40 mësime nga imam Neveviu për Agjërimin


Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!


1. Agjërimi gjuhësisht nënkupton përmbajtjen dhe abstenimin nga diç, kurse fetarisht ka kuptimin: abstenim i veçantë, në kohë të veçantë-caktuar, nga person i caktuar.


2. Thënia e Muhammedit, alejhi’s selam: “Kur të hyjë Ramazani...” është argument i drejtimit të qëlluar dhe të zgjedhur, të përfaqësuar nga Buhariu dhe të tjerë, se lejohet pa asnjë urrejtje të thuhet “Ramazan” pa përmendur fare “muaj i”.

- Urrehet që të thuhet “Ramazan” pa përmendur më parë edhe fjalën muaj. Këtë mendim e ndajnë malakitet, të cilët pohojnë se Ramazani është emër prej emrave të Allahut, që nuk mund të përdoret për të tjerë pa para apo prapashtesë.

- Pastaj përmendi mendimin e dytë e menjëherë mendimin e tretë, të cilin e përmendëm sipër.


3. Mendimi se Ramazani është emër prej emrave të Allahut është i dobët dhe i paargumentuar, edhe pse në fakt ekziston një transmetim i dobët përkitazi me këtë. Por meqenëse emrat e Allahut janë tevkifijj (bazohen vetëm në burime fetare) atëherë nuk përdoren pa argumente autentike.


4. Hadithi: “Agjëroni me pamjen e hënës dhe bëni bajram me pamjen e saj” ka për qellim pamjen e hënës nga një pjesë e muslimanëve e jo të gjithë. Mjafton që ta shohin dy besimtarë të drejtë, e edhe një sipas mendimit më të saktë. Kurse sa i përket Bajramit, kushtëzohen patjetër dy besimtarë të drejtë dhe askush përveç Ebu Theurit nuk e ka lejuar me një besimtar të drejtë.


5. Hadithi: “Dy muaj të festës që nuk pakësohen: Ramazani dhe Dhu’l Hixh-xheh” ka për qëllim -sipas mendimit më të saktë- se shpërblimi i tyre nuk pakësohet edhe nëse shifra e tyre pakësohet.

Disa thanë se për qellim është se ata dy muaj nuk pakësohen së bashku gjatë një viti të vetëm derisa të tretët ndanë mendimin se shpërblimi i muajit Dhu’l Hixh-xhe nuk është më i vogël se ai i Ramazanit. Ky mendim është i dobët dhe i pranuar mbetet mendimi i parë.


6. Hadithi: “Le të mos e pengojë askënd prej jush ezani i Bilallit (nga syfyri) ngase ai thërret që të kthehet falësi juaj dhe të zgjohet i fjeturi juaj” ka kuptimin: Bilalli e thërret ezanin që tua bëjë me dije se namazi i sabahut nuk është larg kështu që ai që është falur vullnetarisht:


- le të kthehet për të pushuar pak për të qenë më pas i kthjellet për namaz të sabahut,

- apo për të falur namazin e vitrit,

- apo për tu përgatitur për namaz nëse ka nevojë për tu pastruar.

Kurse thënia “i fjeturi juaj” ka për qëllim:

- që të përgatitet për namaz të sabahut nëse do që para tij të fal pak namaz nate,

- apo ta fal vitrin,

- apo të bëjë syfyr nëse do ta agjëroj të nesërmen,

- apo të marr abdes.


7. Hadithi: “Bëni syfyr ngase në syfyr ka bereqet” nxit për vlerën që ka ngrënia e syfyrit dhe vet syfyri. Dijetarët janë pajtuar se syfyri megjithatë nuk është obligim (vaxhib) por i preferuar (mustehab).


8. Bereqeti i syfyrit është i dukshëm; ai forcon për agjërim dhe shton pasionin për agjërim sa më të shumtë meqë me të vështirësitë e agjërimit janë të pakta. Kjo është domethënia që merret si e qëlluar.


9. Visali (agjërimi pandërprerë) është kur njeriu agjëron dy e më tepër ditë pa ngrënë fare.


10. Hadithi: “Unë buaj kurse Allahu më ushqen dhe më jep të pijë” ka kuptimin:


- Allahu i jep fuqinë e atij që ka ngrënë dhe ka pirë,

- Allahu i jep të hajë dhe pijë konkretisht nga të mirat e Xhennetit si nderim për të.

Mendimi i parë është më i qëlluar ngase ai po të hante konkretisht nuk do të llogaritej si Visal (agjërim i pandërprerë).


11. Ai që bën marrëdhënie intime me gruan nga harresa nuk e prish agjërimin dhe as që duhet ta shpaguajë atë. Ky është mendimi që ndan medhhebi ynë, dhe të cilin e mbron edhe Xhumhuri (shumica e dijetarëve), ani pse Imam Ahmedi mendon se e prish agjërimin dhe duhet të bëjë keffaret (shpagim). Argumenti ynë është se hadithi që flet për ngrënien me harresë është i vërtetë, dhe marrëdhëniet janë në këtë kuptim.


12. Transmetimi i Ummi Fadlit: “Se disa njerëz diskutuan në ishte apo jo i dërguari i Allahut agjërushëm Ditën e Arafatit kështu që ia dërgova një gotë me qumësht derisa ai qëndronte mbi deve dhe e piu” është komentuar në forma të ndryshme:


- Shafiu, Maliku dhe Ebu Hanife bashkërisht me shumicën e dijetarëve mendojnë se preferohet ngrënia Ditën e Arafatit për atë që është haxhi, përderisa,

- Aisheja dhe Ibni Zubejri e agjëronin atë ditë.

Shumica e dijetarëve argumentuan me veprimin e Pejgamberit, alejhi’s selam (i cili piu qumështin) ngase kjo është më e lehtë për haxhiun, derisa të tjerët argumentuan me hadithin e përgjithshëm të vlerës së Arafatit që shlyen mëkatet e dy vjetëve. Këtë hadith Xhumhuri (shumica e dijetarëve) e komentuan për ata që nuk janë në Haxh.


13. Arsyeja e agjërimit të ditës së nëntë bashkërisht me të dhjetën në Ashura është që të mos iu ngjasojmë çifutëve, të cilët veçojnë vetëm të dhjetën. Hadithi e aludon këtë, edhe pse një grup kanë thënë se për qellim është që të jemi të sigurt për ditën e dhjetë. Pra, agjërohet edhe e nënta si kujdes ndaj të dhjetës. Mendimi i parë është më i qëlluar.


14. Ditët e Teshrikut janë tri, dhe këtë pas ditës së Nahrit (ditës së parë të Kurban Bajramit).


15. Janë quajtur ditë të Teshrikut për shkak se njerëzit kanë vënë mishin e kurbanëve në diell për tu terur.


16. Hadithi: “Ditët e Teshkrikut janë dite ngrënie dhe pijeje” është argument se nuk lejohet agjërimi i këtyre tri ditëve. Këtë mendim e mbështesin Shafiu, Ebu Hanife, Ibnu’l Mundhiri, e të tjerë. Kurse një grup tjetër mendojnë se -vullnetarisht- mund të agjërohen këto ditë. Maliku, Evzaiu, Is’haku dhe Shafiu -sipas nje verzisoni- mendojnë se lejohet agjërimi i këtyre ditëve për atë që ka bërë haxhin temettu dhe që nuk ka patur mundësi të therë kurban. Argument morën hadithin e Aishes të transmetuar nga Buhariu, se: “Askujt nuk i është lejuar agjërimi i Ditëve të Teshrikut, me përjashtim të atij që nuk ka gjetur kurban për therje”.


17. Kanë thënë dijetarët se arsyeja e ndalimit të agjërimit të ditës së xhuma qëndron në atë se xhumaja është ditë lutjeje, dhikri, adhurimi, kështu që preferohet ngrënia që të jetë si ndihmesë për njeriun për këtë punë. Ky është mendimi që merret si bazë edhe pse një grup mendojnë se shkak i ndalesës së veçimit të xhumasë me agjërim është frika nga madhërimi i tepërt ashtu siç u mashtruan një grup njerëzish (çifutët) me ditën e shtunë, por njihet si mendim i dobët. Ekziston edhe një tjetër mendim që thotë se ndalesa është bërë për shkak që të mos kuptohet se është obligative një gjë e tillë, por edhe ky mendim është i dobët.


18. Hadithi: “Mos e veçoni natën e xhumasë me namaz nate nga netët tjera” është dëshmi e një grupi dijetaresh se urrehet namazi i shpifur dhe i ashtuquajtur regaib, Allahu e vraftë atë që e vëri dhe e shpiku ngase është prej risive të urryera, të cilat janë humbje dhe injorancë. Të këqijat në të janë të qarta.


19. Dijetarët janë njëzëri sa i përket asaj se gruas nuk i lejohet të agjërojë vullnetarisht kur burri është në shtëpi, me përjashtim nëse ai i jep leje.


20. Maliku, Ebu Hanife, Shafiu, Ahmedi, dhe një pjesë e madhe e selefit mendojnë se kompensimi i ditëve të lëshuara të Ramazanit me arsye nuk kushtëzohet me rastin e mundësisë së pare, me kusht që kjo periudhë të mos jetë më larg se muaji Shaban ngase më pas vjen koha kur agjërimi më nuk pranohet, e kjo është koha e Ramazanit.


21. Dijetarët kanë polemizuar sa i përket atij që ka vdekur dhe që i ka mbetur agjërim pa e kryer, qoftë ky agjërim ramazani, kompensim, zotim, se a agjërohet për të apo jo? Shafiu ndan dy mendime, prej të cilëve më i njohuri është ky i pari:


- nuk lejohet që për të të agjërohet.

- Kurse mendimi i dytë është se lejohet dhe kjo i shpaguhet të vdekurit. Ky mendim në fakt është i qëlluari ngase e përkrah hadithi: “Kush vdes dhe i mbetet agjërim, atëherë për të agjëron kujdestari i tij”.


22. Hadithi: “Kush ka vdekur dhe i ka mbetur agjërim pa përfunduar, atëherë i kompensohet me ushqimdhënie” është i pavërtetuar.


23. Domethënia e fjalës në hadith: “agjëron për të kujdestari i tij” është çdo i afërm, pa marrë parasysh se a është trashëgimtar apo jo. Disa thonë se për qellim është: trashëgimtari derisa të tretë thonë se për qellim është: el asabeh (bijtë dhe të afërmit). Mendimi i parë është më i qëlluar.


24. Domethënia e fjalëve në hadith: “le të mos bëjë refeth dhe as injorancë”: refeth janë ahmakllëku dhe fjalët boshe e banale derisa el xhehlu është përafërsisht ngjashëm me refeth. Më konkretisht, është e kundërta e urtësisë dhe saktësisë në fjalë dhe vepra.


25. Hadithi: “le të thotë: Unë jam agjërues!” ka kuptimin: le të thotë me zë që ta ndien sharësi dhe kacafytësi ngase kjo e bën të largohet.

Mirëpo është thënë edhe se kjo fjalë nuk ka nevojë të thuhet me zë por në vete që ta ndaloj këtë per t’ia kthyer sharjen sharësit.

E sikur të bëheshin bashkë këto dy mendime, do të ishte mirë.


26. Hadithi: “?agjërimi është mburojë” ka kuptimin: Agjërimi është mburojë dhe pengesë nga fjalët banale, veprat e liga, mëkatet, e po kështu është pengesë edhe nga zjarri i Xhehennemit.


27. Qëllimi me hadithin: “Agjëruesi ka dy gëzime: gëzim me iftarin e tij por edhe gëzim kur ta takojë Krijuesin e tij” ka kuptimin se besimtari gëzohet në iftar (apo dhe në bajram) ngase e ka përfunduar adhurimin e tij pa gjërat që e prishin atë. Kurse gëzimin kur ta takojë Allahun e ka për arsye se sheh mirësitë dhe dhuntitë që janë përgatitur për agjëruesit.


28. Hadithi “Kush agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu për atë ditë ia largon fytyrën larg Xhehennemit për 70 vjeshta” flet për vlerën e agjërimit në rrugën e Allahut. Hadithi komentohet për ata që nuk dëmtohen dhe që një gjë e tillë nuk vërehet në përgatitjen e tyre për luftë dhe as për gjerat tjera ushtarake.


29. El hajsu është ushqimi i përberë nga hurma me tëlyen dhe kos.


30. Agjërimi i shumicës së muajit Shaban shumë është bërë për shkak se ngritën veprat e njerëzve në këtë muaj tek Allahu. Është thënë edhe ndryshe.


31. Dijetarët kanë thënë: Nuk është agjëruar komplet asnjë muaj përveç Ramazanit në mënyrë që të mos krijohet përshtypja e obligimit.


32. Për agjërimin e Muajit Rexheb as nuk ka tekste që ndalojnë por as që preferojnë.


33. Hadithi: “Namazi më i kirë pas farzit është ai i natës” është dëshmi e pajtimit të dijetarëve se namazi fakultativ i natës është më i mirë se ai i ditës.


34. Hadithi: “Kush agjëron Ramazanin e pastaj e përcjell me gjashtë ditë të Shevalit është sikur ta ketë agjëruar tërë vitin” është komentuar kështu: Kjo është kësisoj ngase një e mirë shpërblehet me dhjetë sosh. Ramazani shpërblehet me dhjetë muaj ndërsa gjashtë ditë shpërblehen me 60, pra dy muaj, e kështu bëhet agjërimi vjetor. Kjo është transmetuar në një hadith merfuu në Sunenin e Nesaiut.


35. Kanë thënë dijetarët: Nata e Kadrit është quajtur kështu ngase melaiket shkruajnë kaderet (caktimet), idaren dhe exhelet e vitit në vijim.

Është thënë edhe ndryshe, se është quajtur kështu për hire të vlerës dhe nderit që ka.


36. Hadithi: “Kërkojeni Natën e Kadrit” ka kuptimin: bëhuni kureshtar për kërkimin e saj dhe përpiquni në të.


37. I’tikafi gjuhësisht d.t.th.: mbyllje, qëndrim dhe nevojshmëri, kurse fetarisht nënkupton: Qëndrimi në xhami nga një person i caktuar me formë (qëndrimi) të caktuar.


38. Aisheja ka thënë: “Pejgamberi, alejhi’s selam bënte I’tikafin në dhjetëshin e fundit . Ky hadith flet për preferimin e I’tikafit, e sidomos në dhjetë ditët e fundit. Muslimanët janë pajtuar se I’tikafi nuk është vaxhib – obligim.


39. Maliku, Ebu Hanife dhe shumica kushtëzojnë agjërimin për atë që bën I’tikaf. Argument kanë këto hadithe. Ndërsa Imam Shafiu argumentoi me I’tikafin e Pejgamberit, alejhi’s selam në dhjetë ditët e para të Shevvalit. Po kështu edhe me hadithin e Omerit, i cili i tha Pejgamberit, alejhi’s selam se në periudhën paraislame ishte zotuar për I’tikaf të një nate. Pejgamberi, alejhi’s selam i tha: Përmbushe zotimin tënd.

Omeri kërkoi të bënte I’tikaf natën ndërsa nata nuk është koha e agjërimit. Kjo dëshmon se agjërimi nuk kushtëzohet.


40. Hadithi i Aishes: “Pejgamberi, alejhi’s selam në dhjetë ditët e fundit...e lidhte rripin në bel”, ka kuptimin: Përpjekje e madhe për adhurim. Është thënë edhe ndryshe se kjo është metaforë për largimin nga gratë me qëllim të bërjes sa më shumë adhurim.


Përfundoi me ndihmën e Allahut dhe suksesin prej Tij!



Sulejman b. Muhammed el Luhejmejd
Titulli në origjinal: 40 faidetun muhtaretun min Sherhi’n Nevevi ala Sahihi Muslim (Kitabu’s sijam)
Përshtati: Sedat Islami


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë ramazani në qytetin tonë