Sistemi ekonomik sipas Islamit


Sistemi ekonomik islam, është zhvilluar në mënyrë graduale nga një ekonomi normative në atë pozitive. Sistemi ekonomik, i bazuar në mësimet islame, ka dallime, edhe në teori dhe botëkuptime, edhe në aplikime, nga sistemi shekullar i ekonomisë.


Feja është një rrugë dhe mënyrë e jetës, për të cilën njerëzit janë përgjegjës para Krijuesit. Me këtë rregull pajtohen të gjitha besimet. Kjo rregull është në përputhshmëri edhe më të madhe me islamin, sepse islami, në mënyrë shumë kategorike dhe të vazhdueshme, deklaron se esenca e tij është përkushtim dhe dorëzim i anës së brendshme dhe të jashtme (aspekti shpirtëror dhe fizik) të njeriut ndaj dëshirës së Zotit ashtu si i është zbritur Muhamedit a.s.. sipas mësimeve kuranore dhe praktikës së Muhamedit a.s., personat e besueshëm, besimtarët, janë të urdhëruar të sillen mirë dhe drejt. Këto mësime janë përsëritur shumë herë gjatë jetës së të Dërguarit, saqë kjo ishte bërë prej temave kryesore. Mësimet islame përfshijnë çdo aspekt të jetës së njeriut, si individ dhe si shoqëri. dhe mund të themi se islami ka sistemin e vet të jetës në nivel individi e shoqërie, dhe ky sistem, përveç aspektit shpirtëror e moral, në vete ngërthen të gjitha aspektet politike, shoqërore, juridike dhe ekonomike.


Islami dhe aktivitetet ekonomike


Të gjitha fëtë diskutojnë çështje ekonomike, po dallimi në mes tyre është në qëndrimet rreth sferës së aktiviteteve ekonomike dhe implementimit të tyre. Islami jetën e kësaj bote e konsideron si shumë të rëndësishme dhe si mjet të fitimit të Botës së përhershme. Synon kënaqësi dhe përmirësim të jetës ekonomike, si një shpërblim nga Zoti përderisa kjo nuk bie në kundërshtim me Urdhrat e Tij, duke cenuar të drejtat e njerëzve të tjerë. Ajetet kuranore, të cilat flasin në mënyrë eksplicite për pasurinë, forcën ekonomike, sigurinë dhe të mira materiale, tregojnë se të gjitha këto janë shpërblime nga Zoti për robërit e Tij. Pastaj, ajete të tjera janë të natyrës deskriptive, të cilat flasin për ndalimin e kamatës dhe pagesës së Zekatit dhe për drejtësi ekonomike. Këto ajete sjellin politika udhëzuese për individët e shoqëritë dhe janë bazë e sistemit ekonomik sipas Islamit. Kur bisedohet për një sistem ekonomik të bazuar në parime islame, duhen pasur parasysh mësimet e Pejgamberit a.s. dhe periudhat Mekase e Medinase dhe mundi i tij i vazhdueshëm për t'ua shpjeguar besimtarëve dhe mbarë njerëzimit bazat e ekonomisë si një sistem të kompletuar. Ajetet kuranore që i takojnë periudhës Mekase, e cila konsiderohet periudhë para se të hynte në praktikë sistemi ekonomik, flasin më shumë për sinqeritetin në biznes, ndalimin