Madhështia e një thirrjeje që s'u shua asnjëherë


Për secilin njeri, pa dallim, rrugëtimi për në Mekë mbetet rrugëtimi më i këndshëm dhe më drithërues, detajet e të cilit mbesin të gravura në kujtesë gjer në vdekje. Takimi i parë i besimtarit me Qabenë, ia lidhë gjuhën atij, dhe e lë pa fjalë, duke mpiksur në shpirtin e tij aso përjetime të thella shpirtërore, të cilat pastaj shndërrohen në kujtime të paharruara në jetë. Ato kujtime i rezistojnë pluhurit historik, nuk ikin nga kujtesa, dhe nuk lëshojnë vend dot as për ngjarjet më të mëdha që në një epokë mbase edhe e kanë rënduar jetën tonë. Pranë saj, secili njeri mbetet i magjepsur dhe gojëhapur. Sigurisht, nga madhështia e modestisë së faltores së parë në tokë që është ngritur për t'u adhuruar Allahu.
Asaj, natyrisht se i mungon glamura, delikatesa, dekori i stërholluar, kubet madhështore që mund t'i gjesh kudo gjetiu, por kurrë dhe asnjëherë asaj nuk i ka munguar madhështia, hyjniteti. Si mund t'i mungojnë ato, kur ajo është "Bejtullah - Shtëpi e Zotit"?!
Andaj, rrugëtimi për në Mekë dhe vetë haxhi si adhurim jetësor, është ngritur në nivel të shtyllës së Islamit dhe doemos ai përbën pastaj edhe detyrë e obligim për besimtarët myslimanë që kanë mundësi të marrin këtë rrugë. Mësymja e vendeve të shenjta gjithnjë është përshkruar si një rrugë e mundimshme fizikisht, por që mirësitë, e bekimet e fituara s'lejnë vend për hezitime e as për kalkulime të gjata nga asnjëri besimtar i denjë. Allahu në Kuran e riktheu në kujtesën tonë, ftesën për Ibrahimin a.s. që t'ju drejtohej njerëzve për t'ua kumtuar këtë detyrë.
Ai tha: "Dhe (ti o Ibrahim) thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta. (Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara..." (E1 Haxh, 27-28).
Dobitë e pritshme dhe lënia e gjurmëve të këmbëve tona në ato vende ku lanë gjurmë një pjesë e madhe e të dërguarave të Allahut, e ç'është më e rëndësishmja, aty ku la gjurmë i Dërguari ynë - Muhamedi a.s., e bëjnë njeriun gjithnjë që të harrojë vuajtjen e udhëtimit, edhe nëse ai paska arritur atje me deve të rraskapitura.
Ishin të shumtë ata që përshkruan në formë magjepse rrugëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta, sidomos dalin interesante nga ata që nuk ishin besimtarë, por e pranuan Islamin e pastaj morën këtë rrugë. Ndër përshkrimet më të bukura mbesin ndoshta libri "Journey to Makkah" (Udhëtim për në Mekë), nga Wilfried-Murad Hofmann, pastaj edhe më herët, ai i Muhamad Asad (Leopold Weiss), me librin e tij "The Road to Mecca" (Rruga për në Mekë). Ky i fundit bartë për lexuesit e tij një përshkrim mahnitës, që në fakt duket se flet me gjuhën e secilit haxhi, që për herë të parë e sheh Qabenë e shenjtë me sytë e tij. Ai pamjen e tij të parë për Shtëpinë e Zotit e cilëson kështu: "Kjo pra është Qabeja, ai vendi i përmallimit shpirtëror e etjes së zjarrtë, për miliona njerëz që kanë bërë sakrifica të larta për të arritur deri tek ajo. Në rrugë për tek ajo, kanë vdekur njerëz të shumtë, ndërsa shmnë prej atyre që ndoshta kanë vuajtur nga privimi jetësor e varfëria e skajshme, kanë pasur aspiratën e tyre më të çmueshme, rrugëtimin drejt kësaj Shtëpie-Faltoreje në formë kubi, dhe arritja deri tek ajo për ta mbetet plotësimi më sublim në jetë. Ja kjo është Qabeja, mu aty në mes, si një kub i plotë. E mbuluar e tëra me mbulojë të zezë, që qëndron sikur një ishull i qetë në oborrin e vet të gjerë. Ajo është më e qetë se cilado godinë tjetër...Ai që e ndërtoi për herë të parë, dëshiroi që si e tillë ajo të ishte një simbolizim i modestisë para Allahut:" (M. Asad, 541).
Rrugën për në Mekë dhe Medinë, shumë prej shkollarëve myslimanë në të kaluarën e shihnin si mundësi të vetme për t'u takuar me dijetarët eminentë të botës islame që në pamundësi për t'u takuar me ta në vendet e tyre, i gjenin të grumbulluar aty në Mekë e në Medinë. Andaj aty, dhe nga ata mund të dilnin diskutimet më rezultuese shkencore islame dhe pas atyre takimeve mund të kishte njohje të ndërsjellë me gjithë ato sfida, preokupime e vuajtje që ndonjë prej viseve islame i kishte përjetuar. Për të tilla synime, pritshmëritë e myslimanëve janë edhe sot.


Editoriali
Dituria Islame 415


 


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)