Fillimi i vitit të ri islam na orienton në konkludim që edhe mendimet tona të jenë të përafërta me përpjekjet tona që t'i bëjmë mirë njëri-tjetrit duke trimëruar njëri-tjetrin në rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë.
Mu për këtë hixhreti si akt i vetsakrificës për mirëqenie të përgjithshme është shënuar si data më e rëndësishme në historinë islame.
Sepse hixhreti ishte shpresë e fuqishme. Ishte dëshirë e fuqishme që kushtet e gënjeshtrës të ndryshohen në kushtet e së vërtetës. Hixhreti ishte mallëngjimi i shpirtit për ta gjetur dritën në errësirë. Hixhreti ishte lëvizje e vetëdijshme prej vështirësisë në liri. Ishte ky besim i qartë në premtimin se e mira do të ngadhënjejë mbi të keqen: "Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve Tu, na e premtove dhe në ditën e kiametit mos na turpëro, vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!". "Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t'ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t'i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e All-llahut, se më i miri i shpërblimeve është tek All-llahu." (Ali Imran, 194-195)
Muhaxhirët ishin njerëz të cilët besonin lindjen e diellit edhe pse e kishin mbuluar retë e dendura. Këta ishin njerëz që dëgjuan zërin e qartë dhe vërejtën argumentin e qartë në cilën rrugë duhet shkuar në përjetësi.
Muhaxhirët ishin njerëz që ditën të dallojnë të mirën e përhershme dhe të keqen e përkohshme, të folurit e vërtetë nga fjalët gënjeshtare: "A mos menduat se do të mbeteni anash (pa u provuar), e pa u sqaruar te All-llahu ata që luftuan prej jush dhe përpos All-llahut, pos të dërguarit të Tij dhe pos besimtarëve, nuk morën ndonjë të jashtëm mik intim. All-llahu e di hollësisht atë që bëni ju." (Et - Teube, 16)
Hixhreti ishte ngjarje në të cilën u bashkuan zemrat e njerëzve në një mendim i cili e përcaktoi rrjedhën e historisë njerëzore. Hixhreti ishte provim i fuqisë dhe pafuqisë njerëzore për ta marrë emanetin të cilin toka dhe qiejt e refuzuan. Hixhreti ishte akt i trimërisë njerëzore në bazë ë të cilës matet vlera e njeriut në krahasim me krijesat e tjera të Zotit: "Përse të mos e luftoni një popull që thyen zotimet e veta dhe tentuan ta dëbojnë të dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën. A u frikësoheni atyre? Më e drejtë është t'i frikësoheni All-llahut, nëse jeni besimtarë." (Et - Teube, 13)
E frika është armiku më i madh, ndërsa hixhreti triumfojë këtë frikë. Ata mbollën frikë në shpirtrat e njerëzve dhe në zemrat e vogla të njerëzve por në shpirtin e Ebu Bekrit r.a. dhe në zemrën e Aliut r.a. nuk kishte vend. Në vend të frikës besimi i fuqishëm ishte në zemrat dhe shpirtrat e tyre. Ishte besim në të vërtetën, drejtësinë dhe fitoren:"Si (mund të kenë besë) ata të cilët nëse ju mundin, nuk përfillin ndaj jush as farefisni e as marrëveshje. Ata ju bëjnë lajka me fjalët e tyre kurse zemrat e tyre kundërshtojnë ngase shumica e tyre janë besëthyes." (Et - Teube, 8)
Hixhreti ishte akt i rëndë që të pranohet robëria për shkak paqes ose të sakrifikohet paqja për shkak të lirisë. Ishte vendosmëria individuale për shkak të mirëqenies së përgjithshme, dhe akti i përbashkët për shkak të lumturisë individuale.
Dhe ja përse hixhreti është dashur të ndodhë. Që të meritohet fitorja, të respektohen marrëveshjet, të ndahen njerëzit dhe jo njerëzit, që të jetohet në miqësi, harmoni dhe vëllazërim.
