Fillimi i ardhjes së Islamit shpërndau shkëndijat e para përmirësuese individuale dhe sociale, duke i dhënë të drejtat absolute secilit individ, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën dhe kombin. Individi ose personaliteti në Islam, ndërtohet dhe vlerësohet në bazë të dëlirësisë, moralit dhe diturisë, dhe assesi sipas gjinisë, racës ose kombit.
Duke pasur parasysh këtë parim, shohim se Allahu xh.sh. ngriti lart pozitën e femrës dhe i dha të gjitha të drejtat që i takojnë, duke mos bërë në esencë ndonjë dallim ndërmjet gruas dhe burrit, përveçse për nga devotshmëria. Kjo më së miri kuptohet nga ky verset kuranor: “O ju njerëz, Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër, dhe ju bëmë fise dhe popuj, që të njiheni në mes jush. Vërtet më fisniku nga ju tek Allahu është ai që është më i devotshëm”
Mendim të ngjashëm gjejmë edhe tek hebrenjtë, të cilët gruan e konsiderojnë të mallkuar, për shkak se ajo, sipas tyre, mashtroi Ademin dhe e bëri të gabonte.
Njësoj vajzën e konsideronin sikur të ishte shërbëtore, dhe atë babai i saj kishte të drejtë ta shiste ashtu siç shiteshin skllevërit. Nuk kishte të drejtë trashëgimi, përveç nëse nuk kishte vëllezër, dhe, si e tillë, i lejohej të merrte nga pasuria e patundshme, por jo edhe nga ajo e tundshme.
Edhe tek të krishterët ekziston mendimi se gruaja është burim i mëkateve dhe të këqijave, saqë disa nga priftërinjtë, si Tortoliani, Sostami thonë se “gruaja është një e keqe pa të cilën nuk bën, ose se ajo është një nga dyert e djallit për tek njeriu”.
Ligji francez, pas Revolucionit Frëng, kishte nënvizuar: “Fëmija, i marri dhe gruaja janë qytetarë të mangët”, derisa ky nen u përmirësua në vitin 1937. Mirëpo edhe në ditët e sotme ekziston neni 217, i cili nënvizon:”Femra nuk ka të drejtë që pasurinë e saj t’ia falë dhe as t’ia huazojë askujt, si dhe asaj nuk i lejohet të bëjë asnjë kontratë pa pëlqimin e burrit, apo pa pjesëmarrjen direkte të tij në kontratë”.
Ligji anglez deri para një shekulli femrën nuk e konsideronte prej qytetarëve të tij, prandaj ajo nuk kishte të drejtat elementare, nuk kishte të drejtë për pasurinë që e fitonte, dhe as për atë që e posedonte. Bashkëshorti deri në vitin 1805 kishte të drejtë ta shiste bashkëshorten e tij, madje ishte caktuar edhe çmimi i saj - gjysmë shilingu (6 bunsatë).
Muhamed Rashid Rida thotë: “Prej çudirave që transmetojnë disa gazeta angleze, është se edhe në këto ditë (fjala është për vitet 1930-1940, - sh.p.) në disa fshatra angleze ka burra që i shesin gratë e tyre për çmime shumë të lira, si 30 shilingë, madje ato gazeta përmendnin emrat e disa personave të tillë”.1
Pejgamberi a.s. qysh para 14 shekujsh këshillonte shokët e tij të ishin të kujdesshëm ndaj grave, t’i respektonin ato dhe të drejtat që kanë. U thoshte: “Kini frikë Zotin në të drejtat e grave”, ose “Ju porosis të jeni bamirës ndaj grave”, dhe si të mos jetë kështu kur kjo grua është nënë, motër, vajzë ose bashkëshorte e secilit prej nesh.
Gruaja në pozitën e nënës
Allahu xh.sh. në disa versete kur'anore porositi, nxiti dhe urdhëroi bamirësinë ndaj prindërve, madje këtë e krahasoi me urdhrin esencial të Islamit – me adhurimin e Allahut të Vetëm. Sa për ilustrim, po sjellim këtë verset kuranor: “Adhuroni Allahun, dhe askënd mos i bashkoni në adhurim, dhe jini bamirës ndaj prindërve”. (En-Nisa, 36). Prandaj, nëse thellohemi pak në studimin e fjalisë së fundit të këtij verseti kur'anor ”dhe jini bamirës ndaj prindërve”, shohim se Allahu
xh.sh. urdhëroi për bamirësi, sjellje të mirë ndaj prindërve, pa marrë
parasysh fenë e tyre, më konkretisht, ky obligim vlen edhe për ata që prindërit i kanë jomyslimanë. Por çfarë mendon, lexues i dashur, si duhet të sillemi me prindërit kur ata janë myslimanë, dhe sidomos kur bëhet fjalë për nënën, e cila meriton bamirësinë absolute dhe sjelljen më të mirë që duhet të kemi ndaj dikujt në rruzullin tokësor.
