Ngritja e duarve bëhet vetëm gjatë tekbirit fillestar! (1)


Disa tema me radhë ia kam kushtuar ngritjes së duarve gjatë tekbirit fillestar, duke përmendur opinionet e njohura, dhe në këtë kontekst si formë përfundimtare ia kam kushtuar edhe një analizë të thukët, që shtjellon transmetimet e ndryshme të haditheve dhe përputhjen, gjegjësisht bashkimin e teksteve.


Hyrje


Veç kam përmendur se nuk ka kontradikta mes transmetimeve, pasi që mund të bëhet një për puthje e teksteve dhe kështu mund të largohen edhe perceptimet e gabuara në lidhje me këtë çështje. Një tjetër çështje, e që prapë ndërlidhet me ngritjen e duarve, por jo se deri ku ngrihen duart, por që konfirmon se duart ngrihen vetëm gjatë tekbirit fillestar dhe jo më tutje, do të jetë pjesë e zbërthimit dhe analizës sonë.


Kush mendon se duart ngrihen vetëm gjatë tekbirit fillestar?


Në shkollën tonë juridike duart ngrihen vetëm gjatë tekbirit fillestar, por jo më, si: gjatë shkuarjes në ruku apo ngritjes nga ajo. Gjithashtu nuk ngrihen as gjatë shkuarjes për në sexhde, e as gjatë ngritjes për në rekatin vijues. Ebu Jusufi në librin e tij "Athar" transmeton nga babai i tij, i cili ka thënë: "Na ka informuar Ebu Han ifeja nga Hamadi, e ky nga Ibrahim (Nehaiu), i cili ka thënë: "Gjatë tekbirit të parë në fillim të namazit ngriti duart, por mos i ngrit më duart në asnjë vend."(1) Ndërsa nxënësi tjetër i njohur i Ebu Hanifes, Muhamedi, thotë: "Ka thënë Ebu Hanifeja: "Kur njeriu hyn në namaz shqipton tekbirin dhe ngrit duart deri te veshët e tij, gjatë tekbirit fillestar, e më pas nuk i ngrit duart, përveçse gjatë tekbirit fillestar."(2)
Medhhebi i Ebu Hanifes është medhhebi i sahabëve, sepse një numër i madh i tyre dhe pasuesve të tyre janë të mendimit se duart ngrihen vetëm gjatë tekbirit fillestar, e prej tyre ishte: Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Talha bin Ubejdullah, Zubejr bin El-Avvam, Sa'd bin Ebi Vekkas, Seid bin Zejd, Abdurrahman bin Avf, Ebu Ubejde Amir bin Abdullah bin El-Xherrah. Pastaj këtë mendim e kanë edhe Abdullah bin Mesudi, Xhabir bin Semre, El-Berra bin Azib, Abdullah bin Abbasi dhe Ebu Seid El-Hudriu.(3)
Përveç Ebu Hanifes, nxënësve të tij dhe pasuesve të shkollës së tij, këtë mendim e mbron edhe kolosi i madh në hadith Sufjan Thevriu(4) dhe shumë nga tabiinnjtë, si: Ibrahim Nehaiu, Ibën Ebi Lejla, Alkame, Esvedi, Shabiu, Ebu Ishaku, Hujtheme, Kajsi, Maliku, Ibën El-Kasimi, El-Mugir, Vekiu, Asim bin Kulejbi dhe shumë të tjerë.(5) Pra, njerëz të dëshmuar në dije, e që një shumicë e madhe nuk i takojnë shkollës hanefite.


Përse nuk preferohet ngritja e duarve përveç gjatë tekbirit fillestar?


