A do ta kishit marrë ndonjë herë me mend haxhin si një formë përkujtimi të një Gruaje, por jo vetëm kaq.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa rëndësi Islami i ka kushtuar grave si themeli më i rëndësishëm në shumë situata të rëndësishme edukuese.
Jemi në shkretëtirën e Arabisë me mijëra vjet më parë. Shkretëtira e pabanuar, armiqësore, ku ngado që të hedhësh vështrimin, shikon vetëm dhe ekskluzivisht rërën dhe qiellin. Dielli përvëlon çdo gjë me nxehtësinë e tij.
Imagjinoni një grua, Haxherja, gruaja e bukur dhe e dashur e Ibrahimit a.s. Bashkë me ta ndodhet edhe biri i tyre i vogël, Ismaili, paqja qofte mbi të gjithë ata.
Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, rezervat ushqimore dhe uji gati duke mbaruar, një udhëtim që përfaqëson një mision, një urdhër hyjnor, ja tek gjenden në një luginë të vetmuar në Mekë. Ky është vendi ku një bashkëshort, përgjegjësi i familjes, do të jetë i detyruar ta braktisë pasardhësin e tij së bashku me gruan e tij sipas një urdhri hyjnor, në atë vend aspak të njohur dhe pa asnjë mbështetje.
Një nga ato rastet ku mund të vihet në provë mbështetja e vërtetë në Zot.
Sigurisht që në pamje të parë përreth Haxheres gjendet një hapësirë e zbrazur, por nuk ndihet e vetmuar sepse ajo ka besim të fortë tek Zoti. Edhe pse e bindur ndaj vullnetit të Zotit për të qëndruar në ato kushte me birin e saj Ismailin, ajo nuk ndalet për të pritur që diçka të ndodhë vetvetiu, por ngjitet në një pikë të lartë, kodra Safa, për të parë sa më shumë të jetë e mundur. Duke qenë se nuk mund të gjejë asgjë lëshohet me vrap drejt një tjetër pike të lartë, kodra Merva.
Dhe për shtatë herë radhazi ky rrugëtim kryhet me besim të palëkundur dhe shpresë. Edhe herën e shtatë nuk sheh asgjë në horizont. Zbret sërish nga kodra ashtu e rraskapitur dhe ja ku më në fund ndodh mrekullia dhe shpërfaqet para syve të kësaj gruaje një ndër fenomenet më të veçanta të jetës së njerëzve mbi tokë, lindja e një oazi të ri në luginën e Mekës, burimi i Zemzemit, me urdhër të Allahut nëpërmjet melekut Xhibril. Që nga ajo kohë e deri më sot ky burim na ofron ujë të bekuar për të gjithë vizitorët e tij.
Me çfarë lloj grash kemi të bëjmë në këtë ngjarje? Janë gra të thjeshta, por janë gra fisnike që na vërtetojnë se nuk ka dallim përpara Zotit mes gruas dhe burrit. Menjëherë pas kësaj mrekullie do të lindë një jetë e re në një vend ku nuk kishte lulëzuar jetë kurrë më parë dhe pikërisht aty do të ngrihet një qytet, gjeneratë pas gjenerate për të mbërritur deri në lindjen e Profetit tonë( paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).
Ja që besimi i palëkundur i Haxheres,”një grua e thjeshtë”, solli në jetë një mrekulli dhe i la vendin themeleve të besimit tonë islam.
Çdo vit, në muajin e fundit të kalendarit islam, Dhul Hixxheh, turma pelegrinësh të bashkuar në Mekke, në të njëjtën luginë ku kishte mbetur e vetme kjo grua fisnike me të birin e saj Ismailin, kryen një ritual pa të cilin Haxhi nuk është i vlefshëm dhe që përkujton pikërisht këtë ngjarje. Burra dhe gra të ardhur nga e gjithë bota përsërisin hapat e Haxheres dhe marrin shembull prej saj dhe reflektojnë mbi besimin e saj.
Mund të mendojmë se shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht rëndësinë e kësaj ndodhie dhe akoma më pak e marrin me mend që një shtyllë kaq e rëndësishme e Islamit dhe origjina e qytetit të shenjtë Mekës janë rezultat i sprovës që një grua ka pranuar ta përballojë në atmosferën aspak mikpritëse të gadishullit arabik. Mund të marrim me mend se sa burra do të shpërthenin së qeshuri nëse do t’u propozohej që të ndiqnin shembullin e një gruaje, dhe po aq të tjerë që do të distancoheshin me përbuzje. E megjithatë meshkujt pelegrin muslimanë prej 14 shekujsh vazhdojnë të ndjekin gjurmët e Haxheres, për shkak të besimit dhe shpresës që ajo na mësoi. Ritual themelor si për Umran ashtu edhe Haxhin. E vetme dhe në pararojë, para së gjithash si shërbëtore e Zotit, Haxherja mes Safas dhe Mervas ka qenë dhe mbetur një referim për të gjithë ne. Këtë rëndësi e vërteton edhe Kur’ani kur e trajton ndodhin e saj. Dëshira jonë për t’u bashkuar me të gjithë komunitetin e muslimanëve në pelegrinazhin e jetës rritet çdo vit e më shumë, e kush prej nesh e ka kryer atë tashmë me siguri që nuk do ta refuzonte mundësinë për ta përsëritur.
Dhe kështu, në gjurmët e Haxheres, shpresojmë se një ditë do të ndjekim edhe ne ato hapa dhe do te ecim të gjithë krah për krah siç vetëm Ummeti jonë di të ecë ne rrethana të tilla.
InshaAllah, në dashtë Allahu dhe vetëm me lejen e Tij…
Përktheu: Albana Celepia
muslimania.al