Hyrje
Pas temës së zekatit, e cila qe shtjelluar përgjatë dy viteve në revistën "Dituria Islame", kryeredaktori i revistës në fjalë më propozoi t'i hyja temës së namazit sipas shkollës juridike hanefite, prandaj në numrat e ardhshëm do të shtjellohet tematika e faljes së namazit konform shkollës sonë juridike, një çështje që mendoj se është me interes për lexuesit, sidomos pas dyshimeve dhe thirrjeve të disave se kjo formë e të falurit nuk është e mbështetur në hadithet e të Dërguarit të Allahut. Madje, ajo që është më qesharake në këtë kontekst, është fakti se disa e kanë paraqitur këtë formë si një shpikje nga imami i madh Ebu Hanife, duke i atribuuar atij formën e të falurit, që është një shpifje e qartë dhe mendoj se ata që kanë bindje të tilla, nuk njohin jurisprudencën islame (fikhun) dhe realisht nuk e njohin as fenë.
Emigrimi i ashabëve në Kufe
Këtu do të mundohem të paraqes shkurtimisht origjinën e shkollës juridike hanefite, dhe, siç do të theksohet, mendimet e kësaj shkolle nuk fillojnë me Ebu Hanifen dhe nuk janë mendime të shpikura nga ai, por janë mendime që bazohen në thëniet e të Dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij. Pra, kjo do të jetë një kronologji nga koha e të Dërguarit të Allahut deri në kohën e Ebu Hanifes, ku bëjnë pjesë një plejadë dijetarësh të pranuar nga mbarë Bota Muslimane, nëpërmjet një zinxhiri të pashkëputur që nga Muhamedi a.s. e deri tek Ebu Hanife. Kjo sinjalizon më së miri se nga erdhën mendimet dhe opinionet e Ebu Hanifes, si dhe ku gjeti mbështetje ai. Shkolla juridike (medhhebi) hanefite u formua në Kufë të Irakut, që ishte vendlindja e Ebu Hanifes, themeluesit të kësaj shkolle të mirënjohur. Më pas u përhap në Bagdad dhe në vende të tjera të Irakut, e pastaj edhe në vendet të tjera të largëta.(1)
Kufa në atë kohë ishte nga qendrat më të mëdha të dijes, shkencës dhe përparimit. Aty lulëzonin dija dhe shkenca. Dijetarët e ndryshëm mbanin ligjërata, e prej tyre shquheshin ligjëratat në dy fusha kryesore: të Fikhut dhe Hadithit. Për këtë lulëzim të dijes dhe përparimit të madh në Kufë, rolin kryesor e kishin luajtur dy prijësit e musli manëve (halifët): Omeri dhe Othmani, kurse më vonë edhe prijësi tjetër, Aliu, që do ta bënte Kufën qendër të udhëheqjes së muslimanëve (hilafetit). Në kohën e halifit Omer, shteti islam përjetoi një ekspansion të vërtetë dhe Islami depërtoi thellë në besimet dhe kulturat e tjera derisa do të shembeshin edhe dy perandoritë e mëdha të asaj kohe. Omeri dërgoi ashabë të shquar nëpër vendet ku kishte depërtuar Islami, kështu që ashabë të dalluar e të përkushtuar dërgoi edhe në Kufë. Othmani, për dallim nga Omeri, u dha leje shokëve të Pejgamberit a.s. që të emigronin ku të donin, ndërsa Aliu, hilafetin e muslimanëve nga Medina e zhvendosi në Kufë. Sigurisht numri i shokëve të të Dërguarit të Allahut që udhëtuan për në Irak apo që u vendosën në Kufë, ishte mjaft i madh, prandaj duhet theksuar edhe fakti se qindra prej tyre ishin vendosur në Kufë, kurse mijëra ashabë kishin kaluar përmes Kufës. Më i rëndësishmi prej atyre që ishin dërguar në Kufë, gjithsesi ishte Abdullah ibn Mesudi. Por, kush ishte Abdullah ibn Mesudi?