Muhamed bin Haseni, nxënësi i njohur i Ebu Hanifes, i cili Fikhun e kishte marrë nga dy imamët e mëdhenj; në Kufë nga Ebu Hanife dhe në Medine nga Maliku, thotë: "Është konfirmuar nga Ali bin Ebi Talibi dhe Abdullah bin Mes'udi, se ata dy nuk i ngritnin duart, me përjashtim gjatë tekbirit fillestar. E këta dy padyshim që e njihnin më mirë të Dërguarin e Allahut sesa Abdullah bin Omeri, sepse na është përcjellë përmes transmetimeve se i Dërguari i Allahut kur përfundonte ikameti për namaz, i porosiste ata që pas tij të jenë ata që ishin më të njohur dhe që kishin dije më shumë se të tjerët, e më pas vinin të tjerët, e kështu me radhë. A mendon ti se dikush do të dilte para atyre që ishin pjesëmarrës në luftën e Bedrit me të Dërguarin e Alla hut? Këta të Bedrit sigurisht që ishin në safin e parë e të dytë, dhe me ta sigurisht që ishin edhe ata që ishin të ngjashëm me ta, e Abdullah bin Omeri dhe të tjerët ishin nga të rinjtë që faleshin pas tyre. Aliu dhe Ibën Mes'udi, dhe të tjerët që i takonin kategorisë së tyre, pjesëmarrës të Bedrit, ishin më të diturit për namazin e të Dërguarit të Allahut, ngase ata ishin më së afërmi me të, më afër se të tjerët dhe ishin njohësit më të mirë të asaj se çfarë duhet vepruar e çfarë duhet lënë."(6)
Autori i "El-Inajeh", që i bën shpjegim librit të mirënjohur "El-Bidajeh", në lidhje me këtë çështje thotë: "Ibën Omeri dhe Vail bin Huxhri kanë qenë më larg të Dërguarit të Allahut, prandaj marrja e opinione ve nga ata që ishin më afër të Dërguarit të Allahut është më parësore dhe apriori."(7)
El-Kasani në librin e tij të jashtëzakonshëm "Bedaiu-s Sanaiu...", në lidhje me këtë, thotë: "Transmetohet nga Ibën Abasi, i cili ka thënë: "Dhjetë personat që i Dërguari i Allahut i kishte përgëzuar me xhenet nuk i ngritnin duart e tyre në namaz, me përjashtim gjatë tekbirit fillestar."(8)
Kasani është i mendimit se hadithet që flasin për ngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar, janë shfuqizuar, e ai e argumentohet me transmetimin e Abdullah bin Mes'udit, i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut i ngriti duart, i ngritëm edhe ne, më pas ai nuk i ngriti e ashtu vepruam edhe ne."(9)