Këtë e argumenton kjo ngjarje, të cilën e transmeton Ebu Hurejre:
Një person erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha:
O i Dërguar i Allahut, kush është më i merituari në bamirësinë time?
Tha: Nëna jote.
Njeriu pyeti: Pastaj kush?
I Dërguari i Allahut prapë tha: Nëna jote.
Njeriu pyeti: Pastaj kush?
Tha: Nëna jote.
Njeriu pyeti:Pastaj kush?
I Dërguari i Allahut tha: Babai yt. 2
I Dërguari i Allahut.a.s. vazhdimisht i këshillonte shokët e tij të ishin të kujdesshëm ndaj prindërve; edhe atëherë kur ata dëshironin t’u bashkoheshin në luftë kundër armiqve të fesë, Pejgamberi a.s. i kthente dhe i urdhëronte të qëndronin pranë prindërve të tyre.
Këtë e sqaron ngjarja e një njeriu i cili erdhi tek Pejgamberi a.s. dhe i tha:
O i Dërguar i Allahut, dëshiroj të shkoj në luftë, prandaj erdha të konsultohem me ty?
Ndërsa
Pejgamberi a.s. i tha: A ke nënë?
Po, u përgjigj njeriu.
Pejgamberi tha: Qëndro me të, sepse Xheneti është nën këmbët e saj.3
Se respektimi i nënës është shkak që besimtari të fitojë mëshirën e Zotit dhe të shpëtojë nga ndëshkimi i Tij, e sqaron edhe këshilla që i dha Ibn Omeri një personi, të cilit i tha:
A dëshiron të shpëtosh nga zjarri i Xhehenemit dhe të hysh në Xhenet?
Njeriu tha: Po, për Zotin këtë e dëshiroj.
Tha: A i ke prindërit gjallë?
Njeriu tha: E kam nënën.
Ibn Omeri tha: Për Zotin, sikur të jesh i mirë dhe i butë në fjalët e tua ndaj saj dhe ta ushqesh, do të hysh në Xhenet nëse largohesh nga mëkatet e mëdha.4
Ndërsa sjellja e keqe dhe bamirësia jo e duhur ndaj prindërve, është nga mëkatet e mëdha, për të cilat na e tërhoqi vërejtjen i Dërguari i Allahut–paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të - kur tha: Allahu jua ndaloi juve mosrespektimin e nënave. 5
Ose ngjarja e ngjashme kur i Dërguari i Allahut a.s. një ditë ishte në mesin e shokëve dhe u tha:
A doni t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha?
Ashabët thanë: Na trego, o i Dërguari i Allahut?
Tha: T’i bëni shirk Allahut dhe të silleni keq me prindërit… 6
Nëse analizojmë ngjarjet e lartpërmendura, vërejmë se Islami nënën ngriti në shkallën më të lartë, ndaj së cilës shoqëria ka përgjegjësit më të mëdha, si në rrafshin individual ashtu dhe në atë kolektiv.
E pra, në Islam, nëna është individi që meriton kujdesin, bamirësinë dhe respektin më të madh në tërë shoqërinë.
Gruaja në pozitën e vajzës
Islami nuk bëri dallim në mirësjelljen e butë dhe ndjenjën prindërore që duhet të kenë prindërit ndaj fëmijëve të tyre, vajza apo djem. Përkundrazi, urdhëroi të jemi të drejtë ndaj fëmijëve pa dallim gjinie, sepse kështu urdhëroi i Dërguari i Allahut kur tha: Kini frikë Zotin, dhe bëhuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj. 7
Prandaj, urrejtja e vajzave ose brengosja për shkak të lindjes së vajzave, është prej traditave të injorancës, të cilën e qortoi Krijuesi Suprem përmes Kuranit të Tij famëlartë, ku thotë : “Dhe kur ndonjëri prej tyre përgëzohet për lindjen e vajzës, i nxihet fytyra dhe mbushet plot mllef”. (En-Nahl, 58).
Bile kjo është shenjë e besimit të dobët, për shkak se nuk pajtohet me atë që Allahu xh.sh. caktoi për të.
Dijetari Vathil ibn Eska’a thotë: “Vërtet shenjë e bekimit të gruas është që ajo të lindë vajzë para se të lindë djalë, për shkak se Allahu i Madhëruar Thotë: AI (Allahu) i dhuron kujt do femra, dhe i dhuron atij që do, meshkuj”. (Shura, 49)
Pra, Allahu i xh.sh. përmendi së pari lindjen e fëmijëve femra a vajza, e më pastaj përmendi lindjen e fëmijëve meshkuj a djem.
Jakub ibn Buhtan, bashkëkohanik i Ahmed ibn Hanbelit, thotë: “Më lindën shtatë vajza dhe, sa herë që më lindte një vajzë, shkoja tek Ahmed ibn Hanbeli dhe i tregoja, e ai më thoshte: O Ebu Jusuf (sipas llagapit), Pejgamberët ishin baballarë
të vajzave”.
