Kurani është fjala e Allahut xh. sh., i zbritur te Muhamedi a.s., nëpërmjet Xhibrilit, i shkruar në mus'hafe (koleksione), i transmetuar me besnikëri...
...leximi i të cilit llogaritet ibadet (adhurim), fillon me suren El Fatiha dhe përfundon me suren En Nas. Kurani i është zbritur Muhamedit a.s., me qëllim që t'ia sqarojë atë njerëzve.(1) Andaj i Dërguari a.s. gjatë tërë jetës së tij pejgamberike, ka qenë i angazhuar me transmetimin, mësimin dhe sqarimin e librit të Allahut xh. sh. dhe me plot meritë quhet mësues i njerëzimit.
Në themelet e mësimeve dhe edukatës islame qëndron Kurani dhe suneti i të Dërguarit a.s., kështu që çdo dituri, informacion apo sqarim në lidhje me këto mësime kanë si burim Kuranin Famëlartë. Andaj, duke pasur parasysh faktin që çdo mysliman është i obliguar të ndërtojë dhe jetojë jetën e tij sipas mësimeve dhe edukatës islame, ai paraprakisht duhet që të mësojë dhe njohë sa më mirë burimin e këtyre mësimeve- Kuranin.
Që nga fillimi i zbritjes e deri më sot, në çdo periudhë, myslimanët i kanë kushtuar rëndësi të veçantë mësimit, mbajtjes mend, sqarimit dhe studimit të Kuranit. Gjatë procesit të shpalljes, çdo ajet që zbriste mësohej përmendësh dhe vihej në praktikë nga sahabët, dhe atë ua mësonin edhe familjeve dhe njerëzve përreth tyre. Ky interesim dhe kjo qasje ndaj përvetësimit të fjalës së Allahut xh. sh. vazhdoi edhe te gjeneratat vijuese, gjatë të cilave u themeluan shkolla, institute, universitete dhe institucione të shumta për të mësuar dhe kuptuar sa më drejtë Kuranin. Duke ditur vlerën dhe rëndësinë e mësimit dhe studimit të Kuranit që Islami i ka dhënë,(2) sot në gjithë botën islame mësimi përmendësh i Kuranit (hifzi-si metoda më e përhapur e përvetësimit të tij), konsiderohet një nga ibadetet (adhurimet) më të çmuara dhe është reflektim i një manifestimi të dashurisë dhe respektit të thellë ndaj tij.
Vlera e mësimit të Kuranit
Pasi Allahu xh. sh. ia mësoi Kuranin Muhamedit a.s., ai ua mësoi atë shokëve të tij. Këtë e dëshmon Allahu xh.sh. në Kuran duke thënë: "Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde. Ne e kemi për detyrë t'i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë. Dhe kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij. Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë atë."(3) Andaj ruajtja e Kuranit është bërë duke e mësuar përmendësh atë dhe duke e shkruar në materiale të ndryshme të kohës. Kështu që mësimi dhe përvetësimi i Kuranit ka mundësuar edhe ruajtjen e tij, gjë të cilën e ka garantuar edhe Allahu xh.sh.(4) Për vlerën e mësimit dhe leximit të Kuranit Allahu xh. sh. thotë: II Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu), do t'ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtetë Ai është falës i mëkateve dhe shumë mirënjohës."(5) Përveç kësaj për vlerën e mësimit të Kuranit, flasin edhe shumë hadithe të sakta. Transmetohet nga Uthmani r.a., se e ka dëgjuar Muhamedin a.s., të ketë thënë: "Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin për vete dhe ua mëson atë edhe të tjerëve."(6)
Po ashtu transmetohet nga Ebu Umameti el Bahilij, se e ka dëgjuar Muhamedin a.s., duke thënë: "Lexojeni Kuranin, sepse ai do të vijë ndërmjetësues në ditën e gjykimit për ata që e kanë lexuar."(7) Këto dhe shumë argumente të tjera nga Kurani dhe suneti dëshmojnë dhe konfirmojnë rëndësinë dhe vlerën e mësimit të Kuranit, duke nxitur dhe inkurajuar besimtarin që me çdo kusht të mësojë leximin e tij.
