1. Allahu e ka përmendur emrin e tij të nderuar së bashku me emrin e Vet, në pafillishmërinë e amshuar dhe e ka qëndisur në Levhi Mahfudh duke e shkruar atë mbi Arsh, mbi kopshtet e Parajsës dhe mbi shtatë qiejt: “La ilahe il’lAllah, Muhamedun resulullah.”
2. Zoti e lartësoi përmendjen e emrit të tij përkrah emrit të Vet në Fjalën e Dëshmisë, në ezan, në ikamet, në teshehudin e namazit, në shumë lutje, në shumë vepra adhurimi, në hutbe, në varr, në Ditën e Gjykimit, në Parajsë dhe në gjuhët e folura prej të gjithë krijesave : “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënd.” (El Inshirah: 4).
3. Zoti shpëtimin e madh e lidhi me nënshtrimin ndaj Tij dhe të Dërguarit (a.s.) të Tij: “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka arritur një shpëtim të madh!” (El Ahzab: 71).
4. Zoti betohet se Muhamedi a.s. nuk kishte humbur rrugën dhe as që kishte devijuar: “Shoku juaj (Muhamedi a.s.) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar.” (En Nexhm, 2).
5. Zoti ia mbrojti zemrën nga rreziqet dhe blasfemia: “A e ke parë ti atë, që për zot e merr epshin e vet, a mos ti do t’i bëhesh atij dorëzanës?” (El Furkan: 43).
6. Zoti dhe engjëjt i çojnë selame: “Është ë vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshendeteni me selam.” (El Ahzab, 56).
7. Zoti ia hapi dhe ia pastroi gjoksin: “A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd?” (El Inshirah: 1)
8. Zoti ia hoqi barrën: “Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde, e cila shtypte shpinën tënde.” (El Inshirah: 2,3).
9. Zoti nuk e braktisi dhe as nuk e përbuzi: “Zoti yt as nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur.” (Ed Duha:3).
10. Botën e amshueshme ia bëri shumë më të mirë se kjo botë:
“Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.” (Ed Duha:4).
11. Zoti i dha dhe e bëri të kënaqur: “E Zoti yt do të japë ty, e ti do të kënaqesh.” (Ed Duha:5).
12. Zoti e strehoi dhe e mbrojti: “A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të dha strehë.” (Ed Duha:6).
13. Zoti e udhëzoi atë: “Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi.” (Ed Duha:7).
14. Zoti e pasuroi dhe begatoi: “Dhe të gjeti të varfër e të pasuroi.” (Ed Duha:8).
15. Zoti ia dha kevtherin: “Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira (Kevtherin).” (El Kevther: 1).
16. Zoti ia pastroi gjuhën: “Ai nuk flet nga hamendja.” (en Nexhm, 3).
17. Zoti ai pastroi zemrën: “Zemra nuk e përgënjeshtroi atë që pa.” (en Nexhm, 11).
18. Zoti ia pastroi memorien dhe mbamendjen: “Ne do ta lexojmë ty e nuk do ta harrosh (Kur’anin).” (El Ala: 6).
19. Zoti ia pastroi të dëgjuarit: “Dhe veni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt.” (Kaf: 41).
20. Zoti ia pastroi të pamurit: “Shikimi (i Muhammedit a.s.) as nuk lakoi as nuk tejkaloi.” (En Nexhm, 17).
21. Zoti ia pastroi namazin, qëndrimin në këmbë dhe rënien në sexhde: “I Cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. (E sheh) Edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen.” (Esh Shuara: 218, 219).
22. Zoti ai ka pastrue lutjen: “Dhe lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta.” (Et Teobeh: 103).
23. Zoti e barti nga Meka në Kuds (Isra): “Pa të meta është Lartmadhëria ë Tij që ë kaloi robin ë Vet në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa…” (el Isra: 1).
24. Zoti e ngriti nga Kudsi deri mbi shtatë qiejt (miraxh), tek Sidretul Munteha: “Tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va.” (en Nexhm: 14, 15).
25. Zoti i tregoi gjëra të jashtëzakonshme gjatë miraxhit: “Ai vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En Nexhm, 18).
26. Zoti ia fali mëkatet: “Ashtu që Allahu të liroi ty prej mëkateve të mëparshme dhe prej atyre të më vonshme…” (El Feth: 3).
27. Zoti është betuar në jetën e tij: “Pasha jetën tënde (Muhamed) s’ka dyshim se ata ishin të humbur në dehjen e tyre.” (El Hixhr: 72) .
28. Zoti nuk i drejtohet me emër por me thirrjen: “O i dërguar”: “O ti i dërguar! Komuniko atë që t’u zbrit prej Zotit tënd…” (El Maideh: 67).
29. Zoti e pastroi moralin e tij: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” (El Kalem: 4).
30. Zoti betohet se ai nuk është i marrë: “Nuk është i marrë shoku juaj (Muhamedi).” (Et Tekvir: 22).
31. Zoti e dërgoi atë që t’ia lexonte njerëzve ajetet e Kuranit dhe t’i pastronte ata nga idhujtaria dhe mosbesimi: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’iu lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin…” (el Xhumua: 2).
32. Zoti e bëri shembull për njerëzimin: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin ë All-llahut…” (El Ahzab: 21).
33. Zoti e dërgoi për të gjithë njerëzit dhe xhinët (Resulu Thekalejn):
“Thuaj: Mua më është shpallur se një grup nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kuranin) dhe thanë: Ne kemi dëgjuar një Kuran që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askë.” (el Xhinn: 1,2).