I Dërguari i Allahut i lavdëroi dhe i nxiti myslimanët për edukimin e vajzave, prandaj edhe i përmendi veçan në disa hadithe të tij, që nuk e bëri dhe nuk e tha për djem.
Transmetohet nga Enes ibn Maliku se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush kujdeset dhe edukon dy vajza derisa ato të rriten, në Ditën e Gjykimit do të jemi unë dhe ai kështu – dhe bashkoi dy gishtat e tij-(d.m.th. së bashku, - sh. p. ). 8 Kujdesi dhe edukimi i vajzave garanton hyrjen në Xhenet, dhe kjo kuptohet më së miri nga këto fjalë të të Dërguarit të Allahut:
“Ai që ka tri vajza dhe i edukon ato, është i mëshirshëm dhe kujdeset ndaj tyre, e ka të garantuar Xhenetin e përhershëm”.
As-habet i thanë: “O i Dërguari i Allahut, e nëse i ka dy vajza”?
Tha: “Edhe nëse i ka dy vajza”.
Xhabiri thotë: “Disa menduan se, sikur të pyetnin edhe për një vajzë (d.m.th. për edukimin e një vajze, - sh. p.), do të kishte thënë Pejgamberi -alejhi selam- se kjo vlen edhe për një vajzë. 9
Këto ishin disa fjalë të të Dërguarit të Allahut që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj vajzave. Ndërkaq, nëse shikojmë jetën praktike të tij a.s. shohim dashurinë, zemërgjerësinë dhe mëshirën që kishte ndaj vajzave të tij, e sidomos ndaj Fatimes r.a. të për të cilën tha: “Fatimja është pjesë imja, mua më shqetëson ajo që shqetëson atë, dhe mua më lëndon ajo që e lëndon atë”. 10 Gjithashtu, kur e vizitonte Fatimeja Pejgamberin a.s., ai ngrihej në këmbë, e puthte në ballë dhe e ulte pranë tij.
Gruaja në pozitën e bashkëshortes
Bashkëshortja nën hijen e Islamit nuk konsiderohet ndytësirë apo burim i të ligave, siç konsiderohej tek të tjerët; përkundrazi, Islami ngriti bashkëshorten në pozitën e saj të lartë, që e meriton. Allahu xh.sh. i urdhëroi bashkëshortët të jenë përherë në ndihmë reciproke të njëri-tjetrit, me dashuri, harmoni dhe në një ambient të ngrohtë familjar.
Kjo përshkruhet shumë mirë në këtë verset ku'ranor: “Dhe nga argumentet (e ekzistimit të Zotit) e Tij, është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetë ju, që të gjeni prehje tek ato, dhe Ai vendosi në mes jush dashuri dhe mëshirë. Vërtet në të ka tregues për popullin që mendon”. (Rum, 21).
Kjo kuptohet edhe më qartë nga fjalët e Pejgamberit -alejhi selam- i cili thotë: “Lumturia e njeriut është në katër gjëra: në grua të ndershme, në shtëpi të gjerë, në fqinjë të mirë dhe në një mjet udhëtimi të rehatshëm."
Prandaj, bashkëshortja e mirë konsiderohet nga dhuntitë e Allahutxh.sh, për se duhet falënderuar Zoti, dhe njeriu do të jetë përgjegjës për këtë dhunti në Ditën e Gjykimit .
Islami i nxit myslimanët që të jenë të kujdesshëm dhe të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve, dhe ky është një prej obligimeve që ka burri ndaj gruas. Për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i sjellshëm ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa unë jam më i miri nga ju ndaj bashkëshortes sime”.11 .
Ndërsa i Dërguari i Allahut, ishte njeriu më i sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tij, dhe asnjëherë nuk kishte goditur me dorë bashkëshortet e veta. Këtë e dëshmon edhe Aisheja, gruaja e Pejgamberit - alejhi selam - kur thotë: “Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk ka goditur ndonjë grua me dorën e tij”. 12 Përkundrazi, u ndihmonte atyre në punët e shtëpisë, dëfrehej, bënte shaka, garonte në vrapim, vetëm e vetëm që t’ua bënte jetën sa më të mirë, më të lumtur dhe më kreative.
1. Muhamed Rashid rida, Hukuku nisa fil islam.
2. Buhariu dhe Muslimi.
3. Nesai 6/11, Ibën Maxheh nr. 2781. Ahmedi 3/429
4. Buhariu, Edebbul Mufred, nr. 8.
5. Buhariu , 3/270
6. Buhariu, 5/193
7. Transmeton Buhariu, 5/210.
8. Muslimi, nr. 2631.
9. Buhari, El-Edeb, 78,
10. Buhariu, 7/67.
11. Tirmidhiu, nr. 3892.
12. Muslimi, nr. 2327
Sabri Jonuzi
Dituria Islame nr. 233