Xhamia dhe mësimi i Kuranit
Interesimi i sahabëve gjatë procesit të shpalljes, për ta mësuar dhe mbajtur mend Kuranin ishte shumë i madh. Në këtë periudhë dy qendrat e para dhe më të njohura të mësimit të Kuranit ishin "Darul Erkam"
në Mekë dhe "Suffe" në Medine, e cila gjendej pranë xhamisë së Pejgamberit a.s. Ashtu si gjatë jetës së tij, e edhe pas vdekjes së Muhamedit a.s. interesimi për mësimin e Kuranit dhe ruajtjen e tij vazhdoi duke u rritur edhe më, dhe kjo konsiderohej një obligim dhe përgjegjësi nga sahabët. Kështu me kalimin e kohës përveç këtyre qendrave të lartpërmendura, ishin shndërruar edhe xhamitë në qendra të mësimit, memorizimit, studimit, shpjegimit dhe kuptimit të Kuranit dhe shkencave tjera islame. Kjo gjendje ka vazhduar edhe gjatë shekujve të mëvonshëm, për të vazhduar me ndërtimin e medreseve dhe shkollave e institucioneve tjera, në të cilat mësoheshin shkencat islame dhe veçanërisht Kurani famëlartë. Megjithatë gjatë gjithë historisë islame, si në periudhën Emevite, Abasite, të Selçukëve, Perandorisë Osmane dhe pas saj, e deri më sot në gjithë botën islame, xhamitë kanë luajtur një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për mësimin dhe përvetësimin e Kuranit. Kjo traditë është duke vazhduar edhe sot, si në tërë botën islame edhe në trojet shqiptare, edhe pse në periudha të caktuara për shkak të rrethanave të ndryshme historike ka pasur ngecje dhe zbehje të herëpashershme.
Përfundim
Duke qenë Kurani burimi kryesor i Islamit, referencë për jetën e besimtarit, leximi i të cilit është ibadet, shërim, freski dhe dëlirësi shpirtërore, është obligim i çdo myslimani ta mësojë leximin e tij dhe ta përvetësojë sa më shumë atë.
Duke u frymëzuar nga e kaluara, e sidomos nga qasja që gjeneratat e para kanë pasur ndaj Kuranit dhe mësimit të tij, sot duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë për rritjen e aktivitetit të mësimit dhe përvetësimit të Kuranit në mesin e shoqërisë. Në këtë aspekt duhet konsoliduar dhe përforcuar edhe më roli i xhamisë dhe institucioneve tjera në të cilat mësohet Kurani famëlartë, duke i vendosur ato në epiqendër të mësimit dhe memorizimit të Kuranit. Kështu që në çdo xhami duhet të ketë kushte të volitshme për një aktivitet të tillë.
Kurani ka zbritur para 14 shekujve dhe bashkoi zemrat e copëtuara, duke rrënjosur në to mëshirën dhe dashurinë, i nxori njerëzit nga errësira në dritë, andaj sot kur njerëzimi ka humbur përsëri këto vlera ka nevojë më shumë se kurdoherë për ripërtëritjen e tyre. Një gjë e tillë mund të arrihet duke mësuar, lexuar, shpjeguar, sqaruar, kuptuar dhe përvetësuar Kuranin dhe mësimet e tij. Andaj mësimi i leximit të tij është hapi i parë i duhur në rrugën e jetësimit të Kuranit, andaj nuk duhet që asnjë përgjegjës ta injoroi, sepse kështu do të humbasim vlera madhështore që fshihen brenda tij.
___________
(1) Nahl, 44.
(2) Fatir, 29-30; Muzemrnil, 4-5.
(3) Kijame, 16-19.
(4) Hixhr, 9.
(5) Fatir, 29-30.
(6) Evidenton Buhariu në "Sahihun" e tij, nr. 5027.
(7) Evidenton Muslimi në "Sahihun" e tij, nr. 1343.
Sead Paçarizi