Sadakaja si vlerë dhe vepër e çmuar ka rëndësi të madhe për jetën sociale të shoqërisë dhe për subvencionimin ekonomik. Po ashtu është një mekanizëm efikas për luftimin e varfërisë dhe përmbushjen e nevojave të njerëzve, të çfarëdo kategorie qofshin.
Islami e ka rregulluar mrekullueshëm statusin ekonomik të njeriut, sa që edhe shumicën e detyrave fetare, të mos themi të gjitha, i ka sistemuar në atë mënyrë që disa obligime fetare, por edhe kefaretet (shpagimin që duhet bërë për gabimet e bëra), i ka ndërlidhur me pagesën e tyre ndaj shtresave të varfra e të njerëzve në nevojë, si zekati, sadekatul-fitri, kurbani, kefareti i agjërimit, kefareti i betimit, etj..
Sadakaja është një vepër madhështore, ngase ajo konfirmon besimin e njeriut, dëshmon për praninë e imanit në zemër. Është një vepër që sjell dobi në dynja e në ahiret. Sadakaja është një vepër e jashtëzakonshme që sjell qetësi e gëzim për atë që e jep (për dhënësin), por edhe sjell lehtësim e përmbushje për atë që ka nevojë (për marrësin).
Sadakaja për nga obligueshmëria është dy llojesh: 1. Obligative, si zekati e sadekatul-fitri; dhe, 2. Vullnetare. Ndërsa për nga natyra materiale, gjithashtu ndahet në dy lloje: 1. Me para; 2. Pa para.
Njerëzit, sa herë që përmendet sadakaja, gjithmonë mendojnë për sadakanë me para, për ndihmën financiare, mirëpo ka edhe sadaka pa para dhe që nuk kushton, madje ka shumë mënyra të ndryshme në këtë. Të kësaj natyre janë: duaja, buzëqeshja, këshillimi, mësimi dhe përhapja e diturisë, ndihmesa ndaj të tjerëve, ndarja e kohës për të tjerët, të edukuarit, falja, të folurit me respekt e butësi, të lumturojmë të tjerët, të bëhemi pjesë e gëzimit të të tjerëve, të udhëzuarit, durimi, mosbërja keq, vizitat, etj..
Ne këtu do të flasim për kategorinë e sadakasë me para, duke u fokusuar në një aspekt të saj, ruajtja e dinjitetit të njeriut. Qëllimi i sadakasë nuk është vetëm përmbushja e nevojave materiale të njerëzve, por njëkohësisht edhe mbrojtja e krenarisë së njeriut, ruajtja e dinjitetit, dhe mospërulja e personalitetit të tij. Edhe në këtë rast, kihet parasysh aspekti emocional i njeriut, qetësia shpirtërore e tij, dhe aq me rëndësi është që ai të mos ndjehet inferior në shoqëri për shkak të gjendjes së tij materiale.
Pjesëtarët e ymetit islam e kanë kuptuar mirë këtë mesazh, dhe në historinë islame kemi plot shembuj që të bëjnë të ndjehesh mirë dhe krenar pse jemi pjesëtarë të kësaj feje madhështore. Kemi rastin e Umer bin Abdulazizit, ku me udhëheqjen e drejtë të tij, në kohën e sundimit të tij, nuk ka mundur njeriu të gjejë ndonjë nevojtar, apo ndonjë të varfër, për t’ia paguar (dhënë) zekatin, apo sadakanë. Kjo për shkak të shpërndarjes së drejtë e të duhur të pasurisë së shtetit në popull, por edhe për shkak të vetëdijes së lartë të popullatës myslimane për pagesën e detyrimeve fetare si zekati e sadakaja dhe kontributet e tjera, e aq më tepër përmbushja e nevojave të njerëzve të të gjitha shtresave.