Argumentet për ngritjen e duarve vetëm gjatë tekbirit fillestar


Kur jemi te çështja e ngritjes së duarve vetëm gjatë tekbirit fillestar, nuk do të sjellim hadithe të shumta me qëllim që të mos zgjerohemi tepër, mirëpo do t'i sjellim dy hadithe që flasin për këtë tematikë, ku do të ndale mi pak më tepër, sepse kjo çështje ka qenë arenë beteje mes hanefinjve dhe kundërshtarëve të tyre, dhe ka krijuar një situatë konfliktuoze mes dy taborëve, sido mos, pas vlerësimit të haditheve me tendenca. Madje, çuditërisht, disa prej dijetarëve këto hadithe i kanë klasifikuar si të dobët, që thuajse janë të ngjashëm njëri me tjetrin dhe përcjellin mesazh të njëjtë dhe unik. Hadithi i parë është në koleksionin e Tirmidhiut, ndërsa i dyti në koleksionin e Ebu Davudit. I pari ka këtë përmbajtje dhe këtë rrugë transmetimi: "Na ka treguar Hennad, i cili ka thënë: "Na ka treguar Vekiu, nga Sufjani, nga Asim bin Kulejb, nga Abdurrahman bin El-Esved, nga Alkame, i cili thotë: "Abdullah bin Mesudi tha: "A doni të demonstroj pranë jush namazin e të Dërguarit të Allahut -salAllahu alejhi ve sel-lem-? Ai u fal dhe duart nuk i ngriti përveçse në herën e parë (në tekbirin fillestar)." (Tirmidhiu në Sunen, 238).
Hadithi pra është nga koleksioni i Tirmidhiut, i cili në fund të transmetimit thotë: "Hadithi i Ibën Mes'udit është i mirë (hasen) dhe ngjashëm me të (thënien e tij) thonë një pjesë e ulemave nga shokët e të Dërguarit të Allahut dhe nga tabiinjtë. Njëherazi ky është edhe opinioni i Sufjan Thevriut dhe banorëve të Kufës." Ahmed Shakir, njëri prej atyre që është marrë me klasifikimin dhe verifikimin e Sunenit të Tirmidhiut, i njohur në këtë çështje, kur vjen te ky hadith thotë: "Ky është hadith autentik (sahih), dhe ajo çfarë kanë thënë ata për të (hadithin), se ka dobësi, (e vërteta është se) nuk ka ndonjë dobësi (defekt)."(10)
Një tjetër verifikues i haditheve të Sunenit të Tirmidhiut është Albani, i cili këtë hadith e klasifikon në gradën më të besueshme, ndaj edhe për të, thotë: "Autentik (sahih)." (Mishkatul Mesabih, 809). Tirmidhiu, siç potencuam, këtë hadith e konsideron të mirë, ndërsa Ibën Hazmi si autentik.
Në transmetimin tjetër, me një ndryshim shumë të vogël e që përcillet nga koleksioni i Ebu Davudit, ka ardhur: "Na ka treguar Othman bin Ebi Shejbe, i cili ka thënë: "Na ka treguar Vekiu, nga Sufjani, nga Asim bin Kulejb, nga Abdurrahman bin El-Esved, nga Alkame, i cili thotë: "Abdullah bin Mesudi tha: "A doni të demonstroj pranë jush namazin e të Dërguarit të Alla hut-salAllahu alejhi ve sel-lem-? Ai u fal dhe duart nuk i ngriti përveçse një herë (në tekbirin fillestar)."(11)
Dallimi mes këtij hadithi dhe atij paraprak është në zinxhirin transmetues (sened), dhe shprehja e fundit në tekst (metn). Ebu Davudi për këtë hadith thotë: "Kjo është një përmbledhje e shkurtuar nga hadithi i gjatë, dhe se në këtë formë të ardhur nuk është autentik." Imam Albani, që ka verifikuar dhe klasifikuar Sunenin e Ebu Davudit, kur vjen te ky hadith jep këtë shpjegim: "Unë them se zinxhiri transmetues (senedi) është autentik (sahih) sipas kushtit të Muslimit. Tirmidhiu e ka klasifikuar si të mirë këtë hadith, e Ibën Hazmi ka thënë se është autentik.(12)
Si autentik e kanë llogaritur edhe Ibën Dekik El-Id, Zejleiu, Turkmani... Autori (Ebu Davudi), Allahu e mëshiroftë, i ka gjetur të meta, e për këtë edhe disa janë pajtuar, mirëpo në fjalët e tyre nuk mund të gjesh diç që këtë hadith e bën të dobët. E vërteta është se ky hadith është autentik (sahih)",-kësh tu e sqaron Albani problematikën e krijuar rreth këtij hadithi, e më pas rreth thënies së Ebu Davudit: "Kjo është një përmbledhje e shkurtuar nga hadithi i gjatë...", përgjigjet: "Ndoshta autori (Ebu Davudi) sinjalizon me shprehjen "hadithi i gjatë" në hadithin që përcillet nga Abdullah bin Idrisi, nga Asim bin Kulejb, e që në të nuk është shprehja "përveçse një herë.(13)"(14)