e kamatës dhe detyrimin e zekatit. "Të mjerët ata që masin e peshojnë. Ata që, kur matin prej njerëzve, e plotësojnë për vete e, kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangut. A nuk e dinë të tillët se kanë për t'u ringjallur? Në një ditë të madhe, Në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve". (El-Mutaffifin, 1-6); "Kur Shuajbi atyre u tha: "A nuk ruheni?" Unë jam i dërguar tek ju, jam i besueshëm! Pra, kini frikë (dënimin nga) Allahu dhe më dëgjoni mua! Unë për këtë nuk kërkoj ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është prej Zotit të botëve! Plotësoni matjen, e mos u bëni prej atyre që lënë mangut! Dhe matni me peshojë (terezi) të saktë (precize). Dhe ta leni mangut sendet e njerëzve, e mos bëni shkatërrime në tokë". (Esh-Shuara, 177 183); "Dhe çka të jepni nga pasuria për të shtuar e rritur (me kamatë), në pasurinë e njerëzve, ajo nuk do të shtohet tek All-llahu, e çka të jepni nga sadakaja (bamirësia) me qëllim që t'i afroheni Allahut, të tillët janë ata që u shumëfishohet (shpërblimi)". (Er-Rrum, 39)
Ajetet Mekase japin sinjal për një sistem ekonomik që do të vijë më vonë, duke shoqëruar sjelljet ekonomike me doktrinën e përgjegjësisë para Zotit në Ditën e Gjykimit. Kompletimi i sistemit ekonomik është bërë në Medinë, me themelimin e shtetit nga i Dërguari i Zotit. Prandaj, në periudhën Medinase zbritën ajetet që treguan parimet kryesore të sistemit të ri ekonomik, të cilat kërkohen nga Feja Islame, siç janë: drejtësia dhe liria.(1) Shpalljet kuranore nganjëherë japin detaje shumë të sakta për disa aspekte dhe në disa raste tregojnë për parimet themelore, të cilat kërkojnë edhe shpjegimin e Pejgamberit a.s. duke zbatuar ato në praktikë gjatë jetës së tij në Medinë si udhëheqës shteti. Ky sistem ekonomik, kalon gradualisht nga një ekonomi normative (teorike) në ekonomi pozitive (praktike). Është e natyrshme që, me zhvillimin e shoqërisë dhe kulturave të ndryshme, parimet dhe udhëzimet të kenë aplikime të ndryshme. Një sistem dinamik duhet të ketë mekanizma të brendshëm zhvillimi, prandaj sistemi ekonomik, sipas Islamit, në mesin e parimeve të veta ka edhe konceptin e besimit të mendjes së njeriut për t'i zhvilluar aplikimet e reja, në bazë të koncepteve bazë. Kjo në gjuhën e Sheriatit quhet ixhtihad. Të drejtën për të dhënë mendimet e veta në lidhje me këto tema, e kanë dijetarët që njohin mirë jurisprudencën islame dhe në të njëjtën kohë çështjet ekonomike. Sfera ekonomike, e cila ka pasur nevojë vazhdimisht për zhvillime të këtij lloji, është ajo e financave, përfshirë transaksionet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet shoqëria.