Kemi edhe rastin e Ali bin Hasen, i cili sa ishte gjallë i ndihmonte 100 familje nevojtare, pa e ditur askush që ai është personi që ndihmon, as familjet që ndihmoheshin, por as edhe të tjerët. Ai madje vetë personalisht ua shpërndante ndihmat nëpër shtëpi gjatë natës duke ua lënë te dera pa u vërejtur fare. Edhe pse ai kishte mundësi që t’i angazhonte me këtë çështje shërbëtorët e tij, ngase ishte pushtetar, mirëpo ai këtë e bënte vetë personalisht, dhe nuk donte ta dinin njerëzit se ai po ndihmon, për dy arsye. E para, këtë gjë e bënte sinqerisht vetëm për Allahun (fisebililah). Dhe e dyta, donte që ta ruante dinjitetin e njerëzve të varfër, që ata përpos që të përmbushnin nevojat e tyre me këto ndihma, njëkohësisht të mos ndjehen keq për gjendjen e tyre materiale, por edhe të mos ngushtohen kur të takohen me të, apo kur të dalin para tij, e në veçanti të mos ulet statusi i tyre para njerëzve. Tërë këtë, njerëzit e kuptuan vetëm tek pas vdekjes së tij. Dhe atë në dy aspekte: E para, personi që ia pastroi xhenazen e tij, i pa plagët (shenjat) e litarit të bëra në trupin e tij gjatë bartjes dhe shpërndarjes së ndihmave. Dhe e dyta, atyre 100 familjeve që nga ajo ditë, kur ai vdiq, nuk iu shkonin më ndihma, dhe e kuptuan se ky ishte ai furnizuesi i tyre.
Një praktikë e tillë, ka vazhduar përgjatë tërë historisë islame te myslimanët, të cilët gjenin mënyra e forma të përshtatshme për ta realizuar këtë qëllim shumë fisnik.
E ajo që më shtyri të shkruaja këtë shkrim, ishte mu kjo ndjenjë e lartë dhe fisnike, për një dukuri të përhapur gjatë kohës së Perandorisë Osmane, një fenomen dinjitoz islam i bamirësisë. Bëhet fjalë për fenomenin Guri i Sadakasë (Sadaka Taşı-Sadaka Tashë), që njihet edhe si Guri i Bamirësisë, Guri i Lëmoshës.
Në shoqërinë myslimane, gjatë kohës së Perandorisë Osmane, Guri i Sadakasë ishte një institucion bamirësie që ishte shumë i veçantë dhe i bukur.
Nuk mund të them që nuk ishte i përhapur edhe më herët, por ajo që është e sigurt se në kohën osmane ishte një fenomen shumë i përhapur. Ishte krijuar një model interesant, edhe për të ndihmuar njerëzit, e edhe për të mos u ofenduar ata që ndihmoheshin. E që është më interesantja, të mos njiheshin asnjëra palë, as ata që ndihmonin, e as ata që ndihmoheshin.
Guri i Sadakasë ishte një nga dinamikat shoqërore të osmanëve. Ishte një ndihmë e menduar mirë dhe në mënyrë aq delikate sa nuk do të njihej as dora që jep, e as dora që merr. Mendohet se kjo rrjedh nga shekulli XVI, nga koha e sulltanit Sulejman Kanuni, dhe ky sistem i Gurit të Sadakasë i vendosur nëpër pika të caktuara nëpër qytete gjatë periudhës osmane siguron që bashkëpunimi i urdhëruar nga Islami për të eliminuar pabarazitë e të të ardhurave midis njerëzve të kryhej sa më mirë dhe më efikas.
Sadakaja është më së miri të jepet fshehurazi, megjithatë, ndonjëherë mund të jetë i dobishëm njoftimi për ata që japin bamirësi, bëjnë vepra të mira dhe informojnë publikun. Kështu, njerëzit inkurajohen që të ndihmojnë të varfrit. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju.” (El Bekare, 271).
Në komentim të këtij ajeti, dijetarët arritën në përfundimin se zekati duhet dhënë haptazi, ndërsa sadakaja dhe veprat e tjera bamirëse duhen bërë fshehurazi.
Njerëzit linin lëmoshën e tyre në Gurët e Sadakasë që gjendeshin në xhami, apo gjetiu, dhe pastaj nevojtarët merrnin aq sa iu duhej atyre pa e parë atë që jepte. Gjithashtu kjo tregon për nivelin e lartë të vetëdijes së anëtarëve të shoqërisë, të cilët ishin në një gjendje të lartë e të virtytshme për sa i përket moralit dhe ndjenjës së përgjegjësisë, saqë edhe ata që kishin nevojë nuk abuzonin me këtë liri. Merrnin vetëm aq sa iu duhej pa keqpërdorur mundësinë, gjithmonë duke pasur parasysh frikën e Allahut e jo frikën e njerëzve.
Myftiu i Konakut në zonën e Izmirit, Zeki Aksoy, thotë: “Feja islame i vendos njerëzit në qendër, dhe për këtë arsye është një fe që sjell bashkëpunimin, solidaritetin dhe dashurinë në krye për të eliminuar dhe minimizuar dallimet mes njerëzve.”
Duke theksuar se bashkëpunimi është urdhëruar në Kuran dhe se Pejgamberi Muhamed a.s. në shumë hadithe rekomandon ndihmën, dhënien e lëmoshës, shqetësimin për problemet e njerëzve dhe huazimin e parave. Aksoy thotë: “Padyshim që ka dallime mes njerëzve për sa i përket të të ardhurave, për nga pozicioni i tyre. Do të ketë të pasur dhe të varfër. Dhënia e lëmoshës bëhet që të varfrit të mos mbeten të shtypur, të vetmuar dhe të harruar në këtë shoqëri, dhe që të pasurit të mos e shohin veten arrogantë në pasurinë e tyre, i afron ata me njëri-tjetrin dhe krijon lidhjen e dashurisë mes tyre. Shembulli më i mirë i kësaj janë Gurët e Sadakasë, të cilët u bënë traditë në Perandorinë Osmane.”
Po ashtu thotë: “Kur të pasurit duan që të ndihmojnë, zgjedhin kohën e natës, në errësirë i lënë paratë në Gurin e Sadakasë. Ndërsa të varfrit marrin nga ai Gur i Sadakasë vetëm aq sa kanë nevojë. Me fjalë të tjera, i pasuri ynë është një person i kuptueshëm dhe mendon për gjendjen e tjetrit; është joarrogant, jokrenar, jomburravec. Ai nuk dëshiron që të lëndohet (të ndjehet jo mirë) i varfëri duke ia dhënë paratë (zekatin e sadakanë) në dorë e duke e shikuar në sy. Ai është plotësisht modest dhe e ndihmon pa asnjë reklamë apo publikim. I varfëri ynë gjithashtu nuk është egoist, dhe kur vjen thotë: “Sa kam nevojë? 1 cent, ai merr 1 cent. Ai mendon edhe për tjetrin duke thënë se ka edhe më të varfër se ai.”
Si funksiononte guri i sadakasë?
Në Perandorinë Osmane, njerëzit e varfër që nuk mund t’iu tregonin të tjerëve për problemet e tyre, vinin te Guri i Sadakasë në orët e vona të natës kur kishin nevojë për të. Pasi merrnin prej këtij Guri paratë që iu nevojiteshin atyre, ndërsa paratë tjera i linin aty duke menduar edhe për të tjerët që kanë nevojë sikurse ata, dhe njëkohësisht duke u lutur me zemër për ata që kanë dhënë këtë bamirësi.
Të varfrit dhe nevojtarët kujdeseshin që të merrnin vetëm atë që iu nevojitej atyre dhe sasinë e nevojshme nga ajo që ishte grumbulluar në Gur, dhe të tjerat t’ua linin të tjerëve. Kjo bindje, ky altruizëm, ky mendim delikat, meriton çdo lloj vlerësimi. Njerëzit në atë kohë, e zgjidhën në mënyrën më të mirë ndihmën e njëri-tjetrit përmes Gurit të Sadakasë, duke treguar fisnikëri, virtyt dhe ndjeshmëri.
Ata pasqyruan dhembshuri dhe dashuri në shërbimet e tyre, treguan dashamirësinë e bamirësisë me masat më ideale, treguan kujdesin, mirësjelljen dhe përpjekjen maksimale për të mbrojtur dinjitetin e të varfërve, të vejave dhe jetimëve. Është një stil shembullor i sjelljes në të cilin ndjeshmëria, dhembshuria dhe dashuria realizohen në mënyrë ideale. Këto janë parimet jetike që duhen kujtuar dhe fituar për të vlerësuar dinjitetin e njerëzimit.
Gurët e Sadakasë ishin në madhësi të ndryshme, ata zakonisht ishin në formë cilindrash, ose në drejtkëndëshe në formë prizmi, ku këta gurë cilindrikë apo katrorë, ishin të ngulitur vertikalisht në tokë, dhe ishin 60cm, 90cm, 140cm, e deri në 2 metra të lartë. Majat e tyre ishin drejtkëndëshe ose të rrumbullakëta sipas gurit, dhe diku 10-15cm brendësia e tyre ishte e zbrazët, aty ku vendosej sadakaja. Por kishte edhe të atillë që ishin të vendosura në formë zgavrash në mure. Ndërsa koha e preferuar, si për të lënë bamirësit sadakanë aty, ashtu edhe si për të marrë nevojtarët sadakanë, ishte nata, në orët e vona të mbrëmjes dhe pas jacisë, e ndonjëherë edhe para sabahut.
Këta Gurë vendoseshin në vende të ndryshme që ishin të frekuentuara, si te xhamia, te tregu, te spitali, në sheshe nëpër qytete e qyteza, etj.. Me rëndësi vendosej në një vend të veçantë dhe të përshtatshëm ku nuk mund të vërehej as dhënësi e as marrësi. Pra ishte krijuar një model i tillë për të mos u lënduar e ofenduar njerëzit e varfër e të mos ndjeheshin në siklet, po ashtu edhe dhënësi të rrijë larg hipokrizisë e ekspozimit.
Gjurmë të këtyre Gurëve ka nëpër të gjitha territoret ku kanë sunduar osmanët, si në Turqi, Bullgari, Bonjë e Hercegovinë, Ma qe doni, Kosovë, Tunizi, Algjeri, etj.. Vetëm në Stamboll përmendet që kishte mbi 160 Gurë të Sadakasë.
Këta Gurë kanë frymëzuar edhe organizatat humanitare, ku një organizatë e tillë edhe është quajtur “Sadaka Taşı” – (Guri i Sadakasë), e cila u themelua në Yskydar, në Stamboll në vitin 2010, e cila ka ndihmuar edhe banorët në trojet shqiptare me rastin e fatkeqësive të ndryshme.
Meqenëse shumë pak prej këtyre Gurëve kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, nuk është e mundur që të jepen shifra të sakta për numrin e tyre. Nuk është bërë asnjë hulumtim serioz për këto monumente të virtytit (përveç disa punimeve spontane dhe të pjesshme), të cilat monumente gradualisht janë lënë pas dore për shkak të ndryshimit të kushteve, të harruara me kalimin e kohës dhe të lënë në dorë të fatit të tyre.
Nga gjendja aktuale e këtyre Gurëve mund të vërehet se disa prej tyre janë harruar mënjanë, dhe disa prej tyre janë bërë të papërdorshme për shkak të ndryshimit të kushteve botërore dhe jetës social-kulturore. Ata kanë mbetur vetëm në kujtimet e lodhura të të moshuarve që mezi i mbajnë mend. Shumica prej tyre kanë humbur, ose janë shtyrë mënjanë, ose janë kthyer përmbys gjatë aktiviteteve të gabuara komunale, shpronësimeve, punimeve të rrugës, sheshit dhe trotuarit, ose janë shkatërruar plotësisht.