Që të gjithë transmetuesit në këtë hadith nga hadithologët janë vlerësuar me vlerësimin më të lartë dhe më të besueshëm. El-Abad-i, në komentin që i bëri Sunenit të Ebu Davudit, kur vjen te ky hadith, thotë: "Më i dobëti nga transmetuesit e tillë është Asim bin Kulejbi, e që te hadithologët është i besueshëm (sudduk), pran daj edhe grada më e ulët që mund të ketë hadithi është i mirë (hasen)." (Që të gjithë transmetuesit janë të besueshëm: Othman bin Ebi Shejbe, dijetar nga Kufa, njëri nga mësuesit e Buhariut dhe Muslimit, e që dijetarët e kanë vlerësuar si të saktë dhe të përpiktë (thikah), gjashtë autorët e koleksioneve të hadithit kanë transmetuar prej tij, me përjashtim të Tirmidhiut; Veki' bin El-Xherrah, dijetar nga Kufa, që konsiderohet i besueshëm dhe i saktë (thikah), gjashtë koleksionet e njohura të hadithit kanë regjistruar prej tij; Sufjan Eth-Thevriu konsiderohet i besueshëm (thikah) dhe jurist i njohur (fekih), që të gjitha koleksionet e njohura kanë nxjerrë transmetime nga ai; Asim bin Kulejb, konsiderohet i besueshëm, dhe gjashtë koleksionet e njohura të hadithit kanë regjistruar hadithe nga ai; Abdurrahman bin El-Esved, konsiderohet i besueshëm, dhe gjashtë koleksionet e njohura të hadithit kanë regjistruar hadithe nga ai; Alkame bin Kajs, konsiderohet i besueshëm, dhe gjashtë koleksionet e njohura të hadithit kanë regjistru ar hadithe nga ai.)
Kundërshtarët janë munduar të gjejnë dobësi te ky hadith, duke thënë se Asim bin Kulejbi është i dobët, mirëpo kolosët e hadithit, si Jahja bin Mein dhe të tjerët e kanë konsideruar të besueshëm (thikah), kanë transmetuar prej tij dhe janë argumentuar prej tij,(15) e prej atyre që e konsiderojnë të besueshëm është edhe Shu'beh, Ebu Hatimi dhe të tjerët, prandaj një akuzë e tillë është plotësisht e pabazë. Pastaj janë munduar të gjejnë shkëputje mes Abdurrahman bin El-Esved-it dhe Alkames, si Mundhiriu dhe disa tjerë, që pretenduan se Abdurrahmani nuk kishte dëgjuar nga Alkame, e këtë pretendim njohësi i mirë i këtyre çështjeve, Ibën Turkmani, e sheh shumë të çuditshëm(16) dhe se realiteti duket krejt ndryshe nga çfarë pretendohet, sepse Abdurrahmani, siç thotë Ibën Hibbani në librin "Eth-Thikat", vdiq në vitin 99 (hixhri), dhe mosha e tij ishte e ngjashme me moshën e Ibrahim Nehaiut(17). E, nëse ishte moshatar me Nehaiun dhe Nehaiu -me konsensusin- kishte dëgjuar prej Alkames, atëherë çfarë pengese do të kishte Abdurrahmani që të mos dëgjonte prej Alkames?(18) Në këtë kontekst Hatib El-Bagdadiu në librin e tij "El-muttefak ve-l Mufterak", për biografinë e Abdurrahman bin El-Esvedit, mes tjerash thotë: "Është nga Kufa, e vizitoi Aishen kur ishte i vogël, dëgjoi nga babai i tij dhe nga Alkame bin Kajs..."(19) Një gjë të tillë e pohon edhe autori i librit "El-Kemal"(20) dhe Ibën Ebi Hatim, në librin "El-Xherhu vet-Ta'dil."(21) Prandaj, ai që e arriti dhe u takua me Aishen, do të ishte më parësore ta arrinte Alkamen dhe të takohej me të, e sidomos kur kihet parasysh që të dy këta dijetarë i takojnë një vendi (Kufës).
Rreth kësaj çështjeje, për ata që janë munduar të gjejnë ndonjë dobësi që e rrëzon edhe mendimin e hanefinjve në lidhje me mosngritjen e duarve, përveç tekbirit fillestar, Albani pasi që kundërshton pretendimet e tyre, në fund shprehet: "Nuk dëshiroj t'i nxij fletat e librit me tregime dhe kundërreagime të tilla, për shkak se janë të pavlefshme."(22)


Argumente që sahabët nuk i ngritnin duart


Përveç haditheve, ka shumë transmetime që sinjal izojnë se sahabët e zgjedhur dhe ata që i takonin shkallës më të lartë të njohjes së fesë nuk i ngritnin duart, përveç gjatë tekbirit fillestar. Tahaviu dhe Ibën Ebi Shejbe transmetojnë se Omeri i kishte ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar.
Transmetimi që përcjell Tahaviu është ky: "Na ka treguar Ibën Ebi Davudi, i cili thotë: "Na ka treguar El-Himmaniju nga Jahja bin Ademi, ky nga Hasen bin Ajjashi, e ky nga AbdulMelik bin Ebxher, e ky nga Zubejr bin Adijji, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi, i cili thotë: "E kam parë Omer bin Hattabin, i ngriti duart në fillim të tekbirit, e më pas nuk i ngriti."(23)
Gjithashtu edhe Ibrahim Nehaiu dhe Shabiu kishin vepruar kështu, duke ngritur duart vetëm gjatë tekbirit fillestar. Tahaviu në këtë kontekst shprehet: "Hadithi është i vërtetë, dhe Omeri nuk i ngrite duart e tij, përveç gjatë tekbirit fillestar."(24)
Ngjashëm transmetohet se kështu vepronte edhe Aliu, dhe se për këtë arsye Tahaviu mendon se ky është argument i qartë, sepse Aliu nuk do të vepronte kështu sikur mos ta kishte parë të Dërguarin e Allahut.(25)
Ibën Ebi Shejbe në Musannefin e tij sjell një kapitull ku njerëz të njohur nuk ngritnin duart, me përjashtim gjatë tekbirit fillestar: "Na ka treguar Vekiu, nga Ebi Bekr bin Abdullah bin Kitaf En-Nehshelij, ky nga Asim bin Kulejbi, e ky nga babai i tij, se Aliu i ngrite duart gjatë tekbirit fillestar, e më nuk i ngrite." (Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2457).
"Na ka treguar Vekiu nga Mis'ari, e ky nga Ebi Ma'sheri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abdullahu, se ai i ngrite duart vetëm kur ia fillonte namazit, e më pas duart nuk i ngriste." (Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2458).
"Na ka treguar Ibën Mubareku nga Esh'athi, e ky nga Sha'biu, se ai i ngrite duart gjatë tekbirit fillestar, e më pas nuk i ngrite." (Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2459).
"Na ka treguar Hushejmi, i cili thotë: "Na ka informuar Husajni dhe Mugire, nga Ibrahimi, i cili thoshte: "Kur shqipton tekbirin në hyrje të namazit, ngriti duart, por më pas mos i ngrit ato në pjesën e mbetur (të namazit)." (Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2460).
"Na ka treguar Vekiu dhe Ebu Usame nga Shu'be, e ky nga Ebu Is'haku, i cili ka thënë: "Nxënësit dhe pasuesit e Abdullah bin Mes'udit dhe Aliut nuk i ngritnin duart, me përjashtim gjatë tekbirit fillestar. E Vekiu shtoi: "E më pas nuk i ngritnin duart." (Ibën Ebi Shejbe në Musannef, nr. 2461).
Shejbani në këtë kontekst shprehet: "Kanë ardhur transmetime të vërtetuara se Ali bin Ebi Talibi dhe Ab dullah bin Mes'udi nuk i ngritnin duart, me përjashtim të tekbirit fillestar."(26)


 


