Në Kuranin fisnik nuk ka ndonjë të dhënë të prerë se hasreti Uzejri ka qenë profet. Thuhet se ai është dërguar mes Sylejmanit a.s. dhe Davudit a..s apo mes Zekerijas a.s dhe Jahjas a.s
Me qëllimin që t'ua kthente sërish fenë dhe ta përtërinte ligjin e shenjtë, Zoti xh.sh. dërgoi Uzerjrin a.s.. Me kalimin e kohëve, Beni Israilët devijuan sërish nga rruga e Zotit. Asokohe, ata e kishin humbur Tevratin dhe i kishin harruar shumë prej këshillave dhe udhëzimeve të tij. Emri i Uzejrit përmendet vetëm një herë në Kuran, dhe atë në suren Tevbe. Ai e kishte ditur përmendësh Tevratin.
Një ditë, Uzejri së bashku me gomarin e tij u larguan nga shtëpia për në kopsht. Me vete mori ushqimin e duhur. Por, gjatë rrugës, ai u thellua në mendime, duke kujtuar begatitë e Allahut xh.sh. saqë nuk e vërejti se gomari e kishte ngatërruar rrugën dhe se nuk ishte në drejtimin e duhur. Ai u befasua nga ajo që i panë sytë, pasi që kishte kaluar pranë një fshati, i cili thuhet se ishte krejtësisht i shkatërruar dhe se nuk kishte njeri aty.(1) Si ishte e mundur që Zoti ta dërgonte në një vend të rrënuar dhe pa frymë njeriu?! Megjithatë, ai ishte i bindur që Zoti nuk e kishte dërguar kot në atë vend. Kështu që, ai priste ndonjë mrekulli, si ringjallja e atij populli. Ndërkohë që priste, ai pyeste veten se si do e ringjallte Zoti këtë popull në këtë botë, e cila zakonisht nuk ndodh?! Këtë dilemë të tij, Zoti e ka regjistruar në Kuran, ku thotë: "Si e ngjallë Allahu këtë pas shkatërrimit të tij?!"(2) Kjo nuk ishte pyetje refuzuese dhe kundërshtuese lidhur me fuqinë e Zotit për ta ringjallur atë popull, por ishte pyetje që shprehte habinë.
Duke pritur të ndodhte diçka, Uzejri shtrihet përtokë, i mbështet këmbët te një muri dhe e zë gjumi. Në atë çast erdhi melaqja e vdekjes dhe ia mori shpirtin, për t'ia kthyer sërish, vetëm pas njëqind vjetësh. Zoti në Kuran thotë: "E Allahu e bëri të vdekur atë (pyetësin - Uzejrin) njëqind vjet, e pastaj e ringjalli dhe i tha: "Sa qëndrove (i vdekur)?"
Uzejri a.s. kishte rënë në gjumë pa iu larguar shpirti nga trupi i tij, siç kishte ndodhur edhe më parë me djelmoshat e shpellës. E kishte kapluar gjumi paradite dhe kur u zgjua d.m. th. u ringjallë ishte pasdite. Ndërkohë, erdhi melaqja me pamjen e njeriut dhe e pyeti se sa kohë kishte aty?! Uzejri a.s. duke menduar se kishte fjetur gjumë, i përgjigjet se kishte fjetur një ditë, ose një gjysmë dite. Melaqja i përgjigjet, duke ia treguar të vërtetën. ''Ai i përgjigj: "Një ditë ose gjysmë dite." - "Jo" - i tha Allahu, por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur. Ushqimi që e kishte marrë Uzejri me vete nuk ishte prishur fare, ndërkohë që gomari kishte ngordhur dhe prej tij kishin mbetur vetëm eshtrat. Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim), që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit. Vështroji eshtrat se si do i bashkojmë, e pastaj do i veshim me mish." Para syve të Uzejrit, 'eshtrat e gomarit qëndruan në këmbë, filluan të formohen venat, damarët, u veshën me mish dhe në fund u bënë me lëkurë. Kur atij iu bë e qartë, ai tha: "Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!"
Pas kësaj ndodhie, Uzejri iu drejtua fshatit ku ishte dërguar si profet, fshat në të cilin tashmë kishte lulëzuar dhe ishte gjallëruar jeta që mbretëronte aty. Ai i pyeti njerëzit nëse e njihnin Uzejrin dhe ata iu përgjigjën: "Po e njohim, por ai ka humbur para njëqind vjetësh."
Duke buzëqeshur Uzjeri iu tha: "Unë jam Uzejri." Por, ata nuk e besuan. Kur ishte larguar nga shtëpia Uzejri kishte lënë një djalë dhe një shërbëtore, e cila ishte verbëruar qysh në moshën e re. Pasi kishin kaluar njëqind vjet, djali i Uzejrit tashmë ishte në një moshë të shtyrë. Ai i tha Uzejrit: "Nëse ti je babai im! Ai ka pasur në kurriz një gjysmëhënë. Uzejri zhveshi këmishën dhe ia tregoi shenjën që e kishte në shpinë.(3)
Ata vajtën menjëherë te një plakë e cila kishte mbi njëqind vjet dhe i kërkuan asaj t'ua përshkruante Uzejrin. Thuhet se ajo ishte shërbëtorja e Uzejrit. Ajo ua përshkroi Uzejrin a.s., si një njeri të mirë dhe të devotshëm te Zoti i tij. Lutjet e tij pranoheshin, i shëronte të sëmurët dhe u ndihmonte nevojtarëve. Atëherë njerëzit e besuan se ai ishte Uzejri a.s ..
Ai filloi t'ua mësonte Tevratin, duke e përtërirë sërish ligjin e Musait a.s. Kështu njerëzit iu kthyen sërish fesë dhe besimit monoteist. Ata e respektuan shumë Uzejrin a.s., madje më vonë edhe e shenjtëruan atë, saqë besuan se ai ishte djali i Zotit. "E jehudët thanë: "Uzejri është djali i Allahut, e të krishterët thanë: "Mesihu është djali i Allahut."
Vërtet që Zoti ynë është shumë larg prej diçkaje të tillë. Ngase Ai në Kuranin fisnik thotë: "Thuaj: Ai, Zoti është Një. Çdo gjë ka nevojë për të. Ai nuk ia ka nevojën askujt dhe asgjëje. As ka lindur kënd dhe as nuk është i lindur. Dhe asgjë nuk është e barabartë me Të!"
Ngjarja e Uzejrit a.s. ishte një mrekulli e vërtetë për njerëzit dhe shumë prej tyre gjetën shkas për ta besuar Zotin.
_______________
1. Bajrush Ahmeti, Historia islame,fq. 93.
2. El Bekare, 259.
3. Osman Nur Topbash, Vargu i profetëvefq. 91. 4. Et Tevbe, 30.
Ibrahim Iljazi
Dituria Islame 360