Dashuria për Pejgamberin a.s., dhe reflektimi i saj edukativ në jetën e besimtarit


Se besimtarët duhet ta duan Muhamedin a.s., ka fakte më shumë se që një punim mund t’i përmbledhë dhe t’i përfshijë ato. Mjafton të përmendet këtu angazhimi dhe kontributi i tij në udhëzimin tonë në fenë e Allahut xh.sh., në të cilën është shpëtimi ynë në këtë dhe botën tjetër. Ajo që neve na intereson ta shtjellojmë në këtë punim ka të bëjë me realitetin dhe esencën e kësaj dashurie, nga njëra anë, dhe reflektimin e saj në veprat dhe sjelljet tona, në anën tjetër.
Çfarë nënkupton dashuria për Muhamedin a.s., dhe si shprehet ajo?
Cilët janë treguesit e kësaj dashurie dhe si ndikon ajo tek ne?
Janë këto dy pyetje të cilave ky punim mëton t’ua gjejë përgjigjen.
Do të shohim se dashuria për Pejgamberin a.s., nuk është thjesht ndjenjë dhe emocion, nuk është asgjë vullnetare, nuk është madje as siç e shohim e lexojmë shpesh ‘gjë që e përsos imanin’, por është vetë iman.

Koncepti i dashurisë për Pejgamberin a.s.

Parimisht, dashuria, është pjesë përbërëse e besimit. Të duash është element pa të cilin besimi nuk merr formë të përkryer. Në fakt, në raport me Muhamedin a.s., dashuria nuk është vetëm tregues i përsosjes së besimit, por edhe (sipas një pjese të konsiderueshme të dijetarëve) kusht dhe obligim i paraparë prej tij.
Dijetarët kanë shpjeguar se dashuria për Muhamedin a.s., ndahet në dy pjesë:
Dashuri e obliguar (farz), në të cilën hyn pranimi i çdo gjëje që ka kumtuar Muhamedi a.s., pra pranimin e saj me dashuri e respekt, duke mos kërkuar alternativë tjetër, duke e pasuar drejt, duke vërtetuar lajmet që solli, duke përfillur urdhëresat e duke iu shmangur ndalesave.
Dashuri si virtyt, e cila nënkupton përvetësimin e etikës profetike, faljen e namazeve vullnetare, ngrënien dhe pirjen sipas modelit të tij, veshjen sipas modelit të tij, mirësjelljen me gruan, e shumë tipare të tjera.
Pra, nuk imagjinohet që një besimtar të pretendojë dashurinë për Muhamedin a.s., ndërsa në anën tjetër të mos e dojë atë, ngase kjo çështje nuk është opsionale por detyrim i përshkruar në Kuran dhe Sunet. Dhe jo vetëm kaq, kjo dashuri duhet të jetë mbi dashurinë e të tjerëve, veçmas nëse me dashuri nënkuptohet respektimi dhe nderimi, jo thjesht animi shpirtëror. Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria jua, që e kini fituar, tregtia – për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë – në të cilat e ndieni veten rehat, u janë më të dashura sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa ta sjellë vendimin Allahu. E, Allahu, nuk do ta udhëzojë në rrugën e drejtë popullin e korruptuar.” (Et Teube, 24)
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Nuk ka besuar ndokush prej jush përderisa unë të mos jam më i dashur për të se prindi, fëmija dhe të gjithë njerëzit.”; “Kush i posedon tri tipare, ai e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo kë tjetër... ”
Muhamed Abdullah Drazi, duke komentuar këtë hadith ka thënë: “Kjo pjesa “çdo kë tjetër” përfshin çdo gjë: fëmijët, prindërit, pasurinë, njerëzit, e madje edhe vetë njeriun.”
Ky kuptim në fakt është përfitim nga hadithi i Buhariut në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s., një ditë e kishte kapur Omerin r.a., për dore, ndërsa ky i fundit kur kishte parë afërsinë e Pejgamberit a.s., me të, i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut! Me të vërtetë të dua më shumë se çdo gjë, me përjashtim te vetes sime!” Pejgamberi a.s., e shikoi dhe i tha: “Jo (o Omer) jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, (ti nuk do të jesh besimdrejtë) derisa unë të mos jam tek ti edhe më i dashur se vetja jote!” Atëherë Omeri pa hezitim tha: “Tash, për Zotin, ti më je më i dashur se vetja ime!” Pejgamberi a.s., iu përgjigj: “Tash o Omer! (u plotësua besimi).”
Arsyeja pse kjo dashuri duhet të jetë mbi dashurinë ndaj prindërve, fëmijëve, pasurisë, njerëzve në përgjithësi, fshihet në faktin se kjo dashuri, siç shpjegon edhe Drazi, nuk është instinktive, por logjike. Ne kemi arsye, motive, shtytje pse e duam Muhamedin a.s., respektivisht vlerësimi i tij nga Allahu xh.sh., dhe kontributi i tij për njerëzimin mbarë, veçmas për neve pasuesit e tij, janë motive të fuqishme për ta dashur dhe pasuar.

