë mbaje këtë çështje sekrete". Aliu ia ktheu "Më lejo pak të mendohem". Ai e kaloi natën duke menduar dhe në mëngjes i tha Pejgamberit a.s.: "Ma përsërit edhe një herë atë që më the mbrëmë". Pejgamberi a.s. ia përsëriti sërish dhe Aliu tha: "Dëshmoj që nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij". Aliu në fillim Islamin e tij e mbante fshehur edhe nga i ati, Ebu Talibi. Kur e pa duke u falur, babai i tij e pyeti se çfarë po bënte. Aliu i tha: "Kam besuar Allahun dhe kam ndjekur rrugën e Pejgamberit a.s.. Të ftoj edhe ty në këtë rrugë". Ebu Talibi i tha: "O biri im, vazhdo t`i bindesh Muhamedit dhe qëndro afër tij, se ai nuk të humb, po të shpie në mirësi, kurse unë nuk e lë fenë e të parëve të mi". Sipas shiinjve, Ebu Talibi e kishte pranuar Islamin në fund të jetës së tij. Sipas një transmetimi të Enes ibni Malikut, Muhamedit a.s. kishte filluar t`i zbriste shpallja ditën e hënë, kurse Aliu e kishte pranuar islamin të nesërme, të martën, kur kishte mbushur nëntë vjeç, afër moshës dhjetë vjeç. Për shkak të moshës së re, ai nuk e kishte përjetuar shirkun, siç e cekëm edhe më sipër. Ibni Hishami thekson se Aliu është i pari nga meshkujt që kishte pranuar Islamin.


Qëndrimi i tij ndaj Pejgamberit a.s.


Aliu r.a. kishte gjatësi mesatare, fytyrën e kishte të rrumbullakët si Hëna, nuk kishte flokë, duart i kishte të fuqishme dhe trupin muskulor. Në kohën e tij thoshin se kush e shihte Aliun, i dukej sikur shihte Pejgamberin a.s.. Kur Allahu xh.sh. e urdhëroi Pejgamberin a.s. që ta përcillte mesazhin hyjnor te familja dhe të afërmit e tij, përmes ajetit: "Tërheqja vërejtjen familjes dhe të afërmve"(Esh-Shuara: 214), ai nisi t`u fliste për këtë fe, duke ua shpjeguar misionin për të cilin ishte dërguar. Pejgamberi a.s. i pyeste cili prej tyre do të besonte, por që të gjithë heshtnin. Në mesin e tyre u ngrit një djalosh 12-vjeçar dhe tha: "Unë e besoj atë për se bën thirrje ti"!. Kush mund të ishte ky djalosh përveç Ali bin Ebi Talibit. Pas kësaj ngjarjeje, Pejgamberi a.s. dhe ashabët e tij që kishin pranuar Islamin, filluan të ballafaqoheshin me keqtrajtimet e Kurejshitëve. Ata e pengonin Pejgamberin a.s. që fjala e tij të arrinte tek njerëzit.Ebu Lehebi e ndiqte këmba-këmbës, me qëllim që Muhamedi a.s. të mos i fliste askujt në Mekë. Në këto rrethana të krijuara, Ebu Dherri kishte dërguar vëllanë e tij në Mekë, që të njihej me lajmet e Pejgamberit të fundit, që do të dërgohej në Mekë. Meqë vëllai i tij nuk arriti të mësonte asgjë për këtë Pejgamber, Ebu Dherri vendosi të shkonte vetë atje. Ebu Dherri hyri në Mekë dhe qëndroi pranë Qabesë. Aliu r.a. e pa që po rrinte vetëm, prandaj e pyeti në ishte i huaj. Ebu Dherri i tha po. Aliu r.a. e ftoi mysafir në shtëpinë e tij. Ebu Dherri e kaloi natën tek ai e në mëngjes u largua. Të nesërmen Aliu e takoi sërish duke pritur pranë Qabesë dhe e pyeti: "A je ende i huaj"? Ebu Dherri pohoi, prandaj Aliu e mori sërish mysafir. Edhe ditën e tretë Aliu e takoi përsëri dhe i përsëriti të njëjtat fjalë… Ai e pyeti: "Apo më tregon të vërtetën për se je këtu"? Ebu Dherri i tha kësaj here: "A e mban sekret"? Aliu i tha: "Po". Atëherë ai nisi të tregonte: "Unë kam ardhur që ta gjej pejgamberin e fundit në këtë vend". Atëherë, Aliu i tha: "Unë të tregoj ku është, por dije që ka njerëz që na ndjekin. Kur të më shohësh që po ulem për të marrë diçka në rrugë, largohu prej meje dhe eja të takohemi të nesërmen". Ndodhi që atë ditë ata të ndaheshin e të takoheshin të nesërmen. Aliu e dërgoi Ebu Dherrin te Pejgamberi a.s., ku ai dëgjoi mësimet nga Pejgamberi a.s. dhe pranoi Islamin.