Botëkuptimi i sistemit ekonomik sipas Islamit në krahasim me atë shekullar


Nëse dëshirojmë të bëjmë një krahasim ndërmjet botëkuptimit ekonomik islam dhe atij shekullar, do të shohim se ekziston një dallim rrënjësor në mes tyre. Dallimi kryesor është se, sipas botëkuptimit shekullar, aspekti mundan (i jashtëm) dhe spiritual (i brendshëm) janë dy çështje të ndara, kurse, sipas botëkuptimit islam, të dy këto çështje në ekzistencën e njeriut janë të pandashme dhe çështjet materiale e morale, gjithashtu edhe kjo botë edhe bota tjetër, janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe kompletojnë jetën e njeriut. Dallim edhe më fondamental lidhet me faktin se botëkuptimi shekullar është produkt i njeriut dhe mund të ndryshojë gjithmonë sipas dëshirës dhe ndikimit të tij të jashtëm. Ndërkaq, botëkuptimi islam është i bazuar në Kur'an (Fjalën e Zotit Fuqiplotë) dhe Synet (Traditën e Pejgamberit a.s.), që të dyja burime kryesore të Sheriatit, prandaj botëkuptimi Islam nuk është rezultat i mendjes së njeriut, i rezultuar nga ndonjë zbulim shkencor, por është një drejtim hyjnor, i cili shpie në një mënyrë jetese të veçantë. Edhe pse Sheriati ka një elasticitet, në disa çështje nuk mund të zëvendësohet dhe nuk mund të influencohet nga mendja e njeriut dhe në të njëjtën kohë përkrah ndryshime dhe synon në influencimin e qëllimeve, sjelljeve dhe veprave të njeriut drejt një rruge të drejtë.(2) Sipas botëkuptimit islam, Zoti e ka krijuar universin për të mirën e gjithë njerëzimit. Zoti i ka bërë të gjitha resurset në këtë botë të gatshme për njerëzit, të cilët mbajnë përgjegjësinë për përdorimin dhe transformimin e tyre sipas nevojës së njerëzve. Zoti i ka dhënë njeriut shqisat e nevojshme për të shfrytëzuar mendjen e vet dhe për të kuptuar veten dhe natyrën e për t'i zhvilluar mjetet e nevojshme për ta ushqyer veten dhe për të plotësuar nevojat e veta. Mirëpo, njeriu duhet të mbajë parasysh disa kufizime në shfrytëzimin e kësaj lirie të dhuruar nga Zoti. Në mes të këtyre limiteve, të gjitha veprat janë ibadet (adhurim) ndaj Zotit. Besimi dhe qëllimi për të kërkuar që Allahu të jetë i kënaqur me njeriun, e mbush atë me një entuziazëm që të vazhdoj të zbulojë, kuptojë, jetojë dhe të kënaqet në këtë botë, pa pasur ndonjë ndjenjë fajësie. Islami kërkon nga njeriu që të ruajë balancën në mes dëshirës dhe urrejtjes për gjërat materiale. Kjo këshillë për kujdes në kërkimin e gjërave materiale, është në të vërtetë për mbarë njerëzimin. Në Islam të gjithë njerëzit trajtohen të barabartë, dhe parashihet të ketë shanse të barabarta për secilin, duke kundërshtuar krijimin e monopoleve dhe dominimin e disave ndaj të tjerëve të drejtë. Islami parasheh një shoqëri ku secili të jetë i vetëqëndrueshëm, dhe në nivelin botëror pret që secili popull të jetojë një jetë të respektueshme. Situata e tashme, ku shtetet e varfra janë futur në borxhe te shtetet e pasura, nuk është në përputhshmëri me vizionin islam rreth botës. Sipas vizionit islam, drejtësia duhet t'i sigurohet secilit njeri dhe secilit popull, duke kundërshtuar çdo formë eksploatimit.(3) Si një mëkëmbës i Zotit në Tokë, njeriu është përgjegjës para Tij për të gjitha punët e veta në Ditën e Gjykimit. Në Islam zbatohet një sistem i fortë i përgjegjësive në të gjitha nivelet. Gjendja aktuale, kur disa nga vendet e fuqishme dhe korporatat globale, nuk japin përgjegjësi para askujt, kjo nuk është në përputhshmëri me botëkuptimin islam. Sipas mësimeve islame, secili është përgjegjës sipas kapacitetit dhe pozitës që ka. Duhet të synohet që të themelohet një rregull ekonomik, në të cilin të gjitha vendet të kontribuojnë për të luftuar veprimet e papërgjegjshme nga popujt e ndryshëm. Burimet ekonomike duhet të ruhen nga keqpërdorimi i tyre, shfrytëzimi i pakujdesshëm apo shkatërrimi i tyre, për interesa të ngushta ekonomike.(4)


Përfundim


Ne fund, mund të themi se sistemi ekonomik islam, ashtu siç u theksua më sipër, është zhvilluar në mënyrë graduale nga një ekonomi normative në atë pozitive. Sistemi ekonomik, i bazuar në mësimet islame, ka dallime, edhe në teori dhe botëkuptime, edhe në aplikime, nga sistemi shekullar i ekonomisë.


 


_______________________________________
(1) Yahia Abdul-Rahman, The Art Of Islamic Banking and Finance: Tools and Techniques for Community Based banking, (New Jersey: John Wiley & Sons, Inc., 2010), f. 33-35.
(2) Waleed A.J. Addas, Methodology of Economics: Secular Versus Islamic, (Kuala Lumpur: International Islamic University Malaysia, 2008), f. 62.
(3) Muhammad Akram Khan, An Introduction to Islamic Economics, (Islamabad: The International Institute of Islamic Thought & Institute of Policy Studies, 1994), 43.
(4) Ibid


 


 


Dituria Islame 259


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë