Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin për të dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., familjen e tij dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Çfarë është agjërimi? Cila është e vërteta rreth agjërimit? Cilat janë fshehtësitë e agjërimit? Cilat janë ndikimet e agjërimit? A do të thotë agjërimi vetëm braktisje e ushqimit, pijeve dhe kontakteve intime prej agimit deri në perëndimin e diellit, e pastaj njeriu të veprojë çfarë të dojë?
Sikur të ishte agjërimi në këtë formë, atëherë s’ka dyshim se do të ishte gjëja më e lehtë për çdo njeri, dhe nuk do ta kishte atë shpërblim aq të madh, për të cilin na ka lajmëruar Zoti xh.sh. kur thotë: (Çdo vepër që bënë njeriu, është për të, çdo e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj, përveç agjërimit, ai është Imi dhe vetëm Unë jap shpërblimin për të. Disa dijetarë të mëhershëm kanë thënë: Agjërimi më i lehtë është Braktisja e ushqimit dhe pijeve.
Pejgamberi a.s. në një hadith ka sqaruar të vërtetën rreth agjërimit. Ai thotë: “Ai person i cili (gjatë agjërimit) nuk i braktis fjalët dhe veprat e ndyta, ai person të mos e braktisë as ushqimin dhe as pijen.” (Buhariu.)
Agjërim i plotë dhe korrekt konsiderohet agjërimi që e bën agjëruesin të arrijë shkallën e devotshmërisë, siç ka thënë Allahu xh.sh.: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El Bekare, 183).
Njeriu nuk ka mundësi të arrijë shkallën e devotshmërisë përveç nëse praktikon moralin, etikën e përsosur dhe largohet prej gjërave të pamoralshme, atëherë agjërimi patjetër duhet t’i posedojë këto gjëra:
1. Të ndaluarit nga ushqimi, pijet dhe gjërat që prishin agjërimin,
2. Ruajtja e syrit, gjuhës, dëgjimit, këmbës, dorës dhe të gjitha gjymtyrëve të trupit nga mëkatet.
3. Agjërimi i zemrës nga preokupimet e ulëta dhe mendimet që e largojnë njeriun nga Zoti, dhe largimi i saj i tërësishëm nga çdo gjë tjetër përveç Zotit xh.sh..
Agjërimi duhet t’u shpjegohet njerëzve në mënyrë praktike, në të kundërtën ai humb shpirtin e tij dhe shndërrohet në një trup pa shpirt, ose në një fotografi imagjinare.
Ku është etika-morali i agjërimit dhe namazit?
Ku është besa-amaneti?
Ku është mikpritja dhe bujaria?
Ku është devotshmëria dhe braktisja e gjërave të dyshimta?
Ku është dhembshuria dhe mëshira?
Ku është turpi dhe frika nga Zoti?
Ku është durimi dhe mbështetja ndaj Zotit?
Ku është përpjekja për vepra të mira dhe bashkëpunim të ndërsjellë?
Çfarë dobie ka agjërimi i cili nuk të ndalon, largon nga punët e ndyta dhe të neveritshme?
Çfarë dobie ka agjërimi që nuk të bën të përmbahesh nga fjalët dhe veprat e kota?
Çfarë dobie ka agjërimi që nuk të largon nga përgojimi, thashethemet, zilia dhe urrejtja?
Çfarë dobie ka agjërimi që nuk i pastron zemrat nga koprracia, egoizmi dhe çdo vepër e ligë?
Realisht, vështrimi i njerëzve karshi agjërimit duhet të ndryshojë në dritën e koncepteve islame dhe bazuar në Ligjin e Zotit xh.sh..
Agjërimi ndryshon njerëzit
Njerëzit duhet ta konsiderojnë patjetër agjërimin si njërin prej adhurimeve më të mëdha dhe si njërën prej shtyllave të fesë islame, e jo ta konsiderojnë si një traditë të trashëguar nga të parët gjeneratë pas gjenerate.
Shumë njerëz nuk ndryshojnë asgjë në jetën e tyre as nuk përmirësohen pas përfundimit të Ramazanit. Bile disa njerëz vetëm sa largohen edhe më shumë nga Zoti gjatë muajit të Ramazanit, ata janë mynafikët-hipokritët (ruana, Zot, prej tyre), të cilët e urrejnë Ramazanin dhe përgatiten për ta luftuar atë me çdo kusht vetëm e vetëm që t’i largojnë njerëzit nga ky adhurim.
Këtë ka aluduar edhe Pejgamberi a.s. kur ka thënë: “Myslimanët nuk përjetojnë një muaj më të vlefshëm sesa muaji i Ramazanit, kurse mynafikët-hipokritët nuk përjetojnë një muaj më të keq sesa muaji i Ramazanit. Kjo për arsye se myslimanët përgatitin tërë forcën për të shtuar adhurimet, ndërsa mynafikët-hipokritët mundohen t’i hutojnë ata dhe t’i largojnë nga adhurimi, prandaj ai është dhunti për besimtarin dhe mallkim për njerëzit e shthurur”.(Ahmedi dhe Bejhekiu, kurse Ahmed Shakir thotë se është hadith autentik.)
Le të jetë Ramazani një shkollë për edukimin e Ymetit, për të gjitha grupet, në virtytet e përsosura, ngritjen në gradat e adhurimit me qëllim të arritjes së kënaqësisë së Zotit, në udhëheqjen e njerëzimit dhe përforcimin në tokë, ashtu siç ka thënë Allahu xh.sh.: (Shih: En-Nur, 55). Realisht, virtytet e agjëruesve janë të shumta dhe nuk kemi mundësi t’i përmendim të gjitha, mirëpo do të cekim disa prej tyre:
Durimi
Prej virtyteve të agjërimit është durimi. Ramazani është muaji i durimit, sepse abstenimi prej gjërave të zakonshme gjatë ditës, kërkon një durim, njeriu duron urinë dhe etjen në shenjë respekti, nënshtrimi dhe dashurie ndaj Zotit xh.sh. e në shenjë pasimi ndaj Pejgamberit a.s.. Gjithashtu agjëruesi duhet të ketë durim ndaj dëmeve të njerëzve, mendjelehtësisë dhe përdhosjes së tyre. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush është agjerueshëm, atëherë të ketë kujdes nga vepra dhe fjalë të ulëta, e nëse ndonjëri e fyen ose e rreh atë, ai le të thotë: Unë jam
agjerueshëm”. (Buhariu dhe Muslimi.)
Pavarësisht nga kjo këshillë e artë e Pejgamberit a.s., ne prapë hasim njerëz të cilët në momente të caktuara humbin durimin për arsyen më të vogël, hidhërohen, fyejnë, mallkojnë dhe goditin, e, kur të qetësohen dhe të qortohen për veprimet e tyre, arsyetohen se janë agjerueshëm!! Sikur agjërimi është ai që i fton ata për këto veprime dhe fjalë
të liga. Sikur ky njeri ta dinte të vërtetën rreth agjërimit, se ai është muaji i durimit, faljes dhe mëshirës, nuk do ta akuzonte me këtë akuzë të pabazë.
Besa-amaneti
Prej virtyteve të agjërimit është besa-amaneti, sepse agjërimi është një pjesë e amaneteve që i ka pranuar-bartur njeriu, ndonëse Toka dhe qiejt qenë treguar të paaftë për pranimin-bartjen e tyre. Allahu xh.sh. thotë:(Shih:El Ahzab,72), për këtë arsye ka ardhur paralajmërimi i fuqishëm për atë që neglizhon-thyen besën e këtij muaji të begatshëm, duke ngrënë para perëndimit të diellit, edhe në qoftë se kjo bëhet disa minuta pra kohës së caktuar.
Transmeton ebu Umamete el-Bahiliu, i cili thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Përderisa unë isha duke fjetur, më erdhën dy burra të cilët më kapën për krahu dhe më dërguan pranë një kodre të lartë e më thanë: Ngriu. Unë u thashë: Nuk mundem. Ata më thanë: Ne do të ta lehtësojmë, e atëherë u ngrita dhe, kur arrita në mes të kodrës, dëgjova disa zëra të fuqishme.
Pyeta: Çfarë janë këto zëra? M’u përgjigjën: Kjo është ulërima e banorëve të Xhehenemit. Më pastaj vazhduan rrugën me mua dhe u takuam me një popull të varur në këmbët e tyre, nga të cilat rridhte gjak. Pyeta: Kush janë këta? Ata u përgjigjën: Këta janë ata që bëjnë iftar para kohës”. Nëse ky paralajmërim kaq i fuqishëm është për ata që tolerojnë në agjërimin e tyre dhe e lehtësojnë atë duke bërë iftar pak para perëndimit të diellit, atëherë si qëndron puna me ata që nuk agjërojnë fare? Apo me ata që tallen me agjëruesit?
Mëshira, barazia dhe përmbushja e nevojave të njerëzve.
Prej virtyteve të agjërimit janë edhe: mëshira, barazia dhe përmbushja e nevojave të njerëzve, sepse Ramazani është muaji i mëshirës dhe barazisë. Gjatë këtij muaji i pasuri kujton vëllanë e tij të varfër dhe ka mëshirë ndaj tij, prandaj e ndihmon me të holla, ushqime dhe pije. Për këtë ka urdhëruar edhe Pejgamberi a.s., i cili thotë: “Kush i jep iftar një agjëruesi, e ka shpërblimin e njëjtë sikur ai, pa i munguar atij nga shpërblimi i agjërimit të tij”. (Tirmidhiu dhe Ahmedi, ndërsa hadithologu El-Albanij thotë se është hadith autentik.)
Vazhdimi i ibadetit
Agjëruesi duhet të jetë i lidhur me ndjenjat e vëllezërve të tij myslimanë, duhet të ketë mëshirë ndaj të dobëtëve, t’u ndihmojë të varfërve dhe, me aq sa ka mundësi, të mundohet t’u sjellë atyre dobi dhe të largojë prej tyre çdo dëm, Allahu xh.sh. thotë: (Shih: El-Haxh, 77). Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit, ai nuk ia bën të padrejtën atij, nuk e dorëzon; atij që i del në ndihmë besimtarit, Allahu xh.sh. do t’i dalë në ndihmë; atij që i lehtëson myslimanit një prej brengave të kësaj bote, Allahu xh.sh. do t’i lehtësojë një prej brengave të botës tjetër dhe atij që ia mbulon të metat një myslimani, Allahu xh.sh. do t’ia mbulojë të metat Ditën e Kiametit”. (Buhariu dhe Muslimi.)
Përpjeka për vepra të mira
Gjithashtu prej virtyteve të agjëruesve është edhe përpjekja për vepra të mira. Allahu xh.sh. thotë: (Shih: En-Nisa, 85). Ndërsa Ebu Musa el-Eshariu r.a. thotë: Kur i vinte ndonjë lypës Pejgamberit a.s., ai u drejtohej të pranishmëve duke u thënë: “Bëni mirë, gjeni mirë”. (Buhariu
dhe Muslimi.)
Këshilla për çdo mysliman
Prej virtyteve të agjërimit është edhe këshilla për çdo mysliman. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë”. Të pranishmit e pyetën: Për kë, o i Dërguar i Allahut? Ai tha: (Për hir të Zotit, të librit të Tij, të Dërguarit të Tij dhe këshillë për udhëheqësit e besimtarëve dhe masën në përgjithësi). (Muslimi.) Gjithashtu Xhabir ibn Abdullah r.a. thotë: “Ia kam dhënë besën-e i kam premtuar Pejgamberit a.s. që do ta fal namazin, do ta jap zeqatin dhe do të këshilloj çdo mysliman”. (Buhariu dhe Muslimi.)
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk e ka plotësuar imanin-besimin asnjëri prej jush përderisa të mos i dëshirojë vëllait të tij atë që dëshiron për veten e tij”. (Buhariu dhe Muslimi.)
E drejtë e myslimanit kundrejt vëllait të tij mysliman është që ta këshillojë atë, ta thërrasë për çdo gjë që është e mirë për të, dhe ta largojë nga çdo gjë që është e dëmshme për të. Kjo është brenda kornizave të vëllazërisë islame dhe unitetit të besimit, që e ka formuar Pejgamberi a.s. kur ka thënë: “Shembulli i myslimanëve në dashurinë e tyre, mëshirën dhe respektin e ndërsjellë, është sikur shembulli i një trupi, nëse një pjesë e trupit ankohet, atëherë i tërë trupi është i sëmurë”. (Buhariu dhe Muslimi.)
Ramazani është një rast shumë i mirë dhe i volitshëm për këshillë, mësim dhe për udhëzimin e njerëzve, sepse zemrat janë të drejtuara nga Zoti i tyre, shpirtrat janë të etura për të dëgjuar fjalët e Zotit dhe fjalët e të Dërguarit të Tij, qetësia mbretëron dhe shejtanët janë të prangosur. Për këtë arsye çdo mysliman duhet ta shfrytëzoj këtë muaj të bekuar për këshillë, mësim dhe udhëzim për njerëzit, e në veçanti imamët e xhamive, nxënësit dhe studentët e studimeve islame, të cilët kanë një barrë jashtëzakonisht të madhe karshi njerëzve - për t’i ftuar në rrugën e drejtë.
Bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri.
Prej virtyteve të agjërimit është edhe: bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri. Për këtë ka urdhëruar edhe Allahu xh.sh. kur thotë: (Shih: El Asr, 1-3). Gjatë muajit të Ramazanit mund të bëhen shumë aktivitete dhe punë të mira, siç janë:
1. Shtruarja e iftarit;
2. Fëmijëve t’u jepen njohuri elementare të fesë islame;
3. Mbajtja e ligjëratave të ndryshme nëpër xhami, radio, televizione dhe salla të ndryshme;
4. Shpërndarja e librave dhe CD-ve me njohuri rreth muajit të Ramazanit;
5. Ndihma ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe bonjakëve.
Çdo mysliman duhet t’u bashkohet vëllezërve në ndonjërin prej këtyre aktiviteteve, ose me pasurinë e tij, ose me mundin e tij, ose me kohën e tij, në mënyrë që të mos humbë shpërblimin e madh gjatë këtij muaji të begatshëm.
Pajtimi mes njerëzve
Prej virtyteve të agjërimit është edhe pajtimi mes njerëzve. Kjo është një punë shumë e madhe, të cilën e anashkalojnë shumë njerëz. Allahu xh.sh. thotë: (Shih: El Huxhurat, 10); gjithashtu në një vend tjetër Allahu xh.sh. thotë: “Pajtimi është më i dobishmi” (En-Nisa, 128).
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Për çdo falangë (nyjë të eshtrave) të njerëzve duhet të jepet sadaka-lëmoshë; për çdo ditë që lind dielli dhe pajton dy njerëz, është sadaka-lëmoshë; nëse ndihmon ndonjë njeri në rrugë duke ia bartur valixhet apo diçka tjetër, është sadaka-lëmoshë; çdo hap që bën për të falur namazin, është sadaka-lëmoshë dhe çdo pengesë që largon nga rruga, është sadakë-lëmoshë”. (Buhariu dhe Muslimi.)
S’ka dyshim që virtytet e agjëruesve janë të shumta, ato përfshijnë çdo sjellje të mirë, çdo cilësi të bukur dhe çdo vepër të pëlqyer. Prandaj konsiderohet i suksesshëm ai që gjatë këtij muaji, bën më shpesh këso virtytesh dhe nga çdonjëri prej tyre përfiton diçka, ndërsa i dështuar konsiderohet ai që nuk ka përfituar asgjë nga ky muaj i bekuar, po e ka kaluar atë në gjumë dhe ndenjje të kota. Për fund, i lutemi Zotit xh.sh. që të na e mundësojë agjërimin e këtij muaji ashtu siç është i kënaqur Ai dhe të na bëjë prej të amnistuarve nga zjarri i Xhehenemit.