Abdullah ibën Mesudi
Kur Muhamedi a.s. u dërgua Pejgamber, Abdullah in Mesudi ishte shumë i ri dhe ishte bari delesh. Në takimin e parë me të Dërguarin e Allahut dhe Ebu Bekrin, përderisa po ruante bagëtinë, i Dërguari i Allahut i tha: "Ti je një fëmijë i mençur". Ky ishte fillimi i rrugëtimit të tij në Islam. Nuk vonoi shumë dhe ai u bë musliman, dhe nga një bari i rëndomtë do të shndërrohej në shërbëtor të denjë ndaj të Dërguarit të Allahut. Abdullah in Mes'udi ishte prej të parëve që pranuan Islamin. Ai ishte shprehur se ishte i gjashti në renditje nga ata që pranuan Islamin, në kohën kur mbi sipërfaqen e tokës nuk kishte muslimanë përveç nesh.(2)
E shoqëroi të Dërguarin e Allahut ashtu siç hija shoqëron bartësin e saj, nuk u nda prej tij as në vend e as jashtë vendit, në shtëpi e as jashtë shtëpisë. E zgjonte të Dërguarin kur ai flinte dhe, kur nisej, ia mbathte të mbathurat, e, kur vinte, ia hiqte ato. Shkopin dhe misvakun e të Dërguarit i bartte ky njeri. Hynte në shtëpi të Pejgamberit kur të dëshironte, sikur të ishte shtëpia e tij. I dinte sekretet dhe fshehtësitë e të Dërguarit, madje edhe njihej si shoqëruesi i fshehtësive të Pejgamberit.
Ebu Musa Esh'ariu kishte thënë: "Së bashku me tim vëlla erdhëm nga Jemeni, e Abdullah ibë Mes'udin dhe nënën e tij nuk i llogarisnim ndryshe përveçse prej familjes së Pejgamberit a.s., për shkak të hyrjes dhe daljes së shpeshtë të tyre nga ai". (Buhariu në Sahih, nr. 2460, 3763 dhe 4384.) U edukua në shtëpinë e Pejgamberit a.s., u udhëzua sipas udhëzimit profetik, ndoqi dhe pasoi të gjitha veprimet dhe veçoritë e të Dërguarit, sa për të u tha: "Njeriu më i afërt me Pejgamberin për nga udhëzimi dhe vlerat morale". Ai u edukua në shkollën profetike, prandaj ishte njëri nga njohësit më të mëdhenj të Kuranit, më i dituri për kuptimet e tij dhe më i njohuri për ligjin e Zotit.(3)
Ishte recitues i njohur i Kuranit, saqë prej tij dëgjoi Kuran i Dërguari i Allahut, gjë që ishte e pazakontë që ai të dëgjonte Kuran nga të tjerët, madje përderisa dëgjonte Kuran prej tij, lotët i përshkonin fytyrën e tij. I Dërguari i Allahut për të qe shprehur: "Ai që dëshiron të lexojë Kuran ashtu siç është zbritur, le të lexojë sikur leximi i Ibn Ummi Abd-it (Abdullah ibn Mesudit)". (Taberaniu në Mu'xhemul Kebir, nr. 8338; Ibn Huzejme në Sahih, nr. 1156; Tahaviu në Mushkilul Athar, nr. 5593.) Për dituritë e tij rreth Kuranit, protagonisti në fjalë qe shprehur: "Pasha Allahun që përveç Tij tjetër s'ka, nuk ka zbritur ndonjë ajet nga libri i Allahut e që unë të mos e di ku ka zbritur dhe për se ka zbritur, e sikur ta dija se ndokush është më i ditur se unë rreth librit të Zotit, po të jetë e mundur të arrija tek ai, do të shkoja". Imam Zerkeli, në librin e tij të mirënjohur "El-A'lam", për Abdullah ibn Mes'udin, shprehet: "Abdullah in Mesudi është sahabi, nga më të njohurit e tyre, për virtyte dhe mendjehollësi, sikurse edhe për afërsi ndaj të të Dërguarit të Allahut. Është nga mekasit dhe nga të parët që pranuan Islamin. I pari që lexoi Kuran haptazi para masës në Mekë. Ishte shërbëtor besnik ndaj të të Dërguarit të Allahut dhe njeriu që dinte për fshehtësitë e të Dërguarit. Ishte shoqërues i tij në vend, në udhëtime dhe në beteja. Hynte tek ai në çdo kohë dhe gjithnjë ecte me të. Një ditë Omeri po e shikonte atë nga vinte, dhe i tha: "Erdhi i stërmbushuri me dituri".(4) Ishte prej të përgëzuarve me Xhenet.