________________________________________
(1) Ebu Jusuf, Kitabu-l Athar, f. 20.21.
(2) Muhamed ibën Hasen esh-Shejbani, El-Huxhxhetu ala ehli-l Medineh, bot.3, Alemu-l Kutub, Bejrut, 1403h, v.1, f. 94.
(3) El-Ajniu, Sherh Sunen ebi Davud, v.3, f. 303.
(4) Nevevi, Minhaxh Sherh Sahih Muslim, v.3, f. 369.
(5) El-Ajniu, Sherh Sunen ebi Davud, v.3, f. 303.
(6) Muhamed ibën Hasen esh-Shejbani, El-Huxhxhetu ala ehli-l Medineh, v.1, f. 94-95.
(7) Ekmeludin Muhamed ibën Mahmud ibën Ahmed el-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, pa vit dhe vend botimi, Daru-l Fikr, v.1, f. 311.
(8) Alaudin el-Kasani, Bedaiu-s Sanaiu fi tertibi-sh Sherai, bot.II-të, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1406-1986, v.I, f. 207:el-Babertij, el-Inajeh Sherhu-l Hidajeh, v.1, f. 311.
(9) Po aty, v.1, f. 208.
(10) Shih Sunenin e Tirmidhiut sipas verifikimit të Ahmed Shakirit, hadithi me nr. 257. bot.II, Mektebetu Mustafa el-Babi el-Halebij, 1397-1977,v.2, f. 40-41.
(11) Ebu Davudi në Sunen, nr. 639. Ky hadith ka pesë rrugë transmetimi, e njëra prej tyre është edhe ajo që gjindet në koleksionin e Nesaiut, ku në vargun e transmetuesve është edhe Abdullah bin Mubareku, dhe rreth tij është krijuar një përplasje verbale mes hanefinjve dhe kundër shtarëve të tyre, ku ajo që vlen të potencohet është fakti se në mbrojtje të hadithit dhe vlerësimit të tij pozitiv kanë dalë edhe shumë dijetarë që nuk i përkasin shkollës hanefite.
(12) Ibën Hazm, el-Muhal-la, v.4, f. 88.
(13) Siç shihet ka një ngatërrim të haditheve në këtë rast tek Ebu Davudi, sepse hadithi për të cilin flet Ebu Davudi është një tjetër, më i gjatë, ndërsa hadithin të cilin e ka sjellë këtu është krejtësisht tjetër, por që në sened gati është i njëjtë, megjithatë për disa nuanca edhe senedi është i ndryshëm, e teksti (metni) gjithsesi i ndryshëm. Prandaj, do të sjellim "hadithin e gjatë", që i referohet gabimisht Ebu Davudi: "Na ka informuar El-Hasen bin Err-Rrebi', na ka informuar Ibën Idrisi nga Asim bin Kulejbi, e ky nga Abdurrahman bin El-Esvedi, na ka informuar neve Alkame se Abdullah (bin Me sudi) ka thënë: "I Dërguari i Allahut na mësoi neve namazin, u ngrit, shqiptoi tekbirin dhe i ngriti duart, më pas shkoi në ruku dhe dy duart i vendosi në dy gjunjët e tij." Buhariu në Ref'u-l Jedejn, nr. 31.
(14) Nasirudin Albani, Sahih Ebi Davud, nr. 733. Bot.I-rë, Muesesetu Garas Lin Neshri vet Tevzi', Kuvajt, 1423-2002, v.3, f. 338.
(15) Bedrudin el-Ajniu, Sherh Sunen ebi Davud, bot.I-rë, Mektebetu-rr Rrushd, Rijad-Arabi Saudite, 1420-1999, v.3, f. 342.
(16) Ibën et-Turkmani, el-Xhevheru-n Nekij, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v.2, f. 77.
(17) Muhamed Ibën Hibbani, Eth-Thikat, bot.I-rë, Dairetu-l Mearif el-Uthmanijetu, HajdarAbad-Indi, 1393-1973, v.5, f. 78.
(18) Xhemaludin ez-Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v.1, f. 525.
(19) Hatib el-Bagdadiu, El-Mut-tefak ve-l Mufterak, me recenzurë nga Muhamed Sadik El-Hamdij, Daru-l Kadirij, Damask-Siri, 1988, v1, f. 403.
(20) Abdullah bin Adij, el-Kamil f i Duafai-rr Rrixhal, bot.III-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, v.4, f. 283.
(21) Ibën Ebi Hatim, El-Xherhu vet-Ta'dil, bot.I-rë, Daire tu-l Mearif el-Uthmanijetu, HajdarAbad-Indi, 1952, v.V, f. 209.
(22) Nasirudin Albani, Sahih Ebi Davud, nr. 733. v.III, f. 340.
(23) Tahaviu, Sherh Meani-l Athar, v.I, f. 228, nr. i hadithit 1364.
(24) Tahaviu, Sherh Meani-l Athar, v.1, f. 228; El-Ajniu, Sherh Sunen ebi Davud, v.3, f. 300.
(25) Tahaviu, Sherh Mushkilu-l Athar, v.15. f. 33, nr. i hadithit 5825.
(26) Muhamed ibën Hasen esh-Shejbani, El-Huxhxhetu ala ehli-l Medineh, v.1, f. 94.


 


Dituria Islame 300


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë