“Sinqeriteti udhëzon për në mirësi, e mirësia hap rrugët e Xhenetit. Kur njeriu vazhdon të cilësohet me sinqeritet, ai gjithsesi do të jetë në mesin e të sinqertëve. Gënjeshtra të shpie në rrugë të këqija, e keqja hap rrugët e Xhehenemit, kur njeriu vazhdon të gënjejë tek Allahu do të llogaritet nga gënjeshtarët.” (Hadith).
Islami me të gjitha veçoritë e tij dallon nga fetë dhe civilizimet e tjera. E tërë jeta e njeriut është Islam dhe anasjelltas, i tërë Islami është jeta e njeriut. Në të gjitha parimet thërret dhe kushtëzon atë që është e moralshme, duke kultivuar vlerat njerëzore që fuqimisht i mbështet Islami. Të gjitha intencat e tij kanë për qëllim ruajtjen e dinjitetit njerëzor duke respektuar vlera Islame. Islami ka bërë lidhje të ngushtë në mes dispozitave ligjore, dhe vlerave morale. Nëse duam të shfletojmë kaptinat kryesore, mbi të cilat ngritën vlerat Islame, gjejmë se ato janë bazë për mirëqenën e shoqërisë: qetësi e siguri, zhvillimi moral i jetës mbi bazat e shëndosha, lidhje në mes kësaj botës dhe botës tjetër. Kështu do të ishte sikur shoqëria të kultivonte vlera morale: drejtësinë, sinqeritetin, besimin, durimin, ndershmërinë, zbatimin e premtimeve, dhe devotshmërinë etj.
Hadithi në fjalë prezanton sinqeritetin (të vërtetën) si vlerë, dhe gënjeshtrën si ves. E para hap rrugën e mirësisë dhe të shpie në Xhenet, kurse e dyta hap rrugën e së keqes dhe të shpie në Xhehenem. Njëra gjithsesi e rekomanduar, kurse tjetra rreptësisht e ndaluar. Të gjithë dijetarët e shkencave fetare dhe shoqërore shprehin një vlerësim: Sinqeriteti është nga pasuritë më të mëdha morale, kurse gënjeshtra është nga veset më të shëmtuara.
Nëse të gjithë do të ishin të sinqertë për atë që thonë, jeta do të ecte në binare të shëndosha, shoqëria do të ishte e sigurt dhe do të gëzonte besueshmëri të ndërsjellë, do të respektoheshin vlerat njerëzore, që Islami i ngrit në piedestale të larta dhe si parime themelore në shoqëri. Në të dërguarin e Allahut kemi shembull më të mirë. Shoqëria e tij ishte ideale dhe shembullore, për të gjithë ata gënjeshtra ishte e panjohur. Në lidhje me këtë raport njëri nga sahabët ishte përgjigjur: Pasha Allahun ne nuk gënjejmë dhe as që kemi ditur se çka është gënjeshtra. Ebu Bekri gjatë halifatit të tij kishte emëruar Omerin r.a., për gjykatës në mesin e njerëzve. Për një vit nuk i kishte ardhur askush që të ankohej. A thua përse? Apo njerëzit e kohës së Omerit nuk ishin njerëz të rëndomtë, të cilët nga natyra e tyre hidhërohen dhe nuk pajtohen atëherë kur nuk u pëlqen. Apo gjatë gjithë kësaj kohe nuk ndodhi asnjë mosmarrëveshje që të kërkohet intervenimi deri tek Omeri r.a. Me të vërtetë ata ishin njerëz sikurse ne. Kishte raste kur nuk pajtoheshin dhe ishte i nevojshëm gjykimi, por nuk ekzistonte mundësia që mospajtimi të zgjidhej sipas shijes dhe dëshirës. Dalja e të vërtetës në shesh ishte qëllimi i vetëm, andaj secili para se të ngrinte akuzën deri tek Omeri r.a., gjykonte veten nëse është i sinqertë, dhe analizonte mirë mos ndoshta ka mëkate në këtë gjë. “Secili gjykonte vetën para se të gjykohej tek Omeri”. A nuk është vlerësim real kur themi se problemet e sotme janë si burim i humbjes së sinqeritetit dhe përfshirjes së gënjeshtrës. Për pengimin e kësaj të keqe, sot nuk ekzistojnë institucione që e luftojnë këtë cilësi të pahijshme. Filozofia e gënjeshtrës në Islam është adresë e tradhtisë së madhe. Allahu xh.sh., thotë: “Atëherë Musa a.s. u tha atyre: Mjerimi është i juaj, prandaj mos shpifni ndaj Allahut ndonjë gënjeshtër, e t’ju shkatërrojë me ndonjë dënim, do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra.” (Taha:61).
Gënjeshtra e kësaj kategorie është në kundërshtim me imanin, dhe si e tillë gjykohet me pabesim dhe tradhti ndaj besimit në Allahun. Gënjeshtari e gënjej vetëm veten dhe kështu i mashtron edhe të tjerët në dëm të vetes. Allahu xh.sh., thotë: “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait a.s), pasi të është bërë e qartë e vërteta, ti thuaju: ,,Eja ti thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, vetën tonë dhe vetën tuaj, pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut ti godasë gënjeshtarët.” (Al-Imran:61).
Duhet ta dimë mirë se alkooli është nëna e të këqijave, por gënjeshtra është armiku i ibadeteve, i të mirave, dhe se njeriu që ka si shprehi gënjeshtrën, atij njeriu i digjen ibadetet njëjtë sikurse i djeg zjarri drunjtë. Ndalimi i gënjeshtrës në të gjitha kategoritë dhe format e saj është veçori madhore në Islam. Gënjeshtra nuk lejohet as edhe me shaka. Pejgamberi a.s., u kishte thënë sahabëve: “Nga goja ime nuk del asgjë përveç të vërtetës”.Ata i thanë: Por ti nganjëherë habitesh me ne. Pejgamberi a.s., tha: “Po, por unë nuk flas veçse të vërtetën,, deri kur edhe zbriti ajeti Kur’anor: “Ai nuk flet sipas hamendjes së vet, por ajo është shpallje që i shpallet atij.” (Nexhm 3-4).
Pejgamberi a,s e ka ndaluar dhe dozën minimale të gënjeshtrës, e cila shumë herë qarkullon në gjuhën tonë pa i kushtuar kujdes. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush i thotë fëmijës eja se do të jap diçka, pastaj nuk ia jep, ai llogaritet gënjeshtar.”
Hadithi flet për gënjeshtrën ndaj fëmijëve, dhe kujdesin që ata të mos e shijojnë, që në atë moshë të hershme dhe në natyrën e tyre të regjistrohet si diçka normale. Sipas haditheve të Pejgamberit a.s., ne nënkuptojmë se gënjeshtra është njëra nga cilësitë kryesore të mynafikëve, nga cilësitë e mynafikëve është kur flet gënjen, kur premton mashtron, mashtrimi është ves shumë ngushtë i lidhur me rrenën dhe kanë të njëjtin burim. Kjo është gjuha e argumenteve që ua thyen kurrizin gënjeshtarëve, dhe atyre që nuk e duan ta ruajnë fenë dhe nderin e tyre. Duhet të jenë vetëm të sinqertë nëse duan që në zemrën e tyre të ketë iman dhe njerëzi, shpërblim tek Allahu dhe nder në shoqëri.
Omer Arsllani