"All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh." (Et- Teube, 100)
Kur muhaxhirët dhe ensarët u bënë një, idhujtarët u bënë të përçarë. Kur muhaxhirët dhe ensarët u vëllazëruan dhe në fe u forcuan, idhujtarët u vëllazëruan në shirk (politeizëm) dhe u dobësuan. Kur muhaxhirët dhe ensarët e ngritën bashkësinë e tyre në pajtim ndërnjerëzor dhe ndërfetar, mushrikët u shkatërruan në kryelartësinë e tyre. Kur muhaxhirët dhe ensarët treguan dashuri vëllazërore në Bedër dhe Uhud, politeizmi i mushrikëve humbi kuptimin.
Kur muhaxhirët dhe ensarët treguan vendosmërinë në Hudejbije, mushrikët e humbën orientimin. Kur Pejgamberi s.a.v.s. me muhaxhirët dhe ensarët u kthye në Mekë, mushrikë nuk kishte më. Qabeja u pastrua përgjithmonë nga shirku.
Hixhreti nuk është qëllim në vete. Hixhreti është rrugë që të arrihet te qëllimi të cilin e dëshiruan muslimanët e parë dhe të cilin edhe sot duhet të dëshirojnë muslimanët. E ky është të jetojmë në fenë e vërtetë në Një Zot të Vetëm dhe në drejtësinë e bashkësisë njerëzore. Bartësit e hixhretit ishin muhaxhirët dhe ensarët. Pra, ata që e hoqën errësirën për ta parë bota dritën. Muhaxhirë janë ata që në mesin tonë nuk pajtohen me gënjeshtrën dhe kryelartësinë e mushrikëve të cilët nuk e respektojnë njeriun dhe dinjitetin e tij. Ndërsa ensarë janë ata që ndihmojnë secilin që hapë rrugët e reja të fesë dhe diturisë, ata që punojnë në ngritjen tonë morale dhe kulturore, njerëzore dhe patriotike, arsimore dhe ekonomike.
Mesazhi i hixhretit kërkon që disa gjëra t'i lëmë dhe disa t'i pranojmë. Kërkon t'i lëmë tregimet boshe dhe t'i pranojmë punët komplet. Ta lëmë naivitetin, e ta pranojmë seriozitetin e fatit tonë. Ta lëmë të kaluarën me të cilën nuk mund të krenohemi, e ta pranojmë ardhmërinë me të cilën do të krenohemi. Ta lëmë mosbesimin e ndërsjellë, e ta pranojmë besimin vëllazëror. Ta lëmë injorancën e ta pranojmë diturinë. Ta lëmë miqësinë e rrejshme e ta pranojmë miqësinë e vërtetë të mikut. Të lëmë çdo gjë që është e dëmshme për fenë tonë, familjen, xhematin, atdheun dhe ummetin, e ta pranojmë çdo gjë që është e dobishme për fenë tonë, familjen, xhematin, atdheun dhe ummetin.
Me këto mendime i lutemi Zotit të Madhërishëm që bota në këtë vit të ri të hixhretit të jetë më e mirë, që siguria në shpirtrat e njerëzve të jetë më e fuqishme, që në zemrat e njerëzve të ketë më shumë dashuri dhe mirëkuptim.
I lutemi me përulje dhe sinqeritet Allahut të Gjithëdijshëm që në këtë botë të mos ketë luftëra, mëri, skamje dhe mjerim, që njerëzit të jenë vëllezër, që të mos ketë të përndjekur dhe refugjatë askund në botë!
O Zot i Gjithëmëshirshëm, na jep edhe neve në Kosovë dhe trevat shqiptare paqe dhe siguri. Na i realizo dëshirat tona shekullore, bëna që ëndrrat e fëmijëve tanë të bëhen realitet.
O Zot i Plotfuqishëm jepna unitet, paqe dhe harmoni me vëllezërit tanë dhe na forco me dëshirë që të punojmë me përkushtim në shtëpitë tona dhe në atdheun tonë të lirë! -AMIN-