Mbështetja në Zotin nuk është pretekst i dembelizmit dhe i plogështisë, por duhet të jetë shtysa për punë, forcë, lëvizje dhe aktivitet. Për të bërë një punë të disiplinuar, produktive dhe të suksesshme në jetën tonë, duhet t’u përmbahemi parimeve si nijeti, vendosmëria, këmbëngulja, përkushtimi, mbështetja dhe durimi.
Prandaj, çdo besimtar, duke qenë i vetëdijshëm se ngjarjet ndodhin dhe përfundojnë brenda kuadrit të ligjeve dhe të rregullave hyjnore, duhet të ketë besim se Allahu xh.sh., do t’i japë atë që është e dobishme për të dhe do ta mbrojë nga ajo që është e dëmshme.(1)
Duke shfletuar historinë e të dër-guarve, predikuesit e Islamit gjejnë frymëzim dhe energji të pashtershme në formulimin dhe hapat që kanë ndërmarrë ata në misionin e tyre fisnik, e në veçanti gjejnë besimin dhe mbështetjen e çeliktë që kanë pasur në Allahun xh.sh.. Në vazh-dim, ne do të përmendim disa nga pejgamberët në lidhje me këtë çështje.
Nuhu a.s.
Te historia e Nuhut a.s., janë ajetet të shumta që mjaftë mirë e paraqesin mbështetjen e tij në Allahun Fuqi-plotë gjatë misionit në thirrjen islame, i cili me shekuj thirri për në besim në Zotin Një, natën dhe ditën, por ata vazhdimisht refuzonin. Pa mbështetjen në Zotin, sigurisht që nuk do të mund t’i përballonte intrigat dhe dëmet e tyre deri në vdekje. “Lexoju atyre ngjarjen e Nuhut a.s., kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse u vjen rëndë qëndrimi im në mesin tuaj, rikujti-met e mia me ajetet e Allahut, e unë iu kam mbështetur vetëm Allahut, ju vendosni për qëllimin tuaj, thirrni në ndihmë edhe zotat tuaj, e mos u mbani fshehtë dhe zbatoni atë kundër meje e mos pritni.” (Junus, 71)
Hudi a.s.
Edhe për rastin e Hudit a.s., na flet Kurani që ai s’kishte armë tjetër për t’u ballafaquar me popullin e tij, veçse besimit dhe mbështetjes në Zotin, dhe me këtë ai e sfidoi masën. Kjo mbështetje në Zotin përçon një dobi te gjeneratat e predikimit të islamit, duke trashëguar apo mbjellë tek njeriu qetësi e stabilitet në zemër, ku ai që ka këtë cilësi ndjen siguri, kënaqësi, shpresë dhe qëndrueshmëri, si dhe mbron veten porsi një kala e pamposhtur ndaj armiqve të cilët dëshirojnë gjunjëzimin dhe nën-shtrimin ndaj qejfeve të tyre. “Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument, e ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde dhe ne nuk të besojmë ty.” Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje. Ai tha: “Unë e kam dëshmitar Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni (larg adhurimit) pos Tij. Ju pra, të gjithë përpiquni kundër meje, e mos më jepni afat. Unë iu kam mbështetur Allahut, Zotit tuaj, pse Ai nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë.” (53-56)
Ibrahimi a.s.
Ai ishte distancuar nga adhurimet që i bënte populli i tij, dhe në të ne kemi shembullin më të mirë në rrugën e komunikimit të daves. “Ju e keni shembullin më të mirë tek Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne tërhiqemi prej jush dhe prej asaj që adhuroni, pos Allahut, nuk besojnë tuajën, prandaj ndërmjet nesh e jush, është e hapët armiqësia e urrejtja derisa ta besoni vetëm Allahun Një.” (Nuk e kemi shembull) Me përjashtim të fjalës së Ibrahimit thënë babait të vet: “Unë do të kërkoj falje për ty, po unë nuk kam në dorë asgjë për ty tek Allahu!” Zoti ynë, vetëm Ty të jemi mbështetur, vetëm nga Ti jemi kthyer dhe vetëm te Ti është e ardhmja.” (El Mumtehine, 4)
Ibrahimi a.s., këtë e vuajti edhe me hedhjen në zjarr, duke u mbështetur e duke thënë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë.” Komentuesi i Kuranit, Ibën Abasi, thotë se këtë dua, Ibrahimi a.s., e tha kur e hodhën në zjarr(2) dhe se nga kjo dua erdhi mrekullia e Allahut xh.sh., ku zjarri u bë qetësi dhe prehje për Ibrahimin a.s. Kjo ngjarje sinjalizon se mbështetja në Zotin është çështje e zemrës, e cila kur është e rregulluar mirë, reflekton mbi gjurmët e trupit, duke dhënë qetësi, krenari e qëndrueshmëri. “Po, Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” Ata deshën t’i bëjnë atij (Ibrahimit) kurth, po Ne ata i bëmë më të dështuarit.” (El Enbija, 69-70).