Reflektimi edukativ i dashurisë për Pejgamberin a.s.

Dashuria dhe respekti për Allahun xh.sh.

Dashuria për Muhamedin a.s., është dëshmi e dashurisë dhe respektit për Allahun xh.sh. Kjo për shkak të lidhjes së pashkëputur që qëndron në relacionin ndërmjet tyre. Për më qartë, Kurani dhe Suneti na tregojnë se për çfarë lidhje bëhet fjalë:
“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut...” (En Nisa, 80)
Ebu Hurejre r.a., përcjell se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush më bindet mua, i është bindur Allahut. Kush më kundërshton mua, e ka kundërshtuar Allahun...”
Kjo për faktin se, ajo që kumton Pejgamberi a.s., është fjalë e Allahut xh.sh., andaj edhe bindja ndaj Pejgamberit a.s., por edhe kundërshtimi i tij, nënkuptojnë bindje, respek-tivisht kundërshtim të Allahut xh.sh.. Pra, është një vepër me përfitim të dyfishtë.

Njohja e biografisë dhe veprimtarisë së tij a.s.

Që ta duam Muhamedin a.s., duhet fillimisht ta njohim atë, sepse nuk mund të duhet dikush që nuk njihet. Në fakt, ne duke e njohur sa më thellë atë, bindemi se ai vërtet e meriton dashurinë më shumë se çdokush tjetër.

Bindja dhe respekti ndaj Pejgamberit a.s.

Dashuria nuk mund ta paramendohet pa reflektim, ndryshe ajo mbetet pretendim, jo dashuri. Drazi konsideron se bindja dhe respekti janë fryte të dashurisë, pra ta duash Muhamedin a.s., nënkupton ta ndjekësh dhe ta pasosh atë. Për këtë shkak, është pothuajse e pamundur që ta gjesh një autor që flet për dashurinë ndaj Muhamedit a.s., e që nuk e lidh me bindjen, pasimin, gjykimin sipas Sunetit të tij, dhënies përparësi fjalës dhe gjykimit të tij, e kështu me radhë.

Imitimi në sjellje dhe në vepra

Nëse dashuria jetësohet me pasim, atëherë kjo nënkupton që dashuria për Muhamedin a.s., na bën ta ndjekim kursin e veprave të tij, respektivisht ta bëjmë atë që ai e ka bërë dhe t’i shmangemi asaj që ai i është shmangur. Muhamedi a.s., e donte moralin e lartë, korrektësinë në sjellje e në të folur, fjalët shpre-sëdhënëse dhe optimiste, mirënjoh-jen dhe falënderimin, ndërsa urrente fjalët e paturpshme, sharjen, mall-kimin, rrenën, përbuzjen, mosmirë-njohjen etj. Kështu, nëse jemi prej atyre që e duam vërtet Muhamedin a.s., atëherë duhet ta ndjekim atë në moral dhe sjellje.

Etika me Pejgamberin a.s.