34. Zoti e dërgoi dëshmues, lajmëtar, përgëzues, qortues, sihariqdhënës dhe pishtar ndriçues: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues. E besimtarëve jepu sihariq se prej Allahut ata kanë dhunti të madhe.” (El Ahzab: 45-47).
35. Zoti e dërgoi mëshirë për të gjitha botërat dhe të gjitha krijesat: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El Enbija: 107).
36. Zoti e cilëson me cilësitë specifike “Reuf” (i Butë) dhe “Rahim” (i Mëshirshëm): “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm-butë dhe i mëshirshëm për besimtarët.” (Et Tevbeh, 128).
37. Pejgamberit a.s. i vinte keq edhe për pabesimtarët: “A thua ti, do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kuranit)?” (El Kehf, 6).
38. Zoti e dërgoi Muhamedin a.s. që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë: “… për t’i nxjerrë ata që besuan dhe bënë vepra të mira prej errësirave në dritë…” (Et Talak: 11).
39. Dërgimi i tij ishte dhuratë e madhe për besimtarët: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre dërgoi të dërguar…” (Ali Imran: 164).
40. Zoti dëshmon për misionin e tij: “O ju njerëz, juve ju erdhi i dërguari me të vërtetën nga Zoti juaj…” (En Nisa: 170).
41. Isai a.s. kishte lajmëruar ardhjen e tij, (madje sipas sunnetit të gjithë pejgamberët e kanë bërë një gjë të tillë): “Dhe, kur Isai, bir i Merjemes tha: …dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed….” (Es Saff: 6).
42. Zoti ia dha Kuranin: “Dhe poashtu Ne ta zbritëm ty librin…” (El Ankebut: 47); “Ne nuk ta shpallëm Kuranin për të të munduar.” (TA HA: 2).
43. Zoti e bëri të Dërguarin, pejgamer të fundit: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve…” (El Ahzab: 40).
44. Zoti lejoi që Muhamedi a.s., të ketë më shumë gra se myslimanët e tjerë: “O ti Pejgamber, Ne të kemi lejuar gratë, të cilave u ke dhënë shpërblimin ë kurorës, … duke qenë kjo vetëm për ty e jo edhe për besimtarët….” (El Ahzab, 50). 45. Gratë e Pejgamberit a.s. janë nënat e besimtarëve: “Ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre.” (El Ahzab: 6).
Sipas Sunnetit
"Mos u frikëso vëllai im! Qetësohu! Unë nuk jam as mbret e as perandor. Jam bonjaku i fqinjit tënd të vjetër që ka ngrënë mish të tharë në diell!"
Omerit i ishin mbushur sytë me lot, kur kishte parë që i Dërguari i Allahut jetonte mbi një shtrojë të thatë, ndërkaq Kajseri dhe Kisrau notonin në begati. Pejgamberi a.s. për ta qetësuar hz. Omerin i thotë:
"O Omer! Kisrau dhe Kajseri le t’i marrin begatitë e kësaj bote, le të jetojnë me to. Neve na mjafton begatia e botës tjetër!" H. Muhamedi a.s. është "i dashuri i Allahut" (habibullah), i parapëlqyeri ndër pejgamberët dhe më i nderuari i gjithë krijesave. Ai është i Dërguari i kohës së fundit, "i fundit i pejgamberëve" (hatemul enbijai vel murselin). Pejgamberit të mëshirës i janë dhuruar, për Ditën i Kiametit, pozitat e "të përzgjedhurit" (mahmud; mekami mahmud) dhe e "ndërmjetësuesit të madh për falje" (shefaatu udhma). Ai netët i kalonte duke u falur, aq sa këmbët i ënjteshin. Kur h. Aisheja i tha se pse lutej aq gjatë natën, ndërkaq që Allahu ia kishte falur mëkatët e mëparshme dhe të mëpasme, ai i ishte përgjigjur duke thënë: ''A nuk duhet të jem rob mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut?"
Ai ishte i dashur dhe i besueshëm tek populli i tij. Atë e quanin el Emin (Besnik) dhe es Sadik (i Drejti). Pejgamberi a.s. ka thënë:
"Unë jam Muhamed dhe Ahmed. Unë jam Asgjësuesi (Mahi), me pejgamberinë time Allahu do ta asgjësoj mohimin. Unë jam Bashkuesi (Hashir), rreth të cilit do të tubohen dhe mblidhen njerëzit në Ditën e Ringjalljes. Unë jam vula e pejgamberëve (Hatemul Enbija), dhe Përmbyllësi (Akib) , pas meje s'do të ketë pejgamber tjetër."
Pejgamberi a.s. gjithashtu thotë:
"Allahu i Madhërishëm, ndër bijtë e Ibrahimit, zgjodhi Ismailin. Nga bijtë e Ismailit zgjodhi bijtë kinanë. Nga bijtë kinanë zgjodhi kurejshët. Nga Kurejshët zgjodhi bijtë hashimë. Nga bijtë hashim ë zgjodhi bijtë abdulmutalibë. Dhe nga bijtë abdulmutalibë, më zgjodhi mua."Nëna Emine në ditët e para të shtatzënisë, pa një ëndërr. Asaj iu tha: "Ti je shtatzënë në më të mirin e këtij ummeti. Kur ta lindësh atë, lutu duke thënë:
“Mbështetem te Allahu nga sherri i çdo të keqi."
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Unë jam lutja e gjyshit tim, Ibrahimit, sihariqi i vëllait tim, Isait dhe ëndrra e nënë sime."