Po ashtu, mbështetja e fortë në Zotin nga ana e Ibrahimit a.s., është regjistruar edhe kur e la bashkëshorten dhe të birin në luginë, pa ushqim e pa ujë dhe me fytyrë të kthyer kah shtëpia, e lexoi lutjen, i bindur thellë në Zotin se nuk do të humbte familja e tij, ashtu siç e shënon edhe Kurani këtë ngjarje: “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për ta falënderuar me mirënjohje, furnizoj ata me fruta.” (Ibrahim, 37)
Jakubi a.s.
Për sa i përket kësaj natyre, Kurani ka regjistruar dy momente të Jakubit a.s. Ai iu mbështet Zotit se kishte frikë nga zilia e urrejtja ndaj bijve të vet, andaj kjo mbështetje bëri që atij t’i kthehet shikimi, t’i largohen shqetësimet, t’i kthehet Jusufi etj. Pra, me mbështetjen në Zotin, arrin ky synim dhe largon të keqen.
Frika që kishte për bijtë e vet nga njerëzit djallëzor, duke i këshilluar me shkallën më të lartë të mbështetjes në Zotin. “Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i Allahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i Allahu, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.” (Jusuf, 67)
Mbrojtja nga syri i keq, kur edhe i këshilloi bijtë e tij që të hyjnë në pallat nga dyer të ndryshme. “Po ai (Jakubi) tha: “O bijtë e mi, mos hyni (në Egjipt) për një derë, por hyni nëpër dyer të ndryshme.” (Jusuf, 67)
Shuajbi a.s.
Gjatë studimit të jetës së Shuajbit a.s., vërejmë se edhe ai ishte një personalitet që mbështetej vazhdi-misht në Zotin gjatë komunikimit të parimeve të fesë dhe besimit në Një Zot, si dhe synimi i tij ishte të bënte reforma e përmirësime në radhët e popullit të tij. Kjo na mëson se mbështetja në Zotin është derë e gjerë, dhe konsiderohet si shkalla më e lartë e mbështetjes në Zot. Kurani na regjistron dy raste të këtij pejgamberi. “Nuk është për ne të kthehemi në të vetëm se është dëshira e Allahut, Zotit tonë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e vet çdo send, ne ju kemi mbështetur Allahut.” (El Arafë, 89)
Nga këto raste mësojmë se thirrësit dhe reformistët janë kategoria që më së shumti kanë nevojë që të mbështeten në Zotin, pasi që ata janë vazhdimisht në përballje me të keqen dhe armiqtë. Kurani na mëson se si duhet që çështja t’i lihet Allahut, në mënyrë që të mos ketë vend për pesimizëm në zemrat e tyre, si dhe nga ana tjetër, të jenë të qëndrueshëm në të vërtetën. “Unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm tek Ai jam drejtuar.” (Hud, 88)
Musai a.s.
Edhe për Musain a.s., mësimet kuranore kanë shënuar dy raste të tij, kur e urdhëroi popullin e tij që të hynte në tokën e shenjtë, të mbështetur në Zotin. “Musai tha: “O populli im, nëse i keni besuar Allahut, vetëm atij mbështetuni, nëse jeni të dorëzuar (vendimit të Tij)!” Ata iu përgjigjën duke i thënë: “Allahut iu kemi mbështetur, Zoti ynë, mos i mundëso popullit mizorë të na sprovojë.” Dhe me mëshirën tënde, na shpëto prej popullit jobesimtarë.” (Junus, 84-86)
Pra, nga pjesa e parë e ajetit, kuptojmë se mbështetja në Zotin është kusht prej kushteve të imanit dhe është argument i Islamit të shëndosh. Sa më i fortë të jetë njeriu në iman, aq më shumë i ngritët edhe mbështetja dhe sa më i dobët të jetë në besim, aq më shumë i pakësohet ajo. Andaj, mbështetja në Zotin është edhe nga karakteristikat e besimtarit të sinqertë, siç thotë ajeti kuranor: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur iu përmendet Allahu, u rrëqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (El Enfalë, 2). Për këtë shih edhe Ali Imran, 122; El Maide, 11; Et Tevbe, 51; Ibrahim, 11; El Muxhadele, 10; Et Tegabun, 13.
Muhamedi a.s.
Mbështetja e Muhamedit a.s., në Zotin Një, gjatë tërë jetës së tij, është modeli më i mirë për thirrësit, për atë se si ata të përballen me ata që lëndojnë, me armiqtë, në paqe e në luftë, në reforma, në adhurim, në thirrjen islame, në gjykime, në konsultime (shuura) etj. Janë gjithsej 15 ajete kuranore që flasin për mbështetjen në Zotin nga ana e Muhamedit a.s.: “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të tokës, çdo çështje i kthehet (në kompetencë) vetëm atij, pra adhuroje Atë, mbështetu tek Ai, se Zoti yt nuk është i panjohur për atë që veproni.” (Hud, 123)
“Ti mbështetu Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij, Ai mjafton për njohje në hollësi të mëkateve të robërve të vet.” (El Furkan, 58)
“Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshiruesin. I cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. (E të sheh) Edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen. Në të vërtetë, Ai është dëgjuesi, i dijshmi.” (Esh Shuara, 217-220)
“E ti pra, mbështetu në Allahun, se me të vërtetë ti je në të drejtën e sigurt.” (En Nahl, 79)
“Andaj, ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
“Dhe thonë: “Jemi të bindur.” E kur të largohen prej teje, një grup prej tyre (natën) planifikon diçka tjetër nga ajo që u thua ti. Allahu shënon atë që e ndryshojnë. Mos u vë veshin atyre, e mbështetu tek Allahu.” (En Nisa, 81)
“Në qoftë se ata, anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në Allahun. Ai është që dëgjon dhe di.” (El Enfalë, 61)
“O ti Pejgamber, qëndro i fortë në besnikëri ndaj Allahut, e mos i përfill jobesimtarët dhe hipokritët, se vërtet Allahu është i gjithëdijshëm, i di çështjet në hollësi. Dhe ti vepro sipas asaj që po të shpallet nga Zoti yt. Allahu është i njohur shumë mirë me atë që ju e veproni. E mbështetu në Allahun, se mjafton që Allahu të jetë mbrojtësi yt.” (El Ahzabë, 1-3)
“Mos i dëgjo jobesimtarët e hipokritët dhe mos ua vë veshin mundimeve të tyre ndaj teje, e mbështetu tek Allahu, se Allahu është mbrojtje e mjaftueshme.” (El Ahzabë, 48)
“Zot i Lindjes dhe i Perëndimit, nuk ka zot tjetër vetëm Ai, pra Atë merre për mbështetje.” (El Muzemil, 9)
“E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmoja, pra kini frikë. Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!” (Ali Imran, 173)
“Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht se ata do të thonë: “Allahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos Allahut, nëse Allahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse Allahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ta të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit.” (Ez Zumer, 38)
“Thuaj: “Më tregoni pra, nëse Allahu më merr shpirtin mua dhe atyre që janë me mua, ose na mëshiron, kush do t’i mbrojë jobesimtarët prej një dënimi të mundimshëm?” (El Mulk, 29)
“Po nëse refuzojnë, thuaj: “Më mjafton Allahu, s’ka zot pos Tij, tek Ai mbështetem, e Ai është Zoti i Arshit të madh!” (Et Tevbe, 129)
“Kështu, Ne të dërguam te një popull, para së cilit kaluan shumë popuj, e që t’ju komunikosh atë që Ne të shpallëm ty, sepse ata janë duke mohuar Mëshiruesin (Zotin). Thuaj: “Ai (Rrahmani) është Zoti im, nuk ka zot tjetër pos Atij. Vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm tek Ai është e ardhmja ime.” (Err Rrad, 30)
Në ajetet e lartpërmendura, vërejmë se në dhjetë prej tyre shprehja “tevekel” ka ardhur në formën urdhërore (tevekkel), urdhër hyjnor, kurse në pesë të tjera, kanë ardhur në forma të tjera foljore, të cilat varësisht nga rrethanat dhe ngjarjet ndërtohen mbi fjalën “tevekkul”, për të sjellë kuptimin në zemrën e Muhamedit a.s., në kuadër të kushteve jashtë-zakonisht të rënda, në përballje me kundërshtarët dhe luftimin e tyre.(3)
Po ashtu, fakt tjetër me rëndësi është edhe urdhri hyjnor për mbështetje në Zotin, është si te suret mekase, ashtu edhe tek ato medinase, kështu që duhet ta cekim se katër ajetet e para janë mekase, ndërsa të tjerat janë medinase. Duhet ta përmendim këtu komentin e mufesirit të njohur Ibën Ashurit, në lidhje me foljet “teve-kelna”. Sipas tij, kjo na sinjalizon një veçori, pra jemi mbështetur vetëm në Të dhe në askënd tjetër, përderisa pala kurejshite mbështetej në idhujt e tyre, pasurinë dhe forcën e tyre, duke lënë anash apo duke harruar mbështetjen në Krijuesin e Gjithë-fuqishëm, për shkakun se ishim të zënë me besimin dhe mendimin e thellë në idhujt e tyre.(4)
__________________________
1. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë,botim i dytë, v.3, Istanbul 2017, f.318..
2. Sahihu-l Buhari, Kapitulli i tefsirit të ajetit të Kuranit (Inne-nasekadxhemeulekumfahshevhum) hadithi nr.4563, 3/39.
3. Hamza Abdullah Shevahene, Tevekuluerrususlalejhimselam fi dav’i-l kurani-l kerim, revista Xhamiatutajjibeliladabive-l ulumi-l islmijatei, vit,7, nr. 20, Medine,1441, f.31.
4. Muhamed Tahir bin Ashur, Tefsiru et-tahrirveettenvir, darut-tunisije lin-neshr,1984, v.29-54.