Tubimet e dijes të Abdullah ibn Mes'udit në Kufë
Në momentin kur Omeri e dërgoi Abdullah in Mes'udin mësues (mual-lim) e ministër (vezir) dhe Ammar ibn Jasirin guvernator (emir), popullit të Kufës u shkroi: "Unë kam dërguar tek ju Ammar ibn Jasirin guvernator dhe Abdullah ibn Mes'udin mësues e ministër, e ata të dy janë nga elita e zgjedhur e shokëve të të Dërguarit të Allahut dhe nga ata që dëshmuan në Bedër, prandaj pasoni ata, bindjuni atyre dhe dëgjoni fjalët e tyre".. (Ibn Sa'd në Tabekat, 6/7-8; Hakimi në Muste drek, v. 3, f. 438, nr. 5663, i cili thotë se është autentik, e për se është pajtuar plotësisht edhe Dhehebiu.) Abdullah ibn Mes'udi, me të shkuar në Kufë, filloi misionin e tij në kultivimin e shkencës së mirëfilltë islame dhe përreth tij tuboheshin grupe të shumta nxënësish që merrnin dituritë nga njëri prej shokëve më të shquar të të Dërguarit të Allahut, i cili ishte thuajse gjithnjë pranë të Dërguarit. Abdullah ibn Mes'udi konsiderohet njëri ndër personalitetet më të mëdha në edukim dhe njëri prej atyre që ka lënë gjurmë të pashlyera në edukimin e brezave të rinj dhe në përhapjen e traditës profetike. Ai qëndroi një kohë aty para se të kthehej përsëri në Medinë. Por, para se të largohej nga Kufa, ai la pas vetes një plejadë dijetarësh që u edukuan prej tij, të cilët morën mësime të rëndësishme nga libri i Allahut, Syneti i Resulullahut dhe thellimi në fe. Këta morën flamurin e dijes, fikhut dhe fetvave në Kufë.(5)
Banorët e Kufës dhe sidomos ata të Irakut në përgjithësi, patën fatin që të ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në tubimet e dijes të Abdullah ibn Mes'udit. Numri i atyre që prezantonin në tubimet e tij të dijes, ishte jashtëzakonisht i madh dhe, sipas disa transmetimeve, ai numër kalonte shifrën 4000 nxënës.
Nxënësit më të shquar të tij
Nga nxënësit më të shquar dhe më të dalluar të Abdullah ibn Mes'udit kanë qenë Alkame ibn Kajs Nehaiu, Harith ibn Kajs el-Xha'fij, Mesruk ibn Exhda", (6) Amër ibn Shurahbil el-Hemdanij (Ebu Mejsere), El-Esved, Abideh, Harith ibn Kajs, Shurejh el Kadidhe e shumë të tjerë, por i pari prej tyre ishte më i njohuri dhe mori dituri të shumta në fikh dhe hadith, dhe prej tij kanë dalë shumë juristë.(7)
Alkameh transmetonte nga ashabët në prani të ibn Mes'udit
Alkame ibn Kajs ibn Abdullah Nehaiu, nga Kufa, njëri nga tabiinët, i cili kishte lindur gjatë jetës së Resulullahut. E shoqëroi pandërprerë Abdullah ibn Mes'udin dhe prej tij mori dije. Vdiq në mes viteve 61-73. Ishte axha i Esved Nehaiut dhe daja i Ibrahim Nehaiut. Alkameh ishte vërtet jurist i madh, e këtë e dëshmon edhe fakti se njerëzit e pyesnin atë, ndonëse në prani të tij kishte edhe ashabë.(8)
I përngjante shumë Abdullah ibn Mes'udit dhe e pasonte atë në çdo detaj nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut. Kishte reputacion dhe ishte i besueshëm tek njerëzit. Abdullah ibn Mes'udi kishte folur fjalë të mira për të, në lidhje me diturinë dhe thellimin e tij në fe. Ai transmetonte nga Omer in Hatabi, Othman ibn Afani, Ali ibn ebi Talibi dhe nga shumë ashabë të tjerë, ndonëse në afërsi kishte asharin e shquar Abdullah ibn Mes'ud.(9)
Nga dija e tij e shumtë përfituan dashamirët e dijes, ata që për synim kishin pajisjen me dije të mirëfilltë islame, e më i shquari prej nxënësve të tij ishte imam Mes'udi, që ndryshe quhet edhe si "Lisanu fukahai-l Kufeh". I ngjante shumë Alkames dhe e pasonte atë në udhëzimin e të Dërguarit të Allahut. Është thënë: "Nuk kemi parë asnjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me Alkamen sikur Nehaiu; asnjëherë nuk kemi parë njeri që është i ngjashëm në udhëzim me in Mes'udin sikur Alkamja; e as që kemi parë ndonjëherë njeri që është i ngjashëm në udhëzimin e të Dërguarit të Allahut sikur Ibn Mes'udi".