Hixhreti i Aliut r.a.


Pasi ishin krijuar të gjitha kushtet dhe rrethanat për emigrimin e Pejgamberit në Medinë, Pejgamberi a.s. priste urdhrin e Allahut përmes Xhibrilit për të vepruar. Kur erdhi urdhri nga Allahu xh.sh., Pejgamberi a.s. e lëshoi Mekën, kurse mushrikët Kurejshë që të gjithë u ngritën në këmbë për ta ndëshkuar Pejgamberin a.s.. Ata nuk e hasën askund Pejgamberin a.s., nuk e gjetën as në shtëpinë e tij, as në shtratin e tij, ku flinte në vend të Pejgamberit a.s. Aliu r.a.. Para se të dilte nga shtëpia, Muhamedi a.s. e kishte caktuar Aliun r.a. që të flinte në shtratin e tij duke i thënë: "Mos u frikëso, se nuk do të të dëmtojë asgjë". Aliu tregon e thotë: "Pasha Allahun, nuk kam f jetur asnjë natë më mirë se kjo". Kur mushrikët Kurejshë rrethuan shtëpinë e Pejgamberit a.s., hynë brenda dhe nuk e gjetën Pejgamberin a.s. në shtratin e tij, në fillim nuk besuan se Muhamedi a.s. e kishte lëshuar Mekën, duke shpresuar se këtë punë nuk do ta bënte pa e shoqëruar edhe Aliu. Pejgamberi a.s. e kishte urdhëruar Aliun r.a. që të mos shkonte pas tij derisa të kryente porositë dhe obligimet tjera që kishte në shtëpi. Pasi i kreu, ai u nis për Medinë dhe, gjatë rrugës, u ndal në Kuba për ta takuar Pejgamberin a.s.. Pas takimit në Kuba, ata për një kohë nuk u takuan më. Pejgamberi a.s. kishte pyetur pse mungonte Aliu. I thanë se nuk mund të ecte, sepse i ishin ënjtur këmbët. Atëherë Pejgamberi shkoi tek Aliu dhe ia fërkoi këmbët. Më pas, iu shëruan këmbët dhe ai u ngrit e nuk u ankua më kurrë derisa ra dëshmor.


