Dispozita për atë që bën iftarin me ezan para kohe

Halid b. Suud el Bulejhed



Pyetja:

Qofshi i nderuar o Hoxhë! Kemi bërë iftar duke dëgjuar ezanin e muezzinit, i cili doli të ketë qenë dhjetë minuta para kohe. A është agjërimi ynë i plotë? Nëse jo, atëherë çfarë na duhet të veprojmë?

Përgjigja:

Falënderimi i takon Allahut kurse përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, alejhi’s selam!
Ju keni gabuar kur keni bërë iftar para kohe por për këtë nuk keni rënë në mëkat ngase feja arsyeton ata që gabimisht bijnë në mëkate. Allahu thotë:
“رَبَّنَا لاَ تُؤَاخِذْنَا إِن نَّسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا
..."Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!...” el-Bekare, 286.
Kurse Muhammedi, alejhi’s selam, siç qëndron tek Ibni Maxheh, ka thënë:
“إن الله تجاوز عن أمتي الخطأ والنسيان وما استكرهوا عليه
Allahu nuk llogarit ummetin tim për gjërat që i bëjnë gabimisht, nga harresa apo kur janë të detyruar.”
Kurse sa i përket agjërimit tuaj, kjo është kontestuese.
Disa tabiinë (gjenerata pas sahabeve) mendojnë se agjërimi është i plotë. Këtë mendim e mbajnë dhahiritët ndërsa Ibni Tejmije e mbështet atë. Kurse shumica e juristëve, në mesin e të cilëve edhe të katër imamët, mendojnë se agjërimi prishet dhe duhet kompensuar patjetër ngase agjërimi nuk është plotësuar ndërsa feja urdhëron që ai të plotësohet. Kjo i ngjan rastit të atij që fal namazin me rekate mangu –më pak. Pastaj Allahu nuk e ka arsyetuar gabimin në agjërim derisa harresën po. Kështu, çdo gjë përveç harresës mbetet e paarsyetuar. Buhariu transmeton nga Esma, e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy:
„أفطرنا على عهد النبي صلى الله عليه وسلم يوم غيم ثم طلعت الشمس. قيل لهشام فأمروا بالقضاء قال لا بد من القضاء
Bëmë iftar në kohën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, në një ditë me vranësira pastaj doli dielli. Hishami u pyet: A u urdhëruan me kompensim? Po, patjetër se duhet kompensimi – u përgjigj ai“.
Në Muvetta-në e Imam Malikut qëndron se Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, një ditë ramazani me re kishte bërë iftar me bindje se dielli kishte perënduar. Pas pak i erdhi një njeri dhe i tha: O prijësi i besimtarëve! Dielli doli. Omeri atëherë tha: Çështja është e lehtë ndërsa ne bëmë ixhtihad - përpjekje për ta gjetur të vërtetën!
Fjala „Çështja është e lehtë...“ është komentuar: i lehtë është kompensimi i kësaj dite.
Meqenëse për këtë çështje nuk është transmetuar ndonjë argument në fe, atëherë mbetet që të veprohet sipas asaj që është bazë: kompensimi.
Kështu qëndron puna edhe me atë që han syfyr me bindje se ende është nate…Ka thënë Ibni Kudame: “Kush han duke menduar se agimi nuk ka lindur ndërsa ai veç ka lindur, apo bën iftar duke menduar se dielli ka perënduar e në fakt nuk ka perënduar, duhet ta kompensoje atë ditë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.”
Ndërsa nëse njeriu bën përpjekje (ixhtihad) dhe han ditën ose natën por me dyshim, për çka merr vesh më vonë se nuk ka gabuar, agjërimi i tij është korrekt nuk i obligohet asgjë.
Kështu, bazuar në këtë - i nderuar – juve ju mbetet obligim ta kompensoni atë ditë!
Allahu na bekoftë për punë të qëlluara!
Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij!



Burimi: http://saaid.net/Doat/binbulihed/f/380.htm
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
28-8-2010