Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut pritet që të fillojë përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të ri të BFI-së pas Kurban Bajramit, gjegjësisht 31 korrikut.
Këtë e tha shefi i kabinetit të u.d. kryetarit reis ul ulema, Shaqir efendi Fetahut, Selver Xhemaili, njofton Portalb.mk.
U.d. kryetari i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu mund të vazhdojë në këtë pozitë prej gjashtë muaj deri në 1 vjet që nga dita e ardhjes në detyrë, ndërkaq pastaj duhet të shpallen zgjedhjet. Megjithatë nga BFI thonë se ndoshta nuk do ta presin të kalojë 6-mujori i parë për të organizuar zgjedhje.
Shefi i Kabinetit të reisit, Selver Xhemaili, thotë se për shkak të aktiviteteve të shumta në BFI, përgatitjet zgjedhore duhet të fillojnë pas Kurban Bajramit, ndërkaq të njëjtat do të bëhen sipas rregullores për zgjedhjen e reisit.
“Komisioni Zgjedhor e përpilon rregulloren për zgjedhjen e reisit të BFI-së, në bazë të Kushtetutës së BFI-së. Në çdo zgjedhje përpilohet rregullore e re dhe e njëjta vlen deri në zgjedhjet e ardhshme. Deri më tani nuk ka asnjë aktivitetet për zgjedhjet e reja, brenda 6 muajve dhe deri në 1 vjet do të mbajmë zgjedhje. Ndoshta s’e presim edhe 6 muaj, por ende nuk kemi filluar aktivitetet. Presim që të kalojë Kurban Bajrami pasi që kemi shumë aktivitete dhe pasi të kalojë atëherë shpresoj të orientohemi në lidhje me zgjedhjet, pra të nisim përgatitjet”, tha Xhemaili.
Sipas Kushtetutës së BFI-së, Reis ul Ulemaja është organ dhe kryetar i BFI-së i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë. Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.
Për Reis ul Ulema mund të propozohen dhe të zgjedhen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare. Sipas nenit 36 të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Rijaseti i BFI-së e propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë.