Ndihet nevoja që agjëruesve t’ua rikujtojmë që veprimi i punëve të mira duhet të jetë i vazhdueshëm. Besimtari nuk duhet t’i ndërpres punët e mira, sepse Zoti xh.sh. na solli në këtë botë në mënyrë që ta adhumjmë Zotin xh.sh. deri në vdekje.
Muaji Ramazan është muaj që në të, besimtarët përjetojnë momente të veçanta, marrin energji pozitive për të vazhduar kështu edhe muajt e tjerë. Pra, besimtari në muajin Ramazan hyn në një shkollë, kalitet, edukohet për të qenë i vazhdueshëm kështu në veprimtarinë e punëve të mira gjatë gjithë vitit.
Gjatë gjithë muajit Ramazan lexon Kuran, bën dhikër-falënderon Zotin xh.sh., jep lëmoshë, përpiqet të lexojë diçka nga literatura islame që të jetë i mirinformuar mbi të gjitha tematikat islame. Gjatë këtij muaji besimtari falet, fal edhe namaz nafile, përpiqet që të jetë sa më i dashur dhe më i afërt me familjen, prindërit, fisin dhe njerëzit përreth. Është Ramazani i dytë që po presim në kushte pandemike, mirëpo këtë vit kemi fatin e madh që e presim me xhami të hapura dhe kemi mundësinë që ta ndiejmë ngrohtësinë e xhamisë dhe faljen e namazit të teravisë së bashku, gjithnjë duke respektuar të gjitha masat anti-covid.
Ditë të bekuara dhe të numëruara
Duke e ditur që muaji Ramazan është një shkollë, janë ditë të bekuara dhe të numëruara, njeriu mundohet që të vazhdoj në veprimtari të punëve të mira, në kryerjen e ibadeteve, raporte të mira me njerëzit gjatë gjithë vitit. Pasi përfundon muaji Ramazan vërejmë se si shumë njerëz ndalojnë nga namazi i natës, nga agjërimi nafile-vullnetar, nga dhënia e lëmoshës, nga leximi i Kuranit, me një fjalë i ndërpresin punët e mira të cilat i kanë bërë gjatë muajit Ramazan. Është e natyrshme që njeriu të pësoj njëfarë plogështie, pas gjallërimit që ka pasur në muajin Ramazan, sepse edhe vetë Muhamedi a.s., na rikujton se çdo punë e ka momentin e saj të gjallërisë dhe pastaj pasohet me njëfarë plogështie, por në qoftë se plogështia e besimtarit mbetet në mes të asaj që është e pranueshme në Islam, atëherë ky njeri do të shpëtoj. Pra edhe në qoftë se neglizhon në kryerjen e një pune që e ka bërë më shumë në Ramazan, ai nuk bën gjëra që janë të ndaluara, nuk i tejkalon caqet duke lënë punët të cilat Zoti xh.sh. ia ka bërë detyrë si namazin, dhënien e lëmoshës, leximin e Kuranit, urdhërimi për të mirë, e ndalimi nga e keqja, pra ky njeri do të shpëtojë dhe do të jetë prej të shpërblyerve. Pra ndihet nevoja që agjëruesve t'ua rikujtojmë që veprimi i puneve të mira duhet të jetë i vazhdueshëm. Besimtari nuk duhet t'i ndërpres punët e mira, sepse Zoti xh.sh. na solli në këtë botë në mënyrë që ta adhurojmë Zotin xh.sh. deri në vdekje.
Zoti xh.sh. në Kuran thotë: "Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë ty e vërteta (vdekja)."(1)
Rruga nuk përfundon këtu
Rruga që kemi përpara nuk përfundon me përfundimin e muajit Ramazani, sepse Ramazani vërtet është një mundësi e mirë, një mësim i shkëlqyer, një sezon i punëve të mira, pra një urtësi e madhe që mësimet e nxjerra nga ky muaj t'i vazhdojmë gjatë gjithë vitit. Nëse besimtari e njeh thelbin e Ramazanit, atë që të bëhet i devotshëm, që të bëhet durimtar, ta ripërtërinë veten, atëherë këto i jetëson dhe vazhdon me punë të mira. Zoti xh.sh. ka thënë: "O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm."(2)
Padyshim se devotshmëria arrihet duke bërë pune te mira të vazhdueshme, sidomos në Ramazan i shumëfishojnë të mirat, mirëpo nuk duhet të lihen mbas dore edhe pas Ramazanit. Punët e mira nuk janë të mjaftueshme vetëm për një muaj, e që për njëmbëdhjetë muajt e tjerë të jemi të lirë, pra çdo muaj, çdo ditë kemi përgjegjësi para Zotit xh.sh.. Nëse vazhdojmë me punë të mira, është një shenjë që Ramazani është pranuar nga ne, ngase të mirat sjellin të mira.
Zoti xh.sh. thotë: "E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u jap shpërblim të plotë."
Pasimi i Ramazanit me gjashtë ditë agjërim të muajit sheval
Ramazanin e zbukuruam me agjërim, lutje, namaz, namaz nate, kënaqësi këto që i kanë shijuar ata njerëz që e kanë shijuar ëmbëlsinë e besimit. Mbasi që Ramazani të kalojë, ne përsëri kemi një program edhe pas Ramazanit. Agjërimi i gjashtë ditëve të shevalit është adhurim i cili bëhet pas Ramazanit, mirëpo kam zgjedhur përmendjen e këtyre ditëve për shkak që shpërblimi i ditëve të shevalit vije paralel me shpërblimin e muajit Ramazan.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush agjëron Ramazanin e pastaj e pason atë me gjashtë ditë nga muaji sheval, llogaritet sikur të kishte agjëruar tërë vitin.”(4)
Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj
Transmetohet nga Muadhe el-Adevije se ka thënë: "E kam pyetur Aishen, bashkëshorten e të Dërguarit a.s.: ''A ka agjëruar i Dërguari i Allahut a.s. çdo muaj nga tri ditë?" Ajo tha: "Po." Unë e pyeta: "Cilat ditë në muaj ka agjëruar?" Ajo tha: "Nuk i ka kushtuar kujdes se cilat ditë në muaj do t'i agjërojë."(5)
Agjërimi më i vlefshëm është agjërimi i Davudit a.s., një ditë agjërim dhe një ditë ushqim.
Abdullah ibën Amëri .r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit a.s. dhe namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit a.s.. Ai (Davudi) flinte gjysmën e natës, kurse një të tretën e natës falej dhe flinte një të gjashtën e natës. Agjëronte një ditë dhe hante një ditë."(6)
Pra, Muhamedi a.s. na ka këshilluar që gjithmonë të jemi të matur, mesatar dhe me adhurim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës sonë.
_________
1. El Hixhër; 99.
2. El-Bekare, 183.
3. Ali Imran, 57.
4. Sahihu Muslim, version i shkurtuar; vëll. II, Imam Zekijjud-din el-Mundhiri, Sira, qershor 2009, Prishtinë, fq.34.
5. Po aty, fq. 38.
6. Po aty, fq.40.
Ditura Islame 365