Ibrahim Nehaiu
Ibrahim ibn Jezid ibn Kajs Nehaiu, nga Kufa, ishte nga dijetarët eminentë të Kufës. Mësimet në Jursprudencë (fikh) i mori nga Alkamja dhe nga shumë nxënës të Abdullah ibn Mes'udit. Vdiq në vitin 95 a 96.10 Ishte nga gjenerata e artë e tabiinëve dhe njëri nga juristët dhe personalitetet më të njohura të Irakut mbarë. I dinte mirë mendimet e Abdullah ibn Mes'udit dhe ishte myfti për banorët e Kufës. Njohës i mirë i jurisprudencës dhe i hadithit dhe, në lëmin e hadithit takohej me Sha'biun, i cili konsiderohej njëri nga dijetarët më të mëdhenj në atë fushë. Ishte në mesin e dijetarëve si dielli në mesin e yjeve, prandaj edhe Mugire kishte thënë: "E prisnim Ibrahimin si një pritje e sunduesit (me frikë e respekt). Kur Seid ibn Xhubejrin e pyesnin banorët e Irakut rreth fesë, ai u drejtohej: "Po më pyesni mua e në mesin tuaj është Ibrahim Nehaiu". Kishte shkuar tek Aisheja kur ishte i vogël, në shoqëri me Esvedin dhe Alkamen, të cilët kishte lidhje familjare, e Aisheja i donte dhe i nderonte nga ashabë të ndryshëm, si Zejd ibn Erkam, Mugire ibn Shu'be, Enes in Maliku dhe nga të tjerët. Ndonëse nuk kishte jetuar gjatë, sipas një transmetimi kishte jetuar 49 vjet e sipas një tjetri 58, megjithatë ai kishte lënë gjurmë të pashlyera dhe në kohën e tij vështirë të gjendej dikush që të mund të krahasohej me të. Në këtë kontekst imami i madh Shabiu ishte shprehur: "Ai nuk la pas vetes ndonjë më të dijshëm se ai". Dikush i tha: "As Hasen el Basriun dhe Ibën Sirinin"? Ai tha: "Po (as ata)". As nga banorët e Basrës, e as nga Kufa, e as nga Hixhazi. Dhe, sipas një transmetimi tjetër: "E as nga banorët e Shamit".(11)
Kishte reputacion dhe dije të madhe, e kjo dëshmohet edhe nga numri i madh i nxënësve që vinin tek ai nga të gjitha anët. Hamad ibn ebi Sulejmani ishte vetëm njëri prej nxënësve të tij që ndoqën rrugën e tij.