Do të ishte mirë të mbrohen të paktën Gurët ekzistues të këtyre monumenteve të virtytshme, vlera dhe detyra e të cilëve nuk mund të kuptohen, sepse sot nuk përdoren, siç janë përdorur më herët, dhe nuk dihet e as nuk kuptohet përdorimi i tyre. Të paktën, kudo që gjenden këta Gurë, ta bëjnë praktike njoftimin për ta duke treguar emrin dhe pozicionin e tyre me një etiketë.
Këta Gurë, secili prej të cilëve është monument i sinqeritetit të myslimanëve, duhet që të konsiderohen edhe si Gurë specifikë dhe emblematik në historinë e kulturës dhe qytetërimit. Sidomos kur po jetojmë në një kohë ku po garohet mes njerëzve që të tregojnë aftësitë e tyre të rrëmbimit, vjedhjes, mashtrimit dhe korrupsionit. Në një kohë ku kompanitë vjedhin dhe mashtrojnë, dhe atë madje në emër të shërbimit, ku arkat e shtetit zhvaten padrejtësisht... Andaj edhe është e vështirë, e madje për shumë kënd edhe e pakapshme që të kuptohet funksioni i një guri të tillë si Guri i Sadakasë.
Këta Gurë të njohur si një traditë e zakon shme në periudhën osmane, megjithëse sot kanë humbur plotësisht funksionin e tyre, janë simbole të rëndësishme që shpalosin pasurinë e kulturës islame-osmane me ata pak shembuj që kanë mbijetuar në xhamitë historike.
Megjithatë misioni i Gurit të Sadakasë nuk ka mbaruar. Sot ai kryen një detyrë të re. E djeshmja ishte mishërimi i mëshirës, dhembshurisë dhe delikatesës, ndërsa sot është një Gur themeli për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen, si dhe shoqëria ta kuptojë rrezikun e ekspozimit të sotëm në “sferën publike”.
Secili duhet që ta kuptojë se bamirësia buron nga zemra, nuk ka nevojë për ekspozim dhe reklamë. Aq më tepër, ajo që është edhe më e rëndësishme, se nevojtari (i varfëri) nuk duhet të vritet moralisht pse po merr ndihmë. Andaj shpresojmë që kuptimi dhe misioni i këtyre Gurëve të Sadakasë të reflektojë përsëri në ditët tona në forma dhe mundësi të reja, ku do të vendosen lidhje të reja mes të varfërve dhe të të pasurve, dhe të krijohet një atmosferë e re dhe e dinjitetshme, ku edhe dora që jep, por edhe dora që merr, do të jenë të lumtura.
_____________________________
Burime:
• “Sadaka taşı”, (parë për herë të fundit më 17.08.2023), https://www.ye ni safak.com/ramazan/sadaka-tasi-2474030
• “Unutulan Gelenek Sadaka Taşı”, (parë për herë të fundit më 17.08.2023), https://evrenseldegerler.org.tr/unutulan-gelenek-sadaka-tasi/
• “Sadaka vermenin edepli yolu: Sadaka Taşları”, (parë për herë të fundit më 17.08.2023), https://hayalleme.com/editorun-sectikleri/sadaka-verme nin-edepli-yolu-sadaka-taslari/
• “Sadaka Taşı Nedir?”, (parë për herë të fundit më 17.08.2023), https:// www.islamveihsan.com/sadaka-tasi-nedir.html
• “Osmanlı’nın unutulan inceliği: “sadaka taşları””, (parë për herë të fun dit më 17.08.2023), https://www.yenisafak.com/kultur-sanat/osman li nin unutulan-inceligi-sadaka-taslari-545779
• “Sadaka taşı”, (parë për herë të fundit më 17.08.2023), https://tr.m.wikipedia. org/wiki/Sadaka.
Dituria Islame 395