Disa fjalë dhe këshilla të urta të Aliut


Tregohet nga Abdu Hair se Aliu r.a. ka thënë: "Nuk është e mira në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, po e mira është në punën tënde të shumtë dhe në butësinë tënde të madhe. E mira në dynja (në këtë botë) është vetëm për dy veta. Njëri që bën mëkate dhe shpejton të pendohet, si dhe tjetri që garon për vepra të mira. Vepra s'duhet të pakësohet nga frika (e mospranimit), e si u dashka pakësuar vepra e pranuar". Transmetohet nga Ebu Zagal, i cili tregon se Aliu r.a. ka thënë: "Mbani mend prej meje këto porosi, për të cilat, edhe sikur të jeni hipur në deve, do të vraponi t'i arrini: Mos të shpresojë njeriu përveçse tek Allahu i Madhërishëm; të mos ketë frikë prej asgjëje përveçse prej mëkatit të tij; asnjë i paditur të mos druajë kur të pyesë për atë që nuk e di; asnjë i ditur të mos ketë turp për diçka që nuk e di, të thotë: Allahu e di!, e durimi për besimin është si koka për trupin. Ai që s'ka durim, nuk ka as besim. Nga Muhaxhir ibn Umejri tregohet se Aliu r.a. ka thënë: "Gjërat të cilave ua kam frikën më së shumti, janë ndjekja e pasioneve dhe shpresat e gjata. E para të pengon nga e drejta, ndërsa shpresa e gjatë të bën ta harrosh jetën e amshueshme (Ahiretin). E para, kjo jetë po jua kthen shpinën, ndërsa jeta tjetër po shfaqet para nesh. Secila ka bijtë e saj, prandaj jeni bij të jetës së pasosur (Ahiretit) e mos u bëni bij të kësaj jete (dynjasë). Sot ka punë pa llogari, ndërsa nesër llogari pa punë". Transmetohet nga një pjesëtar i fisit Benu-Shejban se Aliu r.a. një ditë, duke mbajtur hytbe (këshillë), pas falënderimit që I bëri Allahut dhe përshëndetjeve për Pejgamberin a.s., ndër të tjera, tha: "Dijeni se do të vdisni e pastaj do të ringjalleni duke I dalë Allahut përpara me veprat tuaja, për të cilat do të shpërbleheni. Të mos ju rrethojë kjo jetë, se ajo është shtëpi e ngritur me prova, e njohur si e mbaruar, e përshkruar me mashtrim. Gjithçka në të shkon drejt zhdukjes, herë për njerëzit e herë kundër tyre, e paqëndrueshme në situatat e saj dhe se të keqes së saj nuk i shpëton askush. Sa të shohësh në të gëzim e lumturi, shpejt do të pasojnë pas kësaj brenga dhe mërzia, situata të paqëndrueshme, kohë të harxhuara, jetesa në të papëlqyer, rehati e pagarantuar. Banorët e saj janë objektiva që i godet ajo me shigjetat e saj të helmta dhe i copëton me vuajtjet dhe brenga. Fundi i çdokujt në të është i sosur, rrësku (furnizim) i secilit i garantuar. Dijeni se kjo që po jetoni sot, është rruga dhe tradita e atyre që ishin para jush, më jetëgjatë, më të fortë dhe më punëtorë se ju. Pasuritë e tyre u shkatërruan, trupat e tyre u kalbën dhe shtëpitë e tyre u boshatisën". Një këshillë tjetër të Aliut r.a. e tregon Xhafer ibn Muhamed nga gjyshi i tij, përmes t'et, se Aliu r.a. në një rast ishte duke përgatitur një kufomë për faljen e namazit dhe varrimin e saj. Kur qe përgatitur kufoma për ta lëshuar në varr, të afërmit e të vdekurit bërtitën me zë dhe qanë, e Aliu r.a. u tha: "Pse po qajnë? Pasha Allahun, sikur të shohin atë që sheh i vdekuri i tyre, do të tmerroheshin nga vështrimi i të vdekurit. Vdekja ka për t`u kthyer prapë tek ata, derisa të mos lërë asnjë prej tyre". Ai u ngrit dhe tha: "O robër të Allahut! Ju porosis të jeni të përkushtuar ndaj Allahut e ta keni frikë Atë Që ju ka sjellë shembuj të shumtë dhe ju ka caktuar sa gjatë do të jetoni, ju ka dhënë veshë që të dëgjoni, sy që të shikoni, zemra që të kuptoni me to. Allahu nuk ju ka krijuar kot, as nuk i ka sjellë shembujt pa qëllim. Ai ju ka furnizuar me mirësi e begati, jua ka përgatitur shpërblimin, kini pra frikë Allahun dhe luteni fort Atë, shpejtoni me vepra të mira para arritjes së vdekjes. Kjo jetë nuk ka kënaqësi të përhershme e të garantuara, ajo është mashtrim dhe paqëndrueshmëri, prandaj mendoni rreth këshillave, pasi sikur ju ka mashtruar kjo jetë ndërkohë që vdekja ju ka futur nën kthetrat e saj. Shtëpinë prej dheu-varrin e keni të garantuar dhe Ditën e Gjykimit nuk e keni larg. Mendoni për tmerret e saj, që nga ngritja prej varreve, tubimi e deri te llogaria para të Madhërishmit Allah! Çdokush me vete do të ketë një drejtues që do ta tërheqë drejt vendit të llogarisë si dhe dëshmitar, që dëshmon kundër tij. Në Kuran thuhet: "Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen Pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet në mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet e padrejtë".( Ez-Zumer, 69). Atë ditë Toka do të tronditet, egërsirat do të mblidhen, të fshehtat do të zbulohen, zemrat do të trishtohen e Xhehenemi do të shfaqet me gjuhët e flakës. Robër të Allahut! Kini frikë Allahun, siç E ka frikë i kujdesshmi që i ka sytë hapur e që kërkon shpëtim dhe që përgatitet për llogari. Është mjaft që Allahu është ndihmësi dhe hakmarrësi, që Libri i Tij është argument dhe kundërargument, që Xheneti shpërblim dhe Xhehenemi ndëshkim e poshtërim. I lutem Allahut të më falë mua dhe ju!". Këto që i përmendëm, janë vetëm disa nga këshillat dhe ligjëratat e shumta dhe të spikatura të aliut r.a..


 


Dituria Islame 247


Nuk ka artikull pas ketij.