Nehaiu porosit që të pasohet Hamadi
Hamadi, juristi më i dalluar i Nehaiut, llogaritet njëri nga dijetarët më eminentë dhe më të mençur, i cili ka transmetuar shumë nga Enes ibn Maliku, Seid ibn el Musejjeb, Hasen el-Basriu dhe nga shumë të tjerë. Mësimet në lëmin e Fikhut i mori nga Ibrahim Nehaiu, dhe tek ai ishte më i zgjedhuri i nxënësve të tij, më i dituri, më i mençuri dhe më largpamësi në polemika dhe në mendime të lira.(12)
Ishte i zgjedhur dhe posedonte dhunti të shumta. Ishte i pajisur me njohuri të shumta dhe shquhej për inteligjencë. Ai në të gjallë të tij porositi dhe tha: "Po ju porosis ta pasoni Hamadin, ngase ai vetëm më ka pyetur për të gjitha ato që tërë njerëzit më kanë pyetur".(13)
Ndërsa, kur u pyet se kë ta pasonim pas tij, ai ka thënë: "Hamadin"! Ai e shihte Hamadin të përshtatshëm dhe inteligjent për dhënien e fetvave, ndonëse Hamadi kërkonte ende dituri. Hamad ibn Selemeh për Hamadin shprehet: "Myfti i Kufës dhe personi kompetent në Fikh pas vdekjes së Ibrahim Nehaiut, ishte Hamad ibn ebi Sulejmani, njerëzit me të ishin të pasur". Hamadi ishte njëri nga mësuesit kryesorë të Ebu Hanifes dhe ky është zinxhiri që Ebu Hanife, përmes Hamadit, Nehaiut e Alkames, ndërlidhet me ibn Mes'udin, e ky me Pejgamberin a.s., gjeneratë e artë e këtyre personaliteteve të rralla e të dëshmuara nga mbarë Ymeti, kurse me zinxhirët e tjerë ndërlidhet me Omerin dhe Abdullah ibn Abasin, përmes Ata ibn ebi Rebah-ut, sepse Ebu Hanife kishte mësuar tek ai në Mekë, e Atau kishte marrë dituri nga Abdullah ibn Abasi e të tjerët, dhe ndërlidhet me Omerin përmes Nafiut, një personalitet tjetër shumë i rëndësishëm. Kjo është baza e shkollës juridike hanefite, këto janë rrënjët e kësaj shkolle dhe nga kjo plejadë dijetarësh vjen imami i madh Ebu Hanife.
________________________
1) Mustafa Ahmed Zerka, El-Fikhu-l Islamij ve Medarisuhu, bot. I, 1416h-1995m, darul kalem, Damask-Siri, ed-darush-shamijetu, Beirut-Liban, f. 89.
2) Dhehebiu, Sijer A'lamun Nubela, bot. III, Muessesetu Rrisaletu, 1985, v. II, f. 464.
3) Abdurrahman Rafet el-Basha, Suver min Hajati-s Sahabeh, bot. I, Dar el-edebulIslamij, 1997, f. 101-102.
4) Zerkelij, El-A'lam, daru- l-ilm lil melajine, bot. XV, 2002, v. 4 f. 137-138.
5) Hatib, Te'rihu Bagdad, v. XII, f. 299; Dhehebiu, Sijer A'lamun Nubela, v. IV, f. 56.
6) Mesruku kishte thënë: "Kam parë se dija e shokëve të Pejgamberit a.s. përfundon tek gjashtë persona: Aliu, Abdullah ibn Mes'udi, Omeri, Zejd ibn Thabiti, Ebu Darda dhe Ubeje ibn Ka'bi. Pastaj gjeta se dija e këtyre gjashtëve përfundon tek Aliu dhe Abdullah ibn Mes'udi". Ahmed Seid Havva, El-Medhal ila medhheb Ebi Hanife, bot. I. 2002, Xhide-Arabia Saudite, f. 56.
7) Ibn Haxher, Tehdhibu- t Tehdhib, v. 4, f. 168; Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, v. 4, f. 64-57.
8) Nga Kabus ibn ebi Dhabjan transmetohet të ketë thënë: "I thashë babait tim: "Për çfarë arsye shkonit tek Alkamja dhe i linit shokët e Pejgamberit a.s.? Ai m'u përgjigj: "Unë arrita shokët e Pejgamberit a.s. që e pyesnin Alkamen dhe kërkonin fetva prej tij". Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, v. 4. f. 59.
9) Dhebebiu,Te'rihu-l Islam, bot. I, 1990, dar el-kutub el-arebij, Bejrut-Liban, v. 5, f. 190; Hatib, Te'rihu Bagdad, v. 12, f. 296.
10) Dhehebiu, Te'rihu-l Islam, v. 6 f. 279-281.
11) Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, Muessesetu Rrisaletu, 2001, v. 4, f. 523-527. 12) Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, v. V, f. 231; Ixhlij, Te'rihu-th Thikat, v. 1, f. 131. 13) Dhehebiu, Sijer A'lamu-n Nubela, v. 5, f. 232.
DituriaIslame 287