Dashuria për Muhamedin a.s., nënkupton edhe etikën me të. Është një kod i veçantë i etikës që besimtarët duhet ta kenë parasysh gjithmonë. Dijetarët, duke iu referuar ajeteve 1-5 nga kaptina El Huxhurat, në të cilat bëhet thirrje për të mos e ngritur zërin ndaj Pejgamberit a.s., kanë përfituar mësime me rëndësi etike. Ibën Kethiri ka thënë: “Është etikë me të cilën Allahu xh.sh., i edukon besimtarët se si duhet të sillen me Muhamedin a.s., me respekt, nderim, butësi, maturi...
(Ajeti i dytë:) Është etika tjetër me të cilën Allahu xh.sh., edukon besimtarët për të mos e ngritur zërin e tyre mbi zërin e Muhamedit a.s... Më pas, Allahu udhëzon për moralin e lartë dhe etikën e kërkuar në raport me Muhamedin a.s., respektivisht durimin për të mos e shqetësuar atë.” Në kuadër të etikës hyn edhe dërgimi i salavateve për të, përmendja e shpeshtë e tij, përmendja jo me emër por me titull (jo Muhamed, por Pejgamberi, i Dërguari i Allahut...), qëndrimi me dinjitet në xhaminë e tij, etj.

Dashuria për gratë dhe shokët e tij

Ta duash Pejgamberin a.s., e të mos i duash gratë dhe shokët e tij, jo vetëm që nuk ka kuptim, por është dhe shumë e rrezikshme. Kjo për shkak të pozitës së tyre në përcjelljen e fesë. Gratë e Pejgamberit a.s., dhe shokët e tij janë hallka lidhëse ndërmjet tij dhe nesh. Nga këtu, të parët tanë, dashurinë për ta e kanë konsideruar vepër me vlerë, përderisa urrejtjen e tyre e kanë konsideruar mëkat të madh.
Bishër bin Harithi ka thënë: “Nuk kam ndonjë vepër në të cilën kam besim më shumë se dashuria ime për shokët e Muhamedit a.s.”
Ndërsa Ibën Abbasi r.a., ka thënë: “Ruaju nga sharja e ndonjërit prej shokëve të Muhamedit a.s., që të mos përfundosh në zjarr, zvarrë për fytyre. Kanë konsideruar se “shembulli i shokëve të Muhamedit a.s., është sikur shembulli i syve, ilaçi i të cilëve është mos prekja e tyre.”

Ikja nga format e ndaluara të respektimit

Ndonjëherë, dashuria mund të jetë shkak për forma të gabuara të nderimit. Duke marrë shkas atë që kishte ndodhur më parë, Muhamedi a.s., ka ndaluar që ta duam jashtë normave fetare. Buhariu shënon në Sahihun e tij hadithin e Omerit r.a., në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s., ka porositur: “Mos më lavdëroni siç të krishterët e kanë lavdëruar të birin e Merjemes, sepse unë thjesht jam rob i Allahut, andaj mjaftoni duke thënë për mua: rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij.”
Siç kanë shpjeguar dijetarët, lavdërimi i përmendur në këtë hadith nënkupton lavdërimin jashtë normave, lavdërimin me gjëra të pavërteta. Ata që e lëvduan Isaun a.s., thanë për të se ishte i biri i Allahut dhe e morën për Zot.
Rrjedhimisht, që ta duam Muhamedin a.s., duhet t’i përmbahemi konceptit fetar, i cili parasheh lavdërimin me çdo fjalë a vepër të ligjësuar, por me kusht që respekti e lavdërimi të mos kalojnë në nivel glorifikimi e adhurimi.

Përfundim

Dashuria për Pejgamberin a.s., nuk është koncept teorik por praktik. Ajo parasheh favorizimin e tij, për shkak të pozitës, ndaj çdokujt e çdo gjëje, sikur që parasheh dëshmimin me vepra e sjellje. Duke e dashur dhe duke i ndjekur hapat e tij, ne arrijmë të shndërrohemi në shembuj të përkryer fetarie, morali e mirësjellje.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi